NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

Tri gjakderdhje shqiptare për dhjetë vjet:
LUFTËTARËT E VJETËR, POLITIKANËT E RINJ

Shkruan: Xhafer SHATRI

1. UÇK-ja, pjella e dështimit politik

Brenda pesë vitesh, në hapësirën shqiptare nisën dhe u zhvilluan tri lëvizje të armatosura. Në fundvitet nëntëdhjetë, lëvizja politike e shqiptarëve të Kosovës u përball me vështirësi të mëdha: molisje të përgjithshme, kundërthënie të mëdha të brendshme, rrezikim të humbjes së identitetit etj. Qëndresa tash identifikohej vetëm përmes radhëve të gjata të shkollarëve që dëshmonin kundërshtimin kolektiv të shqiptarëve ndaj shtetit pushtues serb. Gjendja dukej edhe më e pashpresë, kur Deytoni nuk u mor fare as me Kosovën e as me shqiptarët. Në këtë gjendje, mjaftuan disa aksione simbolike të armatosura për t'u futur në sallonin e politikës një emër ri ri luftarak: UÇK.

UÇK-ja s'e ndau skenën politike të Kosovës, por e qartësoi një ndarje që ekzistonte atje qysh moti. Në njërën anë ishin politikat me të cilat identifikohej lëvizja politike paqësore, ndërsa në anën tjetër ishin rrymimet e forta që kërkonin prej Ibrahim Rugovës e liderëve politikë rreth tij që t'i zbatojnë obligimet e vetmarra. Grupet e armatosura që u zgjeruan rrufeshëm gjithandej Kosovës dëshmuan se zhgënjimi i të dytëve me të parët e kish arritur kulmin.

Me daljen publike të Adem Demaçit si përfaqësues politik i UÇK-së, këta krahë zunë të identifikohen përmes personaliteteve. Me Ibrahim Rugovën identifikohej lëvizja paqësore dhe institucione si " presidenca ", " qeveria " dhe " Kuvendi " i shkretë, që s'mblidhej dot assesi. Krahu radikal identifikohej me Adem Demaçin e me çunat e çikat e UÇK-së, që i kishin rrokur armët për ta sfiduar dëshpërimisht një oponent shumëfish më të fuqishëm.





Me kohën, Demaçi i pallogaritshëm do të zëvendësohej me Hashim Thaçin, që u bë udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Atë ditë e tutje, "krahu i luftës" në Kosovë do të identifikohet me të. Në Rambujé u arrit një konsensus për formimin e një qeverie të përbashkët, e mandati për të qenë kryetar i saj iu dha Jakup Krasniqit, anëtar i delegacionit. Më vonë këtë mandat do ta përvetësonte Hashim Thaçi, që u ngut të shpallet "Kryetar i Qeverisë së Përkohshme". Por kjo qeveri do të mbetej e njëanshme, meqë u pa menjëherë se LDK-ja u s'e kish ndërmend të ndajë pushtet më askë. Kyfarë lëmshi do të bëhej shkaku kryesor që Kosova të mos ketë qeveri të përbashkët : ajo do të vazhdonte t'i ketë dy qeveri, të cilat de jure bashkë me institucionet tjera fiktive i shkarkoi Kushneri në vitin 2000.

Kryeneçësia e Rugovës dhe imponimet e Thaçit bënë që delegacioni i Kosovës pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndonëse koshient se bombardimet ishin të pashmangshme, s'u mor dot vesh për asgjë. Çdonjëri prej tyre u kthye në mjedisin e vet, pa kruar kokën për rrezikun që po i kanosej jo vetëm popullit të Kosovës, por edhe vetë atyre! E ky qe një dëm kolosal që iu shkaktua vendit, pasojat e të cilit Kosova i ka paguar shtrenjtë. Papërgjegjësia e Rugovës dhe praktikat përjashtuese të Thaçit si lider i "krahut të luftës", që i kontriboi më së shumti që Kosova në një moment epokal të ndodhet në anarki të plotë.

Gjatë gjithë bombardimeve, Rugova i vetzënë peng ëndërronte formimin e një qeverie të Kosmetit me bekimin e Millutinovçit, së cilës do t'i printe shoku i tij i viskit e tani drejtor i PTK-së, Adnan Merovcin; kurse Hashim Thaçi fliste e vuloste në emër të Qeverisë së Përkohshme, që s'e kish njohur askush. Fuqitë e mëdha s'kishin përballë asnjë organ legjitim shqiptar prej të cilit do të merrnin shkresa, memorandume, propozime për zhvillimet e ardhshme në vend. Në këto momente vendimtare për fatin e kombit shqiptar, anëtarët e delegacionit të Kosovës ishin çaprapikur si zogjtë e qyqes. Mu këtu duhet kërkuar edhe shkaku i asaj që do të ndodhë më vonë: ekzekutimin e Aganit, rezolutën 1244, ndarjen e Mitrovicës, vakumin institucional, anarkinë, plaçkitjet, ekzekutimet arbitrare etj, që do të prishin shumë keq e për një kohë të gjatë imazhin e shqiptarëve si viktima të një politike e praktike shfarosëse.


2. Defaktorizimi politik i UÇPMB-së

Duke shfrytëzuar rrrethanat e krijuara të pasluftës në Kosovë dhe në rajon, një guerile tjetër shqiptare do ta shohë dritën në Luginën e Preshevës. Prezenca ndërkombëtare në rajon, konkretisht, zona e sigurisë etj, ndikuan që UÇPMB-ja ta ngritë çështjen e fjetur të këtyre tokave shqiptare në një problem ndërkombëtar.

UÇPMB-në, ashtu si dhe UÇK-në, e kishte formuar Lëvizja Popullore e Kosovës, një organizatë e vjetër mbarëshqiptare. Mirëpo, me përfundimin e Luftës në Kosovë, drejtoria politike e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në një mbledhje në Prizren, përpiqen ta shkatërrojnë LPK-në. Këto përpjekje në mbledhje i kundërshtoi vendosmërisht Ali Ahmeti, i cili bashkë me Emrush Xhemailin, Fazli Veliun etj., më vonë do të arrijnë ta riorganizojnë LPK-në.

E tash, me krijimin e rrethanave të reja, duke qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe aparati i tij partiak u përpoqën ta shpartallojnë nga brenda UÇPMB-në. Për ta, kjo qe dëshmia që do t'ia jepnin perëndimorëve për përkushtimin e tyre të rigjetur paqësor. Ky intervenim i paskrupull do të mbjellë anarki në Luginën e Preshevës. Pasojat do të jenë të mëdha, sepse prej kësaj lëvizjeje guerile nuk do të mund të formohet një delegacion unik dhe kompetent për t'u përballë në negociatat e paqes me palën serbë.

Gozhda e mbramë në arkivolin e UÇPMB-së u vu pas ndërrimeve në kreun e Beogradit. NATO-ja kish kohë që po e ndante bezdisjen e serbëve, grekëve etj. kundrejt nacionalizmit të rizgjuar shqiptar. "Po t'u japësh shqiptarëve gishtin, ata ta shkulin krahun" ishte asokohe komenti standard i perëndimorëve. Shqiptarët thjesht s'u kishin lindur perëndimorëve te dardha e shtrembër, që t'u drejtonin të gjitha padrejtësitë historike.

UÇPMB-ja kish mbijetuar në Zonëne Ndaluar prej 5 km rretheqark Kosovës, ku serbët s'kishin të drejtë të plasojnë armatim të rëndë që prej fushatës së NATO-s. Më të rënë të Millosheviçit, u pa puna që kjo zonë do të anulohej, e se UÇPMB-së i kish rënë këmbana.

Çarmatosja e shpartallimi "vullnetar" i UÇPMB-së u imponua nga emisarët e NATO-s e të Thaçit. Lugina e Preshevës iu dhurua pastaj liderëve të ri serbë si dëshmi e simpative perëndimore pro tyre, e për ta forcuar autoritetin e Koshtunicës e të Xhinxhiçit në sytë e nacionalistëve serbë.

Manovra pati sukses të plotë, meqë e shpartalloi themelshëm rrymën aktiviste në Luginën e Preshevës. Dy vjet pas shpartallimit të UÇPMB-së, shqiptarët e atjeshëm morën pjesë për herë të parë që pas fillimit të viteve 1990 në zgjedhjet lokale serbe, përkundër ftesave të izoluara të aktivistëve për bojkot. Liderët e rrymës moderate ndër shqiptarë fituan ndikim në tri komuna me shumicë shqiptare, kjo përbrenda sistemit serb që komunave u ofron zero ndikim në punët e pushtetit.

Lugina e Preshevës u shkëput prej Kosovës në mbarim të viteve 1950, me një nënshkrim të Titos, për ta çimentuar kontrollin serb mbi magjistralen Beograd-Shkup; u nda prej Serbisë me armë në mbarim të viteve 1990 për të kërkuar rikthim në Kosovë; e u kthye sërish në Serbi në prag të mijëvjeçarit të ri - kësaj radhe me nënshkrim të vetë shqiptarëve.


3. UÇKom, guerila më e suksesshme në botë

Acarimi i gjendjes në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) ishte paralajmëruar kaherë. Grupime të ndryshme shqiptare kishin qëmoti plane konkrete për aksione të armatosura, por kjo shtyhej vazhdimisht, meqë shpresohej se ekipi i Arben Xhaferit do të arrinte t'i zgjidhë paqësisht problemet e mëdha të shqiptarëve. Përkundër sukseseve që s'mohohen dot, me kohën ky ekip u bë pjesë e pushtetit të korruptuar maqedon, ndërsa kërkesat e shqiptarëve vazhduan të injorohen. Për vite Universiteti i Tetovës nuk u legalizua, pa folur për disproporcionin e gjithanshëm të përfaqësimit në ushtri, polici, administratë, madje edhe në shërbimin shëndetësor... E tërë kjo ndodhte para syve të faktorit perëndimore, madje me bekimin e tyre të heshtur.

Njëri prej fajeve që i vishen Arben Xhaferit është se ai nuk reagoi kur u firmos marrëveshja kufitare mes Beogradit e Shkupit, që më vonë do të shërbente si Casus belli për krizën në Tanushë e shpërthimin e luftimeve në IRJM. Kjo marrëveshje e firmos prej Koshtunicës e Trajkovskit në Shkup, në kuadër të një samiti të vendeve ballkanike për paqe e bashkëpunim: si shumë herë më parë në historinë njerëzore, vendimet e një konference të quajtur "të paqes" do të bëheshin shkas imediat për shpërthimin e një lufte të re.

Nuk vonoi e në ballë të kryengritësve shqiptarë nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare do të dilte një emër i njohur i lëvizjes ilegale nacionaliste, Ali Ahmeti, i njohur me pseudonimin Abazi. Një nga brezi i mesëm i revolucionarëve, i dalluar për përkushtim e për përpjekje që lëvizja shqiptare të jetë unike, e fortë dhe efikase.

Ali Ahmeti me vite të tëra ishte njëri prej udhëheqësve kryesor të LPK-së, i ngarkuar kryesisht me punë praktike në sektorin e organizimit ushtarak. Ai ishte njëri prej themeluesve të UÇK-së.

Me t'u zgjëruar lëvizja e armatosur në Maqedoni, ishte Ali Ahmeti ai që mori nisiativën që ta bashkojë elitën politike shqiptare në vend. Falë përpjekjeve të tij dhe të një diplomati amerikan, të cilit kjo përpjekje i kushtoi me karrierë, u mbajt takimi në Prizren mes Ali Ahmetit (UÇK), Arben Xhaferit (PDSh) dhe Ymer Ymerit (PPD). Ndodhi pra krejt e kundërta e asaj që kishte ndodhur në Kosovë.

Ali Ahmeti që në fillim do të distancohej nga titujt ushtarake e do të dalë si shef politik i guerilëve, ndërkaq publikisht do ta emërojë si Komandant të Shtabit të Përgjithshëm një ushtarak të dëshmuar, gjeneralin dibran Gëzim Ostreni. Ali Ahmeti qe kreatori kryesor i takimit dhe i Marrëveshjes së Ohrit, por s'deshi të imponohet edhe si nënshkrues formal i saj. Ai ndejti anash edhe pse ishte në thelb të çështjes dhe të vendimmarjes. Me t'u përfunduar ky proces negociator, Ali Ahmeti do të tregohet para bashkësisë ndërkombëtare si politikan realist dhe i vendosur për t'u respektuar Marrëveshja e Ohrit. Për t'u forcuar imazhi shqiptar, ai pas shpërndarjes së UÇK-së, përkundër provokimeve të shumta të liderucëve të ndryshëm, do të ruajë gjakftohtësinë dhe do të përpiqet që në Maqedoni më në fund të institucionalizohet lëvizja politike shqiptare në kuadër të një Këshilli Kordinues.

Ali Ahmeti e dinte se nëse lejohet shpartallimi i frymës politike të UÇK-së, natyrisht atëherë edhe nga Marrëveshja e Ohrit nuk do të mbetej madje as shkronja M. Andaj ai, duke iu shmangur kurthave shqiptare e joshqiptare, vendos që ta formojë partinë politike Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI. Një parti që në zgjedhjet e fundit i fitoi dy të tretat e votave të shqiptarëve në këtë vend.

Vështruar në pasqyrë, UÇKom na del si lëvizja më e suksesshme guerile në kohërat moderne. Ajo arrin ta sfidojë një oponent shumëfish më të fortë, e që gëzonte mbështetje të fuqishme nga faktori i jashtëm. Në lëmin ushtarak, UÇKom jo vetëm që i shpëton shkatërrimit, por ditëve të fundit të luftës arrin të bëhet edhe kërcënim serioz strategjik për forcat e kundërshtarit. Kjo është një arritje unike, të cilën s'e kishin arritur pararendësit e saj as në Kosovë, e as në Kosovën Lindore.

Edhe në rrafshin politik, UÇKom nën drejtimin pajtues të Ali Ahmetit - e falë faktit që Arbën Xhaferri megjithatë s'ishte Ibrahim Rugovë ! - arriti një sukses unik. Ajo i bashkoi konstruktivisht radhët e faktorit shqiptar, e arriti t'i shmanget izolimit politik të guerilëve. Kurse në zgjedhjet e para parlamentare pas luftës, BDI-ja e Ali Ahmetit i bëri pikë e pesë konkurrentët e vet shqiptarë, duke iu imponuar sllavëve maqedonas si partner absolutisht i vetëm i mundshëm për një koalicion qeveritar ndëretnik.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:06
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË