NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Çfarë halu-cinogjenesh
përdorka
gjeneral
Valentaion?!
 
Sfida e madhe
e Qeverisë së Kosovës: për çdo përqind papunësi, humbjet janë dyfishi
 
Konflikti që duhej kryer patjetër
 

Kosova Lindore: regjistrim, zgjedhje lokale, e pastaj?

 
Frika e
kolumbianizimit
të Shqipërisë
 
Federata serbo-malazeze:
Shteti që jeton
në dializë
 
Bashkimi
Evropian
dhe Ballkani
 
Varrimi i luftës
së ftohtë
 
Fati tragjik i
gjermanëve të
Vojvodinës
 
Gazetaria në
Unmikistan
 
Pse kapitulloi
Millosheviqi?
ARTIKUJ VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Qasje
Kullerat e Kosovës

(Artikulli i nxjerrur prej internetit. Autori i panjohur le t'i lajmërohet "Pasqyrës" për bashkëpunim të rregullt!)

Qe tani e shumë kohë, rrugëve dhe lokaleve të Kosovës, ose më saktësisht Prishtinës, mund të vërehet një kategori e re njerëzish. Nuk ke nevoje për t'i kërkuar shumë, ata dallohen menjëherë, ose më mirë, si të thuash, dallohesh ti ,si të ishe ndonjë jashtëtokësor, në rrethin e tyre. Këta shokë dhe shoqe tona quhen, jo ndryshe, por, "Kullera". Mirëpo kush-çka janë në të vërtetë "Kullerat"?

Definicioni i disa anti-kullerave, si puna ime do të ishte kështu: Kullerat! Racë e degjeneruar njerëzish, të cilët deri dje ishin "qyrrana", kurse sot kanë veshur një palë pantollonash të gjëra, i kanë rregulluar flokët, kanë vënë syza të tipit "Star-Trek", dhe flasin me zhargonin e tyre "Kull-be-njeri"! S'e kuptoj ku është poenta? Ju do të thoni: "Me qenë kull, be njeri!". Këta të vetëquajturit "kullera", s'janë gjë tjetër veç degjenerim i karakterit të tyre.

Marrim një shembull konkret. Një kuller tipik, çfarë karakteristikash ka, përveç pamjes së jashtme "moderne"? Është menefregist, mendjemadh, snob, mban "qëndrim", ose si thuhet në zhargonin e tyre "stav" (sikur nuk ekziston kjo fjalë në shqip). Pasi jemi te gjuha, përdorin gjithçfarë fjalësh të huaja, më e shpeshta prej të cilave, është fjala multi-përdorimshe "Fak!" (ang. Fuck). Them multipërdorimshe sepse përdoret si emër, mbiemër, pasthirrmë, pjesëz fjale... kjo mund të vërehet te shprehjet: "Fak, be njeri!", "Qitma një fakin vishnje me nja tri-katër fakin ak'lla!", "Një faking kohe...", "S'kam ç'a fakin' me bo!"...

Mirëpo jo gjithçka është e zezë. Kullerat flasin edhe shqip. "Op, op, riqke taba i kullerit!" ( kul. "Po, po, kqyre baba i kullerit"). Që tani e tutje gjuha shqipe do të ketë tre dialekte: dialektin tosk, dialektin gegë dhe "dialektin Kull-be-njeri". Mos u çuditni, kur nesër, pasnesër, bëhet "Kongresi i ri i Manastirit", për t'a aprovuar alfabetin e posaqëm për "kullera"!

Unë- Kuller! Si hij'e trazueme,
trashëgimtar i modës dhe i "qendrimit",
endem rrugëve të kryeqytetit me "ujen" e zgjueme,
dhe me klithma t'paknaquna t'instinktit.

Vazhdojmë më tutje. Sipas një definicioni që i bëhet një të huaji (dmth që nuk është në rrethin e kullerave), thuhet se kullera, quhen njerëzit të cilët kanë hyrë në këtë frymën e re të pasluftës, në të cilën, çdonjeri bëhet sikur "s'ja n'in" për asgjë, për askend, e shikojnë qejfin e vet, thonë se janë njerëz pa komplekse (mirëpo në të vërtetë kanë më shumë komplekse se sa njëri me probleme psiqike), "nuk mërziten" as edhe kur i vdes ndokush në familje, ngushëllojnë me "just keep staying cool, be njeri!", ose "A u mërzite për tipin që vdiq?" ( nuk e kuptoj se si një i moshuar mund të thirret "Tip"), dhe pos të tjerash shumica "shmërkasin" (kul: gërhasin drogë përmes hundës). (A është kjo e fundit aq shumë e domosdoshme?)

Sidoçoftë ky "sindrom" i rinisë ka hyrë edhe më thellë. Për të hyrë në "kafiq", njeri duhet të ketë ose kartelë, ose me qenë kuller. (Këto kartela, sipas meje janë mekanizëm "filtrimi", për të mirë apo për të keq, nuk ka rëndësi; e rëndësishme është se këto "i ndajnë", lexo "përçajnë", njerëzit në "kullera" dhe "jo-kullera". Segregacion e jo mahi.) Ku i dihet, ndoshta nesër, pasnesër, do të hapen bukëpjekës, të cilët në hyrje të dyqaneve të tyre do ngjesin pllakatën "Këtu shesim bukë vetëm për KULLERA! Njerëzit e thjeshtë blejnë dy hapa më poshtë". (Mirë që në zgjedhje s'kishte ndonjë parti si PKK, Partia e Kullerave të Kosovës, se mesiguri do t'a fitonte shumicën në parlament.)

A thua sa do zgjass kjo eufori e shoqërisë, veçanërisht e rinisë? A do të arrijmë me të vërtetë të përjetojmë shembullin e bukëpjekësit, apo do mbërrijmë deri te "Kongresi i ri i Manastirit"? Ose ndoshta, me anë të ndonjë mrekullie, i gjithë ky fenomen do të mbarojë së shpejti? Na mbetet të shpresojmë dhe të presim.

In media res. Si do t'a qojmë shoqërinë përpara, nëse që në rini ndahemi në klane, në "Kullera" e "Bala". Kjo përçarje vjen që në fazën embrionale ttë krijimit të karakterit. Dyluftimet do të vazhdojnë, e ne do t'i shikojmë duelet: Kuller - Bal, Lab - Malok, Qytetarë - Katundarë, Klan - Klan, Parti - Parti... Dikush më thotë se i kemi partitë e përçara, ndërsa unë i them se jemi të përçarë që në rrënjë.

O' Shqiptar! Trashigimtar i përçarjes dhe dyluftimit - bashkohu!

Post Scriptum. Kërkoj falje nëse ndonjë fjalë nuk e kam shkruar mirë, gjegjësisht sipas rregullave të drejtshkrimit "kulleristik"! Kurse ju "Kullera", mos më shani, bëhuni sikur as edhe kësaj here "S'po ju n'in". "Just keep staying cool, be njerëz!".


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË