NUMĖR 64
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
Një rrugë e largët sa një ëndërr
BDI premton "Integrim të përshpejtuar"
Dakordim, apo "Qeveri të kurbanit"?
Ekonomia e Kosovës në komë
Çka zgjodhi Qoviçi në Luginë të Preshevës?
Ekstremi i djathtë, apo keqkuptim?
Viktima e re e racizmit grek
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 QERSHOR 2002

Zhbërja e shtetit
TURPËRUESIT ESHQIPËRISË*

Shkruan: Ferid SHALA


Shqipëria për Kosovën vazhdon të mbetet një metaforë. Në shumëçka që ndodhë atje edhe ne “kosovarët” shpeshherë jemi pjesëmarrës. Pa përjashtuar dhe arsyet, në të këtejmit kemi glorifikuar gjithashtu Enver Hoxhën edhe në kohën e delirit më shkatërrues për vendin, kemi mbështetur parezervë Berishën madje dhe kur bënte faje, nuk ua kemi thënë atë që meritojnë as këtyre aktualëve, madje as kur po i shkërmoqin themelet e shtetit shqiptar.
Nuk është fjala vetëm për keqardhjen, por edhe për drojën “mos po e bëjmë edhe më keq”, “mos të dalë kjo hata prej nesh”, thuase bota nuk ka sy për të parë. Kjo drojë ka mbytur në heshtje jo pak faje e poshtrime që “kosovarëve” ua kanë bërë përfaqësuesit apo strukturat e shtetit shqiptar. Kjo vazhdon edhe sot. E nuk është më koha as për drojë, as për keqardhje. Plangprisëve, maskarenjve dhe plaçkkitësve që veprojnë në emër të shtetit shqiptar duhet çjerrë maskën. Në mos për asgjë tjetër, të paktën për të mos u bërë bashkëfajtorë.


Korrupsion i përdalë apo plaçkitje e institucionalizuar?

Sipas disa përllogaritjeve, rreth 400 mërgimtarë pritet të vijnë për t’i kaluar “pushimet” e verës në Kosovë. Është ajo pjesa shtegtuese që ia ka mësyrë vendit nëpër ajër, nëpër tokë dhe nëpër det. Gjithë ky trirrugëtim bëhet në një heshtje fyese përballë dramave që nuk i përthekojnë as kapakët e një libri.

Më 12 të këtij muaji, në orën 23, nga porti i Barit u nis për në Durrës një trajekt grek i mbushur me mërgimtarë. Mes tjerësh ishim rreth 200 veta që ktheheshim në Kosovë. Shumica nesh kishim edhe fëmijët, që për herë të parë ktheheshin në atdheun e tyre. Fëmijë të të arratisurve, lindur e rritur në mërgim, dhe të mbrujtur me një ëndërr dhe me një gjakim për ta parë një ditë tokën e Kosovës.
Pas një rrugëtimi nëpër detin e trazuar, shumica pa vënë gjumë në sy, arritëm në portin e Durrësit, të enjtën më 13 korrik, në orën 8:30 të mëngjesit. Në trajekt hyri policia, na dha për t’i mbushur fletëhyrjet dhe fletëdaljet, na i verifikoi pasaportat.
Porsa i radhitëm veturat në port, na vërshuan lypësit dhe disa civilë që na kërkonin dokumentet për t’i kryer procedurat. Një i tillë m’u afrua: “Merr dokumentet dhe eja pas meje!” I shkova mbrapa. Në një qymez ma fotokopjoi librezën e veturës dhe pasaportën. M’i kërkoj 5DM për fotokopjen. Pastaj m’i kërkoj edhe 10DM për një kafe. Ia dhashë, pastaj më tha të pres në radhë te një sportel për të marrë një vërtetim për hyrjen e veturës. Vetëm atëherë mora vesh se ai nuk ishte nëpunës, por matrapaz që ishte futur në port nëpër derën të cilën e ruante policia dhe ushtria.
Në sportel shtyheshin nja 7-8 veta. Nuk respektohej fare radha. Një mërgimtar nga Kosova i bërtiti njërit që nga prapa fuste dokumentet e të tjerëve në sportel: “Mjaft se po pres tash një orë!” Dhe, ai nga prapa pa një pa dy nxori librezën (më dukej se ishte e pjesëtarëve të SHIK-ut) dhe i tha: “A do të të jap kobure kokës, apo ndonjë presh! Unë jam këtu për të mbrojtur themelet e këtij shteti!” E shikova me vëmendje: ishte një trashaluç i shkurtë, krejt i ri, me sy të kaltër që i rrotullonte sa andej sa këtej për të hetuar përshtypjen e fjalëve të tij te ne të tjerët. Njëri prej atyre që priste në rend, kishte më vete të birin, rreth 14-vjeçar, i cili nuk kishte qenë kurrë as në Kosovë as në Shqipëri. U zbeh fëmija si meit nga sjellja e mbrojtësit të themeleve të shtetit shqiptar.
Për fat nuk kishte shumë njerëz dhe dikur na erdhi radha edhe neve. Na dhanë nga një vërtetim dhe na drejtuan te doganieri për t’u regjistruar sërish. Para se të shkoj aty, më erdhi prapë ai “zyrtari” i parë: “Duhet ca lekë për doganierin!” E shikova me vëmendje dhe i thashë prerë: “Mjaft të dhashë!”
Mirëpo, te dera e doganierit ishte një civil tjetër, shoku i tij. M’u desh t’ia jap edhe atij 10DM. Do të thuani pse? Sepse asnjëri prej nesh nuk e dinim se për çka dreqi ishte fjala dhe se ne nguteshim të kalonim rrugën Tiranë-Morinë pa rënë nata. Doganieri ma regjistroi emrin dhe vetëm atëherë më thanë të ec përpara. Kur mendova se kalova portin, pashë dy ushtarë të armatosur që urdhëruan të radhitim veturat. Njëri prej tyre i kërkonte çdonjërit fletësigurimin e veturës, thuajse kjo ishte punë e ushtrisë. E gjeta dhe ia dhashë. M’u duk se nuk i erdhi mirë. Gjatë tërë kohës përpiqesha të përmbahem, në mënyrë që fëmijët e mi që, siç thashë më lart, për herë të parë vinin në Shqipëri dhe shkonin në Kosovë, të mos vërejnë pisllëkun e shtetit, për të cilin ne prindërit e tyre u kemi folur aq shumë, saqë kur përmendet emri i tij, çohen në këmbë.

Murrjelat

Më në fund dolëm nga rrethojat metalike të portit në rrugë. Na vërshuan lypësit. Kjo na bëri që të ikim sa më parë prej aty, në mënyrë që të takohemi më vonë në dalje të qytetit dhe të bëhemi bashkë. Ishim vetëm dy vetura. Përpara shkonte B. Bytyqi nga Shtimja në një audi me regjistrim të Gjermanisë, ndërsa pas tij unë. Prej Durrësit e deri përtej Fushë-Krujës e ndalën tri herë. Që të trija herët e gjobitën me nga 20DM. E gjobitën për “shpejtësi të tepruar”. Mua nuk më ndalën, edhe pse shkoja ngjitur me të. Pas të tretës herë më tha: “Apo del ti përpara se më sakatuan!” Dola para tij, mirëpo nuk kemi udhëtuar as 5 kilometra, kur e ndalën prapë, të shkretin. E gjobitën sërish, sepse ia njihnin tabelat e përkohshme me datë të skadimit, sepse ai kthehej përgjithmonë në Kosovë dhe nuk i shqiteshin, si murrjelat.
Më në fund arritëm në Rubik. Një qytezë malore bri një lumi që gati ishte shterrë. Aty na ndali polici dhe na tha: “Duhet të pritni të vijnë të tjerët, sepse kemi urdhër prej ministrit që t’u përcjellim deri në Morinë, për shkak të rrezikut nga bandat. Gjersa të vijnë të tjerët mund të shkoni në lokal.” Lokal quhej një shitore që e kishin kapluar mizat. Ndejtëm jashtë duke i pritur të tjerët. Dhe ata erdhën njëri pas tjetrit. U bëmë krejt 18 makina. Dhe vazhduam të presim. Pasi kaloi mbi një orë, iu afruam policit dhe pyetëm edhe sa duhet të presim. “Po ja edhe një çik, sepse është urdhër i ministrit…” Na digjte dielli dhe s’kishte kund hije për të futur kokën, sepse ishim në qendër të fshatit, mu përballë komesariatit.
Duhej të pritnim, ndaj filluam të bisedojmë e të njihemi më mirë me njëri-tjetrin. Gruaja ime i fliste një bashkudhëtares nga Mitrovica për mallin e fëmijëve tonë për t’u kthyer në Kosovë: “Sidomos vajza është krejt e papërmbajtur: po më thotë se porsa të hymë në Kosovë, do të ulem në të dy gjunjtë për ta puthur tokën! Ka 15 vjet që po pres këtë ditë!” Ajo vetëm para një muaji i ka bërë 15 vjet!
Ne Rubik arritën edhe katër vetura të ngartësit e të cilave qysh në port të Durrësit kishin bërë pazar me një kukësian që t’i përcjellë deri Morinë, por me kusht që t’ia japin 200DM. Mirëpo, ky farë përcjellësi, kur na ndali policia aq gjatë, u mërzit dhe kërkoi hesapin e tij deri aty. Ia dhanë 70DM dhe memzi u ndanë prej tij. U kthye, si duket, për t’u përkujdesur për të tjerët, që do të arrinin sonte ose nesër në mëngjes!

Karvani i pengjeve

Pas dy orë pritjeje iu drejtuam policit pak më seriozisht: “A e keni ndërmend të na përcillni, apo të ecim vetë.” “Jo, duhet të prisni!” na tha i acaruar. Dikur ne këmbëngulëm më shumë dhe filluam të ndërrojmë edhe fjalë të rrepta me ta: ose na nisni, ose na lini të shkojmë! Nuk çanin kokën për atë punë. U përpoqëm të bisedojmë edhe me komandantin, i cili rrinte anash kolonës tonë dhe na vështronte. “Urdhëri është nga lart dhe ju duhet të pritni!”
Vetëm pas tri orësh na urdhëruan të nisemi. Në dalje të Rubikut na dorëzuan te patrulla e një lokaliteti tjetër, e cila shkonte para nesh me dritat e ndezura të alarmit. Kjo patrullë kishte kërkuar që ne t’ia paguajmë benzinën. Njëri, në krye të kolonës, ua kishte dhënë 60DM. Më vonë kësaj patrulle iu bashkangjitën edhe disa të tjerë. Ishin civilë, por me revole në brez dhe me motorola në dorë. Si duket ishin të SHIK-ut. Gjersa pritnim të bashkohet kolona, njëri prej tyre, na tregonte se sa njeri i madh ka qenë Enver Hoxha. E dëgjonim kah fliste bri një rruge të shkatërruar që gjarpëronte bjeshkës së zhveshur. Një koleg i tij na tregoi se si kanë arrestuar dje një mashtrues që u merrte kosovarëve të holla për t’i përcjellë gjer në Kukës dhe se si dy ditë më parë ka arrestuar dy pjesëtarë të bandave që po plaçkisnin një kosovar. “Ju nuk duhet t’u jepni të holla policëve. Ne na paguan shteti… Unë kam punuar 28 vjet si ushtarak…” Ia shikoja teshat civile krejt të hjerra e sytë livritësdhe nuk e dija se sa mund t’u besojë njeriu fjalëve të tij.

Mos ma pruftë kurrë sorra ashtin…

Te një kodër që ndante Mirëditën me Pukën na priste një patrullë tjetër. Kjo na tha të ecim gjer në lug dhe të ndalemi. Ashtu vepruam. Pastaj, nga vetura e policisë doli një djalë i ri i gjatë e me flokë të onduluara deri në supe. Nga prapa dukej si vajzë. Ishte i veshur krejt shik: mbi uniformën blu kishte një jelek të gjelbër. Revolën e kishte në xhepin e gjoksit, ndërsa motorolën në brez. Këpucët i kishte krejt të mprehta dhe me take. Në duar mbante dorëza për ngarje të veturës. Ai ecte bri kolonës taman si heronjtë e kiçfilmave amerikanë. Kur doli në krye të kolonës iu drejtua njërit krejt troç: “Më duhen të hollat për të paguar benzinën. Në të kundërtën duhet të prisni, sepse nuk mund t’ju shoqëroj”. I mblodhëm të hollat dhe ia dhamë. Ai përpara, ne pas tij. U bë vonë pasdite dhe ne, me nja tri vetura, me t’u ndalur ai prapa, shpejtuam menjëherë, sepse njëri prej nesh kishte një rast shumë urgjent.
Pas nja 20 kilometrash na ndali një patrullë tjetër: “Ku janë të tjerët?” Po vijnë pas i thamë. “Duhet të prisni edhe ju”. U thamë se kemi një rast tepër urgjent dhe duhet të nisemi: pas një dialogu but-ashpër na liruan, por vetëm pasi ua paguam 10DM për “nga një kafe”! Dhe, ecëm shpejt asaj rruge të shkretë e të shkatërruar.
Kur mbërritëm në Shemëri na ndali polici. Ishte ora 19:30. E kishte pasur emrin Fatmir, një koleg tjetër i tij Bilbil. Ua treguam rastin: njëri prej nesh kishte një vëlla të lënduar rëndë që luftone me vdekjen. Fatmiri, që rrinte roje me një kallash të vjetër, nuk lëshonte pe: “Kam urdhër. Nuk ju lëshoj. Shkoni te komandanti, ja është aty në resorant.” Shkuam: ishte një bardhosh me uniformë. Nuk na tregoi emrin. Pinte birrë me një kolegun e tij civil që e quanin Zeqë. Ia shtruam rastin dhe i thamë të na lëshojë. Nuk lëshoi pe, atëherë ne nxorëm kartën e fundit: “Ose na lëshoni, ose na vritni”. Dhe, kur ky nisi të tundet, foli Zeqa: “Mos gabo, se humb punën!”
Dolëm jashtë dhe filluam të flasim prapë me Bilbilin, i cili dukej më i arsyeshëm. “Unë nuk jam në shërbim, tha, dhe nuk mund as t’ju ndal, as t’ju lëshoj. Por, nëse ikni ne nuk mund t’ju ndalim!” Kishte rënë shumë shi. Ishte baltë dhe nisi të bjerë nata. Mbetëm në vetura. Dikur dolëm dhe një herë të merremi vesh me ta. Kur bashkudhëtari, që kishte një rast shumë urgjent në familje, i tha prerasi Fatmirit se do të ec, sepse s’kam çare pa ec, ky i tha nuk të lëshoj… “Po nëse unë megjithatë vazhdoj rrugën time?” “Do të t’i shpoj gomat”, tha shumë qetë Fatmiri. E shikova me vëmendje fytyrën e tij të zeshkët e të përzgjatur dhe u binda se ishte i lig në atë masë, saqë vërtet do të shtinte në të. Ndërhyra: “Po nëse në vend të gomës ia plagos fëmijët?”
- “S’është faji im”, tha!
Pritëm aty deri kah ora 22. Atëherë arriti pjesa tjetër e kolonës. Ishin të lodhur e të dërrmuar. Në një veturë një fëmijë qante. E ndalën krejt kolonën. Ne ua treguam të gjithëve se si është puna. Dhe vendosëm të jemi më këmbëngulës dhe më në fund të ecim pavarësisht se çka do të bëjnë ata.
Një djalë nga Strellci, me mbiemrin Istrefaj, u nis me veturë, por Fatmir polici para të gjithë neve ia drejtoi kallashin. U shashtrisën fëmijët. Dhe, po të mos dilte një grua për ta ndalur atë strellcianin do të bëhej hataja, sepse ne u nisëm të gjithë pavarësisht se çka do të bëhej. U bë një pështjellim i madh dhe vetëm falë prezencës së fëmijëve u ndalëm. Pas kësaj tollovie erdhi komandanti, ai bardhoshi që pinte birrë në restorantin përbri. E kishte kallashin në dorë dhe dukej i nxerë nga alkooli. Filloi të na fyejë. “Çka kujtoni ju. Si mund të kaloni ju nëpër vendin tim, po qe se unë nuk dua! Ju vetëm një serb do t’ju bënte zbor të gjithëve!”
Iu afruam nga të gjitha anët dhe filluam t’i shtrojmë pyetje: “Na tregoni, zotëri, nëse i kemi shkelur ligjet e shtetit shqiptar, pra na njoftoni nëse jemi të arrestuar?!’
“Jo, nuk jeni të arrestuar…”
“Po atëherë, pse pra nuk na lejoni të shkojmë në shtëpinë tonë?”
“Sepse kam urdhër!’.
“E ku të rrimë pra ne? E shihni se është mesnatë, ku të flemë ne, ku t’i lëmë fëmijët në këtë baltë, kur jemi në udhë tash 48 orë?’
“Rrini në vetura!”
“E deri kur?”
“Derisa të vijë urdhëri tjetër!”
“Po si të vijë urdhëri, kur ti po thua se nuk keni as veturë për të na përcjellë (stacioni i policisë në njërën prej zonave më frekuentuese nga bandat, “nuk kishte veturë”) dhe as nuk keni radiolidhje për të komunikuar me eprorët tuaj?” Heshtje.

Një civil që rrinte vazhdimisht me Fatmir policin ose që pinte me komandantin na doli se është taksist dhe ai, në fund, na kërkoi 200DM, që t’i bartë policët gjer në Kukës për të na marrë në mbrojtje se mos po na ndodh ndonjë e ligë nëpër rrugë! Vetura e tij kishte targat TR 0200.
U morëm vesh t’ia paguajmë të hollat dhe u nisëm. Në nisje e sipër im bir i fotografoi takskstin dhe policin. Më vonë rrugës kërkuan t’ua japim filmin. U thamë se nuk është blici i aparatit, por alarmi i veturës. Kur u bindën në këtë thanë: Nëse do një ne ju rrimë drejt dhe na merrni mirë në fotografi. Ne po ju ndihmojmë, thanë…
Një grua që mbante një foshnjë në prehër nxori kokën nga vetura dhe u tha:
“O Zot, as sorra ashtin mos ma pruftë në këtë vend!”

150 km. për 15 orë

Në orën 01:30, arritëm në Kukës. E ndalën kolonën. Porsa u ndalëm erdhën dy policë kukësianë. Ata ishin shumë konkretë: “Sot gjashtë herë kemi përcjellë kolona kosovarësh prej Kukësit në Morinë, kemi bërë rreth 300km. për t’i ndihmuar ata me të hollat tona, sepse ky shtet i dhier nuk ka mjaft benzinë! Por, kemi edhe një problem, komandanti ynë ka paguar benzinën nga xhepi dhe është tepër i mllefsour, prandaj të vijë dikush nga ju që është më i gojës dhe ta bindë disi se ai nuk dëgjon fare. Eshtë idhnuar keq në shtetin!”
Ne vetëm tash në fund e mësuam lojën: “A di si? Ne nuk e njohim komandantin, prandaj shko dhe merru vesh me të, sepse ti ia njeh hujin më mirë.’ ‘Në rregull pra, po ua bëj këtë mirë’, na tha dhe shkoj. “Posa u kthye na tregoi çmimin e “benzinës” ne paguam dhe u nisëm.
Në doganën e Morinës mbërritëm në ora 2 të mëngjesit. Aty u detyruam të paguajmë edhe nga 15DM për veturat, “tranzitin”. Polici te dera e doganës, kur afrohej çdo veturë i thoshte të madhe atij, mjelësit brenda, nëse nuk paguan lëre anash dhe lëshoji të tjerët që paguajnë. Ishte një mekanizëm që funksiononte si nëpër tlyen. Nëpër këtë mekanizëm ecnim ngadalë ne, rrugëtarët e rraskapitur: 160km. rrugë i kishim kaluar për 15 orë!
Kur dolëm dhe u ndalëm para doganës tonë, na u duk se kemi lindur për së dyti. Dolëm nga veturat dhe bisedonim me njëri-tjetrin: Njëri thoshte: Kam paguar 200DM, tjetri 400, ndërsa një i njohur imi që punon në Ahen të Gjermanisë më tha: “I kam pasur më vete 2000DM. Më kanë mbetur vetëm 300. Bile as ato nuk e di, ku dreqi i kam lënë!”

Kur dielli lind në Kosovë

Në doganë, te hyrja, një polic gjerman ia lëshoi kolonës tonë dritat e gjata të një xhipi. Ndoshta donte të na nxirrte gjumin që na rrinte varë, mbi çepalla. Dhe, nisi të na lëshojë brenda një nga një. Kur na erdhi radhe neve e pamë se po bënin një bastisje të detajuar, pjesë për pjesë. E kryem dhe këtë “procedurë”, por te dogana kishte mbetur Faik Kaçiku, nga Mitrovica me tre fëmijë. Nuk e lënin të futet në atdheun e tij, sepse nuk kishte dokumente. Nuk kishte pranuar të shkojë në konsullatën serbe për të vazhduar pasaportat. E lamë aty, në orën 2:30 të mëngjesit, pa pasur asnjë mundësi t’i ndihmojmë. Ishte i lodhur dhe ngiste veturën me këmbë të lënduar.
Kur dolëm në rrugë, një pjesë e kolonës pritte aty. U përshëndetëm dhe shkuam. Në Prizren një patrullë e KFOR-it na udhëzoi kah të shkojmë dhe u nisëm drejt kullës sonë të djegur. Rrugës filloi të ndahet nata nga dita. Dhe, fëmijët që shkelnin tokën e Kosovës për herë të parë e panë se si agon dielli në atdheun e tyre. Përballë rrënojave në një kulm të ri i priste gjyshja e tyre. Pasi i puthi të tret, njërin pas tjetrit, tha: Të qofsha falë, o Zot, që nuk i le këto troje të mbesin shkret.
Drita kishte zbuar terrin dhe tash në fytyrat e fëmijëve të mi nuk pashë asnjë gjurmë të tronditjes që kishin pësuar nga përkujdesja e policisë së sakatshtetit shqiptar.
Kur hymë brenda, djali i madh, si t’i kishte lexuar mendimet e mia, më tha: “Babë, ne nuk duhet të lejojmë kurrë që në Kosovë shteti të kthehet në shkërbe!”
Në fytyrën e tij të njomë ia pashë të ngritur damarin kryengritës, atë damarin si thupër që e kishte çuar të atin në të gjithë rrathët e ferrit.

*Ky artikull është botuar në revistën “PASQYRA” Më 21 korrik 2000, po e ribotojmë për shkak se kjo temë vazhdon të jetë aktuale.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:28
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË