NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ANALIZË VITI IV - 1 TETOR 2002

Vazhdon futbolli i kokave në Shqipëri
SKUADRA E KUQE, SKUADRA E KALTËR, DHE TOPI KLOSI

Shkruan: Apollon BAÇE

Në shpjegim të librit të tij "Totem und Tabu", Sigmund Freud-i shkruan "Totemi është një objekt adhurimi fisnor, të cilin mund ta prekë kushdo. Në të kundërt, tabuja është një objekt i cili presupozohet se zotëron një forcë të fshehtë shkatërrimtare, si për ata që e prekin me dashje, ashtu edhe për ata që e prekin pa dashje".

Por hetimi i veprimtarisë së kreut të Shërbimit Informativ Shqiptar, paraqet rastin tejet të rrallë, kur i njëjti objekt është sa totem, aq edhe tabu: Si lajm, madje i ripërsëritur me besnikëri gërme, ai gjendet në tërë median shqiptare. Por në tërë median shqiptare nuk haset asnjë sprovë për të kapërcyer mbi të, qoftë duke "lexuar midis rreshtave".

Pikërisht këto veti e bëjnë këtë temë sa totem: të parapëlqyer dhe të kudogjendshme, aq edhe tabu: të paprekshme dhe të askundgjendshme. Paralajmërimin për paprekshmërinë e temës, në të kundërt me çka mund të pritej, nuk e bën pozita së cilës i përket merita e padiskutueshme e largimit të kryetarit të SHISH-it Fatos Klosi, por opozita, nga e cila nuk varej as largimi as qëndrimi i tij.

Për më tepër ky paralajmërim është i formës së prerë, i njëjtë me paralajmërimet që shoqërojnë materialet radioaktive: "SHISH-i nga një degë e varur tërësisht nga ekzekutivi, u shndërrua në pushtet personal të një kupole... Prapavijës politike të krimeve të Klosit, tani po i ribashkohen edhe një sërë mediash të blera nga ana e ish-drejtuesit të SHIK".


Shkelmimi i topit Klosi

Rilindja Demokratike shkruan se "pas dorëzimit të materialeve ndihmëse të përgatitura nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm pranë Këshillit të Ministrave, Nano e ka lënë me guxim topin në fushën e Fatos Klosit". Për fatin e saj të keq, Rilindja Demokratike nuk e ka kuptuar se "Nano e kaloj me mjeshtëri topin Fatos Klosi në fushën e Berishës" dhe se rezultatet e këtij shkelmimi nuk janë aspak të këqija për Nanon.

Gjatë intervistës që Azem Hajdari i dha pak para vrasjes "British Helsinki Human Rights Group" (BHHRG), Azem Hajdarit iu shfaq fantazma e përgjakur e Azem Hajdarit. Ai foli fjalë tejet të hidhura për Nanon dhe e paraakuzoi qeverinë për vrasjen që do t'i ndodhte: "Kjo qeveri është angazhuar në kontrabandë dhe krim të organizuar. Ajo vret opozitën. Ata mund të vrasin disa prej nesh, por të tjerët do të vazhdojnë të luftojnë. Për mua më mirë i vdekur se nën diktaturë".

Ndonëse Nano vështirë se u mërzit shumë nga vrasja e Hajdarit, ai e ka një alibi kundër akuzës së vrasjes: mosmarrjen e asnjë kundërmase për ato që i ndodhën më 13 shtator. Pas vrasjes Berisha deklaroi "Azemin e vrau armiku më i egër i lirive, terrorizmi i stampës shtetërore… Azem Hajdari është vrarë nga Nano dhe Millosheviçi". Në janar të 2000 Berisha ja ripërsëriti këto fjalë Nënsekretarit të Shtetit të SHBA-ve, z. Tomas Pikering: "Shteti shqiptar, i përfshirë në kontrabandë dhe korrupsion, ka vrarë Azem Hajdarin".

Por tani, së voni para një jave, Berisha tha "Më parë kam akuzuar Fatos Nanon për vrasjen e Azem Hajdarit…" - çka do të thotë, pra, se tani s'e akuzoj më. Në Kavajë ai nuk e zuri fare në gojë Nanon, por vetëm "Meidanin, protektor i krimit, autor i të gjitha ngjarjeve destabilizuese në vend, të cilat kanë çuar në një përndjekje të opozitës".

Për të tëra këto veterani antikomunist Pjetër Arbnori ngre supat dhe thotë me atë mënyrën e tij "Prej themelimit të partisë sonë, akuzat më të ashpra janë drejtuar kundër kryetarit socialist Nano dhe mendoj se ato kanë qenë plotësisht të bazuara, ndërsa tani po kalohet faji te persona tjerë, si Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, apo ndonji tjetër".

Pikërisht kjo dhe është dobishmëria e "shkelmimit mjeshtëror nga Nano të topit Klosi në fushën e Berishës".


Gëzuar festën e Kurban Bajramit

Në punishten politike shqiptare dëgjohet zhurma e mprehjes së hanxharëve. Më brisk nga të tërë është hanxhari i PD-së: Agjent agjenture të huaj rajonale; organizues, zbatues dhe fshehës i vrasjes së Azem Hajdarit; hajdut kokaine dhe trafikant ordiner droge; përgjues deputetësh; kontrabandist armësh; vrasës i "Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës"; spastrues i UÇK-së; rilindës i Sigurimit të Shtetit. Shprehja më e fundit e Berishës "Klosi do të marrë dënimin e merituar pas përfundimit të hetimeve" e vesh Klosin me postiqen e dashit të zi të Kurban Bajramit.

Në të kundërt me hanxharin brisk të mprehtë PD, hanxhari PS është i topitur. Akuzat e Kryeministrit ndaj Kryetarit të SHISH-it janë opake, burokratike, si ato kundër një drejtori shkolle fshati: I paaftë, ka tejkaluar kompetencat. "Mosqenia në detyrë gjatë trazirave të 12 shtatorit të '98" është akuza më e rëndë që Nano, i cili përvete e ndali turravrapin në Maqedoni, i bën Klosit.

Përse Nano i thotë me xhentilesë jeniçeri Berishës "hanxhari i jot është më i mprehtë, prija kokën ti?" Sepse: "Klosi gjatë pesë vjetëve pati bashkëpunuar ngushtë me Langlin" shkruan e përditshmja "Washington Times". Nano e di shumë mirë se Langli (selia e CIA-së) është diçka më shumë se një toponim, ashtu si edhe Shtëpia e Bardhë është diçka më shumë se një shtëpi e bardhë.

Një cep të këtij bashkëpunimi që del nga konformiteti burokratik i rregulloreve administrative të Nanos, zbulohet prej ish -presidentit Meidani: "Një nga shërbimet e rëndësishme inteligjente dha një shkresë të firmosur që në veprimtarinë për të cilën akuzohej SHISH-i, ato ishin në bashkëpunim, në mënyrë që të arrinin ta kontrollonin situatën në Kosovë".

"CIA është duke humbur Fatos Klosin, kreun e shërbimit inteligjent shqiptar" vijon "Washington Times". Nano di gjithaq se, ndryshe nga Gazidedja i Berishës, i cili thoshte se "puçi i '97 u organizua nga [amerikani] Xhorxh Tenet", Klosi ka në dorë diçka si ato indulgjencat e kardinalit Rishelje, një çertifikatë mirësjelljeje të firmosur nga Teneti e nga administrata amerikane.


Tik-taku që kërcënon SHISH-in

"Mirësevini", - i tha Ngjelës i zoti i shtëpisë në SHISH, Myftari, -"mund të hyni ku të doni dhe kur të doni". Por Ngjela do të hyjë në një shtëpi, të cilën "Departamenti i Kontrollit të Brendshëm pranë Këshillit të Ministrave", sipas urdhrit të Nanos, sapo e ka fshirë mirë. Ndërkohë tik-taku tre muajsh në dispozicion të komisionit Ngjela ka nisur. Për shkak të këtij tik-taku, Komisioni Ngjela do të merret vetëm me tre çështje nga moria e çështjeve që shtron Berisha: me abuzimet financiare, përgjimin e deputetëve, çështjen Hajdari.

Komisioni nuk do të merret me rilindjen e frikshme të sigurimit, me faktin e servirur nga Berisha dhe BHHRG se 97% e SHISH-it janë oficerë të Sigurimit të kobshëm të Shtetit. Komisioni nuk do të merret as me "çështjen Krasniqi", me çarmatosjen e "Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës" dhe shoqëruesve të tij nga SHISH-i dhe vrasjen e tyre në Tiranë pak orë më pas. Pavarësisht se kjo çështje mund të hidhte bukurmirë dritë në çështjen Hajdari.

Ngjela, i cili e dëgjoi me shumë vëmendje Nanon për 25 rastet e shkeljeve administrative dhe ligjore dhe abuzimet financiare me vlerë 1,2 milion dollarë, e di mirë se në gjurulldi si Lufta e Kosovës dhe me vëllezër si vëllai në Langli, 1,2 milion dollarë "abuzime" janë hiç asgjë, si ato kafetë e tortat për të cilat u dënua Nexhmie Hoxha.

Pasi Nano ia sqaroi mirë Ngjelës rrugën dhe Ngjela i tha Nanos "Ato që dëgjuam ishin shumë të rëndësishme dhe na kanë orientuar drejt një rruge të mirë" u nis për në drejtim të kundërt me atë që i tregoi Nano, për në Gramsh. Pikërisht atje ku nis lëmshi i transportit të armëve për UÇK-në, ndërhyrja e SHIK-ut për transportin e armëve për UÇK-në, lirimi i transportuesve të armëve për UÇK-në, të cilët janë njëkohësisht edhe vrasësit e Azem Hajdarit që merrej me transportin e armëve për FARK-un.

Klosi thotë për atentatin, "unë kisha paralajmëruar 6 muaj më parë Ministrin e Brendshëm, Prokurorinë dhe Hajdarin". Ministri i Brendshëm thotë "e lajmërova Hajdarin". Ndërkohë hetimi gjyqësor e trajtoi vrasjen e Hajdarit si një hakmarrje banale sipas Kanunit të Lekës, pavarësisht zhdukjes superprofesionale të tre autor-dëshmitarëve të krimit. Të tre herë më shumë personave sesa në rastin Kenedi, ku u zhduk vetëm një Li Harvi Osvald.

Që atentati nuk ishte kurrsesi banal, kjo është mëse e qartë. Por nuk është e qartë se përse gjykata ishte e interesuar ta nxirrte atë banal, përse Ministria e Brendshme, SHISH-i dhe Prokuroria nuk i paraburguan të pandehurit, e përse SHISH-i, Ministria e Brendshme, gjykata dhe Prokuroria nuk thanë se kush i tërhoqi fijet e atentatit të Hajdarit. Nëse nuk e thonë, ata padyshim kanë arsye që të mos ta thonë.

"Rrugët e zotit Janë të paftillueshme" thotë Bibla. Kësaj do t'i shtonim "rrugët e Djallit janë edhe më të paftillueshme".


Motivet e aktorëve

Motivet që e shtynë Ngjelën ta ndjekë me këmbëngulje këtë proces janë të kuptueshme, një farë borxhi shpirtëror ndaj mikut Azem Hajdari dhe interesi profesional. Por cilat janë motivet e Nanos dhe Berishës?

Që Berisha të besojë se vërtet Klosi ka kërkuar ta zhdukë nëpërmjet vëllezërve snaiperistë Haxhia nuk është mbushamendëse. Killer Izetin ai e ka pasur përbri për vite të tëra dhe ia njeh psikologjinë. Edhe thëniet e tija kundër "kupolës" janë më tepër për konsum të brendshëm partiak sesa shpërthim inati real: "Për pak u nxeha" tha Napoleoni, pasi theu një vazo të çmuar e përzuri me ulërimë të vëllain.

Por opinioni që ai shpreh për zgjedhjen e kryetarit të ri të SHISH-it është një buqetë ironie politike: "Ne nuk përzihemi në këtë çështje... PD-ja nuk ofron asnjë emër... Unë do të doja vetëm që në krye të atij institucioni të ishte një individ, një person, që të kishte besimin e plotë të qeverisë dhe presidentit".

Ndërkohë presidenti ia ktheu mbrapsht kandidaturën e parë Nanos. Nëse do t'ia kthejë edhe kandidaturat e tjera, shkruan media, kjo do të shënjonte përplasjen e parë ballore me presidentin Moisiu, me spont me ish-presidentin Berisha do shtonim ne.

E cili do të ishte motivi i Nanos? Akuzat e Klosit kundër grekëve si përkrahës të trafiqeve ilegale? Por Nano sapo ka nisur flirtin me rivalin e Simitisit, Berluskonin. Shantazhi në Kuvendin Popullor se politikanët janë të përzier në korrupsion pa sjellë asnjë emër? Ndoshta edhe po, por edhe kjo do të ishte larë me mblesërinë që Klosi i bëri Nanos me Metën, kur këta dy të fundit s'kishin lënë fjalë pa sharë njeri-tjetrin.

Më tepër bindëse do të ishin lidhjet preferenciale të Klosit me Langlin, me një fjalë Nano s'e do një shërbim ku Langli do të informohej nga Klosi për Nanon, më tepër sesa Nano do të informohej nga Klosi për tjerët. Së fundi Nano kërkon dikë që t'ja dijë për nder atij dhe jo "kupolës", e ta ketë nën hyqëm.

E tëra kjo "është një luftë politike mes partive" thotë Meidani. Festë për të mos bërë luftë, a luftë për të mos bërë festë, kjo ende nuk kuptohet. Ajo që kuptohet është se flija e kësaj feste a lufte është dashi i zi Klosi nga vathi i Meidanit. Se ku do t'i del fundi punës, duhet pritur edhe tre muaj sa të rrahë tiku i fundit i tik-takut tre mujor.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:07
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË