NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

Essay
KU MBETI FEMRA SHQIPTARE?

Ku mbeti femra në fushatën zgjedhore në Kosovë? Kosova u çlirua prej serbëve; po kush do ta çlirojë viktimën më të dhembshme shqiptare, femrën, prej primitivizmit patriarkal të burrit shqiptar?

Shkruan: Ardiana SHALA

Ne femrat që po i përcjellim fushatat zgjedhore në Kosovë, në IRJM e në Kosovën Lindore, e që mendojmë për vetveten, për nënat, motrat e bijat tona, kemi arsye të jemi të dëshpëruara. Ose shoqëria shqiptare i ka zgjidhur të gjitha problemet me çlirimin e femrës, meqë ato s'përmenden asgjëkund; ose ato probleme janë aq të thella e të mishëruara në fundamentet e shoqërisë, sa askush as guxon ta shpiejë mendjen te to.

Diskriminimi i padiskutueshëm i femrës prej mashkullit në shoqërinë shqiptare, më konkretisht: diskriminimi im, i nënës sime e i motrës sime, e diskrimini i ardhshëm i bijave të mia, që rezulton në atë se neve na mohohet sistematikisht e drejta e zgjedhjes së lirë dhe e drejta e konkurrimit në kushte të njëjta si mashkulli, patriarkalistët shqiptarë thonë se rrjedhka nga "natyrshmëria e krimit tonë". Ata mundohen pafytyrësisht t'i bëjnë argat angarie arsyen e shëndoshë, shkencën, e, pse jo, edhe Allahun Xheleshanehu tok me Jezu Krishtin, për të na rrëmbyer neve femrave çdo shans të jetës së lirë e të barabartë me mashkullin!

Si çdo sistem tjetër diskriminues, edhe patriarkati orvatet t'i dekurajojë e t'i satanizojë idetë që i shkojnë kundër. Pesë strategjitë standarde defanzive të çdo sistemi: injorimi; përqeshja; izolimi; kërcënimi; dhe dhuna; janë njëherit edhe fytyra e patriarkalizmit në ballafaqim me kërkesat e kohës.

Në strategjinë e dominimit mashkullor mbi ne femrat, rol qendror luan p.sh. përqeshja e feminizmit. Feminizmi, thonë analfabetët patriarkalë, kërkoka njëjtësim të femrës me mashkullin. Po mashkulli e femra janë biologjikisht ndryshe, apo jo? Ja pra, sa e gabuar që është tërë ideja e barazisë gjinore...

Por feminizmi nuk kërkon *njëjtësim* të mashkullit me femrën. Përkundrazi, femiznimi kërkon pikërisht respekt për dallimet, duke kërkuar kushte të njëjta për konkurrencë në arenat e ndryshme të shoqërisë pa marrur parasysh dallimin gjinor.

Njerëzit janë e duhet të jenë të ndryshëm e unikë, por ata duhet të gëzojnë shans të njëjtë në jetë. Nëse dikush ka disavantazh pse ka lindur me sy të kaltër, hundë të gjatë, këmbë të shkurta, a vagjinë në vend të penisit, kësaj i thonë diskriminim.

Ç'do të thoshin burrat sikur dikush t'ua ngushtonte atyre horizontin jetësor, vetëm pse kanë lindur mashkuj? Si do t'u pëlqente sikur dikush t'ju përplaste në fytyrë mendimet e ndryshkura të fundamentalistëve islamikë e kristianë, si receta se si duhet hequr dorë nga barazia?

Tjetërku në Evropë, në atë Evropë ku burrat tanë po duan të hyjnë për vrimë të çelësit nëse s'i lënë ndryshe, feminizmi është tipar dallues i shoqërive të qytetëruara. Arritjet në lëmin e barazisë gjinore janë të numërta. Diskriminimi i femrës prej mashkullit, patriarkati, është një sistem që është ndërtuar e sofistikuar përmes një procesi të ndërlikuar socioekonomik për një kohë relativisht të gjatë (ndonëse jo bash aq të gjatë sa duan të thonë përkrahësit e tij). Sfidat e parë të feminizmit janë shfaqur tek në fillim të qindvjetëshit të shkuar, e pendat e para kundër patriarkatit në nivel shoqëror janë ngritur vetëm aty kah mesi i atij qindvjetëshi, pas disa prej ngjarjeve më definuese në historinë e qytetërimit. Femizmi është proces qytetërues, pra, që ka zgjatur ca më pak se 100 vjet, e gjatë tërë kohe janë arritur këto suksese: është miratuar e drejta e votës për femrat; si dhe janë miratuar një sërë ligjesh që synojnë barazim në lëmitë e trashëgimisë familjare, e të drejtave të shkollimit, e të drejtës së prindërisë, e tregut të punës, etj. etj. Procesi qytetërues ka arritur sot deri atje, sa femrës i është miratuar edhe e drejta e kontrollit mbi gjenitaliet e veta (femra ka të drejtë të ketë seks me kë të dojë kur të dojë, si dhe të refuzojë të ketë seks me këtë të dojë e kur të dojë - bazuar mbi preferencat e veta personale e jo bazuar mbi ato të meshkujve kujdestarë në familje) si dhe ajo e kontrollit mbi trupin e vet (e drejta e abortit).

Kjo është gjendja në atë Evropë, të cilën burrat tanë po e lakmojnë për vete, por duke i mbyllur sytë kryeneçësisht për nevojat e nënave, grave, motrave e bijave të tyre.

E si u merr mendja, athua vallë, se do ta pranojë kjo Evropë në gjirin e vet popullin absolutisht më patriarkal të kontinentit? Apo mendojnë burrat tanë se e kanë gënjyer Evropën, e se ajo s'u njeh fytyrën e tyre të vërtetë?

Nëse dikë e rren mendja në këtë pikë, mund t'i them që këtu: kur shikoni se si Evropa i mbyll sytë para primitivizmit shqiptar, mos mendoni se i mbyll prej padijes - po prej tmerrit e neverisë!

Sa herë që i kam ngritur këto çështje për diskutim me burrat shqiptarë, gjithmonë është gjetur një kodosh i hallakatur të më pyesë, se athua jam unë njëmend shqiptare. Po ku bën që femra shqiptarë të mendojë, he ruana Zot, se femra paska të drejtë të vendos vet për tërë trupin e vet, përfshirë këtu edhe gjenitaliet e veta!

Përgjegja e thjeshtë është: Po, shqiptare jam. Mua biles ma merr mendja se jam shqiptare dyfish më i madh se sa gjysmakët patriarkalë, meqë besoj jo vetëm te meshkujt, por edhe te femrat shqiptare: kam besim, pra, jo vetëm te vetja ime, por edhe te nëna ime, te motra ime, e te bijat e mia; te nënat, motrat e bijat e gjysmakëve, si dhe te nënat, motrat e bijat e tërë shqiptarëve tjerë. Meqë praktikisht gjysma e kombit shqiptar janë femrat, del se unë jam e pakta 50 përqind më shqiptar se secili prej tyre.
Unë dua këtu t'i pyes publikisht ata, ç'i shtyn ata të besojnë aq marrëzisht, se ata, vetëm pse kanë lindur meshkuj, paskan të drejtë ta privojë femrën prej kontrollit mbi trupin e vet!?

Mos u merr gjë mendja atyre se qenkan më të zgjuar, më të urtë, më të aftë, më të zot a më të moralshëm se, ta zëmë, motra/t e nëna e veta, e se motrat e nënat tjera të kombit shqiptar, vetëm pse kanë penis e jo vagjinë!? Se qenkan p.sh. më të zgjuar, më të urtë, më të aftë, më të zot a më të moralshëm se, ta zëmë, Teuta, Shote Galica, Flora Brovina etj, vetëm pse ata kanë penis, e ato vagjinë!?

Meqë injorantët ngulmojnë se është ashtu, atëhere rrjedh se ata kujtokan që tiparet e zgjuarësisë, urtësisë, aftësisë, zotësisë e moralit njerëzor pushokan në - penis!

Unë për vete besoj se këto tipare, të cilat kanë shkëlqyer sa e sa herë në historinë e kombit shqiptar, pushojnë krejt tjetërkund. E se femra shqiptare është poaq e zonja - në mos qoftë biles edhe më e aftë se sa mashkulli - t'i mbrojë e zhvillojë vlerat e mirëfillta të qytetërimit shqiptar: nëse i jepet një shans, sall një shans i vetëm!

Por ky komunikim mes shekujsh i ka vështirësitë e veta: banorët e mesjetës, si primitivët e patriarkatit, s'e honepsin dot këtë gjakimin tonë modern, e ne femrat moderne e kemi të vështirë t'i marrin për zemre botëkuptimet primitive të mesjetës. Në këtë komunikim të bllokuar, është detyrë e politikës të ndërmjetësojë.

E ç'bën politika jonë?

Përgjegja është sa e thjeshtë, aq edhe tragjike. Politika jonë s'bën gjë prej gjëje.

Posi, ajo pranon urdhërin e ndërkombëtarëve që në Kosovë 30 përind (!) të parlamentareve të jenë femra. Por pse u desh të priste urdhër, pse jo të kërkojë vet jo 30 po 50 përqind - a s'është Kosova me 50 përqind banorë femra!? Apo qenkan meshkujt, të cilët na nxorrën bash në dritë me politikat e tyre, 70 përqind më të mirë se ne femrat!?

Ku mbeti femra në fushatën zgjedhore në Kosovë? Ku mbeti femra e shtypur gjer në palcë në zgjedhjet në IRJM? Ku mbeti femra në Preshevë, në Bujanoc e në Medvegjë? Femra, hej, gruaja juaj, nëna juaj, motra juaj, bija juaj - ku e latë ore femrën?

Kosova u çlirua prej serbëve; po kush do ta çlirojë viktimën më të dhembshme shqiptare, femrën, prej primitivizmit patriarkal të burrit shqiptar?

Pyetjet jehojnë, enden të vetmuara nëpër shkretëtirën patriarkale, të quajtur "Komb Shqiptar". I cili qysh në hymnin e vet ta tregon fytyrën e vërtetë: "Kush është burrë (!) nuk frigohet..."


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:06
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË