NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

MESAZH MIKST PREJ ZGJEDHJEVE

Shkruan: Shqiptar OSEKU

S'është lehtë ta kuptosh krejt mesazhin që doli prej zgjedhjeve lokale të 6 tetorit, e edhe më vështirë ta kapërdish atë që kuptohet. Si të honepset p.sh. që veç 3 vjet pas çlirimit, 40 përqind e kosovarëve paskan arritur te përfundimi se zgjedhjet demokratike s'qenkan më interesante?

Kjo pyetje është sfidë madhore për institucionet e Kosovës. Kur gati gjysma e popullsisë ndjehen të tëhuajsuar prej shoqërisë, kjo është krizë e demokracisë.

Më e keqja është, që kriza s'është futur tinëza në kështjellën e UNMIK-ut. Përkudrazi, ajo ka trokitur me të madhe në porta tash sa kohë. Por njerëzit s'kanë dashur t'i dëgjojnë këmbanët e alarmit.

Arsyet e pjesëmarrjes së ultë në zgjedhje nuk thuhet dot që dihen shkencorisht, meqë askush s'është kujdesur t'i pyesë zgjedhësit se pse do të votojnë, alternativa pse do të abstenojnë. Me sa kuptohet, një hulumtim i tillë s'është planifikuar të bëhet as tash, kur kriza është shfaqur sheshazi.
E megjithatë, për disa punë mund të bëhen spekulime bukur të kualifikuara. Si p.sh. fakti se shumë zgjedhës i vështrojnë zgjedhjet lokale, sikur edhe ato parlamentare, si farsë. Kushdo që të fitojë, fjala e mbramë do të vje prapë prej UNMIK-ut.

Se kështu mendojnë p.sh. serbët, që udhëhiqen ende prej ekstremistëve, kjo dihej që më herët. Por problemi është se as shqiptarët s'kanë më besë në demokracinë e UNMIK-ut. Në mendjet e tyre, UNMIK-u është kthyer tash e sa kohë prej një pranie çliruese në prani frymëzënëse. Kosova është pacienti, e UNMIK-u respiratori: e ku është parë pacient që ta dojë respiratorin! Aq më tepër një pacient i kundërvulletshëm si Kosova, që është i bindur se mjekët e kanë diagnozën gabim, e që është shtërnguar për një respirator kurrnac e plot defekte.

Kosovarët s'kanë dalur ende në protesta direkte kundër UNMIK-ut vetëm dhe vetëm falë asaj se UMMIK-ut, shuleshqip, i vje era më pak se alternativës. Njerëzit e kanë toleruar disi deficitin demokratik të UNMIK-ut, me shpresë se do të shpaguhet në ekonomi. Por këto shpresa janë zhgënjyer, me papunësi rreth 60-70 përqind e me këndelljen ekonomike matanë horizontit. Sa më shumë që vazhdon kësisoj, aq më forcohen zërat që e njëjtësojnë UNMIK-un me Armikun.

E dyta, që ka lidhje me të parën, u përmend nga Skerdi Sika, në nr e kaluar të revistës PASQYRA. Pse të votosh në zgjedhjet komunale, kur komunat s'kanë gjë fare në dorë? Në letër, komunat kujdesen për shkollat, parqet e ambientin, por në praktikë UNMIK-u i mban me xhelozi edhe këto: UNMIK-u i paguan rrogat, UNMIK-u i ndan buxhetet, një përkthyes i UNMIK-ut mund t'i pushojë nga puna prej drejtorit e deri te korrieri i shkollës, brenda minutit.

Dhe, më kryesorja: komunat nuk kanë të drejtë të vjelin taksa komunale. Kjo dtth se ato varen krejt prej Prishtinës. Në daç voto për njerëz të mirë, në daç për të këqinj, prapë po atë buxhet komunal do ta kesh, meqë pushtetarët komunalë s'kanë dorë as t'i rritin, e as t'i ulin të hyrat e komunës.

Në këtë situatë, motivi i vetëm për të votuar është, thjesht, për të ndikuar në një matje të opinionit para zgjedhjeve parlamentare. Në të ardhmen, nëse mbeten parakushtet e njëjta, numri i votuesve do të bie jo përgjysmë, po në një çerek. Të interesuar për zgjedhjet komunale do të mbeten vetëm fanatikët partiakë.
Në konton pozitive mund të përmendet se për të votuar dolën megjithatë mëse gjysma. Njëfarë shprese ekziston disi ende, se diku diçka mbase do të bëhet më mirë, ndoshta. E kjo shpresë kryeneçe e shqiptarit, përkundër të gjitha fakteve e logjikës, meriton aplauz. Sikur të mos ishte ajo, sot serbët do të lodronin ende nëpër Kosovë.

Por problemin duhet kuptuar seriozisht, sa s'është bërë vonë. Ndoshta është e vërtetë që shqiptarët s'do ta sfidojnë UNMIK-un haptazi, përderisa s'u mbushet syri se mund t'a qesin në shpinë Beogradin pa ndihmën e botës. E, në e njofshim si duhet UNMIK-un, kjo do të vonojë një copë here. Por prapë, UNMIK-u duhet ta ketë mendjen, se do të jetë pak si zor të arsyetohen rrogat e majme nesër-pasnesër, nëse 2/3 e zgjedhësve s'dalin në votime.

Vendimi i Mikael Shtajnerit për ta shtyrë decentralizimin e komunave është vendim që i dëmton më shumë shqiptarët, se sa serbët. Serbëve s'u bëhet vonë: ata i marrin nga dy rroga çdo muaj, prej UNMIK-ut e prej Beogradit, ndërsa s'paguajnë taksa për asgjë, as në Kosovë e as në Serbi. Ata që vuajnë prej centralizimit të pushtetit janë vetëm shqiptarët, që varen krejt prej aftësisë së vet për të nxjerrur para prej gurit.
Nëse Shtajneri do të luajë me kartën e centralizimit, le ta përdorë atë selektivisht. Le ta mbajë pushtetin mbi komunat ekstremiste serbe, të cilat, qartazi, nuk ndjejnë lojalitet ndaj Kosovës. Por le t'u lirojë frerët komunave që i besuan demokracisë, sërish, e përkundër të gjitha gjasave.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË