NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
DEBAT VITI IV - 1 TETOR 2002

Pas zgjedhjeve në Luginën e Preshevës
"SI VAJTËN ZGJEDHJET - NË TË VËRTETË !"

Shkruan : Baki REXHEPI

Njëzet e tetë korriku, është data kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale në tri komuna të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si pjesë e procesit të paqes që pas ndërprerjes së konfrontimeve të armatosura, po realizohet në Luginën e Preshevës.
Në këto zgjedhje, të drejtën qytetare e shfrytëzuan rreth 75.000 votues ,të cilët votuan në 133 vendvotime të tri komunave. Ajo që e zgjoi kureshtjen e ndërkombëtarëve dhe vendorëve ishte zhvillimi i zgjedhjeve në komunën e Bujanocit, ku siç dihet u zhvillua një garë e fortë mes shqiptarëve e serbëve. Në këtë komunë me popullatë multietnike dhe me një epërsi jo të madhe të popullatës shqiptare, dy komunitetet kishin kandiduar për postin e prefektit komunal nga një kandidat në emër të të gjitha subjektëve të tyre etnike. Ishte Nagip Arifi ai që përfaqësonte spektrin politik shqiptar të Bujanocit, e Novica Manojlleviç përfaqësues i dy koalicioneve dhe një grupi qytetar serb.



Zgjedhjet u mbajtën me sistemin e ri proporcional. U votua drejtëpërdrejtë për kryetar të komunave dhe për këshilltarë komunal. Ato u observuan nga vëzhgues të shumtë të organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare,si dhe nga pjestarë të subjekteve dhe koalicioneve politike pjesmarrëse ne zgjedhje. Në të tria komunat zgjedhjet shkaktuan një garë të vërtetë mes subjekteve politike. Në Bujanoc kjo garë zhvillohej mes shqiptarëve dhe serbëve. Shqiptarët kishin një përparësi më të madhe pasiqë kishin një epërsi të vogël sa i përket numrit të përgjithshëm të votuesve (33.000), rreth 18.000 shqiptarë kundrejt mbi 12.000 votuesve serbë. Në anën tjetër, të dy kandidatët mund të llogarisnin edhe në rreth 3.000 votat e komunitetit rom.

Serbët protestojnë, shqiptarët pranojnë
Ndonëse me lëshime në listat elektorale dhe me probleme të shumta për shkak të stërgrumbullimit të dy-tri qendrave të votimit me mbi 2500 votues, zgjedhjet në Bujanoc u vlerësuan drejt. Përfaqësuesit e misionit vëzhgues të OSBE-së thanë se janë zhvilluar në rregull dhe pa probleme, konform standardeve ndërkombëtare. Mirëpo, një gjë e tillë nuk u vlerësua edhe nga përfaqësuesit e dy koalicioneve serbe dhe grupit të qytetarëve po serb të Bujanocit, të cilët ishin involvuar në proqesin zgjedhor. Ata parashtruan ankesa për 11 vendvotime. Zgjedhjet, sipas Komisionit Komunal Zgjedhor, duhej përsëritur, vendimin për këte e solli Gjykata Komunale e Bujanocit. Përfaqsuesit e shqipatarëve, pjesmarrës në komisionin komunal zgjedhor të Bujanocit, ishin kundër vendimit mbi përsëritjen e zgjedhjeve. Ndonëse njëanshëm një vendim i tillë duhet respektuar, një gjë e tillë u arrit pas një marrveshjeje të arritur në Bajën e Bujanocit në orët e vona të natës së 6 gushtit, mes Zëvendëskryeministrit serb Nebojsha Çoviç dhe Riza Halimit, kryetarë i PVD-së.
Në bazë të dhënavë preliminare të Komisionit Zgjedhor Komunal, për zgjedhjet e 28 korrikut, Nagip Arifi siguroi rreth 55% të votavë kundrejt kundërkandidatit të tij Manojlloviç,i cili siguroi rreth 43% të votave. Ashtu sic pritej rezultatet e zgjedhjëve u kontestuan nga serbët lokal të cilët përdorin influencën e tyre në strukturat lokale zgjedhore dhe juridike, serbët lokal vazhduan logjikën e tyre të vjetër duke mospranuar realitetin demografik dhe duke bërë obstrukcione për të mos humbur privilegjet e tyre të trashëguara që nga koha e komunizmit e vecanërisht në kohën e regjimit të Millosheviçit,obstruksionet e tilla ata i manifestuan me protesta disa ditisa ditëshe. Përsëritjen e zgjedhjeve e ndihmoi marëveshja e arritur në Bajën e Bujanocit.


Në komunën e Medvegjës, që me 28 gusht ish-kryetari Sllobodan Drashkoviç grumbulloi mbi 80% të votave të elektoratit me çka ai edhe u emrua prefekt i kësaj komune. Në Medvegjë, shqiptarët nuk kishin kandidat për prefekt komunal,shqiptarët arritën të sigurojnë në parlamentin lokal i cili numëron 35 këshilltar, 6 këshilltar shqiptar pjestar të Partisë për Veprimit Demokratik, subjekt i vetëm politik shqiptarë i shtrirë edhe në këtë qytet.
Derisa në Medvegjë u votua kryesisht për sigurimin e disa këshilltarëve, ashtu që s`paku të degjohet zëri i shqiptarëve në pushtetin lokal , në Bujanoc për të siguruar prefektin komunal shqiptar, në Preshevës tri subjekte shqiptare zhvilluan garën mes veti për të siguruar pushtetin lokal.

Pra, Presheva ishte "arena" ku shqiptarët dëshmuan vlerat demokratike dhe kulturën e tyre politike në konkurencën e ndërsjellë etnike.

Përplasje frontale në Preshevë
Në prefekturën e Preshevës nuk do mend se subjektet politike shqiptare konkurruan për interese partiake, meqë "interesi kombëtar" në Preshevë, sipas tyre, nuk është i rrezikuar.
Dy subjekte politike PVD dhe PBDSh si dhe grupi i qytetarëve i vetëquajtur krahu i ish UÇPMB-së, konkurrues në zgjedhje nën emrin Lëvizja e Progresit Demokratik LPD, i paraqitën kandidatët e tyre për këshilltar dhe kryetar të komunës së Preshevës.
Partia për Veprim Demokratik kandidoi kryetarin aktual- Riza Halimin, Partia e Bashkuar Demokratike Shqiptare -Rahmi Zylfiun, ndërsa grupi i qytetarëve-Lëvizja e Progresit Demokratik -Abedin Selimin. PVD dhe PBDSh në zgjedhje konkuruan për 38 vendet e asamblesë komunale të Preshevës, derisa GQ-LPD me 23 kandidat.
Për këshilltar konkurruan edhe serbët lokal të organizuar në një koalicion si dhe partia e romëve.
28 korriku nuk arriti të përcaktoj fituesin e besimit të elektoratit për prefekt të Preshevës, përkundër faktit se Riza Halimi kandidat i PVD-së për prefekt kishte siguruar një numër shumë më të madh se dy kundërkandidatët e tij. Atij i mungonin vetëm 2 % të votave për ta e kaluar 50% e trupit votues dhe për tu shpallur prefekt. Nga rreth 28.000 votues sa përbën elektorati preshevar, Riza Halimi grumbulloi afër 6.000 vota, Rahmi Zylfiu afër 3.500 vota, kurse Abedin Selimi rreth 2.300 vota.
Me të përfunduar raundi i parë u ngjallën reagimet. 28 korriku qiti në pah shumë keqpërdorime të administratës komunale e cila ishte ekskluzivisht nën mbikqyrjen e Partis për Veprim Demokratik dhe liderit të saj Riza Halimi. Një pjesë e madhe e elektoratit jo-PVD ishte hequr ( !) nga listat votuese, pjesës tjetër administrata komunale nuk ua kishte dërguar thirrjet për votime me kohë, etj. Kur kësaj i shtohet edhe mospërgjegjëja e elektoratit në votime, është lehtë t'i vlerësosh zgjedhjet.

Trysnitë e Riza Halimit
Meqë nuk u arrit prefekti, ishte i pashmangshëm rrethi i dytë i zgjedhjeve për prefekt. Komisioni Komunal Zgjedhor i cili në përbërjen e vetë e kishtë shumicën e anëtarëve të PVD-së, vendosi me shumicë votash që raundi i dytë të mbahet me 11 gusht, datë kjo e cila kishte diferenc vetëm njëjavore nga rrethi i parë. Ky vendim të cilin e mori komisioni duke e majorizuar pjesën tjetër të anëtarëve jo-PVD, erdhi pasi Riza Halimi i bëri trysni të drejtëpërdrejt Kryetarit të Komisionit në fjalë Nuredin Mehmetit, të cilin vetë Halimi e kishte propozuar për postin në fjalë.

Raundi i parë PVD-së i solli 18 këshilltarë, PBDSh-së 11 ndërsa LPD-së 6 këshilltarë,kurse koalicioni serb 3 këshilltarë.Për shkak të parregullsive komisioni i përsëriti zgjedhjet më 04.gusht në tri qendra të votimit meçrast PVD fitoi edhe një këshilltarë duke bërë kështu gjithsejt 19,ndërsa LPD e humbi një duke mbetur me pesë ,kurse PBDSh mbet me 11 këshilltarë sa gjithësejt i kishte fituar.
Shikuar në rezultate është lehtë te definohet se asnjëri subjekt poiltike as koalicioni serb, nuk e kanë arritur numrin e këshilltarëve të nevojshëm për ta e konstituar Kuvendin Komunal, pa koalicion të mundshëm.
Raundi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Preshevë zhvillohet vetëm për prefekt të komunës ,kësaj radhe kundërkandidat i Riza Halimit, është kandidati i PBDSh-së për prefekt Rahmi Zylfiu.
Në raundin e dytë më 11 gusht,përfaqësuesit e LPD-së, elektoratin e vetë e thërasin për abstenim,me arsyetimin se ai tashmë është lodhur nga zgjedhjet. Kur kësaj i shtohen parregullsit e sipërshenuara dhe neglizhenca e idesë për shfrytëzimin e të drejtës qytetare për dhënien e votës së lire dihet fituesi : Riza Halimi, i cili në të vërtetë e humbi luftën morale, për fitimin e besimit të elektoratit për vendin e prefektit që në raundin e parë.
Raundi i dytë qiti në shesh shumë gjëra konspirative,siç ishte marëveshja Çoviç-Halimi,për votat e pakicës serbe të cilat iu dedikuan Riza Halimit,si dhe paralajmërimi i mospërfilljes së dy subjekteve shqiptare në bashkëqeverisje.
11 gushti ishte një ditë ku u zhvillua një garë e paparë ndonjëhere mëparë.Kjo ditë për herë të parë pas një periudhe tejet të gjatë kohore edhe një herë e solli në shprehje polarizimin qytetar-fshatar. Me gjithë mobilizimin e jashtëzakonshëm dhe qesharak të "parisë qytetare", prap se prap për çudin e të gjithëve në raundin e dytë të drejtën qytetare e shfrytëzuan maximum 37.45%e elektoratit të përgjithshëm. Nga numëri i tillë Riza Halimi ,siguroi 21.99% ndërkoh që kundërkandidati i tij Rahmi Zylfiu,15.45 % të votuesve në raundin e dytë.
Pasuan deklaratat ekskluzive të zëdhënësve të PVD-së, Riza Halimi fitoi bindshëm vendin e prefektit, ndaj kundërkandidatit të tij Rahmi Zylfiu. Tifozët e PVD-së,festuan gjatë tërë javës, pati të tillë që diku-diku në shenjë inati, ndaj kundërkandidatëve të PVD-së,në këtë rast dy subjekteve tjera shqiptare,kërcnuan; bile është evidentuar edhe një rast ku është qëlluar me armë zjarri në afërsi të një shtëpie ku ishin vendosur transparentete PBDSh-së.
Komisioni Komunal Zgjedhor më 12 gusht konfirmoi rezultatet zyrtare,Riza Halimi fitues i karrigës së prefektit,PVD-19 këshilltarë komunal, PBDSh-11 këshilltarë, LPD-5 këshilltarë dhe Koalicioni serb vetëm 3 këshilltarë komunal në Kuvendin e Preshevës,përfunduan zgjedhjet.

Kush paska qenë "pengesë" në Preshevë !

Detyrë parësore,konstituimi i Kuvendit Komunal, por PVD si partia e cila ka fituar numrin më të madhë të këshilltarëve komunal,hesht.Heshtja është prezente edhe tek subjektet tjera.Deri në Konstituim të kuvendit nga përfundimi i zgjedhjeve mund të zgjatet vetëm 20 ditë,sipas ligjit. Në media PVD, përmes komunikatave shpreh intresimin e saj për vetëqeverisje, sepse deri më tani në bashkëqerverisje me PBDSh-ën , ajo qenka "penguar tepër" në realizimin e programit të saj.
Të gjithë pajtohen se multietniciteti, toleranca dhe bashkëjetesa janë vlera të një kombi dhe të një kulture, por si thoshte një filozofe franceze "falni.....por mos harroni sepse edhe pse perspektiva e një shoqërie është e ardhmja, të harrosh të kaluarën do të thotë të lejosh që ajo të përsëritet...."
Më 22 gusht, bëhet hapi konkret i partisë së parë të Kuvendit Komunal të Preshevës, Riza Halimi ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Preshevës, fton seancën e parë në përbërje të re, kjo seancë sipas të gjitha normave përfshin konstituimin e kuvendit komunal. Përfaqësuesit e dy subjekteve politike shqiptare që në krahasim me koalicionin serb kanë numrin më të madhë të këshilltarëve, bëjnë të ditur se paraprakisht nuk kanë pasur ndonjë bisedë e as që kanë pasur ofertë për bashkëqeverisje. Seanca është parapar të mbahet në ora 10,00 ajo shtyhet për në ora 12,00. Në godinën Kuvendit komunal vjen Zëvëndëskryeministri i Serbisë Nebojsha Çoviç, i cili fton Riza Halimin dhe përfaqësuesit e koalicionit serb në zyrën e Kryetarit të Komunës. Bisedohet për rreth 1,30 minuta, Halimi nuk është i gatshëm të deklarohet për media sepse nuk i premton koha, as Çoviç nuk jep ndonjë prononcim për gazetarët, të cilët e pritnin pasi kishte dal nga zyra e Halimit.
Në Shtëpinë e Kulturës pikërisht në sallën e konferencave për media, zhvillohet seaanca e parë, prezanton Çoviç dhe përfaqësuesit e të ashtuquajturit Trup Koordinues, i ftuar si mysafir është kandidati potencial për prefekt të Bujanocit Nagip Arifi. Fillon seanca e kryeson Riza Halimi në cilësin e ishkryetarit të Kuvendit, ka kundërshtime nga PBDSh, për zbrastësi të ligjit se Halimi nuk mund ta kryesoj seancën. Tejkalohen këto kundërshtime, aprovohet rendi i ditës, pika e parë -Aprovimi i raportit të Zgjedhjeve, ajo e dyta zgjedhja e kryesis së Kuvendit.

Demokracia á-là Çoviç
Me kundërshtime të vazhdueshme të pjestarëve të PBDSh-së dhe me shumicë votash aprovohet raporti i komisionit komunal zgjedhor.Përfaqësuesit e PBDSh-së,i elaborojnë të gjitha mangësit dhe parregullësit e zgjedhjeve ata e fajsojnë PVD-në për keqpërdorime të administratës e me këtë edhe të listave elektorale. Duke mos i përfillur ankesat Riza Halimi - PVD, bashkë me votat e Koalicionit serb "Për Preshevën" e aprovon raportin e komisionit komunal zgjedhor.
Vazhdohet me pikën e dytë, paraprakisht në foltore paraqitet Nebojsha Çoviç, i cili duke u paraqitur "demokrat" thekson se gjithku janë të mundshme manipulimet dhe se demokracia nuk do të thot marëveshje e përpikt, ai nga këshilltarët kërkon formimin e një qeverisje lokale multietnike.
Vazhdon kryesuesi i seancës, ai e propozon Dr.Skender Destanin - këshilltarë i PVD-së për kryetar të Kuvendit, ndërsa serbin Çasllav Angjellkoviç nënkryetar. Në foltore paraqiten përfaqësuesit e LPD-së dhe ata të PBDSh-së, që të dyja palët paralajmrojnë abstenimin e grupeve të tyre në votimin e kryesisë së Kuvendit, me arsyetim se me ta nuk është biseduar për bashkëqeverisje dhe se koha për konstituim të kuvendit është tejet e shkurtër.
Vazhdohet me pikën e dytë, propozimi i Halimit për dy kryesuesit e Kuvendit mezi arrin ti sigurojë 20 vota edhe atë duke i numruar votat e këshilltarëve nga tri herë. Edhe vet Riza Halimi shihet duke vajtur si drugëz, një cirkuzllëk i paparë ndonjëhere. Përfaqësuesit e Trupit Koordinues janë edhe më tej prezent si dhe Nebojsha Çoviç, por me të votuar propozimet ata e lëshojnë seancën. Grupet e dy subjekteve politike shqiptare e lëshojnë seancën në shenj protesti, PVD dhe Koalicioni serb "Për Preshevën"e kurorëzojnë koalicionin e ri me votimin e dy kryesuesve të Kuvendit.

Halimi fajëson "trendin"
Kështu pra, Kuvendi Komunal i Preshevës, pas dhjetë vitesh për herë të parë ka një funksionar serb, një nacionalist çfarë s'ish në pushtet as në kohën e regjimit totalitar të Millosheviçit. Çasllav Angjellkoviç emrohet nënkryetar i Kuvendit komunal. Dy subjektet tjera politike shqiptare PBDSh dhe LPD detyrohen të mbesin jashtë bashkëqeverisjes, por deklarohen se do të jenë opozitë konstruktive.
Deklaratat e kryetarit të PVD-së se është për vetëqeverisje të subjektit të tij politik, bien në ujë. Sipas asaj që shihet Riza Halimi, nuk gjeti gatishmëri që pushtetin ta ndaj me shqiptarët, një gjë të tillë më tepër i shkoi për dore ta e realizoi me serbët lokal të cilët në aspektin procentual në këtë prefekturë përbëjnë 25% të popullatës së gjithmbarshme. Nuk do mend që një prefekt si Halimi i cili në këtë post është emruar me vetëm 6183 vota, nga gjithsejt 28113 sa ka prefektura e Preshevës, për të mos i hyr në hak "serbëve lokal të cilët e votuan me urdhër të Çoviçit,e ndan pushtetin me votuesit e tij sepse ata siç dihet e përbëjnë shifrën prej 8-9% të votave të përgjithshme të tij.
Në veprimet e tilla, Riza Halimi-prefekt i Preshevës, arsyetohet me faktin se, donatorët e huaj si dhe qarqet ndërkombëtare aktualisht prezente këtu, në trend kanë formimin e qeverive multietnike të të gjitha niveleve. Sipas tij është e drejt e pakontestueshme e fitueseve të shumicës së votave ta zgjedhin partnerin e dëshirueshëm për koalicion në qeverisje. Kësaj radhe partner më i dëshirueshëm i PVD-së, si fituese e besimit të pjesës më të madhe të elektoratit, për ndarjen e pushtetit, është pala serbe e cila tash e dhjetë vite ka qenë e neglizhuar nga funksionet udhëheqëse të pushtetit lokal në Preshevë.
Për ata të cilët e njohin sensin politik të Riza Halimit, dhe partisë që ai e udhëheq një gjë e tillë nuk është e re në skenën programore të politikës së tij, meqë Halimi asnjëhere nuk ka arrit të lidh koalicion me partner politik shqiptarë siç ishte rasti në dhjetëvjeqarin e fundit sa ai ka udhëhequr me Kuvendin e Preshevës, me dëshirën e tij. Ai gjithnjë ka bërë përpjekje për koalicion me serbët, mirëpo për shkaqe tashmë të njohura, deri më tani një piksynim të tillë nuk ka arrit asnjëhere ta e realizoj.
Në Medvegjë, shqiptarët me të drejt kanë arrit të përfaqësohen në Kuvendin Komunal edhe ate me vendin e nënkryetarit të Kuvendit, sepse siç dihet ata atje përbëjnë 30% të numrit të përgjithshëm të banorëve, në asamblen komunale shqiptarët i kanë siguruar pesë këshillatë komunal.

Në Bujanoc pas përsëritjes së disa hershme të zgjedhjeve, ato definitivisht përfunduan me 25 gusht, komisioni Komuinal zgjedhor në këtë prefektur ka bërë të ditur se Nagip Arifi, është fitues i 11399 votave apo 53,18% të besimit të elektoratit nga gjithsejt 57,84% e numrit të përgjithshëm të votuesve. Përkundër proklamimeve të vazhdueshme të liderit të PVD-së Riza Halimit, se Arifi, është kandidat i listës së PVD-së në Bujanoc, një gjë të tillë Nagip Arifi nuk e ka pohuar kurrë në asnjë deklarim për media, ai gjithnjë ka potencuar se është kandidat i përbashkët i subjekteve politike shqiptare. Nga zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Bujanoc, Dega e PVD-së ka arrit të siguroj 13 këshilltarë. PBDSh-2 këshilltarë ,ndërsa LPD 8 këshilltarë komunal. Ndërkohë që koalicionet serbe dhe grupi i qytetarëve po serb bashkë kanë siguruar 18 keshilltarë komunal.
Se si do të arrihet të sigurohet konstituimi i Kuvendit komunal në këtë Komunë e cila është pikë neuralgjike e Luginës së Preshevës mbetet të shihet nga gatishmëria apo mos gatishmëria e subjekteve politike shqiptare për bashkëqeverisje.
Është e rëndësishme të thuhet se në Bujanoc pas dhjetëvitesh për herë të parë shqiptarët e morën përgjegjësinë për udhëheqjen lokale të cilën pa të drejt për dhjetë vjet rresht ua kishin ndaluar përfaqësuesit e Regjimit të Millosheviçit.
Përderisa në Bujanoc dhe Medvegjë, shqiptarët e zënë vendin meritor, në Preshevë interesat dhe apetitet personale shumicën e shqiptarëve e neglizhojnë nga skena politike "për realizimin e Planeve Madhore Politike " - bashkë me serbët e shpifur në pushtet.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:34
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË