NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
INTERVISTA VITI IV - 1 KORRIK 2002

NË KOSOVË OPOZITA ËSHTË SHUMË E DOBËT

Gjithë mekanizmat që veprojnë në Kosovë dhe jashtë saj kanë punuar me kohë që të mos ketë opozitë të fortë në Kosovë. Madje për t'u arritur kjo ka pasur ndërhyrje tepër të fuqishme të partitë politike që llogarisnin të dalin në opozitë. Konkretisht. Pasi Kryesia e PDK-së ka marrë vendim që të kalojë në opozitë ky vendim është thyer me thirrje me celularë nga jashtë sallave të takimeve, me endje të xhipsave partiakee diplomatikë nëpër Prishtinë dhe me takime të shoqëruar me pica restoraneve. Ata që mbrojnë idenë e një opozite të dobët në Kosovë dëshirojnë të turbullojnë ujë me koalicione për të peshkuar më mirë në Kosovë. Dhe vërtetë në opozitë jemi mbetur pak forca. LPK, LKCK, Partia e Drejtësisë dhe UNIKOMB-i. LPK jo rrallë dëgjohet si zë i vetmuar në Kuvend dhe në paraqitje tjera.

Kështu thotë Emrush Xhemaili, kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës me të cilin zhvilluam këtë bisedë:

Pasqyra: Cili është dallimi në mes ëndërres që keni pasur për Kosovën pas dëbimit të Serbisë me realitetin e sotëm?

E. Xhemaili: Që do të kemi vështirësi e kam ditur edhe në kohën kur në bashkëveprim me forcat e NATO-s i detyruam të tërhiqen forcat serbe. Ka qenë e pa imagjinueshme forma konkrete e këtyre vështirësive dhe numri i tyre. Ka pasur mundësi andaj kam menduar që më në fund partitë politike të Kosovës do ta bëjnë politikën sipas ligjit që edhe u aprovua më vonë. Në fakt politikën në Kosovë dhe për Kosovën e bëjnë në mënyrë jo legale, do të thotë jo në pajtim me ligjin në Kosovë, politikanë që nuk kanë parti politike në Kosovë, që në fakt nuk janë kompetentë, dhe, që nuk janë, madje fare në Kosovë, dhe nuk kanë qenë dhe nuk janë banorë të Kosovës.

Pasqyra: Ju jeni kryetar i LPK-së, çfare force politike paraqet sot organizata që ju udhëheqni, sa është e strukturuar dhe sa është shtrirja e saj?

E. Xhemaili: LPK tash ka 27 këshilla të rretheve në 27 komuna, nga 30 komunat që ka Kosova dhe Degën jashtë vendit. LPK ka 11 zyra lokale. Ndërkohë në kuadër të Këshillave të Rretheve janë formuar këshillat lokal të LPK-së dhe këshillat bazë. Në kuadër të LPK-së është strukturuar edhe organizata e rinisë, Lëvizja Popullore e të Rinjëve të Kosovës, LPRK. Numri i këshillave dhe i anëtarëve të LPK-së ka tendenca të rritjes. Më tepër ata vijnë nga radhët e rinisë dhe më pak ka kalime nga subjektet tjera në në LPK. Në zgjedhjet lokale në si LPK do të marrim pjesë për herë të parë në mbi 20 komuna. Pikërisht tash jemi në kohën e çertifikimit.

Pasqyra: LPK-ja ka vetëm një deputet në Parlamentin e Kosovës, si e shpjegoni ju këtë, kur kjo organizatë brenda 4 vitesh ka udhëhequr dhe në një mënyrë i ka fituar tri luftëra të armatosura?

E. Xhemaili:
E para. Pas luftës në Kosovë neve u dasht të angazhohemi të ndihmojmë pjesën e veprimtarëve të LPK-së që vepronin në Kosovën Lindore dhe ende pa u mbyll kriza atje sllavomaqesonasit imponuan krizën në Maqedoni. LPK një pjesë të rëndësishme të kuadrit të vet e kishte me origjinë territoriale nga Maqedonia. Ata u angazhuan të gjithë në UÇK, dhe në që ishim në Kosovën administrative i mbështetëm politikisht në luftën e drejtë. Pas fitores ushtarake të UÇK-së dhe pazarit të Ohrit neve na mbeti pak kohë për t'u përgatitur për zgjedhjet qendrore.

E dyta: LPK 18 vite ka punuar fshehur kundër pushtuesit. Vetëm ata që kanë qenë të interesuar për rrjedhat në Kosovë kanë ditur për punën e saj. Të tjerët nuk kanë ditur për të. Gjatë fushatës elektorale vitin e kaluar më ka rënë të dëgjojë dhe këtë dialog domethënës: "-Kush do të mbajë tubim?". "Një Parti e vjetër që ka dalë e re". LPK ishte më e njohur në diasporë për shkak të veprimtarisë së hapur që ka bërë. Por OSBE, organizatori i zgjedhjeve nuk e ka parë të arsyeshme, përkundër kërkesave tona, që të përfshijë masovikisht në votime shqiptarët jashtë vendit.

E treta: Në mënyrë të pazakontë nga zyrtarë të jashtëm u dhanë mesazhe kërcnuese për votuesit. Nëse votoni "ekstremizmin", siç vazhdojnë të quhen në Kosovë ata që po ecin në rrugën e vetëvendosjes e pavarësisë, "nuk do të ndihmohet Kosova nga jashtë". Pas të gjitha këtyre edhe ajo pjesë e votuesve që vlerëson punën dhe luftën për Kosovën më tepër u tregua e gatshëm të përcjellin modën politike të dalur nga lufta se sa qëllimin për të cilën është bërë lufta. Këto ishin shkaqe të mjaftueshme që LPK-në ta votojnë vetëm simpatizantë të flaktë.

Pasqyra: Kosova ka disa parti politike, cili është, sipas jush, dallimi thelbesor në mes tyre?

E. Xhemaili: Në shikim të parë ato asgjë nuk dallojnë në mes veti. Në esencë ato dallojnë shumë në mes veti. Madje merren me veprimtari krejt të ndryshme. Ato kanë qasje dhe projekte të ndryshme, plotësisht të ndryshme. Një pjesë e tyre janë integruar në projektin që parasheh rezoluta 1244 dhe një pjesë tjetër e tyre që nuk e ka bërë këtë por përpiqen të mbajnë vijë politike autoktone. Në të parën hynë 3 koalicionet që e qeverisin vendin: Koalicioni Stainer i 28 shkurtit (PDK, LDK, AAK, PSHDK), koalicioni "Kthimi" (këtu hynë partitë që i kanë "fituar" zgjedhjet pa u çertifikuar si parti sipas ligjit dhe që selitë e tyre i kanë në Beograd) si dhe koalicioni "Vatan" (ku janë partitë boshnjake). Parulla që në fillim e kishim të gjithë: ecim drejt pavarësisë me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare tash bashkësia ndërkombëtare ecën në projektin e sjellur me vete me ndihmën e koaliconeve që përmenda.

Pasqyra: Në Kosovë kemi një bashkëqeverisje të 5 partive më të mëdha të vendit. Atëherë kush është opozitë në Kosovë?

E. Xhemaili: Gjithë mekanizmat që veprojnë në Kosovë dhe jashtë saj kanë punuar me kohë që të mos ketë opozitë të fortë në Kosovë. Madje për t'u arritur kjo ka pasur ndërhyrje tepër të fuqishme të partitë politike që llogarisnin të dalin në opozitë. Konkretisht. Pasi Kryesia e PDK-së ka marrë vendim që të kalojë në opozitë ky vendim është thyer me thirrje me celularë nga jashtë sallave të takimeve, me endje të xhipsave partiakee diplomatikë nëpër Prishtinë dhe me takime të shoqëruar me pica restoraneve. Ata që mbrojnë idenë e një opozite të dobët në Kosovë dëshirojnë të turbullojnë ujë me koalicione për të peshkuar më mirë në Kosovë. Dhe vërtetë në opozitë jemi mbetur pak forca. LPK, LKCK, Partia e Drejtësisë dhe UNIKOMB-i. LPK jo rrallë dëgjohet si zë i vetmuar në Kuvend dhe në paraqitje tjera.

Pasqyra: Sa jeni i kenaqur me institucionet e Kosoves?

E. Xhemaili: Deputeti ynë Bedrush Qollaku Rugovën nuk e ka votuar për President dhe ne nuk e njohim. Kosova meriton një Kryetar dinjitoz që nuk ka nënshkruar kundër Kosovës. Kuvendi i tashëm i Kosovës ka shumë dallime të mëdha pozitive në krahasim me Kuvendin e Kosovës të dalë më 1992. Kuvendarët e tashëm nuk kanë kushte të punës. Ata nuk kanë zyra. Zyra nuk kanë as komisionet e Kuvendit. Ata nuk kanë mundësi të përgatiten për punë. E keqja është se kuvendi po përdoret si dekor për ligjet që i nënshkruan Staineri. Nga 12 qershori Kosova ka mbetur pa Qeveri. Atë ditë ose një ditë tjetër ajo duheshte të betohej para organit që e kishte zgjedhur, Kuvendit. Por ajo shkoi u betua para Përfaqësuesit Special të OKB-së, Stainerit. Ne do të kërkojmë që Kuvendi të zgjedhë një Qeveri që e respekton Kuvendin dhe nëse shkon puna kështu në Kuvend do të kërkojmë zgjedhje për të një Kuvend që e respekton vetëveten.

Pasqyra: Si e vleresoni ju politikën e privatizimit që ka në plan ta aplikojë UNMIKU në Kosovë?


E. Xhemaili: Të padrejtë. Kompetencë të rezervuar OKB në Kosovë me Kornizën Kushtetuese ka shpallur resorin e mbrojtjes, të sigurisë, të drjtësisë, të punëve të jashtme por jo edhe të ekonomisë. Mirëpo me formimin e Agjensisë Kosovare të Mirëbesimit, që më mirë do të ishte të emërtohej e Mosbesimit, Qeverisë së Kosovës i është marrë edhe resori i Ekonomisë. Agjencia në fjalë, që do të merret me privatizim, merr në mirëbesim gjithçka nga ndërmarrjet e Kosovës, nuk jep llogari para Qeverisë së Kosovës por para organeve të OKB-së. Kjo agjenci, çka është më e keqja, i njeh kontratat e kohës së okupimit. Shumë prej këtyre ndërmarrjeve, në bazë të këtyre kontratave të paraluftës, do t'u dalë pronari jo rrallë edhe jashtë ish- Jugosllavisë.

Pasqyra: Kohët e fundit janë arrestuar disa eprorë të lartë të TMK-së të akuzuar për vrasje të shqiptarëve, në mesin e tyre edhe emra emblematikë të luftës dhe njerëz me të cilët edhe ju keni luftuar bashkë. Si e shpjegoni ju arrestimin dhe sidomos akuzën aq të rëndë ndaj tyre?

E. Xhemaili: Akuzën kundër tyre unë e shpjegojë si mungesë të vullnetit nga ana e gjykatave të UNMIK-ut për të vlerësuar drejt luftën e popullit shqitpar për çlirim. Civil shqiptarë kanë vrarë okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë të përfshirë, kryesisht, në njësitë e quajtura "llokallno obezbegjenje". Këto forca kanë marrë pjesë në operacione zbulimi dhe luftarake kundër UÇK-së. Vetkuptohet se UÇK ka qenë e detyruar të kundërpërgjigjet. Organet gjyqësore të UNMIK-ut nuk i kërkojnë bashkëpunëtorët shqiptarë të okupatorit që bënë krime dhe që ikin nga drejtësia por i hetojnë çlirimtarët.

Pasqyra: Ali Ahmeti ka qene njeri prej udhëheqësve të njohur të LPK-së, ai sot ka formuar një parti në Maqedoni. Me këtë a pushon aktiviteti i LPK-se në këtë vend?

E. Xhemaili: Po. Pjesa e parë e punës ka mbaruar. Ky ishte dezintegrimi. Tash duhet të punojmë në integrim. Qarkullim të lirë të ideve, mallrave dhe kapitalit në hapësirën jo vetëm shqiptare dhe bashkë me këtë integrim edhe të politikës shqiptare. Pavarësisht zig-zageve dhe kthimeve të herë pas hershme vijë e përgjithshme është ecja përpara në këtë drrejtim. Pos për neve kjo do të jetë e dobishme edhe për bashkimin evropian.

Pasqyra: Ju keni vepruar një kohë të gjatë në ilegalitet, ndërkaq sot keni zyrën në Prishtinë, lëvizni shlirshëm, keni mundësi shumë më të mëdha kontakti me njerëzit etj. Cili është dallimi?

E. Xhemaili: Puna në fshehtësi kundër kundërshtarit është një botë tjetër nga puna e hapur legale. Në ilegalitet bie fjala më 1984, 1991 dhe 1993 në Prishtinë detyrohesha të eci natën. Zakonisht kisha shoqërues dhe ata e dinin ku më çonin në baza. Sot mbaj orarë të rregullt pune ditën. Kur udhtoj ndonjë herë më kujtohet ndonjë udhëtim i fshehtë në ndonjë rrugë apo rrugicë. Një ditë nuk mundja ta gjeja ditën një rrugë që shumë mirë e gjeja natën.

Pasqyra: Çka mendoni për vendimin e Gjorgj Bushit për vazhdimin edhe për një vit të karantinës kundër "shqiptareve ekstremistë"?

E. Xhemaili: Është masë e panevojshme. Edhe vjet ishte e tillë. Arsyet e ndërmarrjes së saj janë politike.

Emrush XHEMAJLI është kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, ai lindi në fshatin Komogllavë të Ferizajit, më 1. 05. 1959. Si nxënës i Gjimnazit në Ferizaj ka bërë pjesë në grupet e fshehta politike të të rinjve që vepronin kundër sundimit serb në Kosovë.
Në vitin 1979, në kohën sa ka qenë duke studiuar në Universitetin e Prishtinës, art figurativ dhe letërsi, për arsye politike është arrestuar dhe dënuar 3 vite e gjysmë burg nga gjykata serbe në Prishtinë. Dënimin e ka vuajtur në Mitrovicë të Sremit. Eshtë liruar më 11 maj 1983.
Përsëri merret me veprimtari politike kundër regjimit. Në janar 1984 ndiqet nga policia dhe kalon në ilegalitet. Deri në fund të marsit 84 merret me organizim të grupeve politike. Në prill 1984 arratiset jashtë vendit. Mbi 14 vjet jetoi dhe veproi në Evropën Perndimore, kryesisht Zvicër, ku bëri aktivitet të dendur politik (3 vjet ka punua rnë gazetën "Zëri i Kosovës" dhe 11 vite ishte Sekretar i Përgjithshëm i LPK-së, ndërsa i ngarkuar me detyrë nga LPK-ja, ishte disa herë me mision në Kosovë.
Mori pjesë që nga fillimi në procesin e krijimit të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Nga maji i vitit 1998, deri në fund të luftës për çlirimin e Kosovës ishte ndihmëskomandant për personel dhe administratë të përgjithshme në Zonën Operative të Dukagjinit. Më 1999 okupatori serbe e dënoi, në mungesë, me 15 vjet burgim.
Më 28 nëntor 1999 u vetëdemobilizua nga TMK-ja dhe kaloi prapë në jetën politike. Nga viti 2000 është kryetar i LPK-së. Eshtë i martuar dhe babë i 3 fëmijëve. Jeton në Prishtinë. Nga gjuhët e huaja flet frengjisht.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË