NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

DEFEKTI I MADH I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

Shkruan: Ardiana SHALA

Është e habitshme të shohësh se ç'ringjallje të vrullshme ka përjetuar ai që e quajmë nacionalizëm shqiptar, sidomos këto 10 vjetët e fundit. Është fjala për atë nacionalizmin shqiptar tradicional, pra atë që shan botën për copëtim të shqiptarëve, që i vën vetes qëllim ta çlirojë a zaptojë gjysmën e Ballkanit, varësisht se ç'kombësi quhesh, e që e definon paradoksalisht si humanizëm de facto zhbërjen, pra asimilimin a zbimin e pakompromis, të joshqiptarëve nga trojet ku janë zhbërë, asimiluar e zbuar më herët shqiptarët.

Lexuesi që i ngre vetullat stepur, le të shikojë pak se ç'alternativa u kanë ofruar joshqiptarëve të mirëfilltë a të imagjinuar mediat nacionaliste këtyre vjetëve të fundit. Apo s'është ultrafashist një nacionalizëm idiot, që i nxjerr prej regjistrit si shqiptarë edhe shkrimtarët, artistët, poetët, aktorët e piktorët që ia kanë kushtuar jetën pasurimit të kulturës shqiptare?

Madje, më tepër se e habitshme, është e frikshme, se si ka arritur të mbijetojë ideologjia e nacionalizmit shqiptar një shekull komplet pa marrur asnjë mbresë prej ndryshimeve në botë. Autizmi i tij mund të arsyetohet deridiku vetëm me lindjen e tij të vështirë.

Njësoj si nacionalizmat tjerë të Ballkanit, edhe nacionalizmi i rilindasve tanë qe i provokuar prej zorit, rënies së perandorisë osmane. Nacionalizmi tradicional shqiptar është tipik evrolindor. Në mungesë të traditës shtetërore, edhe ideologët rilindas sajuan një përkufizim të trashë ashtetëror e organik të "kombit", që e vështron kombin si "organizëm", me kokë, gjymtyrë, fekalie etj. Pjesëtarët me të drejta ekskluzive në këtë komb ishin ata që, sipas Faik Konicës, ishin "njerëz [lexo: burra, e jo gra] të rrëzës [themelit], gjuhës e gjakut shqiptar".

Vëni re se që këtij përkufizimi i mungon çdo referencë në shtet. E megjithatë, duhet të kesh qenë gjeni a i krisur, si Faik Konica më, për ta sajuar këtë përkufizim pa spjeguar se ç'na qenka rrëza shqiptare, ç'e dalloka gjakun shqiptar prej gjakrave tjerë, e në një kohë kur shqiptarët që mund ta shkruanin shqipen mund t'i numëroje në gishtat e një dore.

Por defekti absolutisht më i madh i nacionalizmit shqiptar s'është guximi marramendës në synime. Fundja, ideologjia nacionaliste s'është bërë e njohur askund për kompromise. Mbetet fakt se shqiptarët janë dëmtuar keq prej fqinjve, e një nacionalizëm shqiptar doemos që do të kërkojë rivendikime, në mos për diçka tjetër, atëhere veç sa për ngushëllim psikologjik. As është unike trillesa imagjinare e "rrëzës, gjuhës e gjakut" të dallueshëm, meqë edhe tjerët kanë vuajtur në qorrsokaqe të ngjashme: mjafton p.sh. ta kujtojmë teorinë Blut und Boden që i shkaktoi aq lemeri Gjermanisë, për të kuptuar se për ç'është fjala.

Defekti i madh i nacionalizmit shqiptar, si edhe i nacionalizmave tjerë, qëndron te ato që s'ftillohen me andje prej ideologëve të nacionalizmit: te ato që më tepër parandjehen se sa thuhen troç, te kërcënimet e strukura në periferi të distopisë (negativi i utopisë) nacionaliste. Defekti i madh, etik, moral, politik e njerëzor i nacionalizmit shqiptar, ashtu sikur i çdo nacionalizmi tjetër, është se ç'do të bëhet me ata - e ato! - që, në këtë rast, s'bëjnë pjesë ndër burrat e "rrëzës, gjuhës e gjakut" të unikumit imagjinar shqiptar.

Nëse gjykojmë nga realitetet, fatet e këtyre grupeve në utopinë nacionaliste shqiptare duhet qajtur me mindil. Për shembull gratë, që për shkaqe të natyrshme s'janë burra të rrëzës, gjuhës e gjakut shqiptar. Në distopinë nacionaliste, e posaçërisht në atë të versionit shqiptar, gratë janë të ndryra në guzhina e në reparte të lindjeve, mu si ato maqinat fëmijëlindëse e rrobalarëse që u përmendnin shqiptarëve me përbuzje sllavët e Maqedonisë në vitet 1980.

Prej zanafillës së nacionalizmit shqiptar e këtej, imazhi i gruas është projektuar si "dorë që lëkund djepin" dhe pikë, një verzion ky i adaptuar i "shakullit për me bajtë ujë" nga Ligji i Lekë Dukagjinit. Në shkresat e Sami Frashërit, atit të programit nacionalist shqiptar "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do bënetë", gratë vejnë zellshëm nëpër mësonjtore për të mësuar teorinë e tjerrjes, thurrjes, gatimit e kujdesit për fëmijë, sapo gjejnë kohë të lirë nga praktika.

Asnjë prej Etërve të Kombit, që i paçim atje ku janë në Panteonin burrëror të nacionalizmit shqiptar, s'e sheh të udhës ta kruajë kokën për pozitën e femrës. Në pikëpamjet e tyre gruaja është o zanë e tejdukshme e stërbukur në krahërorin e një trimi (se shqiptarë qyqarë nuk ka, kjo dihet), o nënë pjellore, o edukatore e brezit të ri - por jo politikane, punëtore uzine, o tregtare, e ruana Zot ta përshkruanin ndonjëherë si drejtore a ministre: se sa për shkrimtare si ata vet, kjo jo që jo. S'e di për ju, po Etërit e Nderuar të Kombit për mua kanë rezervuar, pra, një rol aq monoton, sa më parë do ta vrisja veten buzagaz, se ta vija në jetë!

E keqja është që ndërsa shkollat tjera të nacionalizmit evropian janë zhvilluar lirshëm e logjikshëm, nacionalizmit shqiptar i është vënë kapaku i hekurt në të gjitha anët e kufirit adminsitrativ. Si pasojë, ndërsa evropianët janë zhvilluar prej mendësisë përjashtuese drejt asaj përfshirëse, duke i ingranuar edhe gruan, minoritetet etnike etj në "organizmin" e shoqërisë, nacionalistët e çorientuar shqiptarë të së sotmes vejnë penguarzi si qorra në terr, o drejt një imazhi fals të Perëndimit, o drejt klasikëve të Etërve të Kombit, o si kam parë në Maqedoni, drejt greminave fundamentaliste të islamizmit.

Në një këso ambienti, s'është habi pse burrat shqiptarë në Kosovë besojnë njëmend se do t'i afrohen shtetësisë nëse zhduken minoritetet etnike, e në Maqedoni se shqiptaro-islamizmi (?) është përgjegja ndaj sfidave të kohës. (Se ç'mendojnë gratë faktikisht s'dihet ende, por s'do të më befasonte sikur mendimet të ishin identike. Rëndom viktimat mësohen të mendojnë si shtypësi, në funksion të mbijetimit).

Ajo që i duhet nacionalizmit shqiptar është një shkundje e përgjithshme, më mirë sot se nesër. Si dhe mundësisht kuptuarja se forca e një shoqërie s'matet nga ekskluziviteti po nga inkluziviteti i saj, pra jo nga fuqia përjashtuese po nga ajo përfshirëse.

Shqipëria e plotë do të bëhet, ndoshta, nesër. Por nëse ajo s'mësohet t'i trajtojë e t'i angazhojë si shtetas të barabartë e me të drejta të plota edhe ata që s'janë burra, e s'janë të " rrëzës, gjakut e gjuhës shqiptare", atëhere shkatërrimi i saj do të jetë sërish çështje kohe.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË