NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
BDI premton "Integrim të përshpejtuar"
Dakordim, apo "Qeveri të kurbanit"?
Turpëruesit e Shqipërisë
Ekonomia e Kosovës në komë
Çka zgjodhi Qoviçi në Luginë të Preshevës?
Ekstremi i djathtë, apo keqkuptim?
Viktima e re e racizmit grek
 
AKTUALITET VITI IV - 15 QERSHOR 2002

NJË RRUGË E LARGËT SA NJË ËNDËRR

Shkruan: Xhafer SHATRI

Natyrisht se duhet të kërkohen ndihma e kredi për të ndërtuar rrugën Durrës Prizren, por parasegjithash duhet provuar dhe mundësitë vetanake, konkretisht duke shkundur edhe xhepat shqiptarë.
Dhe sidomos duhet të funksionojë shteti: polici duhet të jetë polic e jo hajdut, doganieri të mos jetë plaçkitës, funksionari të mos jetë maskara.

Historia

Ne mesvitet nëntëdhjetë, kur në ish-Jugosllavi luftërat bënin kërdi dhe kur shihej se as Kosova nuk do të mund t’i shmanget më të keqes, kryetari i atëhershëm dhe i tashëm i Kosovës, Ibrahim Rugova, në njërën prej gjumave të tij hodhi idenë për ndërtimin e rrugës Lezhë-Prizren. Kjo ishte si kallëzimi i një ëndërre dimërore për qërshitë. Pak kush i frikësohej asaj që vinte: se kjo rrugë shpejt do të kthehej ne një lumë që do të bartë qindra mijëra ikanakë mbi të cilët rëndonte tmerri e dhimbja kosmike. Ata do lënin në pamëshirën e zjarrit dhe urrejtjes serbe shtëpitë, tokën, të gjallët dhe të vdekurit e tyre.
Nuk vonoi shumë dhe po kjo rrugë jetoi kthimin e madh të njerëzve, të shpresës, të lirisë që në Kosovë kishte munguar mbi 20 shekuj.
Do të mjaftonte historia gjysmëvjeçare e kësaj rruge për të qenë ajo më shumë se një arterie komunikimi, më shumë se një faktor rëndësor zhvillimi ekonomik e kulturor kombëtar e rajonal.

Zhgënjimi

Pas Luftës nëpër këtë rrugë filluan të kthehen në Kosovë mërgimtarët e saj të shumtë. Ata që kishin edukuar fëmijët e tyre me një dashuri të pakufishme për Kosovën dhe për Shqipërinë do kthehen familjarisht në Kosovën e lirë dhe këtë kthim do ta bëjnë nëpër Shqipëri! Ata dikur këtë kthim vetëm kanë mundur ta ëndërrojnë.
Këta që kishin jetuar një jetë të tërë në vendet më të zhvilluara perëndimore gjatë kthimit do të përballen me një zhgënjim të dhimbshëm. Që në portin e Durrësit do të takojnë llymin e burokracisë ballkanike: Mbush këtë formular, paguaj këtë taksë, paguaj dhe këtë zotëriun që po të ndihmon të kryejsh këtë procedurë më shpejt, paguaj diçka dhe për shokun polic, diçka për shokun kryedoganierë etj., etj. Dhe kjo nuk përfundonte me kaq. Sepse plaçkitja nuk do të ndalej deri në Qafë të Morinës! Dënime me të holla për pikë të qejfit, plaçkitje me pretekstet më grotesk.
Apo e ashtuquajtura «përcjellje me stafetë», kur vargani prej dhjetra ose edhe qindra veturash përcillej nga një patrullë e policisë se një rrethi deri te patrulla e policisë së rrethit tjetër, e ku vargani detyrohej të presë nga pesë orë, sepse patrullës së policisë nuk i ecej përpara pa pas marrë haraçin e vet…
Në këtë rrugë ka pasur edhe mërgimtarë që janë vrarë nga bandat, të cilat, sipas mediave vendore kanë bashkëpunuar dhe me policinë. Me një fjalë kjo rrugë në kujtesën e mërgimtarëve të Kosovës e mori emrin që nuk do të guxonte ta merrte kurrë: rruga e plaçkitjes dhe poshtrimit që bëheshin në emër të shtetit shqiptar!

Projekti

Pasojat ekonomike, pa folur për ato politike e morale, të këtij trajtimi krejt të papërgjegjshëm mund të merren me mend: qindra mijëra mërgimtarë edhe sot kthehen përmes Malit të Zi, Greqisë e Maqedonisë, duke paguar taksa të rrasta rruge e transiti. Një pjesë e mirë prej tyre kalojnë ndonje ditë pushimi në bregdetin grek e malazez… Ndërkohë që me një përkujdesje minimale të shtetit shqiptar rruga Durrës - Qafë e Morinës do të bëhej një burim i konsiderueshëm për ekonominë e brishtë shqiptare.
Në këtë kuadër nisma e kryeminsitrit Pandeli Majo për ndërtimin e kësaj rruge strategjike ndërshqiptare është mbështetur jo vetëm nga mërgimtarët por nga i gjithë opinioni kosovar.

Mundësitë vetanake

Me rastin e planifikimit dhe zbatimit të këtij projekti madhor duhet paraparë edhe mundësinë e kontributit të atyre që janë nevojtarët më të mëdhenj të tij, pra të mërgimtarëve. Në vende të zhvilluara si Franca, Italia etj., në jo pak akse nacionale ka peage (vendpagesa per taksën e rrugës).
Por për të filuar kjo praktikë paraprakisht duhet forcuar prezencën efektive të policisë rrugore, duhet mbykqyr trafikun, duhet ndëprerë keqtrajtimin e njerëzve në doganë dhe në rrugë. Në këtë rast do të ishte normale që çdo veturë e jashtme që hyn e Shqipëri në Qafë të Morinës apo në portin e Durrësit të paguajë, ta zëmë, një taksë prej 10 eurosh dhe tiketën ta kthej detyrimisht pastaj në doganën në dalje, pra ne Durrës ose në Qafë të Morinës. Në këtë mënyrë edhe do të kontrollohej abuzimi i mundshëm me shtypjen e tiketave false, por edhe do të evitohej vjedhja e parave.
Fillimit të kësaj praktike do të duhej dhënë një publicitet meritor në media gjithandej.
Në të kundërtën, pra nëse vazhdohet si gjer më tani, një sasi e konsiderueshme e kursimeve të mërgimtarëve tanë do të shkonin në arkën e Malit të Zi ose Greqisë e Maqedonisë. Dhe ndoshta dhe për këtë fakt dhe për të pasur mundësi qarkullimi më të lehtë nëpër Mal të Zi, vetëm në një kanton të Zvicrës konsullata serbe ka shpërndarë vikendin e kaluar hiç më pak se 800 pasaporta që u janë dhënë shtetasve të Kosovës. Për të qenë dhe me keq, k listat e marrësve të tyre do t’u dorëzohen edhe institucioneve ndërkombëtare për të provuar në mënyrë krejt konkrete «lojalitetin» e mëtejmë të kosovarëve ndaj Beogradit.

Bashkëpunimi Tiranë-Prishtinë duhet të jetë më konkret

Në realizimin e këtij projekti një kontribut rëndësor do të duhej të japin edhe institucionet e Kosovës. Së pari duke u bërë thirrje shtetasve që të mos marrin më pasaporta serbe, që të jenë në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë shqiptare, duke kërkuar që kjo arterie e rëndësishme komunikimi ndërshqiptar të jetë të paktën e sigurtë për tranzit, që krahas ndërtimit, zgjërimit e asfaltimit, në rrugën ekzistuese të bëhen riparime në vazhdimësi: mbushje gropash, hapje e pompave të benzinës pranë rrugës, parkpushime qoftë edhe të improvizuara etj.
Kjo edhe sepse patriotizmi pa një mbulesë konkrete gjithnjë e më tepër po kthehet në karikaturë.
Edhe mediat do të mund të luanin një rol të rëndësishëm po qe se do të përcillnin rregullisht atë se çka po ndodhë në këtë rrugë. Pa munguar të jenë prezente në portin e Durrësit por dhe gjithandej, ku gazetaria hulumtuese nuk ka vënë kurrë këmbën.
Ky aks i rëndësishëm që do të lidhte tokësisht Kosovën dhe Veriun me Jugun e Shqipërisë e të gjithë tok me Evropën ka nevojë imanente dhe për trajekte vendore, të një cilësie më të lartë e shërbimi me standarde evropiane, sepse përmes tyre në Shqipëri nuk do të vërshojnë vetëm mërgimtarët por dhe turistët që janë oksigjen i domosdoshëm për mëkëmbjen ekonomike të vendit.
Natyrisht se duhet të kërkohen ndihma e kredi për të realizuar këtë projekt, por parasegjithash duhet provuar dhe mundësitë vetanake, konkretisht duke shkundur edhe xhepat shqiptarë.
Dhe sidomos duhet të funksionojë shteti: polici duhet të jetë polic e jo hajdut, doganieri të mos jetë plaçkitës, funksionari të mos jetë harbut.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:29
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË