NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

NUDO HUMBËSIT E GËZUAR

Shkruan: Hida HALIMI

Triptik TV Kosova

Uh u ngrina, s'është nga të ftohtit, por nga ethet prej rrufesë! Këtu nuk dihet kur dhe për çka vret reja, të gjithë jemi të atakuar. Kështu pohoi njeriu i parë që e administron këtë vend dy javë para komisionit special. Këtë lajm e patën transmetuar edhe treneqët TV. Prandaj nuk kam arsye të mos i besoi.

Pra problemi i dergjës ime qëndron aty, se sapo të duken retë dikund në qiellin e Kosovës unë filloi të dridhem,sepse nuk dihet ku vret moti! Këto bubullima mund të përfundojnë me happy end tragjik siq do të shprehej korespondenti i TV kulturës.Unë nuk e marr vesh krejt këtë fjali anglisht, por e dëgjova me vemendje në TV dhe thashë, njeriu ka kulturë dhe sigurisht e di se sa e zorshme është kur është tragjik, ky happy end- i, de!

Tash për tash ia kam dronë rrufesë, sepse ajo i ra KEK-ut dhe e solli terrin. Pastaj u bë këtu mjegull e gjallë prej tymit të gjeneratorëve, me licencë ndërkombëtare. Paj, ujku do mjegull, thonë.

Thonë edhe qoftë e shkuar, se si ka nisë të na msyej moti, është punë çasti se kur mund ti bie ruana Zot, Posttelekomit të Kosovës. Tash për tash, rrymat e ajrit e kanë njxjerrë jasht vetëm Adnanin, sepse thuhet se ai ka shumë elektrone dhe mund të nxisë donjë fatëkeqësi elementare. Këto informata i nxorëm disi nga trio TV-të, tek po e intervistonin drejtorin e postave. Komentet i shtuam ne, sepse programet informative kanë qëlluar pak si ligësht nga gazetarët dhe ata pos që e lejojnë Z. Merovci të shprehet para kamerave me licencë të OSCE-së , një herë nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë. Së fundi edhe çka ju interesojnë gazetarëve apo TV auditorit punët e PTK-ës! Ato janë punë për Z. Merovci dhe për gazetarin Biroll Urgjan.

Megjithatë, kur ka rrymë, unë kënaqem duke shikuar TV.

Edhepse shkrimtarëve u ndalohet hyrja në shtëpitë televizive, TV aparati nuk është i ndaluar të mbahet në shtëpi. Kështu unë si shikuese e rregullt knaqem me të shikuar ag më ag. Në mëngjes themi me të zgjuar qe "Mirë mengjesi Kosovë".Unë përshëndetjen ia kthei vetëm Ardianës sepse Resuli del gjithë ditën. Uhëë ajo vajza krejt si unë! Shihet që e mundojnë ethet edhe atë, ndryshe së paku në gusht, do t'i zbathte çizmet. Nejse, punë temperature, por mua këtu më fascinojnë herë ajo e herë kolegu i saj, kur ma lexojnë dhe komentojnë karikaturën e "Tafë Kusurit". Kënaqësi e vërtetë! Ata e kanë parasyshë që ka shikues të respektuar, si unë, që nuk marrin vesh, pastaj ka të tjerë që nuk dijnë të lexojnë, madje të tjerët që kanë qëlluar pensionist dhe nuk shohin aq mirë, ndërsa me 10 muaj pensione nuk mund të blejnë syza. Po mos të dilte në "Mirëmëngjesi Kosovë" Tafa i shkretë, po për të shkuar posht, siç edhe i paska ndodhur qe gjysmë shekulli!

Disa decenie e kemi lexuar dhe shikuar "Taf Kusurin" , aty e kemi gjetur vetën, të kaluaren dhe të tashmen, pastaj kemi nisur të qeshim në llogari tonën. Shih ti, ka mundur të na shoh dikush dhe të mendoi se kemi luajtur mendësh dhe qeshim vet me veti kombëtarisht çdo mëngjes me ta hapur gazetën.

Tash puna qëndron ndryshe, nuk na argëton më Tafa, Hava apo Luli, por atë e komentojnë ata të "Mirëmëngjesit", prandaj askush nuk mund të pohojë se ne qeshim apo mendojmë. Dihet ne edhe nuk kemi nevojë si TV- qytetarë ta lodhim mendjen, sepse për disponimin tonë mendon UNMIK-u. Ai mendon për të gjithë neve, bile edhe për Agim Qenën sepse po ta qitëte atë edhe Tafën e tij në fund të lajmeve themi, si të gjitha TV-të e botës, shumë lehtë mund ta vriste reja! Për arsye se Agimi, si i pa edukuar në frymën e paqes, mund të bënte ndonjë koment, ndërsa komentet janë të ndaluara në regjionin e OKB-së.

Këtu TV-ja mund të mendoi vetëm për formën, ndërsa për brendinë përkujdesën krijuesit e tij.

Po i plotësove kushtet estetike, kur të duash mund të futesh në programet e TV-ve. Rrenë mos të bëhët, duhet t'i mësosh edhe pak fjalë të zhargonit televiziv dhe mbaroi puna. Nuk është me rëndësi se në çfarë programi do të inkuadrohesh. Nëse në çdo pyetje përgjigjësh me O.K-eeej, D.M.TH.dhe MREKULLUESHËM, MREKULLUESHËM, aty e kalon intervistën, nejse mund ta këndosh edhe një këngë.


Eh, sa për formën, aty asgjë nuk guxon të huçë. Aty inspekcioni kërkon nga ju, vetëm ta ngritni petkun e sipërm, po qe se u duket kërthiza, atëherë keni kaluar testin. Nëse jo, me keqardhje, por, do të mbani edhe nja dy muaj dietë me Tonik water,vitamina të Leka-Med-it, dhe mund të paraqiteni përseri në audicion, nëse deri atëherë nuk i keni mbushur 30 vjetë sepse mosha posaqërisht i bënë nervoz telekrijuesit.

Edhe për liderët politik është i paraparë ky test me kërthizën, por me pak ndryshime. Liderit themi, nëse i ka dalur kërthiza do të thotë se ka filozofuar dhe i është ndalur apetiti, ai nuk mund të hyjë në kutinë magjike, me sa shkrimtari. Për këto cikërrime liderëve tanë u shkëlqen lëkura, pra kanë hyrë në mish dhe me e kajtë nënën nuk u gjëndet kërthiza, vetëm për hater tonë, sepse siç dihet ne kemi nevojë t'i shohim të zgjedhurit tone në télé.

Shpeshë e fajsoi TV-në time të adhuruar për keto teste rigoroze, vetëm se kam frikë se prijësit tanë do të majen deri në atë masë sa që nuk do ti zërë korniza kushtetuese, pastaj nuk di çfarë do të bëjmë pa ta. Do të shëmtohen Kuvendi dhe ministritë. Ndërsa ato të gjitha si organe duhet të figurojnë komplet me neve, në pikturën që gjëndet në kornizë.
Në ramin kushtetues nuk mund të luajë asgjë, edhe pse s'mund të thuhet që nuk kanë lëvizur. Kështu themi, sipas informatave vizuele të tri TV-ve, mirret vesh se ministria e kulturës me në krye ministrin e zgjodhën këtë vit "Miss Diasporën". Ndersa Kuvendi "Miss Kosovën", nuk na është e njohur nëse kryetari i parlamentit mirret me estetikë, por më thotë mendja se Dr.Daci do të ketë studiuar bukurinë kombëtare në aspektin kimik, sasinë e molekulave dhe atomeve, H +H2O në trupat e bukurosheve.

As për ministritë e shëndetësisë dhe punëve sociale nuk mund të thuhet se kanë ndejtur duarkryq, ata me programe speciale kësaj vere kanë tredhë miza, kështu që verën e ardhëshme insekt i gjallë nuk do të pjellë në tokën e lirë, pra në Kosovë.

Sa për ministrinë e mbrojtjes së ambintit, Et'hemit ka thënë Zoti e nuk i ka shkuar mendja të na ruajë nga tymi dhe zhurma e gjeneratorëve, sepse edhe atë mund ta vriste reja.

Qëndroni me trion e programeve tona!

Mirret vesh se vetëm për tri Euro në muaj ose një pension e gjysëm në vit, mund ta shikoni RTK-në, ndërsa për dy trinjakët tjera nuk kemi informata.

Uh! Sa mirë që u ndal rryma, tash është kohë e paraditës dhe fëmijët janë në grevë, sepse mësuesit e tyre e kanë braktisur asketizimin patriotik. Tash do të kalojnë në aksion politik, të gjithë do të kandidohen për Kuvendet Komunale. Siç mirret vesh kjo punë paguhet mirë. Pse t'i mbajnë nga gjashtë orë aktive në ditë, kur mund t'i bëjnë nga katër vjet pushim pasiv në zyrat komunale, për një pagë shumë fish më korrekte. Këtë ua kishte spjeguar kolegu i tyre i matematikës dhe shihet se ka pasur të drejt njeriu.

Sidoqoftë fëmijët janë të lirë, dhe unë do t'ua shpjegoi programin e tyre të preferuar AIR CONDITION, sepse ka qëlluar të shfaqet pak si pa kohë, dhe të gjithë i ka zënë gjumi, pos atyre në studio dhe mua që po e përcjelli për hatër të fëmijve. Çfar dëmi! Sepse fëmijët vërtetë do të kënaqëshin me të adhuruarit e tyre: dy Ademat, Aidën, Ilirianën dhe të gjithë yjet tjerë. Këta dreqër fëmijësh, vërtetë e adhurojnë programin, s'ka fjalë.

Këta UNMIK-TV fëmijët, janë shumë modernë, prandaj nuk mirren me përrallat e vëllëzërve Grim. Ma çanë kokën këta kopila, duke u grindur se cila nga divat e turbos i ka cicat apo prapanicën më të madhe. Kjo projekt gjeneratë do të bëhën deri në një, specialist të anatomisë. Bravo!

Do me thënë, na shikoni, do me thënë OK-eeej , do me thënë, ne jemi të mrekullueshëm.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË