NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Një rrugë e largët sa një ëndërr
BDI premton "Integrim të përshpejtuar"
Turpëruesit e Shqipërisë
Ekonomia e Kosovës në komë
Çka zgjodhi Qoviçi në Luginë të Preshevës?
Ekstremi i djathtë, apo keqkuptim?
Viktima e re e racizmit grek
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Ç’do të sjellë qershori në Tiranë?
DAKORDIM, APO “QEVERI TË KURBANIT”?

Shkruan: Besnik KONÇI

Mbi politikën shqiptare, së fundi, janë lëshuar rrufe, të cilat kanë bërë paralajmërime kërcënuese në mënyrë krejtësisht të hapur. Pas vendimeve të institucioneve financiare më të fuqishme, si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për të bllokuar projektet dhe fondet përkatëse për Shqipërinë, pas vendimit të Komisionit Europian për shtyrjen me kushte të afatit për hapjen e negociatave mbi Marrëveshjen e Stabilizim Asocijimit, radha i erdhi Ambasadorit të ndjerë amerikan në Tiranë Limprecht. Ai shfrytëzoi një takim me studentët e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, për tu dërguar një “telegram urgjent” politikanëve tanë, të cilëve u kërkoi “të merren vesh” dhe të bisedojnë për problemet në vend, veçanërisht për “zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it” për zgjedhjet, sa më shpejt, për sa kohë që “miqtë e Shqipërisë nuk janë mërzitur”. Kjo përkthehet në gjuhën e zakonëshme thjesht kështu: “Verini gishtin kokës se përndryshe do t’ju braktisim fare”. Më troç zorr se mund të thuhej.

Qeveritë e Kurbanit dhe faji jetim

Politikanët shqiptarë, të lodhur nga “betejat”, apo “të ngopur” me sherre gjithfarësoj, duket të jenë në një gjendje “armëpushimi” të përkohshëm, mbase edhe reflektimi. Por nuk janë as kështu produktiv, sepse vendi ndodhet në nevojë të veprimit së pari, prej tyre.

Kriza politike disamujore nuk ishte këtë herë produkt i ndeshjeve të zakonëshme Pozitë-Opozitë, por pasojë e ndeshjes për pushtet politik të klaneve brenda maxhorancës, pas një procesi elektoral shumë të diskutueshëm. Rezultati i parë i saj ishte fitorja e krahut të Nanos, pasuar nga qeveria e “Kurban Bajramit”..

Pas afro një muaji “jetim”, gjatë së cilës personazhi më shembëllor për durimin dhe vetëdisiplinimi e treguar, ishte populli shqiptar, vendi u bë më në fund me një ekzekutiv. Ai ka marrë mbështetjen politike të plotë nga një maxhorancë fraxhile, që di të bëjë kompromise pragmatike përballë Opozitës, vetëm për pushtet. Qeverisë Majko, realisht të drejtuar nga shefi i Partisë, do t`i duhet të mbijetojë jo nën kërcënimin politik të Opozitës, siç do të duhej të ndodhte normalisht, por nën presionet që vijnë nga prishja e ekuilibreve ndërmjet klaneve brenda maxhorancës dhe luhatjet e dëshirës nanosite për karierë politike drejt presidencës. Ndërsa sfidat janë sa të ashpra, aq edhe jetike, madje vështirësisht të përballueshme nga çdo qeveri, sado e fortë qoftë.

Krizat e Shqipërisë

Kriza energjetike dhe ajo e ujit të pijshëm janë më të ndjeshmet dhe në mënyrën më direkte. Ata nuk janë të papritura apo të rastësishme. Askush nuk mund të lajë duart prej saj, dhe, shumë më pak pushtetarët mund të justifikohen pas pesë vjet qeverisjeje. Abuzimet e denancuara nga Opozita dhe vetë kryesocialisti Nano me tenderat e energjisë, përdorimi për fushata elektorale dhe mbyllje të defiçitit të buxhetit i parave të ardhura nga investimet strategjike dhe fondi rezervë, si dhe abuzimet në përdorimin e energjisë ( të gjitha kanë për pasojëme mungesën e investimeve në KESH) përbëjnë pista të qarta ku mund të hetohet për të gjetur shkakun thelbësor të kësaj krize. Ndërsa dalja prej saj kërkon gjithashtu një ekspertizë të pastër, larg premtimeve mashtruese me motive politike, të cilat vetëm se thellojnë katastrofën.

Gjatë më shumë se një dekadë tranzicioni të vështirë, akuzat reciproke për korrupsion kanë pasur jo rrallë herë ngarkesë politike, duke u bërë kësisoj, më shumë një ?mburojë” ndaj një fenomeni të tillë. Pas vitit 1997, akuzave të Opozitës ndaj politikanëve në pushtet për korrupsion, implikime në trafiqe të ndryshme dhe në kontrabandë ju shtuan edhe dosjet e ardhura nga institucionet serioze politike dhe ekonomike ndërkombëtare, të cilat hodhën dritë mbi një seri faktesh, që zorr se mund të mohoheshin më tej. Megjithatë, gjithçka kulmoi, kur edhe vetë lideri socialist Fatos Nano, i cili me sa duket, pasi kishte “pastruar sirtarët personalë” udhëhoqi me pasuesit e tij në parti një fushatë me akuza direkte dhe konkrete kundër antarëve të qeverisë Meta për implikime në afera korrupsioni dhe trafiqesh, gjatë betejës brenda llojit, në përpjekje për të rifituar pozitat e humbura në Parti dhe qeveri. Heshtja qeveritare foli qartë për frikën që vinte nga akuzat të mbështetura në fakte.

Kur ligji hesht

Megjithatë, gjëja që të bën më shumë përshtypje në këtë situatë, është se drejtësia, veçanërisht institucioni i akuzës - prokuroria, lëkunden ndërmjet heshtjes dhe veprimeve apatike, haptasi në varësi nga fuqizimi politik i klaneve brenda maxhorancës, ndonëse krimet janë evidente. Kësisoj, lufta kundër fenomeneve të mësipërme (nëse zhvillohet) do të mund të jetë e fokusuar, në mënyrë selektive, mbi njerëzit brenda klaneve anti-Nano dhe do të përdoret për qëllime politike. Asgjë nuk mund të bëhet bazuar në ligj nga një drejtësi fund e krye politike.

Abuzimi me pronën dhe pronarët e ligjshëm përbën një nga gjynahet më të mëdha, mbase më të madhin, të politikës shqiptare. Shoqëria shqiptare ndjen mungesën e kontratës themelore të individit me shtetin dhe shoqërinë, që shprehet në marrëdhënjet mbi pronën dhe, për pasojë, gjithçka ndërtohet jo mbi themele të forta, por mbi mina dhe pasiguri. Askush nuk mund të investojë mbi një truall ose objekt që nuk dihet se pronësi e kujt është realisht, ndërsa konflikti social që sjell abuzimi me pronën gërryen sistemin, duke kërcënuar stabilitetin dhe prosperitetin e shoqërisë në mënyrë të vazndueshme. Ëdhe këtu askush nuk mund t`i lajë duart nga “krimi ndaj pronës”. Në shtetin e së drejtës e drejta mbi pronën është alfa e lirive dhe të drejtave të njeriut. Pa respektimin e saj, shteti demokratik nuk mund të jetë gjë tjetër, përveç se propagandë komuniste bajate.

Përveç problemeve që lidhen me profesionalizmin dhe depolitizimin, politika e jashtme dhe diplomacia shqiptare kanë mbetur peng të krizës sëfundit të brendëshme politike dhe ekonomike, madje janë keqpërdorur në luftën për pushtet nga klanet ndeshëse në kërkim të mbështetjes prej faktorit ndërkombëtar. Tashmë diplomacisë shqiptare i duhet veprimtari shumë intensive dhe profesionale për të rehabilituar urat europiane që çojnë në hapjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asocijimit, si edhe, së bashku me institucionet tona financiare, të normalizojë marrëdhënjet me FMN-në dhe Bankën Botërore. Një proces i tillë do të jetë i kondicionuar fillimisht nga zhvillimet e brendëshme në Republikën e Shqipërisë.

Ç’kërkon bota?

Zgjedhjet e kontestuara janë bërë tashmë gangrena e demokracisë shqiptare, ndërsa cënimi i institucionit bazë të demokracisë, votës së lirë, përbën, në fakt, bazën nga gjenerojnë e gjithë kriza, me dimension politik, institucional, ekonomik, etj. Në këtë këndvështrim, rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet nuk duhen konsideruar të detyrueshme për tu zbatuar vetëm për arsye të presionit ndërkombëtar, por, së pari për arsye se ne na duhet një sistem demokratik me institucione solide, ndërtimi i të cilit bazohet tek respektimi i vullnetit politik të elektoratit, pra votës së lirë.

Kriza e fundit elektorale ka nxjerrë në pah nevojën për reformim të infrastrukturës ligjore dhe fizike të zgjedhjeve, por ajo ka evidentuar edhe problemet zgjedhore që rrjedhin nga nene përkatëse të Kushtetutës sonë. Kjo e fundit a ka çeduar edhe në nene që lidhen me ekzekutivin. Aprovimit të Ligjit themelor, të proklamuar me aq bujë nga brenda dhe jashtë vendit, i ka munguar konsensusi, bile bashkëpunimi minimal politik dhe ai po na “e shpërblen”.

Mund të rreshtohen sfida të tjera ekonomike, politike, institucionale dhe të natyrave të tjera, të cilat qëndrojnë përballë politikës, por faturat e të cilave i paguajnë vetë qytetarët shqiptarë, që po demostrojnë durim deri në depersonalizim, gjë që nuk mund të vazhdojë gjatë.

Pozita e tronditur nga konflikte të brendëshme, e varur politikisht nga vullneti i një individi për të bërë ose jo kompromis për zgjedhjen e Presidentit pas disa muajsh, do ta ketë të vështirë t`ia dalë në krye e vetme. Përballë saj politikisht qëndron një opozitë e cila po grumbullon forca, në kërkim të alternativave konkrete dhe njerëzve për zbatimin e tyre. Pasi ka hequr dorë, mbase përkohësisht, nga strategjia e protestave, ajo po kalkulon me lojën e shifrave dhe presionin e ardhur nga realiteti i vështirë shqiptar dhe presioni ndërkombëtar, duke ofruar formulat e saj për daljen nga situata.

Analiza e mësipërme mbi natyrën e sfidave aktuale, mbi protagonizmin e politikës në lindjen, ose zgjidhjen e tyre, evidentimi i përmasave dhe emergjencën për zgjidhje, si edhe fragmentarizimi aktual i politikës në Tiranë, të çojnë në konkluzionin logjik se politikës shqiptare i nevojitet një konsensus afatgjatë mbi disa çeshtje themelore, bazuar në ekspertizë dhe interesa kombëtare, të cilat nuk duhen bërë më objekt fushatash politike, apo demagogjish elektorale.

Afati i fundit, qeshori

Politikanët shqiptarë duhet të bëjnë marrëveshje konsensuale për mosprekjen për motive politike të institucioneve, duke filluar nga respektimi i votës së lirë, ndërtimi i një gjyqësori qe respekton vetëm ligjin, për një ushtri, polici, shërbime sekrete profesionale kombëtare, një administratë të aftë të pa ndikuar nga politika, për zgjidhjen e çeshtjes së pronës, për profilin ekonomik perspektiv, zhvillimin e reformave dhe ndërtimin infrastrukturor të vendit, për politikën e privatizimeve strategjike dhe destinacionin e burimeve financiare të ardhura prej tyre, për objektivat bazë (formësimin) të politikës së jashtme.

Duke u nisur nga emergjencat aktuale, politika duhet të ulet në tavolinë urgjentisht, për të filluar me hartimin e një strategjie të përbashkët (konsensuale) të luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve, të përgatisin një program të qartë për nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë energjitike dhe ujore, si dhe në hartimin konsensual të një plani veprues për kryerjen e reformave kushtetuese dhe elektorale. Një klimë si kjo, do të krijonte premisa edhe për konsensusin e domosdoshëm presidencial.

Në të kundërt, kjo qeveri do të bëhet kurban, ndërsa riciklimi i krizave do të jetë shumë i afërt, bile me ballë më të lartë, e afshi politik ka të ngjarë të jetë më përvëlues se të nxehtit e qershorit. Ndërsa vendi do të vijojë rrokullimën teposhtë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:30
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË