NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
DEBAT VITI IV - 1 TETOR 2002

MITI HAJDARI DHE GJUETIA E SHTRIGAVE

Shkruan Fatos LUBONJA

Para disa vjetësh Azem Hajdari është akuzuar nga shtypi pro Berisha jo më shumë jo më pak se për krimin e vrasjes. Është e shkruar e zezë mbi të bardhë në fletët e së përditshmes, asohere në shërbim të Berishës, gazeta "Albania": një aktakuzë me 12 pika ku neni më i rëndë është ai i vrasjes. Ishte një kohë kur Hajdari seç kurdiste kundër atëherë Presidentit Berisha.
Pas ngjarjeve të 1997-ës, sikurse dihet, Hajdari e lidhi fatin e tij me atë të Berishës, pasi krijoi një diçka si Komitet Kombëtar të Shpëtimit Publik, që kërcënoi se do ta çonte vendin në luftë civile po të mos shkriheshin Komitetet e Jugut dhe pas zgjedhjeve të 29 qershorit u akuzua rëndshëm nga socialistët si njëri nga strategët e destabilizimit permanent, politikë kjo asokohe e PD-së që synonte me padurim të rikthehej në pushtet. Kush kërkon dokumente me data për këtë mund të lexojë "Zërin e Popullit" të viteve 1997-98.

Pastaj, më 12 shtator 1998, ndodhi vrasja e Azem Hajdarit, e cila erdhi e papritur për shumëkënd, por, siç doli më vonë, jo dhe aq për Sali Berishën, Fatos Nanon, etj., të cilët kishin të dhëna se Azemi e kishte jetën në rrezik nga disa bashkëkrahinorë të vetët të cilët kishin ca hesape gjakmarrjeje, por edhe ca hesape pushteti, sepse në Tropojë pluralizmi politik dhe tregu i lirë ishin kuptuar (nën frymëzimin e Tiranës) si luftë midis dy klane të fortish njëri i lidhur me PD-në dhe tjetrit me PS-në që ishin betuar të zhduknin nga faqja e dheut pjesëtarët e njëri -tjetrit.

Pastaj erdhi 14 shtatori kur arkivoli i Hajdarit u përdor si qytë për të sulmuar institucionet: turma në vend së të shkonte në varreza u vërsul tek Kryeministria duke kërkuar kokën e Nanos i cili, për ta ruajtur atë, ia mbathi për në Maqedoni, (sipas disa informatave jo i shoqëruar nga ndonjë ekip policësh shtetëror, por nga persona privatë.)

Që prej asaj kohe PD-ja e shpalli Hajdarin martir të vrarë për motive politike, por asnjëherë nuk ka specifikuar se cilat ishin motivet - nga opinioni është perceptuar se Nano dhe të tijtë kanë dashur të zhdukin një kundërshtar politik të rrezikshëm duke nënkuptuar me "rrezikshmëri" aftësitë e veçanta të Hajdarit për të rrezikuar për përmbysje me forma jo ashtu dhe aq paqësore. Edhe ndonjë provë konkrete e përfshirjes së Nanos në këtë krim nuk u dha. Nga ana tjetër, Nano dhe të tijtë në pushtet asnjëherë nuk bënë një punë serioze për të ndriçuar krimin, por përjashtuan çdo rol në të dhe akuzuan, përkundrazi, Berishën, i cili, sipas versioneve të paraqitura nga ZP-ja, ishte shkaktari kryesor i zinxhirit të krimeve në Tropojë sepse, sipas inçizimeve të një mitingu në B. Curri, ky, kur ishte President, paskësh kërkuar t'ia sjellin në Tiranë gjallë a vdekur njërin nga vëllezërit e Fatmir Haklajt, (vrasësit të mëvonshëm të Hajdarit), i cili e paskësh fyer gjatë mitingut. Si rezultat, sipas zakonit të trashëguar që nga periudha kur i shërbenin sulltanëve, shqiptarët e PD kanë preferuar t'ia çojnë më mirë të vdekur se sa të gjallë. (kuptohet, si shenjë e civilizimit mungonte koka në tepsi). Dhe, sipas gjakmarrësve, Hajdari ka pasur gisht në këtë punë.

Ndërkohë, pas vrasjes së Hajdarit në Tropojë, u vranë njëri pas tjetrit thuajse të gjithë të akuzuarit apo të lidhurit me vrasjen e tij (me ca vrasje spektakolare për nga sofistikimi) dhe asnjë punë nuk është bërë për të ndriçuar se kush i vrau ata. Autorët e këtyre krimeve pas shumë gjasave janë të lirë.
Hajdari, nder i kombit

Kush ka parasysh tërë këto gjëma, megjithë meritën e Hajdarit si pjesëmarrës në krye të lëvizjes studentore, dhe megjithë vrasjen, e cila pa dyshim është krim i rëndë, e ka të vështirë të kuptojë se si Presidenti i Republikës i akordoi Azem Hajdarit titullin përjetësues "Nder i kombit". Aq më tepër që ende ka një vendim gjykate që vrasjen e tij e jep me versionin e një vrasjeje për motive ordinere dhe gjithashtu nuk ka asnjë provë deri tani (të deklaruar nga gjykata e kam fjalën) që vrasja të jetë politike.
Shpjegimi është vetëm një: jemi në fushën e krijimit të miteve, më saktë të kurorëzimit të një miti të cilit PD-ja ia ka ngritur piedestalin që prej 1998-ës. Dhe, sikurse dihet, historia që tregohet për një mit nuk është e thënë të jetë e njëjtë me bëmat reale të personit që mban emrin e mitit. Ndërtimi i mitit bëhet pikërisht me teknikat e harresës dhe selektivitetit në funksion të qëllimit pse ai ngrihet. Kush kërkon teori mbi këtë le të kërkojë literaturë mbi karakterin funksional të miteve. Sipas funksionalistëve, një mit ka kuptim vetëm në një konteks të caktuar ndërveprimesh pragmatiste të karakterit social, kulturor, apo politik... Duke e interpretuar mitin Hajdari me këtë teori mund të thuhet se ai u bë miti i PD-së së viktimizuar nga PS-ja ashtu siç ishte Nano i burgosur nga Berisha miti i PS-së së viktimizuar nga PD-ja; miti i militantit të paepur të PD-së, të fortë dhe guximtar, miti i revanshizmit të PD-së. Kjo shpjegon se pse PD-istë harruan akuzat që kishin ngritur kundër tij dhe pas disa vjetësh, po të njëjtët njerëz, po afër Berishës, që sipas shtypit merrnin asohere të dhëna tek SHIK-u i Gazidedes kundër Hajdarit për ta akuzuar atë për vrasës sot, pa dhënë asnjë shpjegim për ato akuza, pa i kërkuar as ndjesë publikut, familjes, apo vetë figurës që sot e nderojnë, ndërmorën një luftë të madhe që Hajdari të shpallej nder i kombit dhe akuzojnë SHIK-un e sotëm për vrasjen e tij.

Miti Hajdari në kontekstin e sotëm politik
Personalisht bëj pjesë ndër ata që nuk do të doja të më jepte ndjenja nderi dhe krenarie kombëtare as Hajdari - të më falin PD-istët - dhe as ca ndere të tjera të kombit dhe as nuk do të doja t'i jepja për model frymëzimi ata. Shyqyr që luftuam për ca pak pluralizëm sa për të pasur mundësi t'i edukojmë nip stërnipërit tanë për të zgjedhur midis ndereve dhe për të mos i nderuar nderet fare por nuk ua mbushën mendjen. Këtu gjej rastin të them edhe se vetë titulli "Nder i kombit" me patetikën dhe retorikën që përmban më duket i shëmtuar, si i sajuar nga një njeri me ndjenja poetike të vjetëruara. Por, meqë kjo ka të bëjë me "çështje personale" - kështu të akuzojnë sa herë del kundër mendimit të pjekur, objektiv, të aprovuar nga "shumica", po i largohem kësaj çështjeje dhe po hyj tek tema shumë e përfolur së fundi lidhur me vrasjen e Hajdarit.

Personalisht nuk e besoj, ashtu sikurse shumë e shumë shqiptarë, se Azem Hajdarin e ka vrarë Fatos Nano, apo Fatos Klosi. As që e ka vrarë Sali Berisha sikurse thoshte ZP-ja në '98-tën. Sikur të kishte qenë kaq trim Nano nuk do t'ia kishte mbathur në Maqedoni pasi do të kishte bërë edhe planin se çdo bëhej pas vrasjes. Tani PD-istët thonë se e ka vrarë Klosi, por edhe Klosi aq i marrë sa ta vriste pa dijeninë e shefit të tij të ekzekutivit, nga varej, nuk ishte - sepse si do të mbrohej, tekefundit. Ata duhet ta kenë ditur se Hajdari ishte në rrezik jete dhe, sipas meje, krimi më i rëndë i tyre është ai që lejuan të vendosen në policinë e Tropojës njerëz të krimit që përdorën pushtetin që i dhanë ata për të larë hesape me kundërshtarët e tyre. Dhe kjo nuk është përgjegjësi e vogël.

Problemi që më ngacmon megjithatë nuk është moszbulimi deri në fund i së vërtetës së vrasjes, as mëkate të tjera të Klosit në krye të SHIK-ut, (jam i bindur se si Klosi edhe të tjerë shefa të tij janë përgjegjës për shumë të këqija në këtë vend) por çështja se si po përdoret miti Hajdari në kontekstin e sotëm politik. Para disa kohësh u bë një marrëveshje Nano - Berisha për të ndryshuar klimën e politikës konfliktuale e bizantine në Shqipëri, që e përshëndetën shumë personalitete të shquara, edhe ndërkombëtare. Mirëpo, sipas mendimi tim, miti i vrasjes së Hajdarit për motive politike, është bash kuintesenca e politikës së konfliktualitetit dhe kurorëzimi i këtij miti pikërisht në periudhën e konsensusit dhe më pas gjuetia e shtrigave që ka lindur në emër të mitit të tij, mban erë jo fort të mirë konsensualizmi, pavarësie dhe paanësie të institucioneve - me në krye atë të Presidentit. Një nga karakteristikat e politikës konfliktuale bizantine ka qenë pikërisht shfrytëzimi i emocionalitetit të publikut dhe jo i racionalitetit të tij, shfrytëzimi i paragjykimeve në vend të gjykimeve, i besimeve të verbëra në vend të kultvimit të kulturës së dyshimit për të cilën edhe vetë Berisha deklaroi në Parlament se është element emancipimi për popujt. Ndërkaq, mënyra se si po përdoret vrasja e Azem Hajdarit, duke e mistifikuar atë, është krejtësisht përsëritje e këtyre karakteristikave, e shfrytëzimit të frikës dhe besimit të verbër ndaj gjërave të shpallura tabu, për të arritur qëllimet politike. Të arrish të thuash tani se koka i oktapodit të krimit na qënkërka Rexhep Meidani sepse ai na mbrokërka vrasësin e Azem Hadarit, Fatos Klosin, (kur dje me të njëjtën gjuhë ke akuzuar Fatos Nanon), të anashkalosh me arrogancën vendimet e gjykatave dhe institucionet që duhet të merren me shpalljen e fajtorëve (vetë shpallja "nder i kombit" paragjykon çështjen e zbulimit të së vërtetës edhe nëse hapen hetime, sepse ajo nënkupton që pa dyshim duhet të gjenden fajtorë politikë) kjo më duket se jo vetëm që tregon se konfliktualiteti dhe bizantinizmi aq shumë i përfolur i Berishës e Nanos nuk është zhdukur nga kokat e tyre, por ka gjasë të bëhet edhe më iracional e më virulent po nuk pati forca të tjera institucionale që t'i thonë ndal. Ne kemi nevojë për një paqtim të mendjeve në formën e çlirimit nga demonët e konfliktualitetit dhe të bizantinizmit e jo për një pajtim personash në mendjen e të cilëve këta demonë vazhdojnë të hedhin vallen në të tjera gosti.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:35
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË