NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
"Oktopadi i kuq": si punon mafia ruse?
 
 

 
 
 
 
DOSSIER VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Analizë
Ali Ahmeti: trimi i mirë me armiq shumë

Shqiptar OSEKU

Ish-prijësi i Ushtisë Çlirimtare Kombëtare ka bërë me dije se e ka ndërmend ta udhëheqë një parti të re. Qëllimi i partisë së tij, si u ka thënë z. Ahmeti gazetarëve, do të jetë "ta përshpejtojë integrimin" e shqiptarëve në IRJM (Ish-republikën jugosllave të Maqedonisë).

"Qëllimi është që të përshpejtohet procesi i integrimit në IRJM, për t'u siguruar shqiptarëve qasje edhe në arenat të cilat deri tani kanë qenë ekzklusivisht maqedonase", citohet të ketë thënë z. Ahmeti.

Kumti nga Shkupi është doemos një ogur i mirë për shqiptarët nën IRJM. Ndofta pikë së pari pse ai vie mu prej qendrës së Shkupit, e jo prej Tetovës a prej skajeve etnikisht të pastra të katundeve malësore. E pastaj, pse e konfirmon formësimin e një force të re politike, shpresëdhënëse për shqiptarët nën IRJM, e cila premton t'i zëvendësojë zhgënjimet e deritanishme.

Ky kumt i mirë është i lidhur kryekëput me emrin e Ali Ahmetit. Pa vajtur një vit i plotë, z. Ahmeti është transformuar nga kreu i një ushtrie kryengritëse në prijës politik me vizion distinktiv në politikën shqiptare. E shqiptarët sot për sot kanë nevoja mu në këtë lëmi, pra për më shumë politikanë, e më pak revolveristë.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë e kanë lavdëruar z. Ahmeti për qëndrimin e tij konstruktiv gjatë dhe pas konfliktit të armatosur. Ata e vlerësojnë zgjuarësisht z. Ahmeti si garancën e fundit për paqe etnike në vend. Ky është sukses i madh për njeriun i cili dikur, kur shpërthyen krismat e para në IRJM, sigurisht që ishte personi absolutisht më i urrejtur në botë prej të gjithë ndërkombëtarëve.

Pas luftës, z. Ahmeti u përpoq ta ndërtojë një aleancë të partive shqiptare në IRJM. Dhe për një kohë partitë shqiptare, kush me vullnet e kush me zor, qëndruan në fjalë. Por puna u prish, ashtu si parathonin cinikisht sllavomaqedonasit që do të ndodhte. Partia më e madhe shqiptare deri sot, Partia Demokratika Shqiptare, e braktisi aleancën pas atentatit kundër nr 2 të saj, Menduh Thaçi.

Është ende e paqartë nëse z. Ahmeti ka vendosur ta tërhedhë tërësisht idenë e koordinimit me koncensus. Por është fakt se vija e tij ka ndeshur në rezistenca të forta te bajraktarët e etabluar të politikës shqiptare në IRJM, të cilët druajnë se mos po u prish afarizmin politik, ekonomik, e besa nganjëherë edhe kriminal, xhokeri i ri i politikës shqiptare.

Planet e z. Ahmeti për koordinim të punëve janë kundërvepruar p.sh. sistematikisht prej Menduh Thaçit, eminenca e hirtë në PDSH, parti kjo që sy e faqe udhëheqet ende prej Arbër Xhaferit infarktik. Çarshia në IRJM ka kohë që thotë se z. Thaçi ka lidhur aleancë të pashenjtë me ministrin e brendshëm Lube Boshkovski, yllin e estradës nacionaliste sllave, për ta kontrolluar bashkarisht trafikun e paligjshëm të alkoolit dhe duhanit nëpër IRJM. Nga student i dështuar në Prishtinë e aparatçik i imtë partiak në Tetovë, z. Thaçi ka arritur të ketë një ndikim të krahasueshëm me atë të donëve të mafias siciliane. Ai ruhet nga truprojet 24 orë në ditë e rrugëton me vetura të blinduara, ndërsa shtëpia e tij luksoze në Tetovë i gjason më tepër një fortese.

Njëherit, z. Ahmeti sfidohet edhe prej fraksioneve "të serta" në këndin tjetër të ringut, që mendojnë se ai e ka tradhëtuar Çështjen që momentin kur e uli armën. Armata Kombëtare Shqiptare, që ka bërë be ta vazhdojë punën aty ku e la UKÇ-ja, thotë se z. Ahmeti s'është fare më i mirë se Menduh Thaçi, qëkur ka pranuar të bëjë pazar politik me këtë të fundit.

Gjaknxehtit e AKSH-së i dhanë pikë falas Thaçit në mars, kur e sulmuan shtëpinë fortesë të tij në Tetovë. Tre vetë u vranë e plot tjerë u plagosën, natyrisht pos vet Thaçit. Ky kundërveproi menjëherë dhelpërisht - duke e tërhequr partinë e vet nga aleanca politike e z. Ahmeti, e cila nga zëdhënësit e Thaçit u damkos si "ilojale".

Si fitues doli vet Thaçi, të cilin opinioni i përgjithshëm e kish detyruar ta veshë këmishën e ngushtë koordinative; si dhe AKSH-ja, kuptohet, që e kish kuptuar se një koncensus á-là Ahmeti që do t'i bashkonte politikanët shqiptarë do t'i bënte armët të tepërta.

Vendimi i Ali Ahmetit për të krijuar parti të veten politike është, pra, hapi i fundit i dëshpëruar i prijësit të dikurshëm të guerilës për ta trasuar një "rrugë të tretë" për shqiptarët nën IRJM, të trusur në dyfetësh mes mafies së Thaçit e revolucionarëve amatorë të AKSH-së.

Se a do të ketë sukses z. Ahmeti a jo, për këtë është ende herët të nxjerrim fall. Ai mund të llogaritë në mbështetjen e disa partive politike shqiptare (disa janë ofruar edhe të shkrihen krejt në partinë e tij), të shumicës së intelektualëve shqiptarë nën IRJM, si dhe - të fundit në rend po jo në rëndësi - të një bërthame idealiste të vëllezerve të armës nga UÇK-ja e vjetër, që janë të gatshëm bukvalisht ta hanë plumbin në vend të tij.

(Se ky argumenti i fundit nuk është krejt pa rëndësi dëshmon lajmi rrëqethës i publikuar nga Ministra e brendshme e IRJM-së, e cila ka pranuar se s'i janë kthyer ende mëse 180 000 copë armë të shpërndara ndër sllavët etnikë gjatë luftës së fundit; e se sa armë të paligjshme ekzistojnë ndër shqiptarët, këtë s'ka djall me brirë ta dijë.)

Në fund krejt, ajo që flet më së shumti për z. Ahmeti është vetja e tij. Ai është çuni që u ndoq prej shtëpisë kur ishte student në vitet 1980. Por i cili e shtërngoi veten ta lë familjen e rehatinë e mërgimit, për t'u kthyer prapë në shtëpi 20 vjet më vonë, kësaj radhe si luftëtar lirie me kallash në dorë, në krye të kryengritjes më masive, më të shpejtë dhe absolutisht më të suksesshme në historinë moderne të Siujdhesës Ilirike (kur i numërojmë përfitimet e nxjerra, në përpjesëtim me dëmet).

Mirëpo, z. Ahmeti mund të llogaritë edhe në telashe prej armiqve të pushtetshëm. Në fillim prej tentakleve të Menduh Thaçit në shoqërinë shqiptare, e pastaj edhe prej revolveristëve të çakorduar të këtij e të AKSH-së. Por në një plan më të lartë, z. Ahmeti kërcënohet më së shumti prej pushtetmbajtësve sllavë në IRJM. Ata kanë arritur deri tash t'i zhagitin reformat drejt barazisë etnike duke e luajtur mu kartën e përçarjeve shqiptare; andaj, ata s'kanë gjë fare për të fituar, e gjithçka për të humbur, nga një politikë konstruktive shqiptare në IRJM.

Kërcënimi i kreut sllav kundër z. Ahmeti është më i rrezikshmi, meqë ata mund t'i rekrutojnë shërbimet e shërbimit të sigurimit sllavomaqedonas, arma kjo më e paskrupullt sllave në tërë luftën e ndyrë kundër shqiptarëve. Shërbimi i sigurimit u ka bërë bisht deri sot të gjitha tentimeve për reforma, sigurisht me qëllim të caktuar. Eprorët e sigurimit sllavomaqedonas vazhdojnë t'i stërvitin e t'i koordinojnë bandat e paraushtarakëve e të terroristëve sllavë të tipit "Luanët" (që në fushën e nderit morën nofkën ironike "Macet"), e të lodrojnë përditë poshtë e përpjetë me shumicën e atyre armëve që Ministria e brendshme zyrtarisht i ka shpallur "të zhdukura".

Pesha që mund ta rëndojë kandarin në kahun e z. Ahmeti mund të jenë diplomatët ndërkombëtarë në IRJM. Ata kanë patur mjaft raste ta provojnë njeriun, e kanë mundur të shohin që ai është burrë serioz që përnjëmend e mendon - dhe e mban - atë që e thotë.

Por Perëndimi mund ta promovojë qëndrimin e vet vetëm në arenat politike e diplomatike, mundësisht edhe me ndihmën e asaj ndihme ekonomike që i jepet IRJM-së. Mjerisht, ndërkombëtarët kanë ndikim të kufizuar te hordhitë e mafiozove, maniakëve, revolucionarëve e agjentëve të rrugës, që presin çastin e vet me gishtin në këmbëz. Gjasat e z. Ahmeti ta luajë reformatorin deri në fund janë të vogla, e ai mundet të luajë vetëm duke e vënë në lojë edhe bukvalisht jetën e vet.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË