NUMĖR 68
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 1 NËNTOR 2002

ZGJEDHJET SERBE:
NACIONALISTËT KUNDËR NACIONALISTËVE

Shkruan: Malë BERISHA

Ndoshta për herë të parë në histori të Serbisë, për titullin e presidentit luftuan një teknokrat e një nacional-romantik. Miroljub Llabus është eskpert i ekonomisë, por shtrohet pyetja se a ishte ai i gatshëm që të lirohet nga Kosova e nga Mali i Zi, e t'u qasej krimeve serbe në mënyrë më të pranueshme për fqinjët e tyre. Në anën tjetër ndodhej Koshtunica, tanimë vazhdues i haptë i politikës ekspanzioniste serbe, me romantikën nacionale dhe ikonografine tipike serbe. Ai e ka ende rastin që të zgjidhet president i Serbisë, e njëherit edhe më shpejt ta shtyjë Malin e Zi drejt pavarësisë, Sanxhakun drejt luftës, ndërsa shqiptarët e Luginës së Preshevës drejt Kosovës.

Shqiptarët ndihmojnë - Sheshelin!

Disa prej liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, kur ishte atje gjendje lufte, e quanin Çoviçin "profet", meqë ai, sipas tyre, i paskësh shpëtuar shqiptarët nga e "keqja e madhe". Detaji i bezdisshëm, se atë drojë e kish hequr qëmoti lufta e UÇK-së dhe prania e NATO-s në Kosovë, atyre s'u interesonte. Janë shi këta "politikanë", të cilët luftëtarët e UÇPMB-së të ardhur prej Kosovës për të luftuar në këtë tokë shqiptare i quanin "jabanxhi" - shqip "ardhës", "mërgimtarë"!

Tani, edhe "paria shqiptare" këtu është bindur se shqiptarët s'kanë për të pasur kurrë për profet një serb. Shoku i tyre Çoviçi është vënë krejtësisht në anën e nacionalistit Koshtunica, e bën propagandë zgjedhore duke advokatuar për "Kthimin e Madh të Serbisë", lexo: njëfarë marshi të opingave serbe drejt Luginës së Preshevës e ca më tej, drejt Kosovës. Se çka do të thoshte një marsh i tillë neonazist për Luginën e Preshevës, ku varrët e luftës ende kullojnë gjak, s'ka nevojë të thuhet. Ky marsh i ka trembur edhe parinë shqiptare, e cila ka bukur fort se ç'të humbas nëse Presheva invadohet prej turmave shkatërrimtare të katundarëve serbë.

Në anën tjetër, "dashuria e parë s'harrohet", andaj jaranët shqiptarë të Çoviçit kanë vendosur të mos kalojnë kurrën e kurrës as me oponentët e tij. Në Preshevë prek kandidatëve presidencial ka qëndruar vetëm moderati Miroljub Llabus, që kish planifikuar të bëntë një sheti bulevardit të qytetit me prefektin Riza Halimi. Por duket se këtij pas Çoviçit s'ia mbush më askush syrin, andaj tërë ai farë "takimi" i trumpetuar publikisht nisi e bitisi me një kafe.

Kësisoj, mund të thuhet se prijësit qorrë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës i ndihmuan Koshtunicës ta nxjerrë prej lojës Llabusin, i cili doli se s'qenka i zoti t'i ofrojë "rebelat shqiptarë". Në vazhdim, ata de facto i ndihmuan edhe radikalit Voisllav Sheshel, i cili tashti, me margjinalizmin e Llabusit, ka mbetur kundërshtari i vetëm i Koshtunicës. Voisllav Shesheli ka premtuar se, nëse zgjedhet president, do t'u kthejë të mirën liderëve shqiptarë përnjëherë, duke anuluar komplet tërë "lodrat e Çoviçit" për "demokraci lokale", e duke i shporrur me policë liderët shqiptarë nga kuvendet komunale.


Nacionalistë qorrë vendosin agjendën

Përderisa elektorati serb edhe më tutje mbetet i ngarkuar me ikonografinë tipike te mitingjeve të "revolucionit të jogurtëve" nga mbarimi i viteve 1980, elektorati shqiptar i mbetet besnik "nacionalistave" á-là Riza Halimi, që vazhdojnë të premtojnë përmirësime të sigurta "Malo morgen", me vetëm një sakrificë minimale, veç një kokërr vote të vockël për liderin aktual.

Kështu, pra, agjenda elektorale në Serbi e në Luginën e Preshevës mund të thuhet se drejtohet prej devizës "Nacionalistë qorrë të të gjitha vendeve, bashkohuni". Mundësisht mund të vlerësojmë ndoshta se shqiptarët, më tepër prej padijes se sa me dëshirë, janë duke ofruar një opcion ca më të pranueshëm se sa ai që e ofron nacionalizmi brutal serb i Koshtunicës a, ruana Zot, ai i Sheshelit. Kjo gjë vlen edhe për politikanët tjerë serbë, të cilët vitet e fundit shetisin prej një pozite ekstreme në tjetrën, nga Millosheviqi e deri te krimineli Arkan.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:31
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË