NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Një rrugë e largët sa një ëndërr
BDI premton "Integrim të përshpejtuar"
Dakordim, apo "Qeveri të kurbanit"?
Turpëruesit e Shqipërisë
Ekonomia e Kosovës në komë
Çka zgjodhi Qoviçi në Luginë të Preshevës?
Viktima e re e racizmit grek
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Analistët grinden për rezultatet e zgjedhjeve kombëtare në Evropë:
EKSTREM I DJATHTË, APO KEQKUPTIM?

Sukseset e ekstremit të djathtë në shumicën e vendeve evropiane duken pasojë e një tërësie keqkuptimesh. Skaji i djathtë ka gjetur terren pasi klasa politike aktuale në Evropë ka dështuar të flasë hapur për multietnicitetin e shoqërive të tyre.

Shkruan: Iliriana BAJO

Një vit më parë kur Tony Blair dhe laburistët anglezë fituan zgjedhjet duke shënuar një fitore historike për të majtën angleze, historianë dhe analistë, nënvizuan faktin se merita e Tony Blair qëndronte në faktin se shkriu kufijtë mes së majtës dhe së djathtës tradicionale. Sipas tyre Blair ndoqi politika të djathta ekonomike dhe politika të majta sociale - ky ishte kyçi i suksesit të tij historik.

Pak javë më parë, afro një vit pas marrjes së mandatit të dytë si kryeministër, Blair, gjatë një takimi me homologun e tij gjerman, Kancelarin Gerhard Schröder, deklaroi se duhej të përgatiteshin për t’i bërë ballë ekstremit të djathtë.

Ishte humbja e kandidatit socialist në turin e parë të zgjedhjeve presidenciale franceze, kandidatit Lionel Jospin dhe kalimi në turin e dytë të garës presidenciale franceze të kandidatit të ekstremit të djathtë Jean - Marie Le Pen, që kishte vënë në punë sirenat e alarmait në Evropë.

Kalimi I Le Pen në turin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, solli mbi tryezë, diskutimet për fitoren e së djathtës daneze, portugeze e italine në më pak se një vit.

Votuesit evropianë, të papërgatitur?

Ndonëse mund të duket kundërshtuese, mes fitores historike të Tony Blair-it, dhe humbjes së Lionel Jospin-it ka një element të përbashkët.

Shkrirja e kufijve mes së majtës dhe së djathtës tradicionale që i dha fitoren Blair-it duket se pati ndikim të kundërt tek gara e Jospin-it. Sipas anketave të opinionit votuesit francezë të ndarë tradicionalisht në dy kampe të dallueshme, në të mjatë dhe në të djathtë, e gjetën veten në një pozitë të papëlqyeshme. Votuesit tradicionalë të së majtës u ndien të zhgënjyer nga një kandidat presidencial si Jospin, tek politikat e të cilit nuk dallohej ndryshimi mes të djathtës dhe së majtës, madje ai guxoi të shkonte dhe më tej duke u zhvendosur disi djathtas për të marrë dhe votat e së djathtës.

Ndonse Jospin ka qenë ndër kryeministrat francezë me rezultatet më positive, krahasuar me disa nga paraardhësit e tij, votuesit e majtë nuk ishin të gatshëm të pranonin një shkrirje të tillë. Kjo bëri që një pjesë e votuesve të përhershëm socialistë t’i jepnin votat e tyre për kandidatët e grupimeve apo partive të tjera të majta.

Ndërmjet letrave të shumta të mbështetjes që Jospin morri pas humbjes së garës presidenciale ishte dhe ajo e një aktivisteje socialiste nga Lioni, e cila shkruante se “ndihem fajtore për humbjen tuaj, pasi nga 5 votues në familjen time, asnjë nuk votoi për ju”.

Në fakt kjo dukuri e shkrirjes së kufijve tradicionalë mes së majtës dhe së djathtës është një dukuri që po vihet re thuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian. Dhe siç shihet jo gjithmonë ka dhënë rezultate positive si në Angli, pasi publiku si duket ende nuk është I mësuar pa kandidatë, që janë osë të majtë ose të djathtë.


“Të folurit e drejtpërdrejtë”

Ndër figurat më të njohura të cilësuara si të skajit të djathtë në Evropë janë Hajder në Austri, Le Pen në Francë, Bosi e Fini në Itali, si dhe Pim Fortuyn në Hollandë, i cili u vra ditë më parë se të zhvilloheshin zgjedhjet në këtë vend.

Thuajse të gjithë këta kandidatë kanë pas vetes grupime politike jo shumë të forta. Në fakt shumica e partive të ekstremit të djathtë në Evropë janë bërë rëndësore, kryesisht në saj të të shndërruarit në protagonist të udhëheqësve të tyre.

Por emrat e ekstremit të djathtë që ne përmendëm janë shumë të dallueshëm nga njëri tjetri. Le Pen dhe Fortuyn në fakt janë plotësisht të ndryshëm e shumë herë dhe të kundërt.

Ndërsa i pari është një konservator i skajshëm, i dyti ka qenë nje homoseksual i deklaruar. Hajderi viziton Sadam Hyseinin, ndonëse duken plotësisht të kundërt në bindjet e tyre.

Megjithatë ajo çfarë i bashkon është fakti se ata janë bërë protagonistë përmes të folurit të drejtpërdrejtë. Liderët e skajit të djathtë e trajtojnë elektoratin e vet sipas rregullit të artë të retorikës: “Nisu nga ajo që auditori është idiot, e shpjego gjithçka thjeshtë dhe prej fillimit”. Ata flasin lirshëm e bindshëm, pa u ndalur kurrë në detaje të bezdisshme. Ata përdorin gjuhën e elektoratit të vet, e jo gjuhën e establishmentit. Dhe, mbi të gjitha, i ofrojnë opinionit evropian një definicion të qartë për të gjitha problemet e ngatërruara të post-modernizmit, si dhe një mënyrë të thjeshtë të zgjidhjes së tyre: “T’i shporrim të huajt!”.

Të gjithë pa përjashtim kanë kritikuar qeveritë përkatëse për tolerimin ndaj emigrantëve, i kanë cilësuar këta si përgjegjës për problemet e sigurisë e kriminalitetin në vend. Suksesi i tyre dëshmon se kjo qenka bindje te një pjesë e mirë e evropianëve.

Ndërkaq thuajse janë shuar dallimet mes së majtës dhe së djathtës dhe debati publik mes tyre është bërë më i vakët, disi pa nerv, dhe nuk ka atë “tifozllëkun” tërheqës për publikun e gjerë.

Këtë vaktësi e kanë mbushur thirrjet kundër ardhësve, qarjet e racistëve se vendet e tyre janë shndërruar në vende ku nuk mund të shëtitet apo ecet lirshëm në çdo orë e në çdo vend. Anketa të opinionit nëpër vende të ndryshme zbulojnë që opinioni evroperëndimor beson se politikanët i ikin rrahjes së çështjeve “të ndjeshme” si emigracioni dhe lidhja e këtij të fundit me krimin.

Në mesin e votuesve të Le Pen në Francë apo të atyre që votat ia dhanë partisë së Pim Fortuyn në Hollandë ka nga ata që pohojnë se e kanë përdorur votën si një mjet presioni për të detyruar politikanët të diskutojnë me zë të lartë çështje të tilla tepër të ndjeshme.

Poashtu, zgjedhësit janë lodhur nga kërkesat për ndryshime, që vijnë prej vitesh nga të njëjtët politikanë.

Këto pakënaqesi janë shfrytëzuar më së miri nga ajo që thirret e djathta ekstreme në Evropë.

Çmimi i korrektësisë politike

Pim Fortuyn gjatë fushatës zgjedhore, por dhe më parë, i ka mëshuar fort asa që në qytetet hollandeze janë krijuar zona ku nuk vete dot hollandezi i thjeshtë. Sipas qytetarëve në Hollandë, këto zona ekzistojnë realisht. Veçanërisht në qytetet e mëdha si Amsterdami, Roterdam, Hagë, ekzistenca e këtyre zonave pranohet nga qytetarë të niveleve të ndryshme.

Sipas tyre, ardhës nga Afrika e Veriut, kryesisht nga Maroku, janë grumbulluar në disa lagje të caktuara të qytetit. Aty, thuhet, kriminaliteti është më i shtuar se në pjesë të tjera të qytetit. Gratë e vajzat s’enden dot andej pari, vazhdon argumenti, madje as ditën, meqë kërcënohen, u vidhen stolitë, e kështu me rradhë.

Për më tepër, ardhësit më të shumtë në vitet e fundit janë kryesisht nga Turqia dhe Ballkani. Mes tyre ka pasur dhe aso që kanë bërë nam në trafikun e drogës, armëve, prostitucionit. Këto janë thënë nga Fortuyn, ndërsa politikanët tjerë, politikisht korrektë, s’i kanë përmendur fare disa të vërteta. Me qëllim të mirë, sigurisht, por puna është se zgjidhjet e një problemi rëndom i definon ai, që e ka treguar me gisht problemin i pari.

Në Francë problemi i të huajve lidhet kryesisht me arabët e Afrikës së Veriut dhe me të ardhurit nga Afrika nënsahariane. Në lagjet popullore të qyteteve franceze, ku është përqëndruar popullsia e huaj, është fakt se statistikat mbi krimin e rrugës janë më të larta se në pjesët e tjera.

Të gjitha këto përdoren nga e djathta ekstreme. Ndonëse në mënyrë të njëanshme, pasi ekonomitë e këtyre vendeve kanë nevojë jetike për fuqi punëtore.

Në fakt ekstremi i djathtë në Evropë ka gjetur më shumë terren pasi klasa politike aktuale në Evropë ka dështuar të flasë hapur për multietnicitetin e shoqërive të tyre. Shoqëritë evropiano-perëndimore nuk janë më shoqëri homogjene nga pikëpamja kombëtare apo racore.

Kështu ndërsa kur flasim për Francën kemi parasysh tipin e francezit me beretë dhe bagetë në dorë. Në fakt asgjë nuk është më e tillë. Francezi i sotëm është tipi i mësipërm, por dhe arabi, afrofrancezi apo frankoaziatiku.

Në Francë jetojnë 5-6 milionë myslimanë, është një bashkësi e numërt e francezëve me ngjyrë, njësoj si amerikanët me ngjyrë dhe janë francezët me origjinë kineze, vietnameze, kamboxhiane. Shumica për shembull e francezëve me origjinë aziatike janë tani brezi i tretë apo i katërt. Të cilët njohin vetëm frëngjishten si gjuhën e tyre amtare dhe madje kanë humbur lidhjet me vendet e origjinës.

Po kështu dhe në Hollandë 10 për qind e popullsisë është e huaj, ndërkohë që ende kanë nevojë për fuqi punëtore, derisa ka një popullsi të plakur e lindshmëri të ulët. Thuajse të njëjtat shifra vlejnë dhe për Britaninë, apo vendet e tjera të BE-së.

Megjithatë nëse përjashtojmë fusha si sporti apo muzika në këto vende është e veshtirë të gjesh politikanë e njerëz të tjerë të rëndësishëm me ngjyrë, apo me prejardhje tjetër racore. Kështu nëse ndërron kanalet franceze të televizionit është thuajse e pamundur të gjesh një reporter me ngjyrë apo nje gazetar lajmesh me me origjinë aziatike.

Mossuksesi i shoqërive për të përfshirë në jetën politike apo fusha të tjera vendimmarrëse, të qytetarëve vendas, por jo të së njëjtës racë, po shfrytëzohet nga ekstremi i djathtë.

11 shtatori dhe e djathta evropiane

Propagandës së të djathtës ekstreme i kanë ardhur në ndihmë ngjarjet e 11 shtatorit, sulmet terroriste mbi kullat binjake në New York dhe mbi Pentagon.

Duke qenë se një numër i konsiderueshëm në mesin e emigrantëve në Evropë janë të besimit islam kjo ndikoi që ata të identifikoheshin në një shkallë apo në një tjetër me ata që realizuan sulmet terroriste.

Kështu, mësuesja i thotë një nxënëseseje 8 vjeçare myslimane në Hollandë se dhe ti je përgjegjëse për ato që ndodhën në 11 shtator. Në Austri, shumë arabë kanë marrë përmes postës elektronike mesazhe të tilla si “Shko në Afganistan dhe vdis”. Këta janë shembuj se 11 shtatori ka rritur shkallën e mospranimit në shoqëri tradicionalisht pritëse. Këto janë vërtëtuar nga Qendra për Hulmtime të Opinionit me qendër në Vjenë.

Ky moment dobësie i publikut sërish është shfrytëzuar nga grupet e së djathtës ekstreme.


A kërcënohen shoqëritë evropiane nga ekstremi i djathtë

Në fakt sukseset e ekstremit të djathtë në shumicën e vendeve evropiane duken pasojë e një tërësie keqkuptimesh.

Shoqëritë evropiane, pavarësisht nga ulje ngritjet janë qenë shoqëri pritëse dhe kanë mekanizmat që te ruajnë prej skajit të djathtë. Megjithatë pranimi se shoqëritë evropiane nuk janë më homogjene etnikisht e në aspektin racor është i nevojshëm dhe duhet bërë sa më parë. Ky është një hap i rëndësishëm për të parandaluar “keqkuptimet” ekstremiste në të ardhmen.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:29
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË