NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
DOSSIER VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Kur e nguc lemza teknologjinë moderne:
SPIUNAZHI I NATO-s LIVE NË TV

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Nëse edhe ju si unë bëni pjesë ndër ata që e bekojnë përditë parabolën satelitore, pritni veç sa të dëgjoni për atraksionin më të ri. Me një "saç" të mirë e me pak njohuri themelore sa kah i bien anët e horizontit, në ekranin tuaj do të mund t'i ndiqni live imazhet më taze nga spiunazhi supersekret i NATO-s në Kosovë.

Tingëllon si vic, por është bash përnjëmend. Imazhet prej fluturimeve këqyrëse të NATO-s në Ballkan transmetohen përmes një linku të pashifruar satelitor. Kësisoj, secili që ka saç mund t'i ndjekë live, nga një kolltuk i rehatshëm te shtëpia, operacionet më senzitive të aleancës perëndimore. Diçka si James Bondi 007, me dallimin se s'ke nevojë ta thesh ligjin e as një shteti për be. Transmetimet bëhen përmes një sateliti komercial. T'i gjesh ato është më lehtë, se sa ta gjesh një kartelë për t'i parë vizatimorët në Disney.

Batajnica Kampi Bondsteel

Zbulimi u bë në nëntorin e shkuar nga një amator anglez i emisioneve satelitore. Entuziasti Xhon Llok u ka thënë mediave britanike se ka rënë copë t'u tërheqë vërejtjen amerikanëve për këtë lapsus me telefon, me telefaks e me postë elektronike qysh prej nëntorit.

"-Ani çka? Ky është problem i njohur në pajisjet tona teknike", i është përgjegjur z. Llok një epror i lartë i NATO-s, pasi që ky më në fund ka telefonuar edhe në selinë e aleancës.

I irrituar nga ky qëndrim moskokëçarës i ushtarakëve, z. Llok vendos më në fund javën e shkuar që t'i drejtohet publikut. E pastaj, mund ta merrni me mend edhe vet se ç'ndodh. Me të botuar të lajmit te media prestigjioze britanike BBC, administratën ushtarake të NATO-s e zënë ethet.

"-Imazhet janë josekrete. Ato nuk i zbulojnë asgjë me vlerë armikut potencial", u tha këtyre ditëve mediave britanike një epror i lartë amerikan, me pamje fort bindëse të fytyrës.

"-Transmetimet nuk zbulojnë as tipin e fluturakes, as pozitën e saj", plotësoi një tjetër.

Gjurmim Magjistralja Ferizaj

E vërteta, sikundër që mund ta konfirmoni edhe vet te revista PASQYRA, është krejt e kundërt. Simbolet nëpër skajet e imazheve e dëftojnë saktësisht pozitën, lartësinë dhe kursin e fluturakes. Ndërsa ata që i ndjekin transmetimet rregullisht mund të mësojnë shumëçka për kapacitetin teknik të fluturakeve më të sofistikuara këqyrëse, si ato të tipit P-3 Orion e ato pa pilot: NATO-ja kanë menduar edhe për ata që s'e dinë dallimin mes tyre, meqë kodi "P-3" ose "Hunt" qëndron në skaj të imazhit!

”Tëhollimi” afgan

Ekspertët perëndimorë që e kanë komentuar ngjarjen natyrisht që s'i kanë blerë pallavrat e NATO-s, po thonë haptazi se inteligjenca e NATO-s ka bërë lëshim kardinal.

Fluturimet këqyrëse të NATO-s në Kosovë kryhen kryesisht prej amerikanëve. Në udhëzimet e departamentit amerikan të mbrojtjes thuhet katërçipërisht se imazhet direkte prej fluturakeve pa pilot duket klasifikuar përherë si "Sekret". Transmetimet e imazheve nga Kosova, të cilat po vazhdojnë e pakta qysh prej nëntorit të shkuar e edhe përkundër vërejtjeve të jashtme, janë pra një dekonspirim drastik që është në kundërshtim total me Procedurat standarde të operimit (SOP).

Ekspertët perëndimorë vlerësojnë se kapaciteti shifrues i aleancës perëndimore, e angazhuar deri në fyt në Afganistan, për momentin është tëholluar tepër. Andaj NATO-ja s'ka pasur shteg tjetër pos të përdorë kanale të pashifruara e komerciale për transmetim të imazheve supersekrete nga Ballkani, e t'i bëjë gishtat kryq me shpresën se kjo s'do të vërehet prej dikujt.

Sepse këtu s'është fjala vetëm te Kosova. Transmetime të imazheve supersekrete ka edhe prej zonave më senzitive të Bosnës e të federatës serbomalazeze, si p.sh. prej zonës restrektive rreth aeroportit ushtarak serb Batajnica jashtë Beogradit.

Andaj ndoshta s'është për t'u habitur fare se pse NATO-ja po koritet, tri herë rresht vetëm sivjet, në gjahun e vet kundër kriminelëve të luftës në Bosnje. Muajin që shkoi, S-Fori madje hyri me ushtarë një qendër ndërlidhëse boshjakoserbe, meqë vërehej qartë se serbët kishin informacion të avancuar për operacionet gjurmuese të NATO-s. Trupat e S-Forit sekuestruan me atë rast datorë e dokumente "të dyshimta": kurse tash ekziston rreziku, pse jo, që NATO-ja t'i sekuestrojë edhe televizionët e rëndomtë!

Në rastin e Kosovës, revista PASQYRA mund të zbulojë se fluturimet këqyrëse drejtohen prej ushtrisë dhe marinës amerikane, si dhe prej "Air Scan Incorporated", një sipërmarrje private ushtarake me seli në Floridë që është kontraktuar prej ushtrisë amerikane.

Misioni i këqyrjeve është të vëzhgohet kufiri i Kosovës, në radhë të parë ai me IRJM-në ("Maqedoninë"). Objektiv parësor janë guerilët shqiptarë të AKSH-së dhe strofkat e armëve të tyre, por edhe sjellja e aktorëve tjerë në terren.

Fluturaket këqyrëse me e pa pilot mund t'i afrojnë imazhet prej distancës 3.2 km me saktësi nën 1 m. Informacioni i pozitës është i ndërlidhur me sistemin UTM (Universal Transverse Mercator), që mund të konvertohet urgjentisht në sistem të shënjestrimit për armë të telekomanduara. Fluturaket janë të pajisura me thjerrëza infrakuq për këqyrje natën, e disa prej tyre kanë edhe radar special që mund të këqyrë në mjegull të dendur.

Transmetim falas në 4 kanale

Staeliti Telstar 11 - Fusha e transmetimit Pamje nga larte e Vitisë

Transmetimet supersekrete të NATO-s u zbuluan vjet herët në nëntor. Anglezi Xhon Llok, tek po i kontrollonte rutinisht kanalet satelitore, vuri re që ishin shtuar gjashtë kanale të reja në satelitin komercial Telstar 11, të stacionuar mbi Brazil.

Telstar 11 i distribuon transmetimet televizive dhe radiofonike në Evropë dhe në Amerikën Veriore. Ai operohet prej ndërmarrjes "Loral Skynet", që është një nëndarje e sipërmarrjes "Loral Corporation". Gjashtë kanalet e reja përmbanin dy transmetime të CNN-it me destinacion trupat amerikane, si dhe katër linqe direkte prej fluturakeve këqyrëse, aso me pilot e pa pilot.

Ato transmetime mund t'i ndjekë secili që e ka një parabolë satelitore, "saçin", dhe një televizion që i punon. E vetmja gjë që duhet të dish janë anët e horizontit.

Vetëmse duhet nxituar. Ai a ajo që e ka ndërmend t'i shijojë 4 kanalet falas të spiunazhit të NATO-s në satelit duhet ta dijë që teknikët amerikanë janë duke punuar ethshëm për t'ia prishur qejfin, duke kërkuar në tym një mënyrë urgjente të shifrimit.

PASQYRA E FAKTEVE

RQ-5/Hunter

Aeroplani Hunter  

RQ-5/Hunter (më herët BQM-155) e fitoi garën e Ushtrisë së SHBA-ve për ajror pa pilot me rreze të shkurtë më 1988. Fluturoi së pari në mars 1991. Pas tri rrëzimeve në gusht-shtator 1995, prodhimi serik u ndalua. Përmirësimet në kontroll cilësor e kanë bërë këtë tip ajrori model të besueshmërisë. Janë livruar gjithsejt shtatë sisteme me nga tetë fluturake secili, që mund të nisen edhe prej luftanijeve. Mund të pajiset edhe me raketa të telekomanduara. Modeli Hunter mund të konvertohet në E-Hunter (Endurance Hunter) në afat prej tri orësh, me montim të shtojcave në flatra. Vlerat e tipit E-Hunter janë vënë në paranteza.

Karakteristikat

Propelerë: 2
Ekipazhi: Nuk ka
Armatimi: maks 1 raketë "të mençur"
Gjatësia: 6.98 (7.46) m
Pesha: maks 400 kg
Rrezja e flatrave: 6.98 (16.61) m
Motori: 2 x Motto Guzzi
Ajëron: maks 12 (24) orë
Rrezja e veprimit: 50 (125) km
Lartësia: 4.5 (6.1) km
Shpejtësia: maks 197 km/orë
Navigimi: Paraprogramuar (pikëza)/autonom/kontroll direkt
Tokësimi: Konvencional (pistë)/emergjent (parashutë)
Linqet e datave: 4-5 GHz/5-6 GHz OCONUS
Shpejtësia e transmetimit: rreth 7.3 kb/sek
Sensorët: Radar/Infrakuq


P-3C Orion

Aeroplani Orion

P-3C Orion është platforma e graduar e Marinës së SHBA-ve për këqyrje ajrore. Është ndër veglat më besnike të marinës amerikane, modelet fillestare në prodhim serik qysh në mes të viteve 1950. P-3C Orion është në prodhim serik prej vitit 1969. Dislokohet rëndom në skuadra prej tetë ajrorësh, të a.q. "Patrollat e Aviacionit Detar" (MPA).

P-3C Orion pajiset rëndom me armë antidetare, por versioni i graduar i është përshtatur kërkesave të reja të këmbësorisë detare (marincave) për amfiteatër të luftës urbane. Harpoon Stand-Off Land Attack Missile (SLAM) është një nga këto armë të reja për përdorim të saktë ajër-tokë matanë horizontit, të cilat e kanë kthyer luftajrorin P-3C Orion në "skalpel" të këmbësorisë detare amerikane.

Karakteristikat

Propelerë: 4
Ekipazhi: min 5; opt 11; maks 25
Armatimi: mitralozë të rëndë, 9 t/2 raketa, bomba, mina, silurë
Gjatësia: 63.39 t
Rrezja e flatrave: 30.37 m
Motori: 4 x Allison T56-A-14 nga 4.500 kuajfuqi secili
Ajëron: 10-13 orë
Rrezja e veprimit: maks 2.500 km
Lartësia: maks 8 km
Shpejtësia: maks 611 km/orë

SI I GJEN KANALET E SPIUNAZHIT

T'i gjesh imazhet supersekrete të NATO-s nga misionet e spiunazhit mbi Kosovës është më lehtë, se sa t'i gjesh vizatimorët në kanalin satelitor Disney.

Sateliti që i transmeton imazhet e spiunazhit quhet Telstar 11 dhe qëndron mbi Brazil. Sateliti Telstar 11 është pronë e ndërmarrjes "Loral Skynet", që është një nëndarje e sipërmarrjes amerikane "Loral Corporation".

Telstar 11 i distribuon transmetimet televizive e radiofonike në Amerikën Veriore tekderi në Feniks e në Denver, si dhe në Evropë tekderi në Stamboll, në Kiev e në Talin.

Përpos katër linqeve direkte e të pashifruara të NATO-s, Telstar 11 i transmeton edhe dy kanale të shifruara të CNN-it, si dhe kanalet NTL, Channel 5, Performance, Viacom, si dhe TV Polonia. Telstar 11 distribuon edhe kyçje në internet të zgjeruar (broadband) si dhe multimedia.

Transmetime e pashifruara audiovizuale mund t'i ndjekë secili që e ka një parabolë satelitore, "saçin", dhe një televizion që i punon. E vetmja gjë që duhet të dish janë anët e horizontit. Për Evropë, Telstar 11 ridistribuon prej 37.5° Perëndim, në transponderët 28 Ku-band @ 54 MHz si dhe 6 Ku-band @ 36 MHz.

Frekuencat evropiane janë 11.45 - 11.7 GHz, 14.25 - 14.5 GHz, 12.5 - 12.75 GHz, si dhe 14.0 - 14.25 GHz. Në Ballkan, këndi i vështrimit është në latitudën rreth 41, longitudën rreth 28-29, azimutin rreth 254.5, ndërsa pjerrtësinë rreth 9.5 shkallë.

Transmetimet direkte prej fluturakes pa pilot RQ-5/Hunter dallohen prej siglës "Hunt" në skaj të imazhit dhe nga ajo se nuk kanë zë/ton. Kurse transmetimet direkte prej fluturakes me pilot P-3 Orion e kanë siglën "P3", e në to mund të dëgjohet edhe komunikimi i pilotëve me bazën.

Frekuencat e kanaleve të NATO-s janë 11495 H / tp 14U. Vizualin prej fluturakes RQ-5/Hunter e gjeni te kanali 4/3105. AirScan transmeton në kanalin 6/5153. P-3 Orion transmeton në 7/6177, me audion e pilotëve në 6178.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:29
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË