NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

ANATOMIA E NJË KRIMI

Shkruan: Malë BERISHA

Më 18 tetor në Preshevë filloi procesi gjyqësor lidhur me rastin e rrëmbimit të ndërmarrësit shqiptar Nebi Nuhiu. Procesi gjyqësor kryesohet nga gjykatësi i Gjyqit Komunal në Preshevë Goran Despotoviç, e prokuror është Jusuf Sylejmani.

Ndonëse procesi ka nisur, e vërteta për detajet e zhdukjes së Nebi Nuhiut ndoshta s'do të zbardhet kurrë. Më sakt, shenjat tregojnë se fajësia për këtë rrëmbin shkon lart në aparatin e pushtetit serb. Për ta zbardhur rastin plotësisht sigurisht se do të duhej sjellur para gjyqit krerët e policisë nga Vranja dhe kushedi kë tjetër. E në Serbinë e Koshtunicës sot, njësoj si në Serbinë e Millosheviçit dje, s'ka njeri që t'ia varë maçokut këmbanën.

Të gjithë këtu janë, thënë më së lehti, skeptikë lidhur me rezultatin e këtij procesi. Edhe në vetë Gjykatën Komunale, siç jemi informuar nga një burim i mirinformuar, pranojnë se rasti s'ka gjasa të ndriçohet. Burimi thot shkurt: "S'do të guxojmë kurrë t'i shkojmë lëndës deri në fund."


Të pandehurit, ish policë në Kosovë

Të pandehurit që mbahen tani në paraburgim në Gjyqin e Qarkut në Vranjë janë Ranko Deniç dhe Jovica Petroviç, të dy të lindur në vitin 1965. Deri në hyrjen e forcave të KFOR -it në Kosovë ata shërbenin si policë në stacionin policor të Gjilanit.
Deniçi dhe Petroviçi janë të lindur në fshatin Ranillug, komuna e Gjilanit. I pari ishte zëvendësshef i policisë në Gjilan, ndërsa tjetri inspektor për krime. Vlen të theksohet se Petroviçi, si inspektor policie, ka punuar në hetimet e një rasti tjetër, ku ish shefi i vet Ranko Deniç u dënua me 4 vjet burg për mashtrim. Kurse tani në paraburgim ndodhet, pra, edhe ish hetuesi, Petroviçi.

Konturat e turbullta të rastit indikojnë megjithatë se në të janë të përlyer edhe majat e pushtetit lokal serb. Në ditën e parë të gjykimit, Petroviçi deklaroi se "unë gjendem këtu me dëshirën e disa shefave që kanë grada më të larta se unë".


Rrëmbim dramatik

Pas tërheqjes së forcave policore nga Kosova një pjesë e policisë u vendos në Luginë të Preshevës. Më 2 shkurt 2000 nga afërsia e pompës së benzinës "Neza Petroll", pronë e Nebi Nuhiut, u zhduk papandehur pika e kontrollit policor, e cila kish qëndruar aty një muaj e gjysmë rresht.

Nebi NuhiuRreth orës 16:45 një Mercedes i bardhë arriti në pompë. Në veturë ishin 4 veta. Sipas Fidan Nuhiut, të birit të Nebi Nuhiut, të panjohurit kishin qenë aty edhe më herët, rreth orës 14:00.

Ndërsa shoferi i veturës po ngarkonte naftë e një litër vaj, tre tjerët ishin futur në qilar të shitores me pretekst se gjoja donin të shikojnë goma veturash për të blerë.

Djali Fidani, i cili ishte dëshmitari i dytë në gjyq, kështu e përshkruan rastin. "Në të dalë nga qilari, e kam parë Rankon [Deniçin] duke e shtyer nga prapa tim at për ta futur në veturë. Kur babai e kish një këmbë në veturë e një në tokë, më thirri dy herë: "Fidan, Fidan!". Jam ofruar e kam futur kokën brenda, por njëri prej rrëmbyesve s'më lejoi të flas, po më zboi në shqip: "Tët at po e marrim deri në stacion [policor] të Bujanocit, ta kthejmë më vonë". Fidani është i dyshimtë nëse ishte atë natë shofer Jovica Petroviçi apo jo.

Kallëzim të ngjashëm ka dhënë edhe bashkëshortja e Nebi Nuhiut, Zijavere Nuhiu. Ajo është e sigurt se personi që e kish shtyrë burrin e saj nga vetura është Ranko Deniçi. Njësoj si i biri, edhe ajo hamendet se a ishte apo Petroviçi shofer atë ditë. Zijaverja e kish vërejtur ngjarjen nga dritarja e dhomës.

Pas dhjetë minutash, Fidani ka vajtur në stacionin policor të Preshevës për të marrur vesh për të jatin. Atje ai merr vesh se kjo s'qenkesh lëndë policore, e bën kallëzim për rastin.


Rrëmbyesit kërkojnë ndëshlyerje

Ndëkohë që Fidan Nuhiu ish nisur për polici, Vlora Nuhiu, vazja e madhe e Nebi Nuhiut, i përgjigjet një telefonate. Në telefon lajmërohen rrëmbyesit, nga celulari i Nebi Nuhiut. Ata kërkojnë 110.000 DM ndëshlyerje për ta lëshuar të gjallë viktimën e vet. Ata urdhërojnë që paratë t'u dorëzojë Aziz Musliu, i punësuar në pompën e benzinit. Ai udhëzohet ta ngasë veturën vetëm 40 km në orë gjer në destinacion.

"I mblodhëm të gjitha paratë që i kishim në shtëpi dhe ato ishin 75.000 marka gjermane" - thotë Vlora Nuhiu. Azizi u nis me një veturë nga shtëpia, ndonëse nuk kish leje shoferi. Ca më vonë, 3 inspektorë shqiptarë të policisë në Preshevë e kanë marrë veturën e viktimës, Nebi Nuhiut, e janë vënë në bisht të Aziz Musliut, si "hije" përcjellëse.

"Gjersa udhëtoja m'u lajmërua në celular një prej inspektorëve shqiptarë e më tha të mos ndruhem, se e kam atë vet të tretin prapa shpine", - thotë Aziz Musliu. "Bile njëri prej inspektorëve më ndihmoi kur më ndali policia e trafikut në të hyrë të Vranjës. Ai i tha policit se si qe puna, e ata më lëshuan të vazhdoj".

Azizi edhe në gjyq spjegoi se "pas një copë udhe vërejta se përcjellësit më kishin tejkaluar e po ktheheshin prapa. 10 km para Hanit të Vlladikës m'u shfaqën parasysh rrëmbyesit. Ata dolën nga mali, e m'i morën paratë bashkë me celularin."

Ditën e tretë të gjykimit, 3 inspektorët shqiptarë u shfaqën në gjyq për të dëshmuar, por dëshmia e tyre u shty papritur për 30 tetor.

Familja shtrydhet edhe më

Por tragjedia e familjes Nuhiu nuk mbaron me kaq. Pas një kohe pa asnjë lajm prej rrëmbyesve, një person krejt i panjohur, Branko Nikoliç, tregtar nga Krushevci, ka njoftuar dy kolegë të tij në Preshevë se mund të ndihmojë në lirimin e Nebi Nuhiut.

Vëllai i Nebiut, Ajet Nuhiu, e takon Nikoliçin në Vranjë bashkë me ndërmjetësit e vet shqiptarë. Aty erdhi edhe Ranko Deniçi, spjegon Ajeti. "Ky tha se e kishte parë Nebiun, se ai ishte mirë, e se rrëmbyesit po e shetitkan me veturë prej një strofke në strofkën tjetër".

Ranko Deniçi tani pandehet se është vet personi që, nëpërmjet tregtarit Branko Nikoliç, i ka kërkuar 200.000 DM shtesë për lirim të Nebi Nuhiut. Familja i siguron këto të holla duke marrë borxh.

"Këto të holla pastaj në qese najloni ia kam dorëzuar dora vet Ranko Deniçit, në një restoran në mes të Bujanocit dhe Vranjës", - thotë Ajet Nuhiu.

Pas pranimit të të hollave, Deniçi tretet pa gjurmë për një kohë. Pastaj shfaqet sërish, për të kërkuar takim me Ajet Nuhiun. Në këtë takim, Deniçi thotë se paratë ia paskësh dorëzuar një ish polici tjetër të stacionit të dikurshëm të Gjilanit, Sllavisha Nikoliç. Ndërsa ky, sipas Deniçit, me të pranuar të parave paskësh ikur jashtë vendit, pa kryer punë.

Roli i Sllavisha Nikoliçit në rrëmbimin e Nebi Nuhiut mbetet i paqartë. Në dëshminë e vet para gjyqit, inspektori Jovica Petroviç, shok i Deniçit e tani gjithashtu i pandehur për pjesëmarrje në këtë rrëmbim, thotë se për Sllavisha Nikoliçin "është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, por ai ka arritur ta rregullojë pasaportën në amasadën jugosllave në Shkup"!


Policët vrasës

Më vonë Deniçi ia kthen 79.000 DM Ajet Nuhiut, e si kompenzim plotësues ia ofron edhe apartamentin e vet të braktisur në Gjilan, që e vlerëson 35.000 DM. Kësisoj, pra, Deniçi e maksimon përfitimin nga rrëmbimi i Nebi Nuhiut, duke e shitur një apartament të humbur!

Për punën e apartamentit, Deniçi i regullon edhe dokumentet zyrtare tek një avokat serb në Vranjë. Ky avokat është mjaft i njohur, meqë ka një numër klientësh shqiptarë. Ai figuron edhe në një tjetër episod makabër të kësaj tragjedie. Më sakt, një tregtar shqiptar dëshmon se mu në zyrën e këtij avokati ka dëgjuar me veshët e vet se "Nebi Nuhiu është vrarë" - para se të publikohej ky dyshim!

Dikur, kumti i zi i ka mbërritur më në fund edhe vëllait të viktimës, Ajet Nuhiut.

"Gjersa prisja ndonjë informatë, më erdhi një mik nga Vranja", - thotë ai. "Ai më bëri fal me shëndet prej Branko Nikoliçit nga Krueshvci: 'Për Nebi Nuhiun gjithçka është vonë. Tani mund ta endni vetëm qefinin për kufomë".

Branko Nikoliçi, ndërmjetësi i panjohur që kish kërkuar 200.000 DM për lirim të Nebi Nuhiut e që tash po lajmëronte vrasjen e tij, i kish zbuluar edhe detajet. Sipas tij, Nebi Nuhiun e paskësh vrarë romi Fatmir Demiri, ish inspektori i policisë në Gjilan.

"Me këtë vrasje, ai [Fatmir Demiri] zbatoi urdhërin e mbramë të shefit të vet të dikurshëm nga policia në Kosovë, Dragan Arizanoviç". Këtë lajm Ajeti e merr gjashtë muaj pas rrëmbimit.


Shefat e policisë, e kontaktet kosovare

Pas një muaji, te familja e Nebi Nuhiut erdhi për herë të parë një prej kryeshefave serbë të policisë në Vranjë. Rrëmbimi i ndërmarrësit e bamirësit shqiptar ish kthyer në problem të sigurisë, meqë mijëra shqiptarë kishin dalur shesheve për të kërkuar gjetjen e kapjen e keqbërësve.

Bashkëshortja e Nebi Nuhiut e kujton atë vizitë, e vizitat tjera të kryeshefit të policisë në Vranjë, i cili pritet të dëshmojë më 30 tetor. "Sa herë që vinte më thoshte 'Nebiu është gjallë e shëndosh, e do të lirohet për ndonjë ditë."

Zijaverja shton se me kryeshefin e policisë ka komunikuar shqip. "I thoja 'nuk më interesojnë paratë, vetëm ma gjeni sall një asht të burrit."

E kush ishin rrëmbyesit e Nebi Nuhiut? E vërteta ndoshta s'do të dali në shesh kurrë. Pos Sllavisha Nikoliçit të arratisur me ndihmën e ambasadës jugosllave në Shkup, e Dragan Arizanoviçit ende të panjohur, ekzistojnë edhe dy rrëfime tjera që e kanë trazuar edhe më procesin.

Njëri është se Jovica Petroviç, i pandehur për pjesëmarrje, ka shpalosur para gjykatësit në ditën e tretë të gjykimit një fill tjetër.

"Në burg në besim më ka thënë një i burgosur se rrëmbyesit e Nebiut janë dy vëllezër serbë nga Prizreni, të cilët flasin shqip rrjedhshëm", - tha ai. "Ata jetojnë afër Vranjës. Ata i vunë syrin Nebi Nuhiut gjatë luftës në Luginë të Preshevës, kur policia i fuste fshehurazi në zonat ku vepronte UÇPMB-ja."

Një variant i katërt është ai i nipit të Nebi Nuhiut, Rabit Hetemi, i cili gjithahstu ka dëshmuar ditën e tretë të gjykimit. Ai thotë se është kontaktuar prej një tjetër polici serb, që i është prezentuar me emrin Predrag Angjelkoviç. Ky i ka kërkuar 50.000 DM për ta dorëzuar kufomën e Nebi Nuhiut.

"Kërkova garancion nga Angjelkoviçi", - sqaron Rabiti. "Ai më tha se e kish dorëzan një shqiptar nga Gjilani me emrin Hysen, numrin e telefonit të cilin ma dha dhe e mora."

"Pas një kohe kam vajtur në Gjilan", - vazhdon Rabiti, "-dhe e kam gjetur shtëpinë e Hysenit. Atij iu prezentova si shok i Nebi Nuhiut, e jo si nip. Më tha që t'i dilja prej shtëpisë, e t'i telefonoja pas nja dy orëve. Kur thirra, kyfarë Hyseni ma ktheu: 'Ti nuk je mik i Nebi Nuhiut, por Rabit Hetemi nip i tij. Ta dish se Nebiu është i vrarë e se kurrë s'keni për ta gjetur, andaj zhduki sytë e kurrë më të të mos shoh që ke ardhur për këtë punë."

Rabiti konfirmon se për këtë ka lajmëruar UNMIK-un në Gjilan.

Procesi gjyqësor vazhdon më 30 tetor. Deri tani, ardhjen në gjyq e kanë paralajmëruar të gjithë policët e përmendur, por edhe udhëheqësit e policisë në Vranjë. Vetëm një, Dragan Arizanoviç, nuk i është përgjegjur ftesës, pasi s'është mundur t'i gjendet adresa - ashtu është spjeguar në Gjykatën Komunale të Preshevës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:33
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË