NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Një rrugë e largët sa një ëndërr
Dakordim, apo "Qeveri të kurbanit"?
Turpëruesit e Shqipërisë
Ekonomia e Kosovës në komë
Çka zgjodhi Qoviçi në Luginë të Preshevës?
Ekstremi i djathtë, apo keqkuptim?
Viktima e re e racizmit grek
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Ish-UÇK në ofenzivë politike
BDI PREMTON “INTEGRIM TË PËRSHPEJTUAR”

Shkruan: Naser SELMANI

Ish-perfaqësuesi politik i Ushtrise Çlirimtare Kombëtare të shpërbërë, Ali Ahmeti, dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushte të luftës përfundimisht vendosën të formojnë një parti të re politike shqiptare. Kuvendi themelues i partisë u mbajt me pesë qershor në Tetovë, e vendosën që partia të mbajë emrin: Bashkimi Demokratik për Integrim.

Bërthamën e BDI-së do ta përbëjnë ish-drejtues politikë, komandantë e oficerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, si dhe intelektualë shqiptarë. Disa prej këtyre të fundit gjatë luftës e përfaqësuan UÇK-në në vendet perendimore. Ideologu i partisë është Fazli Veliu, njëri ndër veprimtarët e mërgatës shqiptare në Perendim, i cili ndër të parët ishte kyçur në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pastaj edhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në kryesinë e partisë bënë pjesë edhe ish-deputeti nga Kumanova Hysni Shaqiri, i cili pas krismave të para në rajonin e Likovës, braktisi kolltuqet e Parlamentit të IRJM-së (Ish-republikës jugosllave të Maqedonisë) dhe iu bashkangjit UÇK-së. Në kreun e partisë së Ali Ahmetit gjetën vend edhe dy deputetë aktualë të PPD-së në Kuvendin e IRJM-së, Rizvan Sulejamani nga Dërveni i Shkupit dhe Azis Pollozhani nga Struga. Flitet se partia e Ali Ahmetit pas regjistrimin formal në Kuvendin e Maqedonisë do përfaqësohet me gjithsej pesë deputetë.

Bashkëpunim i bllokuar

Vendimtare që Ali Ahmeti u përcaktua të formojë parti politike ka qenë bllokimi i punës së Këshillit koordinues të partive shqiptare në IRJM, që ishte formuar para dy muajsh e që ishte nxitur nga vetë strukturat e UÇK-së. Ahmeti me Këshillin koordinues deshi të vë në binarë të shëndoshë veprimin politik të faktorit shqiptarë duke ditur se problemet e shqiptarëve nuk kishin marrë fund vetem me hedhjen e firmave të liderëve maqedonë e shqiptarë në Marrëveshjen e Ohërit.

Sfidat më të mëdha dihej se do të paraqiteshin gjatë jetësimit të marrëveshjes, e cila duhej të mënjanojë diskriminimin e thellë të shqiptarëve në vend. Këshilli koordinues dërgonte një mesazh domethënës dhe shumë të kulturuar për partitë shqiptare, PDSH dhe PPD, por kjo porosi nuk u kuptua - apo nuk u desh që të kuptohet.

Pas luftës në Maqedoni, çdo gjë kishte ndryshuar. Me gjërat nuk do të mateshin me kutet e vjetra. Erdhi koha për politikë dhe politikanë të ri. Duhej instaluar një mendësi e re dhe raporte të reja midis maqedonasve dhe shqiptarëve. Nga kjo shumëkush prej klasës politike shqiptare u ndje i rrezikuar. U shqetësuan edhe “petritët” e pushtetit maqedon. U vu në lëvizje shumëçka që të fundoset Këshilli koordinues dhe të mbahen në jetë Xha Tomët shqiptarë. Dhe kjo ndodhi - por me këtë nuk u fundos edhe ideja shqiptare. Lindi partia e Ali Ahmetit.

S’do mend se ideja e Këshillit koordinues ishte fisnike, e as s’do mend as se ajo do të dështonte doemos, për faj të dy partive të mëdha shqiptare në IRJM. Ali Ahmeti as që mund të priste diçka më konstruktive nga to. Ai e kishte të qartë se për dështimet politike të shqiptarëve të Maqedonisë, faji në rend të parë u takonte partive shqiptare. Sikur PPD dhe PDSH të ishin në shërbim të interesit të shqiptarëve ashtu si trumpetonin publikish, të drejtat që shqiptarët i fituan me luftë do të realizoheshin në rrugë paqësore. Këto dy parti shqiptare gjatë dhjetë viteve të fundit më tepër u shërbyen nacionalistëve maqedonë, se sa elektoratit shqiptar.

“Shqiptarët kundër shqiptarëve”

Lufta dhe paraqitja e Ali Ahmetit i zuri maqedonasit gafil. Ajo i trembi edhe puthadorët shqiptarë, që shtireshin si patriotë, por që në fakt kishin rënë në gjumë qëmoti. Jorastësisht në fillim të luftës në Tanushë, më të ashprit në dënimin e UÇK-së qenë mu shqiptarët në qeverinë e IRJM-së.

Maqedonasit gjatë luftës kuptuan shpejt e në forma tejet të dhembshme, se UÇK-ja çdo ditë e më tepër po fitonte përkrahje nga populli shqiptar. Atëherë, qeveritarët maqedonë përdorën një reçetë të provuar kundër shqiptarëve. Shqiptarët duheshin luftuar me shqiptarë.

UÇKAPC Zotrinjët Xhaferi dhe Lupçe

Kjo strategji maqedonasve u solli dobi. E para, falë servilizmit të krerëve shqiptarë, ata ndryshuan Marrëveshjen e Ohërit, të cilën e kishin firmosur paraprakisht. U ndryshua mbrapsht preambula e kushtetutës, ku shqiptarët u kthyen sërish në pakicë kombëtare. Për të qenë ironia totale, PDSH-ja dhe kreu i saj Arben Xhaferri, që i kish miratuar këto keqësime prapa shpinës së Ali Ahmetit, do ta shpallte këtë disfatë si “të arritur historike” të shqiptarëve. E dyta, u ndryshua edhe amandamenti, me të cilin tani Kisha orthodokse maqedonase ka (ri)fituar pozitë të privilegjuar kundrejt bashkësive tjera fetare.

Devalvimi i fryteve të luftës kulmoi pas shpërbërjes së UÇK-së. Në vend që të pasonte menjëherë miratimi i ligjit për amnesti dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohërit, filloi një fushatë e egër e burgosjes së ish-luftëtarëve të UÇK-së. Maqedonasit zunë ta zhagitin procesin e paqes.

Manovrat e pushtetit

Reagimi i partive shqiptare në qeveri, veçanërisht i PDSH-së, ishte absurd. Veprimi i saj duhej të ishte i vendosur. T'i thuhej Stop! ministrit të brendshëm Lube Boshkovski, që të mos prek asnjë ish-ushtar të UÇK-së, e të jetësohej menjëherë ligji për amnestinë. Kjo bëhej krejt lehtë, sepse ishte pjesë e marrëveshjes dhe se për këtë angazhohej edhe faktori ndërkombëtar, që ishte garant i marrëveshjeve. Pala maqedonase, sado të shqelmonte, prapë do të ishte e detyruar t'i përmbush obligimet e marra.

Por, PDSH bëri të kundërtën. Arbën Xhaferri i la hapësirë manovrimi partisë maqedone të kryeministrit Lubço Georgievski që, duke burgosur e rrahur ish-luftëtarët shqiptarë, ta ngritë ca rejtingun te elektorati maqedon para zgjedhjeve. Për çdo eventualitet, në rast se kjo s’do të mjaftonte, Xhaferri pranoi që zgjedhjet të shtyhen prej pranverës e deri në vjeshtë. Natyrisht, braktisjen e interesit shqiptar PDSH e bëri për ta ruajtur pushtetin, të cilit, dora në zemër, krerët e partisë ia kanë parë hajrin sa të duash këtyre katër vjetëve të fundit. Por është për të ardhur keq që ata s’gjetën rrugë tjetër, përpos asaj të shkeljes me të dy këmbët mbi interesin e elektoratit të vet.

Të sigurtë se krerët shqiptarë do t’i bëjnë punët lëmsh si rëndom, nacionalistët maqedonë shtiren se jane të pakënaqur. Ata, herë partia në pushtet e herë opozita, bëjnë fushatë kundër Marrëveshjes së Ohërit. Argumenti është, se kinse maqedonasit paskan humbur shumë. Qëllimi është, natyrisht, që ta evitojnë çfarëdo implementimi që i ngritë të drejtat e shqiptarëve. Për momentin, petritët maqedonë problematizojnë çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në letërnjoftime, përkundër asaj se në Marrëveshjen e Ohërit thuhet qartë se këto dokumente për shqiptarët do të shkruhen edhe në gjuhën shqipe. Dhe secili e kuptojn se nëse nuk pritet ky trend qysh tash, partitë maqedone nesër do problematizojnë diçka tjetër.

Më mirë vonë...

Në këtë mes, duhet thënë se Ahmeti u vetëdijësua vonë se qëndrimi i tij për të mbetur jashtë rrjedhave politike është i dëmshëm për paqen. Si vajtën punët, po del që Ahmeti do të kish bërë më mirë po ta kish deklaruar formimin e në partie të re qysh ditën e shpërbërjes së UÇK-së.

Ahmeti e kuptoi vonë se nëse gjithë procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohërit kalonë në duartë e krerëve politike, në fund s'do mbetej gjë nga ajo marrëveshje. Për këto lëshime, Ali Ahmetin shumëkush madje e mban përgjegjës para ish-luftëtarëve të UÇK-së. Avantura e Këshillit koordinues vështruar nga pika e sotme doli pikërisht e tillë, pra avanturë. Krerët që hynë në Këshillin e Ali Ahmetit hynë aty jo për t’u koordinuar, po për ta vënë nën kontroll ish-kreun e UÇK-së. Kur nuk ia arritën qëllimit, ato e shkatërruan Këshillin.

Por ndoshta kështu u bë më së miri, sepse tash e tutje shqiptarët do ta kenë më lehtë ta ndajnë exhrin prej grurit. Përgjegjësia e Ali Ahmetit tashti me formimin e partisë së re është kolosale. Ahmeti me siguri se do të gjejë përkrahje verbale te shumëkush, por ai duhet të jetë shumë i kujdesshëm se kë do ta ofrojë në radhët e partisë së vet. Nëse është i pakujdesshëm, ai mund ta përjetojë si në dezhavu historinë e partive të mëparshme. Partia e tij do të jetë objekt infiltrimi për shumëkë, prej djerrakohëve e haveristëve të zhgënjyer e deri te revolveristët e mafiozot që duan ta veshin krimin me petk të respektueshëm politik.

Partitë shqiptare dhjetë vjetë bënë pazar me votën e shqiptarëve në dëm të shqiptarëve për disa cikërima privilegje të pushtetit. Nëse Ali Ahmeti me partinë e tij nuk shëndrohet në një digë të fuqishme të interesit shqiptarë në Maqedoni, përgjegjësia do të jetë edhe më e madhe. Derisa partitë shqiptare bënë alashverish me votën e shqiptarëve për interesa të dyshimta, Ali Ahmeti nuk guxon të lejojë gjëra të tilla. Pasojat për shqiptarët - e për vet Ali Ahmetin - mund të jenë të shumë të rënda.

Shenja të mbara

Për fat të mirë shenjat e para të paraqitjes në skenë të partisë së Ali Ahmetit janë tejet pozitive. Njerëzit e sinqertë nuk flasin fjalë të mëdha por bëjnë punë të mëdha. Kështu ështu duke vepruar Ahmeti. Publikisht thotë se partia e tij është e proviniencës qytetare, që do të thoshim evropiane. Në emrin e partisë vuri fjalë shumë domethënëse, bashkim, demokraci dhe integrim. Kjo është formula që Ali Ahmeti dëshiron ta realizojë për të nxjerrë në dritë shqiptarët nën IRJM. Se kjo është edhe rruga e vetme për mbijetim të shtetit, këtë s’e kanë kuptuar ende vetëm nacionalistët më të tërbuar maqedonë.

Posaçërisht imponues është sensi politik i Ali Ahmetit. Ai nuk e provokon opinionin maqedonas, por ia shtrinë atij dorën e pajtimit, gjithnjë duke i përkujtuar se duhet të fillojë një faqe e re në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-maqedone. “E kaluara s’bën të na përsëritet”, ky është mesazhi i preferuar i tij. Ky mesazh deri tani s’i ka sjellur Ahmetit ndonjë simpati publike te kundërpalët e tij maqedonase. Por për diçka të tillë mbase edhe është herët, aq më pak në një situatë kur gati krejt mediat maqedone bëjnë gara në nacionalizëm. S’ka kaluar ende një vit qëkur mbaroi lufta, andaj s’është radha ende për shprehje publike të simpatisë.

Por Ahmeti duket se ka vendosur të profilohet me qasje të sinqertë, duke llogaritur në përfitime afatgjata. Për momentin, ai s’do ta ballafaqojë opinionin maqedon me zgjidhjet që i duhen vendit. Tregohet i matur në publik, e vendosmërinë politike thotë se do ta shfaq në tryezën e bisedimeve.

Krerët maqedonë janë mëse koshient se me kë kanë të bëjnë punë. Ata kanë thënë se nuk duan ta takojnë Ahmetin dhe se hedhin poshtë çdo mundëesi për të bashkëpunuar me partinë e tij. Por demokracia është bushtër: nëse në zgjedhje Ahmeti e fiton besimin e shqiptarëve, ata s’do të kenë kah t’ia mbajnë, pos ta pranojnë Ahmetin si partner të barabartë.

Natyrisht, secili që e njeh skenën e këtushme politike e di që nacionalistët maqedonas, përmes shërbëtorëve shqiptarë të rekrutuar në PDSH dhe PPD, do të përpiqen maksimalisht ta sabotojnë shprehjen e vullnetit politik të shqiptarëve. Ahmeti e di se shumëkush do të përpiqet t’i manipulojë zgjedhjet. Në këtë pikë ai duket më i vendosur se zakonisht, meqë gjatë Kuvendit themlues në Tetovë i porositi partitë shqiptare të mos përdorin dhunën në zgjedhje. Ahmeti tërhoqi vërejtjen se partia e tij, si tha ai, “do ta mbrojë votën e lirë të shqiptarëve”. Mjerisht, s’është e qartë se sa seriozisht e kanë kuptuar këtë mesazh rrëqethës kaubojët e Menduh Thaçit në Tetovë.

Selia e partisë së re do të jetë në Shkup. Ky vendim i Ahmetit është shumë i guximshëm dhe largpamës për ardhmërinë e shqiptarëve në Maqedoni. Një element tjetër shpresëdhënës është se partia e Ali Ahmetit e ka mbështetjen e fuqishme të faktorit ndërkombëtar. Burime të afërta me Ahmetin thonë, se ky është stimuluar nga diplomatët e huaj që të zdirgjet në logun e politikës. Motivi, thuhet, është se ata nuk mund të bashkëpunojnë më me strukturat aktuale të korruptuara e të kriminalizuara të PDSH-së dhe PPD-së, dhe kërkojnë partner të ri të pakomprometuar. Fundja, premtimi i Ali Ahmetit se do të luftojë për “integrim të përshpejtuar” të shqiptarëve në strukturat e shtetit është edhe premtim i bashkësisë ndërkombëtarë, dhënë shqiptarëve solemnisht në Ohër. Ali Ahmeti duket se është projektuar si garant i fuqishëm i zbatimit të Marrëveshjes së Ohërit si dhe paqes e stabilitetin në rajon.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:30
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË