NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
DEBAT VITI IV - 1 NËNTOR 2002

KOSOVA NDIKOHET PREJ UJDISË SERBI - MAL I ZI

Shkruan: Gazmend ISLAMI

Marrëveshja e fundit mes Serbise dhe Malit të Zi i ka shtuar spekulimet nën rrogoz për fatin e Kosovës. Dhe kjo krejt me vend. Kjo marrëveshje, e përpiluar dhe servirur enkas prej ekspertëve ndërkombëtarë, posaçërisht prej atyre gjermanë e italianë, mund të ketë pasoja të rënda për popullin e Kosovës.

Mjerisht, në politikën shqiptare është deklaruar aty-këtu se ujdia serbo-malazeze s'paska gjë të bëjë me statusin e Kosovës. Këto deklarata të pamatura t'i kujtojnë deklaratat e 1989-s, se Kosova "nuk humb gjë me ndërrimin e kushtëtutës".

Të ballafaquar me këtë mizerje politikanësh, s'ka se si të mos e pyesim veten, athua Akademia jonë e nderuar vetëm mban emer? Tërë ato shoqata e ata të vetquajtur "ekspertë të politikes" e të të drejtës ndërkombëtare, të cilët nuk dalin me mendime të kthjellta për t'ia sqaruar opinionit pasojat e ujdisjes serbo-malazeze, ç'kanë t'u ofrojnë ata shqiptarëve, kur s'reagojnë as tashti?

Unë mendoj se kjo marrëveshje është këmbanë alarmi për Kosovën. Se Kosova ka qenë në zemër të negociatave sekrete serbo-malazeze, këtë e kanë thënë botërisht krerët serbë, e kjo pohohet prej burimesh të ndryshme edhe në Perëndim. Përcaktimi trevjeçar për ketë marrëveshje të lë të nënkuptosh se sa e lidhur është tërë ujdia me Kosovën. Afati i kësaj marrëveshjeje e indikon atë që do të duhej t'i druante secili shqiptar, se negociatat për zgjedhjen e statutit përfundimtar të Kosovës ka drojë të nisin qysh vitin e ardhshëm, në kohën kur Kosova është e copëtuar territorialisht, e shkretëruar ekonomikisht dhe e pazonja ta mbrojë veteveten ushtarakisht. Në këso rrethanash, ai status s'shkon dot kurrë më larg se një "republikë minus", pra republikë pa të drejtë të shkëputjes, e në kuadër të një unioni "jugosllav". Suma sumarum: shkëputja e Malit të Zi nga Serbia qe shpresë për pavarësim të Kosovës; ngecja e Malit të Zi dtth ngecje e Kosovës nën nje shtet thellësisht antishqiptar.

Problemi është intensifikuar pas 11 Shtatorit. Bota i ka kthyer sytë drejt terrorizmit islamist, e në SHBA vëmendja është përqëndruar larg prej Ballkanit. Kjo situatatë u ka hapur portat evropianëve që ta shpalosin ofertën e vet "zemërgjërë" për t'u ndihmuar amerikanëve, duke marrur përsipër komandën e Ballkanit.

E pra, për Kosovën, komanda evropiane dtth probleme të mëdha. Objektiv i vetëm evropian në Ballkan është mosndryshimi i kufijve. Vëni re: jo mosndryshimi i kufijve me dhunë, sikur që stipulohet në Kartën e Helsinkit, por mosndryshim i kufinjve, pikë. Rrjedhimisht, qëllim i vetëm i evropianëve është që ta reformojnë martesën e përdhunshme serbo - shqiptare, e cila u nis mbrapsht më 1912 kur Beogradi e dhunoi Shqipërinë, e u bitis më 1913 kur serbëve iu dha pajë gjysma e kombit shqiptar. Evropianët i druajnë formimit të nje shteti kombëtar shqiptar, meqë ai, sipas racios reaksionare të tyre, do të shkaktonte "probleme" tjetërku në Evropë. Psh në Irlandën Veriore, në Baski, në Tirol, e në Korzikë.

Në këtë drejtim, evropianët mund të llogarisin në tre aleatë të fortë, në Moskën e zënë pisk në Çeçeni, në kinezët e ngulitur në Tibet, e në Indinë e ndrojtur gjer në palcë prej shkëputjes së Kashmirit. Rrjedhimisht, ata kanë arsye racionale të shpresojnë se amerikanët s'do të armiqësohen me tërë botën për një kafshore Kosovë. E ekspertët tanë, që thonë me gojën plot se pavarësia e Kosovës qenka bukë e gatuar, në kë e kanë ndërmend të mbështeten?

Marrëveshja Serbi - Mal i Zi rrezikon ta shtyjë regjionin drejt nje luftë të re në të ardhmen, me apo pa dashje. Institucionet e zgjedhura kosovare kanë mundur ta luajnë një rol sadopak më aktiv kundrejt situatës, ndonëse kanë kompetenca të vogla. P.sh. ato kanë pasur mundësi ta bëjnë kuvend një platformë të përbashkët, sa për fillim.

Unë, e shumëkush bashkë me mua, pyetet se athua kur e kanë ndërmend të mbledhen krerët shqiptarë të Kosovës për ta bërë kuvend një koncensus para nisjes së negociatave me Beogradin. Merreni me mend, ju lutem, se sa lemza do të shkaktohej sikur të dilnim ne të parët me një platformë serioze, kur tërë bota është mësuar e pret sërish t'i shohë shqiptarët, vonestarët e amshueshëm, në bisht të punës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË