NUMĖR 65
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
Kthimi serbëve në Kosovë, apo
zjarrëvënësi i vjetër me detyrë të re
 
Me Maqedoninë qeverisë mafia
 
"Krimi dhe dënimi" i mediumeve masive shqiptare
 
Mbi veprimtarinë e Fehmi Aganit
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 KORRIK 2002

PRESIDENTI - MOMENT PRAGMATIZMI, APO FILLIM PROCESI

Shkruan Besnik KONÇI

Fjala consensus ka qenë më e shkruara dhe më e dëgjuara gjatë ditëve të fundit në të gjitha mediat shqiptare dhe në të gjithë zhargonin e përditshëm. Foto e dy protagonistëve më të fuqishëm të politikës shqiptare të dekadës së fundit mbushi faqet e para të gazetave dhe hapi emisionet televizive të lajmeve. Ngjarjet kanë rjedhur aq shpejt, sa që njerëzit e gjendur në befasi, e kanë parë si “ngrirje” të pluralizmit në Republikën e Shqipërisë, ose si “unifikim” të përkohshëm të dy partive kryesore politike në vend. Fillimi i një “muaji mjalti” në politikën shqiptare ka dhënë “fëmijën” e parë - një President konsensual, që, për më tepër, është një njeri me integritet, një personalitet ushtarako-politik, politikisht i ekuilibruar, pasardhës i një familje me tradita të shëndosha dhe kontribut atdhetar.

Në fakt Presidenti i ardhur si pasojë e marrëveshjeve politike është model që aplikohet në shumë vende që janë Republika Parlamentare. Ai ruan ekuilibret politike dhe luan rolin e një arbitri institucional mbi forcat politike. Por, në rastin e Republikës së Shqipërisë punët ndryshojnë, jo vetëm për faktin se ky akt politik përbën një risi shqiptare, por edhe sepse vijmë nga periudha e konfliktit politik dhe e krizës së gjithanëshme dhe, për pasojë, duam të dijmë me saktësinë e mundëshme se si erdhëm deri këtu dhe për ku po shkojmë.

Komentet e analistëve politike dhe të opinionit publik në këtë pikë grupohen në disa variante. Ka nga ata që mendojnë se Nano dhe Berisha janë në një proces reflektimi të brendëshëm, të tjerë mendojnë se ata kanë qenë të detyruar nga presioni i jashtëm dhe i brendëshëm dhe, për pasojë, kanë pasur shansin e vetëm të mbijetesës politike, ndërsa në një grup tjetër hyjnë ata që mendojnë se të dy këto faktorë kanë qenë të pranishëm në veprimet e fundit politike, që, sidoqoftë përbëjnë zhvillimin politik më pozitiv në periudhën e pluralizmit shqiptar të dymbëdhjetë viteve të fundit.

Vetë protagonistët, të regjur tashmë politikisht, nuk vonuan, por e dhanë përgjigjen ndaj dilemave të mësipërme, të paktën verbalisht. Ata vunë në dukje, gjatë një paraqitje televizive se, sëbashku, do të inkurajonin zhvillimin e një cikli të ri në politikën shqiptare, i cili do të nxisë gjithashtu një proces reformash politike, institucionale dhe ekonomike, të mbështetura nga të gjitha palët - pra, thënë më një fjalë, konsensus për gjërat themelore, që është i domosdoshëm për të gjitha shoqëritë.

Për hir të së vërtetës, duhet evidentuar fakti që presioni ndërkombëtar, kësaj radhe, ishte shumë konkret. Kondicionimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit me hapjen e ngociatave për Marrëvëshjen e Stabilizim Asocimit në Vjeshtë, e vuri politikën shqiptare me shpatulla pas murit. Cdo veprim tjetër do të ishtë dështim me përmasa të tilla, mbase pa kthim. Mirëpo, nga ana tjetër, premtimi për hapjen e një cikli të një politike ndryshe na bën të shpresojmë se është shprehje e reflektimit të brendëshëm, me dëshirën për të vepruar duke korrigjuar atë që nuk është bërë mirë deri tani.

` Nëse është kështu, sikurse dëshirojmë të jetë e vërtetë, gjithcka duhet të fillojë me institucionin bazë - votën. Sinjali i parë do të jetë mbarëvajtja e punës së Komisionit Bipartizan të caktuar për të realizuar reformën elektorale, bazuar në vërejtjet e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit parlamentare. Kësisoj, Republika e Shqipërisë do t`i japë fund lojës me votimet. Më tej, duhet vazhduar me drejtësinë, e cila, më shumë se drejtësi ka ndihmuar krizat e vazhdueshme politike, duke u bërë palë në skenën e ndeshjes së klaneve dhe forcave politike, si dhe abuzim në përpjestim me rryshfetet dhënë gjyqtarëve. Drejtësia shqiptare do të meritojë të quhet drejtësi vetëm kur të mos vazhdojë të jetë pre e politikës dhe vend për të shpërblyer përkrahësit dhe militantët, qofshin ata të ardhur nga e majta, apo nga e djathta. Dhe një gjë e tillë kërkon marrëveshje, consensus.

Jo pak nga politika e kanë pësuar institucionet shtetërore. Mjafton të kujtojmë se Qeveria e fundit Majko ishte “goma e shpëtimit” për maxhorancën në një moment kur ajo ishte arenë e ndeshjeve të ashpra klanore. Si një sajesë e momentit, një Qeveri e tillë nuk mund të ishte as profesionalisht e goditur dhe as jetëgjatë. Ajo lindi nga konfliktet e brendëshme dhe përfundon me uljen e tensioneve të brendëshme. Nisma për korrigjimin e saj është e pritëshme. Por, sëpata politike ka goditur më rëndë administratën shqiptare. Rigjenerimi i saj mbi kritere thjesht profesionale, nuk mund të jetë vetëm kthimi fizikisht në të i të larguarve për arsye të bindjeve ( jo rrallë edhe nga fakti se kanë shërbyer në administratë gjatë kohës kur ka drejtuar kundërshtari politik ), por edhe garantimi ligjor se karriera administrative e gjithkujt do të përcaktohet, para së gjithash, nga profesionalizmi dhe suksesi. Nano dhe Berisha kanë premtuar tashmë se partitë e tyre do të ndërmarrin një reformë të tillë.

Dhe konsensusi mund të marrë dimensione edhe në fushën e luftës kundër korrupsionit, trafiqeve, në politikat ekonomike bazë, privatizimin strategjik, infrastrukturë, linjat palcore të politikës së jashtëme, në problemin e pronës etj. Lexuesi i rregullt i kësaj gazete ka pasur rastin të shohë nje trajtim të detajuar të këtyre problemeve, disa numura më parë, atherë kur konsensusi dukej vetëm dëshirë utopike, por që duhej inkurajuar me shpresë për tu bërë realitet.

Të humbur dhe të fituar

Kthesa të tilla - nëse kjo është realisht kthesë - kanë viktima dhe triumfues, të dëshpëruar dhe të gëzuar, pra humbës dhe fitues. Më skeptikët, të cilët ndjehen edhe viktimat më të rënda, mendojnë se u mbyll pjesa shqiptare e skenarit të hartuar në Katovicë, ai i sundimit përfundimtar ekonomiko-politik të trashigimtarëve të etërve, të cilët, të konvertuar në socialistë, kontrollojnë gjithcka. Mandati i tyre i dytë radhazi do të shkojë deri në fund, madje në qetësi, ata do të forcojnë pozitat ekonomike, sado të luftojnë trafiqet dhe korrupsionin. Si duken punët, njerëzit do të ftohen më tej me Partinë Demokratike, dhe nuk nuk është befasi që të majtët të fitojnë edhe një mandat tjetër më 2005. Në fakt, kjo pjesë e opinionit duket se për një gjë ka të drejtë - për zgjedhje të parakohëshme vështirë se mund te bëhet më fjalë.

Partitë e vogla duket se ndjejnë frikën politike. Ata shpesh herë e kanë bazuar suksesin e tyre politk, jo tek përfaqësimi elektoral, por tek lëshimet e të mëdhenjve, të cilët, në situata konflikti kanë bërë aleanca josimetrike për të rregulluar imazhin e tyre përballë faktorëve të jashtëm e të brendëshëm dhe për të forcuar frontin e luftës politike. Thjesht, ka parti politike që kanë mbijetuar në sajë të konfliktualitetit. Dias prej tyre, për të fituar kuotë politike, ose votuan kundër konsensusit për Presidentin, ose kanë dalë me tezën e nevojës për zgjedhje të parakohëshme, në një moment kur edhe vetë janë të bindur se ky është momenti më pak oportun për një kërkesë të tillë.

Edhe politika shqiptare ka të humburit e saj. Ajo do të bëhet pronë vetëm e profesionistëve, pra i njerëzve që atë do ta konsiderojnë profesionin e tyre bazë dhe jo më, si deri tani, edhe një stacion ku ndalet përkohësisht gjithkush që i bie rruga apo i jepet rasti si shpërblim. Hyrja në politikë dhe dalja prej saj në mënyrë të rastësishme do të bëhen më pak të mundëshme, ndërsa, edhe njerëzit që karrierën ose mbijetesën politike e bazojnë tek militantizmi politik i ushqyer nga situatat konfliktuale, që stimulojnë më “të fortin”, do të kenë më pak shanse të penetrojnë në politikë. Gjithashtu, politika do të fillojë - në të vërtetë ka filluar - të zhvillohet më e distancuar nga elektorati, roli i të cilit do të kërkohet vetëm në situata zgjedhore, apo kur preken në mënyrë flagrante interesat e tij.

Trafikantët, kontrabandistët, të korruptuarit deri tek autorët e krimeve ordinere, krerët kryesorë të të cilëve kanë pemetruar në nivelet më të larta të politikës shqiptare, kanë qenë përfituesit më të mëdhenj të mjegullës politike dhe, për rrjedhojë do të duhet të jenë humbësit më të mëdhenj të së ardhmes. Ata kanë mundur t`i ikin ndëshkimit të institucioneve shtetërore përgjegjëse, jo vetëm se këto të fundit kanë qenë vetë me probleme, por edhe sepse janë marrë nën sqetull nga klanet, dhe formacionet e ndryshme politike në ndeshjet e ashpra ndërmjet tyre. Lufta kundër trafiqeve, korrupsioni dhe kontrabandës është keqpërdorur në formën e fushatave të ashpra verbale vetëm për motive të dobta personale, klanore dhe politike duke u bërë një nder të pavlerësueshëm autorëve të këtyre fenomeneve.

Hë për hë, më i fituar duket populli, apo si kanë qejf ta quajnë poltikanët, elektorati. Të paktën, veshët i kanë rënë në qetësi nga zhurma e politikanëve dhe shpreson se politika mund të ketë kuptuar ndopak rolin e saj për tu vënë në shërbim të zgjedhësve dhe dicka mund të bëhet mirë edhe për të.

Sidoqoftë, koha së shpejti do të dëshmojë nëse u mbyll një Pazar i zakonshëm politik, ose u hap një process i ri. Le të presim e të shikojmë - me besim, por pa shumë eufori.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 21.10.2004 22:59
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË