NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
Kthimi serbëve në Kosovë, apo
zjarrëvënësi i vjetër me detyrë të re
 
Presidenti - moment pragmatizmi, apo fillim procesi
 
"Krimi dhe dënimi" i mediumeve masive shqiptare
 
Mbi veprimtarinë e Fehmi Aganit
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 KORRIK 2002

Faktori ndërkombëtar denoncon

ME MAQEDONINË QEVERISË MAFIA

Shkrua Naser SELMANI


"Çdo shtet ka mafi. Vetëm në Maqedoni, mafia ka shtet".

Kjo është thënia që shpesh e përdorin përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare për të pasqyruar nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar që mbretëron në Maqedoni. Korrupsioni dhe krimi i organizuar është mëkati më i madh, për të cilën me të madhe fajësohet qeveria e kryeministrit Lubço Georgievski, nga opozita dhe ndërkombëtarët, veçanërisht pas mbarimit të luftës.
Me pushtetin në Maqedoni qeverisin dy parti nacionaliste, ajo maqedonase e kryeministrit Lubço Georgievski dhe partia shqiptare PDSH, e Arben Xhaferit. Për herë të parë publikisht për përfshirjen në korrupsion të qeverisë së Georgievskit ka akuzuar Grupi Ndërkombëtar i Krizës. Në raportin e kësaj organizate joqeveritare, por me ndikim në qarqet evro-atlantike, si bartës të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoni përmenden kryeministri Georgievski, kryetari i Parlamentit Stojan Andov dhe nënkryetari i PDSH-së Menduh Thaçi.


Akuzave kundër qeverisë aktuale më vonë iu bashkangjitën edhe përfaqëues zyrtarë ndërkombëtarë. I pari ishte ambasadori amerikan në Shkup, Lorens Batler, i cili pat deklaruar se korupsioni dhe krimi pengonin zhvillimin ekonomik të vendit. Dyshime të hapura se qeveria maqedone është e korruptuar filluan të shfaqin edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian. Vërejtjet kundër qeverisë kishin të bëjnë me menaxhimin jo të drejtë nga përfaqësues qeveritarë të ndihmave evropiane dedikuar për kapërcimin e pasojave të luftës. Bile evropianët lansuan idenë për emërimin e një revizori evropian për Maqedoninë, i cili do të kontrollonte përdorimin e drejtë të fondeve evropiane për rikonstruimin e vendit..
Dhe në fund të akuzave të drejtpërdrejta kundër qeverisë aktuale të Maqedonisë për implikim në krim dhe korrupsion ia vuri kapakun profesori amerikan Robert Hislop, i cili para dy javësh në Shkup promovoi një fletushkë me titull “Qetësi para stuhisë”, në të cilën analizon rolin e rrjetit të krimit të organizuar në nxitjen e luftrave etnike. Ai pohon se një ndër shkaqet kryesore të luftës është pikërisht krimi i organizuar dhe korrupsioni.
Sipas të dhënave të profesorit Hislop, Maqedonia është e përfshirë në të gjitha rrjetet e krimit të organizuar ballkanik, duke filluar nga emigracioni ilegal, prostitucioni, trafikimi i paligjshëm i duhanit, armëve, drogës e deri të privatizimet e dyshimta të pronës shtetërore dhe abuzimeve me fondet publike.
Përfshirja e Maqedonisë në rrjetet kriminale nuk është i rastësishëm. Pozita e saj është kyçe në funksionimin e këtyre trafiqeve tejkontinentale, që fillojnë nga Azia dhe mbarojnë në Evropën Perendimore. Edhe mafia si duket e ka kuptuar drejt thënien e Bizmarkut se kush e kontrollon Maqedoninë, e kontrollon gadishullin ballkanik. Ky vend i vogël ballkanik lidh Beogradin me Selanikun në detin Egje, dhe Stambollin me Durrësin në Mesdhe.

Prostitucioni dhe droga


Rrjeti ballkanik i prostitucionit ilegal fillon në Bullgari, ku mblidhen prostituta nga të gjitha vendet e Evropës Lindore dhe përmes kufirit bullgaro-maqedon kalojnë në trevat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore. Këtu sipas profesorit amerikan bëhet dorëzimi i prostitutave për të cilat makrot shqiptarë paguajnë çmim prej 500 deri 2.500 dollarë amerikanë. Një pjesë e vajzave mbeten të punojnë nëpër klubet e natës te pronarët shqiptarë, që përgjatë rrugës Tetovë - Gostivarë kanë mbirë si këpurdhat pas shiut, ndërsa pjesa tjetër përmes portave detare të Shqipërisë transportohen në Itali dhe vazhdojnë për në tregjet ilegale të prostitucionit në Evropën perëndimore.
Hislop thotë se edhe droga ndjekë të njejtën rrugë. Opiumi i destinuar për Evropën ka prejardhje nga Pakistani, Irani, Afganistani dhe Kaukazi. Ai pastaj përpunohet në heroinë në Turqi dhe fillon rrugëtimin e tij ballkanik. Sipas disa vlerësimeve të shërbimeve të zbulimit të vendeve perëndimore nga tregëtia e paligjshme me "mish të bardh" dhe me "miellin vdekjeprurës" në vit qarkullojnë nga 400 miliardë dollarë.

Kontrabanda me cigare

Industria e kontrabandës së cigareve është një biznes i madh, sepse Maqedonia është prodhues i madh i duhanit. Riprodhimet e rrejshme te Malboros paketohen me shenjë mbrojtëse dhe dërgohen në Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, prej ku nisen për Evropën perëndimore, pohon profesori Hislop.
Por ka edhe njoftime të tjera rreth kontrabandës me cigare në Maqedoni. Burime jozyrtare thonë se kontrabanda me cigare është sekret publik, ndërsa dihet edhe si praktikohet edhe pse dëshmi zyrtare nuk ka. Kryesisht cigaret furnizohen prej Holandës, ndërsa në Maqedoni hyjnë përmes aeroportit të Shkupit. Prej këtu përmes kamionëve shpërndahen në drejtim të Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Maqedonia është eskportues edhe i cigareve të falsifikuara, të cilat prodhohen në kombinatin e duhanit në Kumanovë, me të cilin udhëheq një familijar i afërt i kryeministrit Lubço Georgievski. Kombinati ilegalisht punon edhe në ndërimin e tretë për të prodhuar cigaret falso të prodhimit grek dhe britanik, Asos dhe Regal.
Ish ministri i punëve të brendshme të Maqedonisë, Pavle Trajanov, para do kohe publikisht akuzoi nënkryetarin e PDSH-së Menduh Thaçin se është prijës i biznesit me kontrabandën e cigareve në Maqedoni.
Duke sqaruar lidhjet e të ashtuquajtures mafia shqiptare dhe pushtetit maqedonas profesori amerikan do të konstatojë: "Operacionet e trafikimit të udhëhequra nga shqiptarët nuk do të mund të ekzistonin pa përkrahjen e maqedonasve në pushtet. Mu këtu shihet simbioza mes kriminalitetit social shqiptar dhe korrupsionit shtetëror maqedonas. Grupeve të organizuara kriminele u nevojitet miratimi i ayre në pozita të pushtetit që të sigurojnë kalim të sigurt të të mirave. Meqënëse personeli i policisë, doganës, gjyqësisë është kryesisht i përbërë nga maqedonasit etnik, vetë maqedonasit paraqesin lidhje vitale në rrjetin e mafias. Në fund të fundit, rajonet e Maqedonisë Lindore që kufizohen me Bullgarinë-pika e e hyrjes së drogës dhe prostitutave, është qind për qind i banuar nga maqedonasit etnik".

Privatizimi kriminal

Në fakt në Maqedoni sundimi i ligjit është zëvendësuar me sundimin e parasë dhe lidhjeve personale. Më të korruptuar në shoqëri, sipas disa analizave në Maqedoni janë shërbimet doganore, policia, shëndetësia dhe administrata tatimore.
Aktivitetet kriminale në Maqedoni u keqësuan me ardhjen në pushtet të kaolicionit VMRO-DPMNE e PDSH, mirëpo rrënjët krimi i kishte qysh në qeverinë e mëparshme, e cila qeverisi vendin nga pavarësia e deri në vitin 1998. Struktura e atëhershme politike për të krijuar hapësirë të nevojshme për aktivitete të paligjshme me qëllim që të pasurohet brenda natës filloi partizimin e administratës publike, duke u nisur nga shërbimet e ndryshme policore e deri te gjyqet. Në situatë kur policisë dhe gjyqeve u ishin lidhur duart dhe ishin pamundësuar ta kryejnë punën e tyre, pushteti ekzekutiv i kishte duart e lira, që të zhytet thellë e më thellë në aktivitete kriminale.
Njëra ndër dukuritë negative të pushtetit të udhëhequr nga ish presidenti Kiro Gligorov ishte privatizimi kriminal dhe thyerja e sanskioneve që aplikoheshin kundër Serbisë. Përmes tyre oligarkia e atëhershme socialdemokrate, në krye me Cërvenkovskin siguronin shuma të majme devizash, të cilat deponoheshin nëpër bankat zvicërane dhe qipriote.
Privatizimi i pronës shoqërore në Maqedoni ishte një vjedhje klasike. Socialdemokratët me qëllim zgjodhën një model joefikas të privatizimit, që do t’ju mundësonte përvetësimin e pronës shoqërore, të cilën e kishin krijuar me vite qytetarët e vendit. Ky lloj privatizimi nuk i arriti prioritetet kryesore që ka çdo proces i privatizimit në shoqëritë socialiste në tranzicion, ngritjen e efikasitetit të ekonomisë së vendit dhe sigurimin e mjeteve materiale me të cilat shteti do të zbuste gjendjen sociale të punëtorëve që do humbnin vendet e punës nga transformimi i kapitalit. Nodhi thjesht vjedhja e pasurisë shtetërore për t’u krijuar një klasë e re kapitaliste. Ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE dhe PDSH-së vetëm i radikalizojë këto rrjedha në kontekst negativ. Tek e fundit nga pavarësimi i Maqedonisë një gjë u bë qartë si dita se partitë politike, si ato maqedonase ashtu edhe ato shqiptare synojnë të vijnë në pushtet, jo për shkak të parimeve politike, por për shkak të përfitimeve materiale që vijnë me marrjen e pushtetit dhe qeverisjen me fondet publike.
Meqë pjesën më të madhe të ndërmarrjeve atraktive i kishte grabitur oligarkia socialdemokrate e Cërvenkovskit, kur erdhi në pushtet Georgievski pak gjë i kishte mbetur për të privatizuar, prandaj filloi pa pardon të abuzojë me pronën e mbetur shtetërore. Pa shpallur tendër, por duke bërë marrëveshje në katër sy i shiti Rafinerinë e vetme të naftës një kompanie greke, por burime anonime bëjnë të ditur se rafineria e Shkupit ishte blerë me paratë e mafias ruse. Pastaj shpejt e shpejt privatizoi Telekomin, tashti ka në planë të privatizojë Elektroekonominë. Mediat e vendit spekulonin se qeveria aktuale për shitjen e Telekomit ka marrë provizion prej afro 100 milion markash gjermane. Shuma prej 600 milion DM, aq sa kushtoi telekomi u harxhuan gjatë luftës së viti të kaluar dhe dreqi e di se si janë përdorur. Në fillim të luftës ajo që doli në opinion ishte se ish ministri i mbrojtjes Luben Paunovski, prej fondeve të ministrisë kishte bartur 5 milion dollarë në xhirollogari të farefisit për furnizime për nevojat e ministrisë, që kishin qenë fiktive.
Skema tjetër e korupsionit që funksionon nën pushtetin e VMRO-PDSH-së është marrja nën kontroll e insitucioneve shtetërore duke emëruar ndonjë anëtarë partie në postin e drejtorit. Më atraktive janë ndërmarrjet publike, siç janë aeroportet, posta, dogana dhe duke keqpërdorur funksionin e tyre partitë grumbullojnë para të majme.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË