NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
EDITORIAL VITI IV - 1 QERSHOR 2002

"Demokracia" unike e Kosovës: Qeveria pa opozitë

Xhafer Shatri

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar dhe pas formimit të një qeverie të koalicionit të gjerë, ku marrin pjesë forcat kryesore politike të vendit me mbi 95% të votave, po del se kësaj laryshie elektorale, apo thënë më mirë Kosovës po i mungon diçka që është absolutisht qenësore pas zgjedhjeve të tilla. Më konkretisht, po i mungon një opozitë konstruktive.

Kjo shihet jo vetëm në mbledhjet e përmallshme të Kuvendit, por dhe në mënyrën e funksionimit të qeverisë, në ngadalësinë e ndërtimit të institucioneve, në mungesën e konfrontimit të shumë deformimeve jo vetëm brenda sistemit kosovar, por edhe atij ndërkombëtar te ne, në jetën e përditshme përgjithësisht.

Këtë mozaik e bën më të përhimtë edhe fakti se shoqëria civile në Kosovë, duke qenë në fidanmoshë, nuk mund të plotësojë as boshllëkun dekorativ. I vetmi zë opozitar që dëgjohet është ndonjë zë kritik në mediat e pakëta profesionale dhe një emër që përfaqëson më shumë se shoqërinë civile: Adem Demaçi.

Në këtë atmosferë tumirërie ose heshtjerie nuk dëgjohet askund zëri i intelektualëve me emër e me ndikim në opinionin kosovar. Kjo dëshmon se në Kosovë, elita është bërë bashkë me turmën dhe ka harruar obligimin e saj: të jetë një zë kritik ndaj pushtetit, ndaj të këqijave të shumta të kohës që po rrezikojnë shoqërinë e brishtë kosovare.

Kjo i ka trimëruar keqbërësit e ndryshëm në atë shkallë, sa që ata kanë zënë pozita të rëndësishme në jetën ekonomike, politike e publike të vendit dhe sillen me një arrogancë të pabesueshme, që buron vetëm nga siguria se njëmend janë të paprekshëm.

A pyet dikush sot politikanin "profesionist" se prej çka jeton, kush e mban, cili është burimi i të ardhurave të tij?

A e pyet sot kush "biznismenin" që nuk ua di fundin parave, se si erdhi deri te ato?

A i pyet sot kush se si është e mundur që të veprojnë publikisht disa shërbime sekrete private, klanore apo partiake të shqiptarëve të Kosovës, të cilat janë në thelb të shumë veprimeve keqbërëse, dhe se ku qëndron "legjitimiteti" i tyre?

Nuk pyet askush, sepse këtë do të duhej ta bënte opozita. E në Kosovë opozitë nuk ka.

Për më keq, në vend se të dëgjohet në institucione, mendimi opozitar është strukur nëpër kafenera e ndeja në formën më të shëmtuar e më primitive të saj, në formë të thashethemnajës, ku flitet shpesh edhe pa asnjë kriter për abuzime, për korrupsion, për vjedhje, për ndërtime pa leje, për uzurpime, për imoralitet të personave publik etj, etj.

Në mungesë të opozitës që do të krijonte një kohezion dhe tension veprimi brenda institucioneve, ne do të shohim dhe veç kemi filluar të shohim, stërkeqjen e tyre në ndarje partiake, në vija klanore etj, që do t'i dëmtojë rëndshëm interesat jetike të Kosovës.

Kështu nuk ndërtohet demokracia, por instalohet anarkia. E paskësh thënë Monteskjeu para dyqind vjetësh, e shihet qartë që meritoka të përsëritet sërish në Kosovën e shek. XXI:

Demokracia pa opozitë s'është tjetër pos anarki.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË