NUMĖR 63
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 QERSHOR 2002

Politika ndërkombëtare
Varrimi i luftës së ftohtë

Pesëdhjetë e tre vjet pas nënshkrimit të traktatit të Aleancës Veriatlantike dhe trembëdhjetë vjet pas rënies së Murit të Berlinit, një këshill i ri bashkon ngusht Rusinë dhe Naton. Aleanca atlantike, e cila qëndronte vetëm në dy shtylla: Amerikën dhe Evropën perëndimore, tashmë është lëkundur, sepse pas takimit të fundit të të mëdhenjve, Kontinenti i Vjetër duhet të ridefinojë ambicjet dhe synimet e veta në qoftë se nuk do të margjinalizohet.

Romë, 27 maj 2002


Vladimir Putin dhe Xhorxh Bush

I fundit që arriti në bazën ushtarake italiane, në Pratica di Mare, pranë Romës, ishte kryetari rus Vladimir Putin. Pesëdhjetë e tre vjet pas lindjes së Aleancës, armiku i hershëm u prit me të gjitha nderimet dhe u ul në të njëjtën tavolinë me anëtarët e tjerë të familjes që quhet Nato.

"Kjo është një kthesë historike", buçiti kryetari i qeverisë italiane, organizatori i kësaj ceremonie, në të cilën, siç tha ai, u varros lufta e ftohtë. "20 kombe që nga Vladivostoku e deri në Vankuver janë ulur sot rreth një tryeze për të kuvenduar problemet madhore të kohës dhe për të gjetur bashkë zgjidhje për to.", tha lordi Robertson.

Këtij iu bashkangjit dhe presidenti amerikan, George Bush: "Dy armiq të vjetër tash janë bërë partnerë duke tejkaluar 50 vjet konfrontimesh dhe dhjetë vjet pasigurie". Ndërkaq kryetari rus, Vladimir Putin deklaroi se "Bashkëpunimi në mes Natos dhe Rusisë nuk ka alternativë."

Në këtë kuptim, dhe në përputhje me Deklaratën e Romës, është formuar një këshill i ri që do të bashkojë Naton dhe Rusinë. Sipas kësaj deklarate, kur është fjala për luftën kundër terrorizmit dhe trafikun e lëndëve bërthamore, për kontrollin e armatimit dhe për menagjimin e krizave rajonale Moska ka të njëjtat të drejta si dhe 19 anëtarët e tjerë të Aleancës. Në këto raste vendimet do të merren bashkë dhe me konsenzus. Mirëpo po qe se bllokohet vendimmarrja, atëherë Nato rezervon të drejtën që të ndërmarrë veprime autonome, të cilat mund t'i aprovojë Këshilli aktual i Aleancës në përbërje prej 19 anëtarësh.

Gjithashtu, Marrëveshja e Romës nuk fut Rusinë në suazat e nenit 5 të Aleancës veriatlantike, sipas së cilit në rast të agresionit ndaj ndonjërit prej vendeve anëtar, automatikisht të gjitha vendet bashkë do t'i kundërvihen agresorit.

"Nuk mund të themi se Rusia është bërë anëtare fuqiplotë e Aleancës, deklaroi një funksionar i lartë e organizatës, por përderisa Moska është anëtare e Këshillit të njëzetëve, pra pjesëmarrëse e takimeve ku do të shqyrtohen çështjet madhore, praktikisht Aleanca do ta ketë fort të vështirë të veprojë pa pasur edhe aprovimin e saj, ani se Nato formalisht gëzon të drejtën e vetos. Mu për këtë, dita e nënshkrimit të deklaratës së Romës është një datë historike në panoramën e sotme ndërkombëtare, një datë shumë më ëmblematike e më domethënëse se sa 11 shtatori…"

Për ekspertët ushtarakë e diplomatikë afrimi i Natos me Rusinë është përfundim i logjikshëm e një rrugëtimi të gjatë dhjetëvjeçar, i filluar në korrik të vitit 1990, kur Nato deklaroi se nuk e konsideronte më tej Bashkimin Sovjetik si armik, por si partner. Ky qëndrim ndryshoi në themel marrëdhëniet ndërkombëtare. Aleanca atlantike, e cila qëndronte vetëm në dy shtylla: Amerikën dhe Evropën perëndimore, tashmë është lëkundur, sepse pas takimit të fundit të të mëdhenjve, Kontinenti i Vjetër duhet të ridefinojë ambicjet dhe synimet e saj përballa aksit tër ri Washington-Moskë, në qoftë se nuk do të margjinalizohet.

"Në qoftë se përjashtojmë aksionin e disa aeroplanëve britanikë, Evropa, për shkak të vonesave të saj në teknologjinë ushtarake, nuk ka marrë pjesë në fazën e parë të operacioneve ushtarake të Natos në Kosovë…" deklaroi ditë më parë një diplomat perëndimor në Romë.

Afrimi i Washingtonit me Moskën nuk do të ketë pasoja vetëm në raport me Evropën, sepse në këtë vijë edhe OSBE-ja e madje dhe OKB-ja do të përjetojnë rrudhje të rolit dhe ndikimit të tyre.

Por dyshimet megjithatë nuk janë varrosur: Këtë e pohoi edhe Jacque Chirac, kur deklaroi se "nuk mjafton të aprovohen dhe të nënshkruhen tekstet, por ato duhet bërë të gjellojnë në praktikë." Në anën tjetër, Vladimir Putini krahas konfirmimit të mbështetjes së tij në angazhimet perëndimore në luftë kundër rrezikut të "tmershëm" nga terrorizmit, tha se, megjithatë Kremlini nuk ndjehet i obliguar të aprovojë "të gjitha aksionet ushtarake" të Natos.

Le temps


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË