NUMĖR 67
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
DOSSIER
ARTIKUJ
ANALIZË
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 TETOR 2002

Ngadhnjimi i opozitës sjell relief të ri politik në IRJM:
TANI FILLON PROVA JETIKE PËR ALI AHMETIN

Shkruan: Naser SELMANI

Zhvillimi i i qetë i zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni e rezultati që doli prej tyre në mënyrë të pakthyeshme hapin një faqe të re të historisë së vendit. Dalja masive në votime e përcaktimi pro opcionit opozitar në të dy blloqet etnike ofron një kualitet inkurajues. Prej ngadhnjimtarëve pritet që besimin e fituar ta përdorin për të mirën e përgjithshme, për të stabilizuar situatën e sigurisë, për të hapur procesin e pajtimit ndëretnik e të zhvillimit ekonomik.

Fitorja e partisë së Ali Ahmetit te shqiptarët dhe e Branko Crvenkovskit te maqedonasit nuk e befasoi askënd. Por sihariq i vërtetë ishte thellësia e fitores. Sepse, as vet opozita s'kish pritur një ngadhnjim kaq bindës. Partia Bashkimi demokratik për integrim e Ali Ahmetit fitoi afër 150.000 vota ose, llogaritur në përqindje, mëse dy të tretat e zgjedhësve shqiptarë, duke zënë 16 vende deputetësh në kuvendin e IRJM-së. Partia socialdemokrate e Branko Cërvenkovskit, trashëgimtare e komunistëve, mblodhi afër 500. 000 vota dhe 60 deputetë, apo rrafsh gjysmën e mandateve të kuvendit 120-vendësh. Tre partitë tjera shqiptare së bashku kanë fituar 10 deputet, 7 nga PDSH-ja e Arben Xhaferit, 2 nga PPD-ja e Abdurahman Halitit, dhe vetën 1 nga Partia Demokratike Kombëtare e Kastriot Haxhirexhës.

Ish kryeministri maqedon, Lubço Georgievski, në të ardhmen do të udhëheq me opozitarët në parlament me 33 deputetë. Georgievski & Xhaferri i humbën zgjedhjet me faqe të bardhë, meqë kanë arritur ta ruajnë një fuqi të konsiderueshme në parlament. Humbësit e vërtetë në këto zgjedhje janë partitë sllave-maqedone që veten e quajnë të qendrës, të cilët s'fituan dot asnjë vend deputeti.


Vota: për paqe, me liderin e UÇK-së

Rezultati i zgjedhjeve ka ndikuar në shtendosjen e situatës së përgjithme në vend. Midis qytetarëve të dy blloqeve etnike mbretëron një situatë më e relaksuar sepse askush më nuk druan nga kërcënimet e VMRO- DPMNE-së dhe PDSH-së. Sjellja e dhunshme e drejtuesve të këtyre dy partive ishte shëndruar në një rrugë veprimi për të ruajtur pushtetin.

Sa për Ali Ahmetin, ai duhet të jetë koshient se premiera e tij politike është ndihur prej shumë faktorëve. Praktikisht çdo gjë ishte në favor të Ali Ahmetit.

Aleati më i fortë i Ahmetit në këtë duel qe lufta e vitit të kaluar. Ajo përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohërit, që i përmirësoi të drejtat kulturore e gjuhësore të shqiptarëve. Te pjesa dërmuese e shqiptarëve të Maqedonisë, Ahmeti është shëndruar në një figurë mitike, që paraqet më shumë se llogaritë politike të ditës. Lidhja e shqiptarëve me Ahmetin, si drejtues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, është më shumë emocionale se sa politike. Ai është, thjesht, mishërim i njeriut që riktheu dinjitetin e përbuzur të shqiptarit nga pushtetet e ndryshme sllave-maqedone.

Armiqtë më të mëdhenj politik të Ahmetit, blloku Xhaferri & Georgievski, në këto zgjedhje u vunë padashur në shërbim të fushatës elektorale të Ahmetit. Partia e Xhaferrit, me politikën e vet tij tinzare kundër Ahmetit, i irritoi pa masë shqiptarët. Dilema e shpifur se kush qenkesh trashëgimtari i vërtetë i UÇK-së u dëshmua si e paqëlluar. Këtë debat Xhaferi dhe liderët tjerë shqiptarë e kishin të humbur para se ta fillonin. Askush më shumë se Ali Ahmeti s'mund të ishte UÇK, as edhe ish-komandantët që Xhaferi i kish bindur t'i bashkangjiten partisë së tij.

Për zgjedhësit e Ahmetit, vota për Ali Ahmetin ishte votë për implementin e plotë të Marrëveshjes së Ohërit. Vota për BDI-në e Ahmetit ishte, pra, votë kundër PDSH-së dhe PPD-së, sepse me pëlqimin e këtyre partive ishte ndryshuar marrëveshja e kontraktuar në Ohëri. Vota për Ahmetin ishte, poashtu, ndëshkim për partitë me fajin e të cilave dështoi nisma për Këshillin koordinues të shqiptarëve, i cili promovonte bashkëpunimin ndërshqiptarë pas mbarimit të luftës.

Rejtingun e Ahmetit te elektorati shqiptar ia rriti edhe sjellja e partisë së kryeministrit Georgievski gjatë fushatës parazgjedhore. Kërcënimet e ministrit të punëve të brendshme Lube Boshkovskit se do burgosë Ahmetin paraqiste një reklam që nuk mund të blehej me asnjë çmim. Ky kërcënim kundër Ahmetit, sado që tensionojë situatën, shqiptarët e kuptuan si kërcënim që para së gjithash ishte drejtuar kundër tyre, prandaj shumica dërmuese u vunë përkrah tij.

Faktor tjetër për triumfin e Ahmetit ishte edhe përkrahja e fortë ndërkombëtare. Ali Ahmeti ishte benjamin i tyre. Me të ndërkombëtarët nënshkruan marrëveshje për ndërprerjen e luftës ndërsa me politikanët shqiptarë nënshkruan marrëveshje politike, që u quajt e Ohërit. Të gjithë ndërkombëtarët pa përjashtim deklaronin se Ahmeti ishte garancia për realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe kthimin e paqes në vend. Ai si gjatë luftës dhe pas saj me përpikmëri kishte respktuar marrëveshjet e nënshkruara me ndërkombëtarët.


Armiku më i madh i Ahmetit: vet Ahmeti

Por me fitoren që kori në zgjedhje hallet e Ahmetit nuk mbarojnë, përkundrazi ato sa kanë filluar. Sfidat vijnë nga të gjitha anët, nga struktura e brendshme të BDI-së së tij dhe nga faktorë të jashtëm maqedon e ndërkombëtarë. Sfidë e vështirë për Ahmetin pas hyrjen në qeveri dhe ballafaqimit me problemet do të jetë forcimi i strukturës partiake që është ende e paetabluar mirë. Ahmeti rreth vetes duhet të afrojë njerëz të aftë, e jo puthadorë. Duhet të depolitizojë dhe departizojë institucionet e sistemit dhe të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Vetë hyrja në pushtet dhe shijimi i privilegjeve mund ta 'zbutin' Ahmetin dhe shokët e tij. Nëse hyrjen në qeveri nuk e kuptojnë si rast për të promvuar interesat e përgjithsme të shqiptarëve duke realizuar premtimet parazgjedhorejnë, e jo mundësi për t'u akomoduar në pushtet, atëherë armiku më i madh i Ahmetit për të dështuar do të jetë vetë Ahmeti.

Problem tjetër delikat për Ahmetin është se duhet të bashkëqeveris me socialdemokratët e Cërvenkovskit, ish komunistë që e kanë përsosur artin bizantin të thikës në shpinë. Partizanët e Cërvenkovskit në të kaluarën janë dëshmuar si antishqiptarë e antiperendimorë, dhe si të tillë si antireformatorë kryeneçë. Gjatë tërë konfliktit në teritoret ish jugosllave ata përkrahën haptazi kërdinë e Milloshevqit kundër popujve të tjerë. Mirëpo, atë janë të arsimuar e pragmatistë të paskrupullt me përvojë të madhe politike. Nëse shqiptarët pozicionohen fuqishëm në qeveri, socialdemokratët sllavë-maqedonas do të zgjedhin urtësisht të jenë konstuktivë në raport me Ahmetin.

Kjo u dëshmua katërçipërisht pas publikimit të rezultatit zyrtar të zgjedhjeve. Socialdemokratët më herët kishin thënë se s'do të bashkëpunonin kurrë, kurrë, kurrë me "terroristët e Ahmetit". Mirëpo pozicionimi i vendosur i BDI-së dhe i faktorit ndërkombëtar bënë që socialdemokratët ta ndryshojnë qëndrimin brenda natës. Crvnekovski deklaroi ngutësisht se BDI-ja e Ahmetit është subjekt "me mandat të pakentestueshëm të elektoratit shqiptar", e se izolimi i saj ishte i pamundshëm.

Cilat ministri do t'i drejtojnë shqiptarët?

Si pasojë, ka gjasa reale që kryetari i i ri i kuvendit të IRJM-së të jetë mu nga radhët e subjektit "me mandat të pakontestueshëm". Është thuajse e sigurtë se shqiptarët do të drejtojnë resorin e arsimit dhe shkencës, meqë ata duan t'i zgjidhin çështjet e finansimit publik të arsimit sipëror në shqip. I rëndësishëm për shqiptarët edhe në këtë mandat do të jenë resori i drejtësisë, prej ku pritet të dalin një sërë ligjesh konform Marrëveshjes kornizë. Në agjendën e bisedimeve me socialdemokratët shqiptarët mund të marrin edhe një resor ekonomik, ose shëndetësinë, pushtetin lokal ose ministrinë e transportit dhe komunikacionit. Por çdo gjë ende është në sferen e spekulimeve.

Prej tashti një gjë është e sigurtë, se roli i ndërkombëtarëve për përpilimin e paltformës qeveritare dhe ndarjen e resoreve do të jetë thuajse vendimtar. Mbledhja konstituive e kuvendit të IRJM-së pritet të mbahet me tre tetor, ndërsa qeveria e re e koalicionit LSDM-BDI pritet të formohet deri në fund të muajit.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:34
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË