NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

Kosova në vitin kalimtar 2002
UNMIKISTANI S'NDREQET LEHTË

Problemi i mirëfilltë i kosovarëve janë batalionet e zyrtarëve inkomententë të OKB-së, njerëz këta që kurrë s'kanë jetuar më mirë, e punuar më pak

Shkruan: Ruper NEUDEK, kryesues i organizatës humanitare CapeAnamur

UNMIKISTAN quhet vendi ku jetojnë e punojnë disa ndërkombëtarë. Shumë prej tyre kurrë s'kanë jetuar më mirë e fituar më shumë, as kanë pasur pushime të këtilla, e s'kanë punuar më pak, se sa gjatë misionit të tyre në UNMIKISTAN.

UNMIKISTAN quhet vendi, ku një shtresë ndërkombëtarësh prej 45 vendeve ka ngritur tendat e veta. UNMIKISTAN quhet vendi, ku përfaqësuesit e OKB-së s'kanë qejf ta dorëzojnë pushtetin e vet kaq shpejt.

Por në atlaset gjeografike të shkollave, ky vend quhet Kosovë.

Kur i dikton Gana Kaçanikut

Ndërmjet zyrtarëve të UNMIKISTANIT ekziston një rregull i vlershëm: shqiptarëve të Kosovës s'u besohet, atyre duhet rrahur gishtat me thupër. Tërë diskutimi real rreh transferit të përgjegjësive është bllokuar.

Sikur më 1945 deri më 1949 t'ish etabluar një UNMIG, "UN Mission in Germany", atdheu im ende do t'ishte nën OKB-në. Për fat të keq, zyrtarët ndërkombëtarë janë zotëruar ta riorganizojnë ekonominë e vendit. Rezultatet dihen. Ata e kanë shkatërruar sistemin elektroekonomik aq keq e në shkallë aq të madhe, sa asnjë ndërmarrës privat sot s'do ta merrte përsipër.

Bëni tok zyrtarët e huaj, e imazhi i Kosovës do t'ju shfaqet ekzotik sa s'bën. Tash e sa kohë, policë me ngjyrë nga India, me uniforma të kaltra e mjekra të zeza plus turbanët, patrullojnë me armë të rënda - para hotelit Grand. Të gjithë qeshin me ta. Pse patrullojnë mu atje? Paj, askush s'e di.

Në parakthinat e aeroportit, shtatë oficerë policie prej Turqisë, Suedisë, Indisë e Filipineve i këqyrin pasaportat. Me një të lëvizur të gishtit, ata vëjnë e prishin rende. Një tip prej Gane (Katiri) është vënë qeveritar i Kaçanikut. Se a mund t'i kuptojë ai qytetet e Evropës, kjo s'është me rëndësi: atij i është dhënë e drejta t'u mësojë shqiptarëve diciplinën. Një tjetër zyrtar ka ardhur prej Bangladeshit në enklavën serbe të Shtërpces. Ai ka vazhdimisht drojë, meqë ka lejuar të ndërtohen katër shtëpi shqiptare në zonën e vet të përgjegjësisë.

Mijëra mundësi për stërshitësit joqeveritarë

Një seksion i UNMIKISTANIT është përgjegjës për regjistrimin e organizatave joqeveritare, OJQ-ve. Ekzistojnë në letër ca kushte që duhet plotësuar, por regjistrimi bëhet verbërisht, pa marrë parasysh kush kërkon. Në fund na dalin 1048 OJQ me plot privilegje, duke nisur prej importit pa doganë. S'ka mënyrë më të mirë për të nisur tregëti e pasuri.

Të gjithë në Kosovë bërtasin kundër "krimit të organizuar". Në këtë lëmi OKB-ja ka lozur rol qendror, e sot bëhet sikur s'di gjë. Ndërkombëtarët kishin marrëveshje me ish UÇK-në trafiqet e cigareve e të karburanteve. Është fjala për ndërkombëtarë në pozita zyrtare, të cilët mjerisht nuk ndodhën nën hetime publike. Ata janë të mbrojtur me imunitet diplomatik.

Policët s'vijnë gjithnjë prej SHBA-ve e Gjermanisë, ata mund të jenë edhe prej vendeve afrikane e aziatike. Janë prej Bangladeshit, Nigerisë, Kamerunit, Etiopisë, Ganës e Pakistanit. Tash kah fundi, UNMIKISTANI është bërë vend ku shumë oficerë të policisë i sjellin familjet për verime.

Kjo situatë kritikohet prej kryesuesit të parlamentit të zgjedhur të Kosovës, z. Nexhat Daci. Ky parlament, që përbëhet prej 120 përfaqësuesve, e ka zgjedhur si kryesues një profesor kimie.

Kush janë ndërkombëtarët e paprekshëm?

Profesor Daci qahet: "UNMIK-u na e ka shkatërruar ekonominë. E prapë i jep vetes të drejtë të mbledh taksa e të vendos në buxhet".

Kryesuesi i parlamentit të Kosovës lufton kundër tredhjes së këtij institucioni, i cili, ngjashëm me Parlamentin Evropian në Strasburg, s'i ka as ato të drejta që burojnë prej Revolucionit Francez. Profesor Daci thotë se ndërkombëtarët e huaj, të paguar përrallshëm prej taksapaguesve evropianë, janë arrogantë e në numra të zmadhuar tej mase në Kosovë.

Rrjeti i UNMIKISTANIT tjerret prej Zyrtarëve Parësorë Ndërkombëtarë, të cilët thëniet e Dacit i konsiderojnë si tradhëti të lartë. Ata e kapin hundën me gishta kur flasin për shqiptarët, dhe e përdorin një shkurtesë të veten për qeverinë e Kosovës, [Provisional Interim Self Government PISG] të cilën e thirrin me fjalën shqipe PIS (i ndyrë).

Por ata harrojnë detyrat e shtëpisë që s'i kanë kryer vet. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurisë së OKB-së i vë disa primesa, të cilat ata i kanë lënë mënjanë vazhdimisht. Ja disa shembuj. Si pikë e parë, misioni i OKB-së s'e ka nën kontroll tërë territorin e Kosovës. Ushtarët francezë ndalen qëllimisht para lumit Ibër. Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës dhe rajonet më tutje në veri janë ende në duar të kriminelëve të lidhur me persona të profilit të lartë në Beograd.

Pastaj, UNMIK-u s'e ka etabluar administratën e vet as në enklavat tjera serbe, ndonëse ato vazhdimisht paguhen prej ndërkombëtarëve e prapë refuzojnë të futen nën kontroll zyrtar kosovar. Banorët e atjeshëm jetojnë në epokën jugosllave, me tabela makinash të vjetra, me valutën e vjetër të Beogradit, e nën mbrojtje të K-Forit bëjnë tregti vetëm me Serbinë.

Së treti, UNMIK-u dhe K-Fori s'e kanë çarmatosur UÇK-në. Vendet perëndimore dhe Berlini vazhdojnë të besojnë në një rrenë. Ata besojnë ende se TMK-ja është njëfarë organizate për ndihmë teknike. Mjerisht, ministrat evropianë s'e kanë zanat të enden rrugëve të Kosovës.

Tash së fundi, misionit i është vënë një qëllim i ri patetik. "Duam ta ndërtojmë pushtetin e ligjit", thotë me mburrje një diplomat.

Batalionet e qejflive

Andaj, për ta promovuar këtë farë "pushteti të ligjit", në Kosovë kanë zbarkuar batalione ndërkombëtarësh, me 12.000 DM rrogë e me nga një veturë për frymë ndërkombëtari. Këta batalione jetojnë jetën, duke krijuar një sistem të ultë me anglishte të lartë. Sa për ligjin, ata vet as që lodhen për të.

Sa herë që dikush ta sfidojë UNMIK-un, ai struket prapa perdeve. Në fillim të vititi 2001 qeveritë serbe e maqedone thjesht ndryshuan kufirin në jug, pa e pyetur askë. UNMIK-u jo që s'reagoi, po iu fut negociatave të pafundshme në këtë temë me këto qeveri. Shefi i asokohshëm i misionit, danezi Hans Haekerup, qe i pazoti ta ruajë territorin e dorëzuar në besim.

S'ka faj Peter Sholl Latur, i cili pas përvojave të veta të para gjatë vizitës së vet në Kosovë më 1999 shkruajti ca fjalë gati profetike: "Përzierja e një numri kaq të madh të resurseve njerëzore hap rrugë për inkompetencë e krijon nam të keq për OKB-në. Aq më tepër kur personli i OKB-së vjen nga vende të pazhvilluara, si Bangladeshi apo Afrika Qendrore, ku s'i kanë zgjidhur as problemet e veta."

Është vështirë të shohësh se ç'mund të presin kosovarët nga vendi i vet, kur e kanë në qafë zgjedhën e një kaste inkompetente të UNMIK-ut që u tregon udhën.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË