NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

PAVARËSIA S'FITOHET DOT PA DIPLOMACI

Shkruan: Xhafer SHATRI

Ditë më parë u mbyll edhe përfaqësia e fundit e Kosovës jashtë, ajo në Tiranë. Shtypi i verdhë kosovar dhe partia e tij u përpoqën t'ia hedhin fajin qeverisë shqiptare. Ndërkaq e vërteta është krejt ndryshe. Më 1992 lokalet e Zyrës së Kosovës në Tiranë i janë lënë falas në dispozicion qeverisë së Kosovës në një afat prej dhjetë vjetësh. Me skadimin e afatit ajo është mbyllur, sepse kjo Zyrë prej pasluftës e këtej faktikisht nuk ka funksionuar. Prandaj do të ishte mëkat që në lagjen e përfaqësive diplomatike në Tiranë të mbahen, vetëm sa për emrin që figuronte në pllakën te dera e hyrjes, dy ndërtesa me rreth 2000 metra katror.

Për këtë nuk mund të fajësohet as shefi i UNMIK-ut, sepse Zyra jonë në Tiranë me një përpjekje minimale të kryetarit të Kosovës, për të cilin Shqipëria vazhdon të jetë bira e fundit e kavallit, dhe të kuvendit e të qeverisë tonë do të mund të funksiononte si është më së miri. Sepse po të kishte vullnet do të gjindej edhe mënyra për të ekzistuar ajo Zyrë dhe për të funksionuar mu në ato lokale.

Kur jemi këtu dua të nënvizoj se në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë këto dhjetë vitet e fundit Shqipëria e jo Kosova ka qenë ajo që ka pri vazhdimisht me gatishmëri, me nisma, me propozime për koordinim e bashkëpunim.

Resurset e fjetura

Askund tjetër si në Kosovë, nëse kjo matet me sipërfaqen, nuk ka një prezencë kaq të madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Prezencë administrative, politike, ushtarake, policore. Ky është një realitet i ëndërruar kaherë nga të gjithë ata që kanë qenë të vetëdijshëm për mundësitë, kaçikun tonë.

Falë kësaj, fuqitë e mëdha dhe qendrat e vendosjes mund të marrin dhe marrin për çdo ditë informacione dhe analiza të plota për gjendjen në vend. Analiza dhe radiologji gjithëfarëshe, për pasojat e të cilave turma politike e Kosovës (sepse ne, mjerisht, ende nuk kemi klasë politike), duhet t'i vërë gishtin kokës.

Këto informacione, raporte e analiza të besueshme i dërgohen sektorëve të administratave shtetërore e ndërkombëtare dhe në saje të tyre ravijëzohet statusi i nesërm i Kosovës.

Në gjithë këtë korrespondencë sigurisht se ka raporte e informacione reale e dashamirëse, sikundër që ka dhe të tjera në të cilat shoqëria kosovare është parë edhe me radioskopi deri në perversion. Sidomos këto detaje do të përdoren nesër, pse jo dhe sot, për të dëmtuar çështjen e Kosovës dhe përpjekjet për pavarësinë e saj.

Pa harruar veprimtarinë këmbëngulëse të rilindësve e pasardhësve të tyre në mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë qendrave vendimmarrëse, duhet përmendur veprimtarinë përsqaruese pranë opinionit të huaj, institucioneve ndërkombëtare dhe shteteve të ndryshme të mërgatës shqiptare në Evropë, në Amerikë, në Australi, në botën arabe, të thuash kudo që ka shqiptarë. E ka shumë në të gjitha pjesët e globit. Por ata janë resurse të fjetura, derisa nuk aktivohen e drejtohen prej Prishtinës.

Nëse përvoja vlen sadopak, atëhere ajo është tejet shpresëdhënëse. Me këtë veprimtari me vlerë kanë kontribuar të gjithë brezat dhe të gjithë krahët politikë. Kush më shumë e kush më pak. Dua të kujtoj këtu një anekdotë të dhimbshme, por edhe domethënëse që ma ka treguar një diplomat i huaj shumë vjet më parë:

Në sallën ku mbahej një mbledhje e NATO-s, në prag të sulmit perëndimor mbi Irakun, më 1990, qëllon një shërbyes, kamarier apo mirëmbajtës me kombësi shqiptar. Kur fillon mbledhja dhe debati për pushtimin e Kuvajtit nga Sadam Huseini, rrjedhën e mbledhjes e ndërpren zëri i shqiptarit që i kishte plasë zemra: Pourqoi vous avez oublié le Kosovo? Pourqoi…?! (Pse e keni harruar Kosovën? Pse?).

Kjo fjali, që atij shqiptari anonim mund t'i ketë kushtuar me bukën e gojës, tregon dimensionin e shqetësimit dhe veprimeve të mërgatës tonë në favor të çështjes shqiptare.

Ky shqetësim i ligjshëm gjatë gjithë viteve '80 e '90 është shprehur në shumë vende të botës, ku janë mbajtur me qindra e mijëra demonstrata, manifestime, tubime e takime, në të cilat është kërkuar mbështetje, liri e drejtësi për shqiptarët në territoret e pushtuara.

Ky aktivitet ka marrë një dimension të qëndrueshëm sidomos gjatë viteve '90, kur kjo veprimtari në një mënyrë u institucionalizua në Kosovë me formimin e organeve vetanake. Por dhe me ndryshimet në Shqipëri, kur diplomacia shqiptare i dha një mbështetje të hapur e të gjithanshme çështjes së Kosovës.

Aktiviteti diplomatik ishte i shumanshëm dhe në këtë drejtim kanë kontribuar institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, personalitetet etj.

Një rol rëndësor dhe koordinues padyshim se kanë luajtur dhe zyrat e Kosovës në Bon, në Gjenevë, në Bruksel, në Tiranë, në Stokholm, në Londër, në Stamboll, në Kairo… rreth të cilave kanë kontribuar qindra bashkatdhetarë.

Ndërkaq në SHBA, edhe pse atje Kosova nuk kishte zyrë të vetën, megjithatë ka funksionuar prej vitesh një lob i organizuar që është identifikuar me ish-kongresistin amerikan, Joe Diuogardi.


Indiferencë apo diçka tjetër?

Me dëbimin e Serbisë nga Kosova dhe me krijimin e rrethanave të reja, kjo veprimtari shkoi duke rënë, gjersa, duhet pranuar me keqardhje, u shpartallua plotësisht. Kapaku ishte mbyllja e Zyrës së Kosovës në Tiranë. Kështu që tash ky aktivitet ka mbetur një çështje individuale, e pakoordinuar dhe e paorientuar.

Përjashtim bën mërgata shqiptare në Amerikë, që po vazhdon këtë aktivitetet të rëndësishëm por pa pasur me kë të komunikojë në Prishtinë.

Nga ky këndvështrim fitohet përshtypja se te paria e Kosovës, pa përjashtuar të gjithë krahët politik, është ngulitur një vetëdije se institucionet ekzistuese dhe partitë rëndësore të Kosovës, pavarësisht nga kompetencat e ngulfatura, megjithatë komunikojnë me përfaqësuesit e niveleve të larta të bashkësisë ndërkombëtare dhe vetëvetiu edhe mbrojnë mjaftueshëm interesat e Kosovës.

Natyrisht se kjo nuk duhet vënë në dyshim, por kjo është në shpërputhje të madhe me nevojat. Sepse është vetëm njëra anë e punës, ajo që ka të bëjë shpeshherë ndoshte vetëm me kortezinë ose tërheqjen e veshëve në mënyrë të kadiftë. Sepse marrëdhëniet apo komunikimi me botën nënkupton një shërbim të organizuar mirë diplomatik që funksionon pandërprerë dhe që prek jo vetëm administratën e vendeve vendimmarrëse, por opinionin, deputetet, mediat dhe personalitetet me ndikim.

Dhe ky shërbim duhet të ndërtohet pavarësisht se 'politika e jashtme e Kosovës' është në kompetencat e PSSP, Mikael Steiner.

Në të kundërtën, mungesa e organizuar e vetanake e kësaj veprimtarie e rrezikon drejtpërdrejt procesin e pavarësimit të Kosovës.

Në pritje të ofansivës diplomatike serbe

Para dy ditësh, në mediat serbe u botua një intervistë me z. Xhejms Lajon, drejtor i zyrës së Grupit ndërkombëtar të krizës për Serbinë. Nga kjo intervistë dalin në pah disa fakte fort interesante. Z. Lajon pohon se në qoftë se konsultoni literatutrën shkencore, historinë, gjeografinë, sociologjinë, etnografinë dhe hulumtimet për Serbinë që nga fillimi i shekullit XX e deri më 1991, do të shihni se 95% e kësaj literature është proserbe. Kur lexojmë librat dhe artikujt shkencor në Gjermani, në Francë, Angli, Amerikë, Kanada etj. e shohim se të gjithë i kanë dashur serbët. Kjo ka qenë një përparësi e madhe për Serbinë. Mu për këtë te politikanët perëndimorë Serbia ka pasur një tretman të posaqëm, madje edhe gjatë sundimit të Millosheviqit, deri sa ky shkoi tepër larg! Edhe sot shohim se në disa qarqe në Paris dhe Londër lobi serb është me shumë ndikim. Madje edhe në Amerikë, ku thuhet se lobi shqiptar është i fortë, në fakt lobi serb atje është shumë më i pasur dhe shumë më i fuqishëm.

Duke u nisur nga këto fakte që i pohon ky burim i paanshëm e i besueshëm dhe shumë të tjera që dihen, në muajt dhe në vitet që vijnë pritet një ofansivë e gjithanshme diplomatike e shtetit serb kundër Kosovës.

Efektet e saj do të jenë me shumë pasoja në qoftë se organet e Kosovës nuk ndërmarrin masat e nevojshme për të vepruar shpejt dhe institucionalisht në rrafshin diplomatik, organizativ e politik. Nëse vazhdohet si gjer më tash që kjo veprimtari të zëvëndësohet me përtypjen vend e pavend nga krerët e Kosovës të fjalës pavarësi, atëherë, ky do të ishte dëmi më i madh që mund t'i sjellë dikush Kosovës dhe procesit të pavarësimit të saj.


Nevoja për krijimin e bërthamës së MPJ-së

Prandaj pavarësisht nga pengesat e mundshme, qoftë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, megjithatë është e domosdoshme që në Kosovë urgjentisht të caktohet një grup eskpertësh me detyrë konkrete: të vërë themelet e Ministrisë së punëve të jashtme të Kosovës. Kjo për fillim do të ishte në formë të një Qendre për Marrëdhënie Ndërkombëtare, e cila do të funksiononte në sektorët themelorë: politik, analitik, juridik, diplomatik dhe të komunikimit.

Zatën për ata që mendojnë seriozisht në pavarësinë e Kosovës duhet ta kuptojnë se ky është hapi i parë për të dëshmuar se Kosova ka kapacitet dhe njerëz që ajo të bëhet e pavarur. Ndërsa të tjerat vijnë hap pas hapi.
Dhe kjo ecje hap pas hapi mund të jetë e gjatë, por edhe e shkurtë.

Zhvillimet në këto dy dhjetvjeçaret e fundit kanë dëshmuar se sa shpejt ecën historia nganjëherë. Sidomos kur në velat e saj fryjnë erëra të mbara.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:32
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË