NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
EDITORIAL VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Në vend të editorialit
DY PREMTIME SA PËR FILLIM

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Desha t'ja nis detyrës si kryeredaktor duke i shkruar nja dy fjalë për veten time, si dhe duke i trasuar një çikë synimet që i kam me revistën PASQYRA, edicionin e internetit.

Kur m'u lut z. Shatri që ta marr përsipër detyrën e kryeredaktorit, mendova gjatë para se t'i them po. Së pari desha ta di saktësisht se cilat do të ishin detyrat e mia. Ditëve të javës unë shërbej si punonjës i sociales në Stokholm të Suedisë, e detyra e kryeredaktorit duhej patjetër të korrespondojë me këtë fakt. Idealizmi, siç dihet, s'blihet me para, por edhe idealistëve u duhet ta mbushin barkun disi. Puna te revista PASQYRA për shumë prej nesh ka qenë krejtësisht ideale. Po si njeri i martuar me fëmijë (një gocë të mrekullishme 1.5 vjeç), këtë punë do shoshitur, pra, edhe nga drejtime, t'i quajmë pragmatiste. Duhej qartësuar për vetveten: Sa orë në javë do të m’i merr kjo punë? Sa orë mund t’ia kushtoj revistës PASQYRA, pa e lënë mënjanë atë që e kam absolutisht më të shtrenjtën, familjen time?

Unë sot jam 32 vjeç, e jam arratisur prej Gjakovës sime në Suedi si 17 vjeçar. Në Suedi kam studiuar 3.5 vjet në lëmin e punës sociale, pranë Universitetit të Stokholmi. Në mediat shqip kam botuar qysh ditës së parë në ekzil, së pari te "Republika" e z. Sali Kabashi, i cili në vitet 1991-1993 qe bërë si një Faik Konicë i dytë për Kosovarët, e pastaj me radhë te Bujku, te QiK-u i dikurshëm, te Koha Ditore, e më vonë edhe te KosovaPress-i, te KosovaLive etj etj, duke e ndjekur kësisoj zhvillimin e shtypit shqip në Kosovë.

Posaçërisht vendimtare për mua qenë vitet 1994-1999, kur punoja (idealisht si rëndom) si Sekretar për shtyp pranë Zyrës së Kosovës në Stokholm, me detyrë përpilimin e informacioneve suedisht për shqiptarët. Këto ishin vitet kur e kam vërejtur qartë e dhembshëm se çfarë hendeku e ndan gazetarinë tonë prej kërkesave të kohës. Një kohë kam shërbyer si gazetar pranë Radios Suedeze, seksionit shqip. Ata që më njohin e dinë që kam botuar vazhdimisht shqip e suedisht te revistat e komunitetit shqiptar në Suedi, që kam nxjerrur dy vëllime poezish, e përkthyer një antologji shqip-suedisht anasjelltazi në të dy gjuhët.

Së dyti, desha ta di se cilët do të ishin njerëzit me të cilët do të bashkëpunoja më intimisht. Siç e merrni me mend, kam dashur të di pak për më tepër edhe për kolegët e mi të revistës, shumë prej të cilëve s’i kam takuar kurrë. Kur ka njeriu punë profesionale në njërën anë, e familje në anën tjetër, një detyrim ideal si ky i kryeredaktorit ia shton një përgjegjësi të madhe. Minimumi që kërkohet është, që njerëzit me të cilët premton të bashkëpunosh t'i kenë kuptuar e aplikuar për një copë here fundamentet e fjalës së lirë e të gazetarisë së lirë.

Shumë prej pikëpyetjeve më janë përgjegjur, disa kanë mbetur të marrin përgjegje në kursin e udhës, e disa kanë mbirë krejt të reja. Ajo që është me rëndësi të thuhet që këtu është, se si kryeredaktor jam i interesuar për komunikim të drejtë. Dërgoni komente, lavdata e kritika (konstruktive, kuptohet) dhe ju premtoj që do të ju lajmërohem.

Deri tani kemi prodhuar bashkarisht disa numra jashtëzakonisht cilësorë. Revista PASQYRA ishte e para që shkroi për rendet e kosovarëve para ambasadës joformale serbe në Prishtinë, për të marrur pasaporta. Poashtu, revista PASQYRA qe e para - dhe e vetmja deri tani! - që e vuri në dyshim urtësinë e atyre që e kanë vënë lojalistët veriirlandezë të RUC-ut, të paditur për krime etnike, t’u prijnë policëve të ri të Kosovës. Etj etj. Ambicia ime është që t'i kemi njësoj të gjithë numrat vijues. Artikujshkruesit që deri tani e kanë përbërë boshtin kurrizor të revistës, do të kenë edhe më tej një rol qendror te ne.

Pse është me rëndësi të kemi sukses me revistën PASQYRA?

Për mua personalisht, përgjegja është e thjeshtë. Unë ambicie politike në skenën shqiptare s’kam - jam anëtar aktiv i liberalëve suedezë tash sa kohë, ajo më del mjaft e tepër. E megjithatë, gjaku ujë nuk bëhet. Dhe, si secila kafshë tjetër shoqërore, edhe unë kënaqem nga një shkrim i mirë, i qëndisur gjuhësisht, i dendur e i saktë, për politikën e shoqërinë shqiptare.

Ndër shqiptarët, mjerisht, mediat analitike të pavarura e cilësore janë fort të kursyera në numër. Mediat shqiptare kryesisht kanë rënë (e nganjëherë edhe zgjedhin vetë të bijnë) pre e grupeve me interes politik, ekonomik e/a kriminal. Në rastet më eklatante, grupet e interesit që pandehet se kontrollojnë media te ne kanë origjinë të huaj, me orientim tradicionalisht antishqiptar. Po në shumicën e rasteve bëhet fjalë për media të brishta, që gjëllijnë në një ambient intolerant, nën trysni të forta politike e ekonomike (e besa edhe tjetërfare!) prej qarqeve që s'janë fare të interesuara ta pasqyrojnë laryshinë e botës shqiptare.

Kjo nuk është e rastit. Historia e këtyre dyqind vjetëve të fundit e ka dënuar një grusht kombesh evropiane, si shqiptarët, gjermanët, baltikasit etj, me një incitament jashtëzakonisht të vështirë. E ky incitament, ndonëse në pezullim e sipër, vepron ende me fuqi të mnershme mbi viktimat e veta, aq më tepër mbi viktima aq të pambrojtura si janë shqiptarët: kombi më i varfër, më i vetmuar e më i vartur i tërë Evropës.

Mediat shqiptare janë pasqyrimi më rrëqethës i këtij realiteti. Po i rrahe guximshëm si gazetar shqiptar temat "e ndjeshme", ty të kanoset përnjëherë rreziku nga shqipfolësit që luajnë kujdestarët e rendit lokal. E po ngulmove edhe më tej (nëse mbetesh gjallë!), atëherë do të gjenden qarqe të jashtme të të damkosin.

Sa herë ju merr mendja p.sh. që do të mund të shkruanit analiza te "Koha Ditore", e përditshmja më autoritative në Kosovë, për, ta zëmë, ëndërrën shqiptare për bashkim kombëtar, pa iu prerë asaj fondet e ndërkombëtarëve? Sa herë mund të shkruash te "Lobi" për korrupsionin shqiptar e sllav në Maqedoni, te "Rilindja Demokratike" kundër autokracisë së Berishës, te "ZiP" për djallëzirat e Nanos, te "Koha Jonë" për pushtimin e heshtur grek në Shqipëri?

Më e besueshmja është që as s'do t'ju jepej rasti kurrë, as sa për be!

Është lehtë që në ditët e sotme, kur është shtuar zhurma masmediale edhe te shqiptarët, të gabosh e të mendosh që ka kaluar koha e idealizmit. Mua s'më thotë mendja ashtu. Përkundrazi, sot është edhe më vështirë të jesh idealist, pikërisht për shkak të zhurmimit të shtuar. Ishte lehtë të ishte gazetar shqiptar në kohën e Konicës, kur gjërat ishin ende bardhezi. Sot kërkohet perspektivë më e hollë, zgjuarësi më e hollë, penë më e hollë. E vetmja që duhet trashur sot është boshti i kurrizit, pa dyshim.

Përmes këtij mesazhi, dua t'i falënderoj bashkëpunëtorët tanë, që e kanë vënë vazhdimisht perspektivën, zgjuarësinë e penën e vet të hollë në shërbim te opinionit shqiptar te revista PASQYRA. Përmes tyre e me ta, PASQYRA, përkundër të gjitha kufizimeve të veta, është ndër mediat e rralla shqiptare që mund të krenohet me pavarësinë e vet totale.

Mbi të gjitha duhet falënderuar lexuesit tanë të numërt. Qëkur doli edicioni i internetit, kemi mundur të vërejmë një mori rëniesh në ballinën tonë, kryesisht prej trojeve tona etnike, por edhe prej katër anëve të botës. Unë për vete dua të besoj, se opinioni shqiptar kështu dëshmon se e çmon analizën e paanshme e guximin qytetar të bashkëpunëtorëve tanë.

Tani kur PASQYRA i ka qitur hapat e parë në botën e internetit, ajo ka potencial të luajë rol prijatar, duke u hapur e treguar rrugën mediave tjera që duan ta ndjekin shembullin e saj. Poashtu, interneti i jep mundësi revistës PASQYRA të komunikojë me lexues në tërë hapësirën shqiptare, në vend se të kufizohet në ndonjërën prej ngastrave artificiale të saj.

Në të ardhmen, revistën PASQYRA do të përpiqem ta orientoj më tepër kah disa drejtime speciale. Mendoj se s’është e mirësjellshme t’i maltretojmë ata që duan ta lexojnë horoskopin, apo të mësojnë të gatuajnë ushqime, për këtë ka sigurisht sajte më të mira në internet. Në vend të kësaj, revista PASQYRA në vijim do të orientohet më tepër drejt analizave në lëmitë e politikës dhe ekonomisë. Ajo që lexuesi do të gjejë te ne është si vijon:

Pasqyrim të paanshëm të zhvillimeve në të gjitha trojet etnike
Pasqyrim të botës, nga këndvështrimi universal e nga ai shqiptar
Sinqeritet maksimal, deri në kufi të jokorrektësisë politike - meqë kjo na ka ardhur maje hunde!

Për sa thashë më lartë, unë mund t’ju jap besën. Do t'ju premtoj vetëm një gjë. Në qoftë se gjithçka shkon ashtu si duhet, e nëse vazhdoni të jepni kontributin tuaj, në fund të këtij viti s'do të ketë bir nëne që t'ju shtrojë dy pyetje: "Kush është PASQYRA?" dhe "Kë e mbështetni ju?". Sepse a) të gjithë që i thonë vetit se dinë shkrim-lexim do ta kenë marrur vesh se kush është PASQYRA, dhe b) po ata do ta dinë që PASQYRA nuk e mbështet askë tjetër, pos lirisë së mendjes e fjalës shqiptare.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:30
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË