NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Sfida e madhe
e Qeverisë së Kosovës: për çdo përqind papunësi, humbjet janë dyfishi
 
Konflikti që duhej kryer patjetër
 

Kosova Lindore: regjistrim, zgjedhje lokale, e pastaj?

 
Frika e
kolumbianizimit
të Shqipërisë
 
Federata serbo-malazeze:
Shteti që jeton
në dializë
 
Bashkimi
Evropian
dhe Ballkani
 
Varrimi i luftës
së ftohtë
 
Fati tragjik i
gjermanëve të
Vojvodinës
 
Gazetaria në
Unmikistan
 
Kullerat e
Kosovës
 
Pse kapitulloi
Millosheviqi?
ARTIKUJ VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Pas safarit francez në Mitrovicë
Çfarë halucinogjenesh përdorka gjeneral Valentaion?!

Shqiptar OSEKU

Kreu i NATO-s në Mitrovicë, gjenerali francez Marcel Valentain, organizoi dje një shfaqje të pashijshme, madje makabër, në qytetin e ndarë të Mitrovicës në veri të Kosovës. I rrethuar nga ushtarë elitë francezë, të shtërnguar në uniformë lufte e me gishtin në këmbëz, gjenerali francez ndërmorri një safari të shpejtë nëpër një pjesë të zonës së kontrolluar prej serbëve në Mitrovicë.

Qëllimi, të cilin gjen. Valentain s'arriti t'u qartësojë gazetarëve të habitur sa pa u kthyer në rehatinë e pjesës shqiptare, ishte që atyre t'u dëshmojë se "gjendja është plotësisht e qetë dhe normale" në Mitrovicë!

"Asnjeri nuk kërcënohet në veri. Gjithçka është plotësisht e qetë dhe normale", u tha gjen. Valentain gazetarëve të mbetur pa mend.

"Ky nuk është qytet i ndarë. Secili mund të endet kah të dojë, e a duan a jo kjo është punë tjetër", tha ai.

Kumtesa psikodelike e gjeneralit francez i ka lënë pa frymë shqiptarët në Kosovë, por edhe shumë prej ndërkombëtarëve këtu.

Ajo vie pas trazirash të fuqishme në pjesën e dominuar prej serbëve, që shpërthyen pasi K-Fori arrestoi - pahiri, thonë disa - një prijës lokal të ekstremistëve serbë. Trazirat i shtynë UNMIK-un dhe K-Forin që ta evakuojnë (!) veriun e Mitrovicës. Veriu i Mitrovicës iu la, pra, në dorë fraksioneve më ekstreme të rebelëve serbë.

Trupat franceze të gjen. Valentain, që dallohen për relatat e veta të ngushta me qarqet ekstreme serbe, ishin të parat që morën leje ta shkelin sërish pjesën veriore të Mitrovicës. Kjo ndodhi tek javën që shkoi.

Mirëpo atje s'guxon të qarkullojë ende lirisht as personeli shqiptar, e as ai ndërkombëtar i UNMIK-ut. Madje atje s'endet dot as personeli serb i UNMK-ut. Burime nga Mitrovica pohojnë se ka serbë të punësuar në UNMIK që janë shpërngulur me familje në jug, te lagja serbe pranë kishës ortodokse, një hap ky i pamarrshëm me mend vetëm një muaj më parë, nga droja prej bashkëkombasve të vet ekstremistë.

Por realiteti s'para dukej që ishte preokupim fort serioz i gjeneralit francez gjatë shfaqjes së tij për publikun gazetaresk në Mitrovicë.

"Si patë, unë piva kafe në kafene, madje mora edhe ca kokrra më tepër sheqer. Asnjeri s'u ankua, gjithçka qe normale", tha ai. "E pra kështu është situata këtu, krejtësisht normale".

Por as mediat kryesore kosovare, të cilat rëndom i hanë UNMIK-ut nga dora, kësaj radhe s'ndejtën dot pa e përqeshur gjeneralin francez. Pas inserteve me Valentainin u njoftuan lajme plotësuese prej safarit: se si gazetarët shqiptarë ishin fyer e kërcënuar prej ekstremistëve serbë. Se si trupat franceze i kishin ndaluar përdhunshëm gazetarët shqiptarë prej intervistimit të "kalimtarëve të rastit" serbë.

Gjen. Valentain zgjodhi që ta fyejë vetrespektin e gazetarëve shqiptarë edhe në përgjegjet dhënë pyetjeve të tyre. Ai tha p.sh. se s'i kish patur tërë ato forca të uniformuara rreth vetit për siguri, por si "masë kujdesi", pa e ftilluar se ku konkretisht na qenka dallimi mes këtyre. Në fund krejt, ai i ra llabut duke e porositur - bukvalisht - korpusin e gazetarëve që të vejnë te mediat e veta e të raportojnë besnikërisht për "paqen" në Mitrovicë.

Franca, e cila ka lidhje tradicionale me serbët e Siujdhesës Ilirike, ishte shteti që refuzoi më së gjati planet e NATO-s për fushatë bombardimesh kundër serbëve në pranverën e vitit 1999. Pas luftës, një numër eprorësh francezë janë pandehur për zbulim të planeve të NATO-s te shërbimet informative serbe.

Përkundër kësaj, mu trupave franceze iu besua përgjegjësia për trevat senzitive të veriut të Kosovës në kufi me Serbinë pas hyrjes së NATO-s në qershor 1999. Njësoj si në Bosnje, regjimi francez në Kosovë ka rezultuar në përparësi për prijësit lokalë serbë, në raportim negativ për kundërpalët e tyre, si dhe në kriminelë lufte që janë zhdukur pa gjurmë.

Në rastin e Kosovës, trupat franceze të K-Forit ishin ato që e startuan trendin me të a.q. "enklavat etnike". Ato qëndruan pasive kur ekstremistët serbë ndoqën 7 000 shqiptarë prej veriut të Mitrovicës, banorë lokalë që e kishin mbijetuar tërë luftën nëpër shtëpitë e veta. Më vonë, francezët e penguan aktivisht kthimin e familjeve shqiptare, në disa raste duke vajtur deri te gjobimi e paraburgimi i të kthyerve.

Sot mëse 20 000 shqiptarë nga veriu i Mitrovicës banojnë në pjesën jugore si ikanakë. Nga shqiptarët në veri të qytetit kanë mbetur rreth 1 700.

"Cirku francez s'i ngjanë asnjë tjetri", thotë te PASQYRA një nëpunës shqiptar i UNMIK-ut, i cili do të mbetet anonim.

"Familjet e mbetura shqiptare në veri që i kanë thirrur në ndihmë francezët me rastin e trazirave kanë gjetur përgjegjen se atyre mund t'u ofrohet vetëm një transport njëkahësh, drejt jugut, dhe pikë", thotë ai.

Një tjetër punonjës shqiptar në administratën e UNMIK-ut, i cili poashtu dëshiron të mbetet anonim, pyetet ironikisht se athua mos ka ndërruar zanat gjenerali Valentain.

"Të thuash se Mitrovica është idilë, këtë s'e bën dot njeriut pa u ëmbëlzuar më parë me halucinogjene të kajshme".

Por francezët në Mitrovicë e kanë cakun sigurisht tjetërkund, e jo të shprehen si kullerat nr 1 të NATO-s. Shumëkush mendon se francezët janë detyruar tashti të dalin sheshazi në mbrojtje të prijësve lokalë serbë në veri të Mitrovicës.

OKB-ja dhe K-Fori hëngrën shumë kritikë kur evakuuan në fillim të majit. Shefin e UNMIK-ut gjermanin Shtajner, i cili thuhet se ka qëndrim më të rreptë ndaj vozhdëve lokalë serbë, ky skandal e shtyri të kërkojë se si t'u japë fund këtyre marifeteve nëpër enklava. Ai dhe krerë të tjerë të ndërkombëtarëve në Kosovë premtuan se do t'i shpartallonin enklavat krejt.

Kuptohet që ky s'është kumt i mirë për prijësit lokalë serbë, e sidomos jo për ata më ekstremë që profitojnë prej konfrontimeve. Ky s'qe kumt i mirë as për Beogradin, që i ka operacionalizuar enklavat fort mirë për të ushtruar trysni ndaj UNMIK-ut.

E ajo që s'i pëlqen Beogradit në Kosovë automatikisht nuk i pëlqen as Parisit zyrtar e gjeneralëve të tij në Kosovë, pa marrë fare parasysh se a përdorin ata halucinogjene a jo.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË