NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
Cili është titulli zyrtar i Leka Zogut?
 
Fjala e madhe e historisë
 
Shqipëria dhe korridoret strategjike të infrastrukturës mbi korridorin transballkanik të naftës Vlorë-Burgas
 
DOSSIER VITI IV - 1 KORRIK 2002

SHTYPI SHQIPTAR

MARRËVESHJE HISTORIKE APO ALEANCË FLUIDE

Shkruan Fatos LUBONJA

"Historike" ishte epiteti që një pjesë e politikanëve dhe e bërësve të opinioneve në Shqipëri nuk ngurroi t'i veshë marrëveshjes midis maxhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e presidentit konsensual Kuko - Moisiu. Sipas tyre ishte historike jo pse Shqipëria gjeti më në fund njeriun e përshtatshëm, por sepse për herë të parë Nano dhe Berisha, dy lidérët e mëdhenj, u ulën dhe u morën vesh për diçka të rëndësishme. Kjo ulje dhe shtrëngim duarsh midis Nanos dhe Berishës ose Berishës dhe Nanos, pra, u konsiderua si çelje e një epoke të re në politikën shqiptare, epokë kur problemet nuk do të zgjidhen më me konfliktualitetin tradicional, por duke u ulur dhe duke gjetur zgjidhje konsensuale. Madje, madje, disa analistë dhe intelektualë të mirënjohur që kohët e fundit janë shprehur kundër "kulturës së dyshimit" në emër të një besimi të ri tek politikanët shqiptarë, tek dialogu midis PS dhe PD-së, tek konsensusi, tek ndërtimi i frymës së komunitetit etj. etj., duket se e përshëndesin këtë marrëveshje me nota mjaft optimiste.
Duke qenë se personalisht e konsideroj veten si pjesë e kulturës së dyshimit dhe duke besuar se profesioni i gazetarit është më së pari të gjurmojë të vërtetat me shpirt dyshimi, të rrëmojë, edhe të provokojë, kam rrëmuar mjaft nëpër njerëz për të vërtetuar dyshimet e mia lidhur me zgjidhjen Kuko - Moisiu. Mua më del se ndërkohë që thuajse pjesa më e madhe e opinionit vë duart në kokë me habi se si mund të zgjidheshin në krye të shtetit persona thuajse anonimë, ajo loja e çuditshme e mediave të kontrolluara nga politika e pushtetparasë, që dita ditës manipulon një botë virtuale të opinionit virtual publik që ushtron dhunë mbi botën reale, mbi opinionin publik real, ka krijuar përshtypjen sikur opinioni është i ndarë midis një shumice që e quante këtë ngjarje "çelje e një epoke të re" dhe atyre pak meskinëve apo dyshuesve apo pretenduesve për president që e quajnë këtë "vazhdim të historisë së vjetër". Gjithsesi, në emër të fjalës së lirë dhe jo fjalës "në shitje" unë po dua të shpreh dyshimet e mia sepse kjo marrëveshje për presidentin konsensual Kuko - Moisiu nuk më duket të jetë, ashtu dhe aq një ngjarje historike në kuptimin e çeljes së një epoke të re, por më shumë një variacion mbi temën tradicionale të politikanit shqiptar, që për hir të interesave të veta i ka sakrifikuar gjithnjë sa principet aq edhe interesat e të gjithëve.

Zgjidhja Kuko - Moisiu një aleancë e re fluide

Kohët e fundit në Shqipëri ka ndodhur një fenomen që në terminologjinë gazetareske dhe të politikanëve është quajtur "aleancë fluide". Me aleancë fluide u quajt më së pari aleanca Berisha - Meta, kundër Nanos, për të hequr prokurorin Rakipi dhe për të vendosur prokurorin Sollaku. Rezultati i saj, tashmë krejt i qartë, ishte vendosja e një kryeprokurori, i cili i la të qetë të gjithë politikanët shqiptarë, pra që i dha fund demagogjisë nanoiste të luftës kundër korrupsionit duke i siguruar edhe më tej politikanët shqiptarë se mund të vazhdojnë të qetë pazaret e tyre të pista në dëm të interesave publike. Shumë shpejt aleancës fluide Meta - Berisha ia zuri vendin aleanca fluide Nano -Meta. Pa shfaqur asnjë skrupull moral dy kundërshtarët për vdekje në Partinë Socialiste, kur kuptuan se lufta me njëri -tjetrin i nxirrte si ata të dy ashtu edhe klanet rreth tyre duarthatë, i pamë të shtrëngojnë duart dhe të bëjnë një aleancë të re fluide për të ndarë pushtetin midis tyre dhe që tani së fundi u shpreh me sakrifikimin e kandidatit më të respektueshëm për president që mund të paraqiste Partia Socialiste, Rexhep Meidanit.
Me një gjuhë tjetër, "aleancat fluide" mund të përkthehen edhe "aleanca të njerëzve që nuk respektojnë asnjë princip kur vjen puna për të ruajtur pushtetin e tyre". Dhe nuk mund të mohoet se jemi në një periudhë kur këto aleanca po lulëzojnë dhe vyshken me një dinamikë të paparë ndonjëherë në tranzicionin shqiptar. Kjo shpeshtësi është vërtet risi, por, sipas meje, kjo risi në politikën shqiptare, më shumë se çdo gjë është tregues i degradimit të përshpejtuar moral të klasës sonë politike.
Gjithashtu kujtoj se nuk është hera e parë që protagonistë si Berisha dhe Nano shpallin si marrëveshje historike aleanca të tipit fluide që janë pasuar nga drama historike. Më e turpshmja nga të gjitha ishte ajo e 9 marsit 1997 për krijimin e qeverisë së pajtimit kombëtar, e cila vetëm disa ditë më vonë u pasua nga hapja nga ana e njerëzve të Berishës e depove të armëve në të gjithë Shqipërinë, çka i solli vendit një nga dramat më të rënda në këtë periudhë tranzicioni. Nuk them se s'mund t'i jepet Berishës dhe Nanos e drejta për t'i besuar se kanë ndryshuar tashmë, se janë bërë më të pjekur politikisht, ashtu sikurse edhe situatat kanë ndryshuar, se nuk mund të shkonin përsëri deri tek hapja e depove (njëri) apo arratisja nga detyra (tjetri), por nga kjo e deri tek heqja e dyshimit se vështirë se mund të konvertohen në respektues të principeve persona që tërë jetën kanë provuar se politikën e konceptojnë si tradhti të principeve në momentin kur respektimi i tyre ka shkuar në drejtim të kundërt me interesat e tyre më duket një hap i madh, i gabuar.
Ngjarje vërtet historike do të quaja arritjen e një pjekurie të tillë në politikën shqiptare, që do t'i bënte Nanon dhe Berishën dhe Metën & Co të hiqnin dorë nga interesat e tyre për hir të respektimit të ligjit e principeve (e më historikja fare do të kishte qenë heqja dorë krejtësisht prej tyre nga jeta politike), dhe jo aleancat fluide midis tyre. Të identifikosh interesat e këtyre pak individëve me interesat e krejt kombit është një nga grackat ku na kanë futur këta individë dhe ta konceptosh demokracinë si konsensus midis tyre kjo nuk mban fare erë demokraci. Në fakt demokracia nuk është konsensus, dhe aq më pak për gjëra që qëndrojnë nën interesat e palëve; demokracia është më së pari mundësi për të zgjedhur më të mirën midis opsionesh të ndryshme, mundësi kompeticioni, aftësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë të qytetëruar nëpërmjet dialogut dhe votës së lirë. Nga kjo pikëpamje kam shumë arsye të dyshoj se edhe marrëveshja e fundit për kandidatin Kuko - Moisiu që përfundoi me zgjedhjen e presidentit të ri Moisiu nuk është aspak një gjë demokratike, por është në vazhdën e aleancave fluide, e që madje mund të jetë me pasoja. Që të besoja të kundërtën sipas mendimit tim, minimumi i kërkesës do të ishte që Nano dhe Berisha të mos kishin konverguar tek emri Kuko dhe as tek ai Moisiu si kukulla presidenciale, por tek zgjedhja e një presidenti të vërtetë. (Sqaroj se nuk kam më të voglin dyshim se Kuko ose Moisiu si intelektualë mund të përfaqësojnë dituri dhe njohje dhe vizione më të mira, më demokratike se Nano dhe Berisha, por kjo nuk mjafton për një figurë që të gëzojë respekt nga opinioni i gjërë, sepse ata nuk kanë dhënë asnjë provë se mund të qëndrojnë mbi palët, përkundrazi kanë dhënë prova se mund të qëndrojnë vetëm e vetëm nën palët ose jashtë palëve.)

Nano dhe zgjidhja Kuko - Moisiu

Kur Nano filloi lëvizjen për katarsisin arriti për një çast të fitonte edhe simpatinë e Berishës. Nuk kaloi shumë dhe u pa se atë lëvizje ai po e shfrytëzonte thjesht e vetëm për t'u bërë president, çka bëri që të humbiste mbështetjen e një pjese që ndoshta do të mund ta kërkonte edhe të bëhej president i Shqipërisë. (Për hir të së vërtetës duhet thënë se kjo pjesë nuk ishte në Parlament, ishte opinion i gjerë, por i papërfaqësuar ose më saktë i tradhtuar nga përfaqësuesit e tij në Parlament.) Sidoqoftë logjika ta donte që një Nano i aftë për të parë përtej interesave të tij personale, qoftë për hir të vazhdimit të lëvizjes, qoftë për faktin se kur e la atë nuk po gëzonte më mbështetjen, duhej të hiqte dorë me kohë nga presidentllëku dhe të kërkonte brenda grupit të vet të maxhorancës atë person që do të mund të kishte të paktën 84 votëshin e që në njëfarë mase nuk do të kontestohej me forcë nga Berisha dhe të tijtë. Madje ky mund të ishte edhe ndonjë kandidat si Godo. Mirëpo Nano e çoi deri në fund punën që të luftonte vetëm dhe vetëm për përfitimin maksimal për vete. Ai hoqi dorë vetëm kur hunda e tij, e mpirë nga çdo lloj nuhatje etike dhe politike për shkak të delirit të presidentllëkut, ndeshi fizikisht në murin e së pamundurës. Pra, askush nuk mund të na bindë se Nano sakrifikoi për hir të marrëveshjes. Nano sakrifikoi atë që nuk mundej kurrsesi ta merrte, pra nuk sakrifikoi asgjë përveçse interesit tonë që të kishim një president, i cili të paktën të kishte një integritet dhe një emër që do të na bënta ta vendosim në hierarkinë tonë të vlerave të respektuara mbi Nanon dhe Berishën.

Berisha dhe zgjidhja Kuko - Moisiu

Po ashtu duket qartë se edhe në raport me Berishën zgjidhja Kuko - Moisiu ishte e vetmja që i kishte mbetur atij që të mund të nxirrte përfitimin maksimal nga kjo mesele për veten dhe pushtetin e tij dhe se, edhe këtë herë, si në më të shpeshtën e herëve, kjo zgjidhje ka shkuar në kah të kundër me atë të interesave të vendit, pasi, siç e thashë edhe më lart, zgjedhja në postin e presidenti e një njeriu që nuk ka dhënë dhe nuk jep asnjë garanci se mund të qëndrojë mbi Nano - Berishën, e ridikulizon seriozitetin e politikës shqiptare dhe po ashtu nuk garanton aspak stabilitetin, siç pretendohet, por krijon idenë e përkohshmërisë dhe brishtësisë së institucionit më prestigjioz të shtetit. Dihet se Berisha në fakt donte zgjedhje të parakohshme, por nga ana tjetër kushdo që njeh realitetin e marrëdhënieve të Shqipërisë me komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht, e ka të qartë se këto zgjedhje nuk mund të kryheshin assesi në këtë kohë. Pra, kushdo që do të provokonte trazirën e zgjedhjeve të parakohshme në këtë periudhë do të humbiste më shumë se do të fitonte pikë politike. Prandaj them se Berisha pranoi më në fund Kuko - Moisiun si zgjidhjen e optimale që i dilte për të deligjitimuar sot maxhorancën dhe për t'u bërë i gjithpushtetshmi i këtij vendi nesër nëpërmjet zgjedhjesh të parakohshme, që do të mund t'ia kërkojë këtij presidenti shumë më kollaj sesa mund t'ia kërkonte Meidanit apo Godos.

Sadomasokizmi dhe zgjidhja Kuko - Moisiu

Po ashtu, zgjidhja Kuko - Moisiu përsëriti edhe një tjetër fenomen karakteristik të lidershipit tonë politik: arrogancën e politikanëve tanë ndaj opinionit publik nga njëra anë dhe servilizmin tradicional ndaj të huajve nga ana tjetër, me fjalë të tjera mendësinë sadomasokiste, antidemokatike të tyre. Madje me zgjidhjen Kuko - Moisiu mua më duket se arroganca e tyre ndaj opinionit publik ka arritur një kulm të ri, të paparë. Kur u zgjodh president Meidani, Nano vërtet i ndryshoi kompetencat duke bërë që të ishte kryeministri ai që do të kishte fuqinë më të madhe, por megjithatë respektoi në njëfarë mase kërkesën e vetëkuptueshme të opinionit publik që figura e presidentit të ishte një figurë publike e njohur, e provuar dhe e respektuar nga një shumicë shqiptarësh. Edhe kur Nanos iu desh të ikte nga posti i kryeministrit dhe prapë të ndryshonte qendrën gravitacionale të pushtetit duke e zhvendosur atë tek kryetari i partisë, (d.m.th prapë tek vetja) ndonëse zgjodhi për kryeministra dy figura që mendonte se i kishte nën hyqëm, si Majko dhe Meta, prapë ata ishin figura me emër në PS. Kurse me Kuko - Moisiun arroganca e njëshit që të gjithë të tjerët i sheh si zero që duhen t'i vihen prapa atij për t'i rritur atij dhe vetëm atij vlerën dhe pushtetin ka arritur kulmin. Me të njëjtën mendësi të zerove që i vihen prapa njëshit janë emëruar në Shqipëri kryeministra, ministra, diplomatë, janë zgjedhur kandidatë për deputetë, drejtues partie etj., etj. A thua se këta nuk vihen në postet e tyre për të bërë punë, por për të kënaqur epshet për gjithëpushtetshmëri të lidérëve tanë, apo për të hapur shtigje pushteti për tjerë delirantë gjithëpushtetshmërie. Dhe Shqipëria ka mbetur në mjerimin e klasës politike që ka sot.
Sa për aspektin tjetër të medaljes së sadomasokizmit, servilizmin ndaj të huajve, zgjidhja Kuko - Moisiu më duket se nuk do koment.

* * *

Sikurse u mundova të shpjegohem mua veshi më kap disa melodi të vjetra në këtë këngë që disa kompozitorë dhe këngëtarë të mirënjohur të marrëveshjeve gjoja historike të tradhtuara po prej tyre po mundohen të na e shesin si të re. Qoftë edhe thjeshtë si dyshime ato mendoj se duhen patur fort parasysh. Sipas mendimit tim qëndrimi i opinionit publik ndaj politikanëve shqiptarë nuk është e drejtë të quhet produkt i një kulture dyshimi. Dyshimi është pjesë e pandarë e çdo kulture që kërkon të zhvillohet, madje edhe e kulturës fetare: "Një besim pa dyshimin është një besim i vdekur" -thotë Shën Pali. Qëndrimi që opinioni publik reflekton ndaj politikanëve shqiptarë është më saktë të quhet thjesht mosbesim, dhe ky mosbesim është produkt i një eksperience të gjatë zhgënjimesh për shkak të abuzimit të tyre me pushtetin, për shkak të vënies së interesave të tyre mbi gjithshka. Ky mosbesim le të qëndrojë si presion mbi ata që bënë marrëveshjen e fundit për president konsensual, si sfidë për të na provuar të kundërtën.

Gazeta "Shekulli"


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË