NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
DEBAT VITI IV - 15 SHTATOR 2002

ÇKA I NDAN DHE ÇKA I BASHKON SHQIPTARËT?

Shkruan: Shefki OLLOMANI - MALMÖ 2002

HYRJE
Shqiptarët, si cdo popull tjetër i botës, i kanë të mirat dhe të këqiat e tyre. Ata posedojnë vese pozitive dhe negative. Kanë baticat dhe zbaticat e tyre historike dhe të përditëshme. Kanë plotë vyrtyte njerëzore dhe përplotë të meta e veprime cnjerëzore.

Shqiptarët janë edhe në unitet edhe në luftë me njëri-tjetrin. Ata janë edhe të ndarë edhe të bashkuar. Edhe te shqiptarët e mbi ta vepron pandërprerje ligji dialektik natyror me emrin - ligji i luftës dhe i unitetit të të kundërtave. Ky ligj nënkupton se shqiptarët, si komb, nuk janë vetëm të ndarë, të përcarë dhe të armiqësuar mesveti, por ata, në të njëjtën kohë, janë edhe të bashkuar, të miqësuar e të solidarizuar mesveti. Kjo do të thotë se nuk ka ndarje absolute, por as bashkim absolut.

Fenomenet dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërshqiptare nuk zhvillohen në rrafshin dyngjyrësh: bardhë e zi, por ato zhvillohen në një rrafsh kolorit shumëngjyrësh dhe shumëdimensional. Ngjarjet dhe veprimet nuk zhvillohen në hava, por në kohë dhe hapsirë të caktuar e konkrete. Kjo do të thotë se cka është sot e bardhë, nesër bëhet e zezë; cka është sot e drejtë, nesër shndërrohet në të padrejtë; nëse para 20 apo 30 vitesh një veprim ka qenë i arsyeshëm, sot del se ai veprim ka qenë i gabueshëm, ose anasjelltas: qëndrimi dhe vendimi që është vlerësuar gabim para disa vitesh apo dekadash, sot koha dhe rrokullisja e ngjarjeve tregojnë se ai qëndrim apo vendim ( qoftë individual apo kolektiv) ka qenë i drejtë. Kjo do të thotë se gjithcka është relative. E drejta dhe e padrejta, e mira dhe e keqja, e vërteta dhe gënjeshtra,…, ecin paralel, janë të pandashme dhe bashkudhëtare të përjetëshme - por gjithmonë në kohë dhe hapsirë të caktuar, konkrete dhe objektive.

Nga ligji natyror dhe shoqëror i luftës dhe i unitetit të të kundërtave, ne shumë lehtë dhe qartë mund të nxjerrim përfundimin se: kombi shqiptar nuk është dhe aq i ndarë e i përcarë mesveti, sa që duket apo shkruhet disa herë (përjashtuar këtu ndarjen e tij me kufinj). Dhe në të njëjtën kohë ai nuk është dhe aq i bashkuar, sic mund të flitet e të shkruhet disa herë.
Shqiptarët nuk bëjnë pjesë në asnjërin ekstremitet. Ata qëndrojnë diku në mes të të dy ekstremiteteve. Shqiptarët janë të ndarë, por në të njëjtën kohë ata janë edhe të bashkuar. Shqiptarët janë popull dhe njerëz, si të gjithë popujt e tjerë të botës, ata nuk bëjnë përjashtim e dallim nga asgjë që është natyrore, normale dhe njerëzore.

I - CKA I NDAN SHQIPTARËT?

1 - Ideologjitë - Në cdo popull ekzistojnë dhe veprojnë ideologjitë. Këtu nuk bën përjashtim as populli ynë. Njeriu, si qenie inteligjente: me logjikë, vetëdije dhe ndërgjegje, gjatë gjithë historisë së tij të lashtë, ka krijuar dhe zhvilluar lloj-lloj ideologjishë. Prandaj, nuk ka individ pa ideologji. Nga gjithë krijesat e gjalla të kësaj planete, vetëm njerëzit posedojnë ideologji.
Ideologjitë janë të shumëllojshme. Meqenëse njerëzit nuk janë identikë, por cdo individ është qenie unike, atëherë kuptohet që të gjithë njerëzit nuk mund të kenë një ideologji. As edhe një popull nuk mund të ketë vetëm një ideologji. Ekziston pluralizmi i ideve, i mendimeve, i pikëpamjeve, i qëndrimeve dhe pluralizmi i ideologjive.

Shqiptarët nuk munden dhe nuk bëjnë përjashtim nga ekzistimi i pluralizmit të ideve dhe ideologjive. Rreshtimi i shqiptarëve në disa ideologji nuk është tragjedi, por një fenomen i natyrshëm, nga i cili nuk mund të shmanget. Pretendimi dhe tendenca për dominim vetëm të një ideologjie mbi të tjerat do të na conte në një luftë civile, në vëllavrasje dhe në diktaturë.

"Dëmet" që shkaktojnë ideologjitë (por jo vetëm ato) janë: fërkimet politike, polemikat e ashpëra, ofendimet reciproke, gara e egër për pushtet, lufta klasore (të pasur-të varfër),…etj., por këto veprime brenda shoqërisë shqiptare duhet të zhvillohen në kohë paqeje, në një shtet të bashkuar shqiptar, ku dominon ligji dhe ku është vendosur sistemi i pluralizmit politik dhe demokracia e vërtetë. Lufta ideologjike ndërmjet shqiptarëve (individi me individ, grupi me grup apo partia me parti) në kohë lufte e pushtimi, në kohë kolonizimi e copëtimi të trojeve të tyre etnike - është një tragjedi, një katastrofë dhe një vetëvrasje kombëtare!

Shqiptarëve të Shqipërisë Etnike, aktualisht, nuk u duhen ideologjitë politike. E vetmja ideologji e tyre është dhe duhet të jetë ideologjia kombëtare e clirimit dhe e ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Ideologjia mbi ideologjitë, që sot duhet të dominojë e të rrënjoset thellë në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve është: Një komb - Një shtet = Shqipëria e Ribashkuar Etnike.

Vetëm pas ribashkimit kombëtar dhe ndërtimit të Shqipërisë Etnike, shqiptarët do të kenë të drejtë të thirren në ideologji individuale, grupore apo partiake, duke rrespektuar rregullat e lojës politike, të konkurencës së lirë dhe ligjet demokratike në fuqi.

2 - Karrierizmi - Shqiptarët i ndan edhe karrierizmi. Persona e politikanë të caktuar janë aq egoistë e të pangopur me pushtet, sa që ata janë në gjendje që ta dëmtojnë shoqërinë dhe cështjen kombëtare shqiptare, për hirë të ruajtjes së privilegjeve të tyre dhe pozitës politike apo shtetërore.

Karrierizmi dhe egoizmi i tepruar con shpesh në kriminalitet, korrupsion dhe tradhëti ndaj interesave të përgjithshme shoqërore dhe kombëtare. Prandaj, karrierizmi dhe karrieristët egoistë duhet të largohen sa më shpesh dhe sa më shpejtë nga pozitat e tyre udhëheqëse, para se ata të shkaktojnë dëme të pariparueshme për shoqërinë dhe cështjen tonë kombëtare.

3 - Mostoleranca, inati, urrejtja,…Ne, shqiptarëve, na ndan edhe mostoleranca, inati, kokëfortësia, sedra e sëmurë, urrejtja ndaj njëri-tjetrit, etj. Ne, nga natyra, jemi pak si shumë temperamentë dhe nervozë. Nxehemi e hidhërohemi shpejtë, por ftohemi dhe pajtohemi shumë ngadalë. Jemi inatcorë të mëdhenj. S’jemi tolerantë ndaj njëri-tjetrit dhe ngulim këmbë si mushkë xinxare edhe atëherë kur nuk e kemi drejt, edhe atëherë kur argumentet dhe faktet e gjalla jo vetëm që flasin, por edhe cirren e bërtasin. Por, si inatcorë që jemi, as shohim dhe as dëgjojmë!

S’jemi sa duhet zemërgjerë që të falim gabimet e të tjerëve. Edhe faljen disa herë e bëjmë të përkohëshme, të pjesëshme dhe me gjysëmzemre. Duam të ecim përpara me botën e civilizuar perëndimore, por kokën gjithmonë e kthejmë prapa, duke u marrë me të kaluarën, qofshin ato edhe gjëra të tejkaluara e të vdekura. Nuk jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe nuk mësojmë sa duhet nga gabimet tona.

Mbi të gjitha jemi naivë e mendjelehtë, sa që për gjëra shumë të vogla jemi në gjendje që ta luftojmë me tërbim dhe me një urrejtje organike njëri-tjetrin, apo partia-partinë! Urrejtja organike politike dhe personale është sot një realitet i hidhur dhe i prekshëm që dominon skenën politike mbi dhjetëvjecare në Shqipëri, Kosovë dhe Iliridë. Lufta dhe urrejtja organike midis partive politike dhe liderëve partiakë shqiptarë, janë shkaku kryesor pse sot shqiptarët si komb janë aq të përcarë, aq të varfër dhe aq të ndarë! Deviza: Opozitarë, por vëllezër!, duhet të jetë e shenjtë për cdo politikan shqiptar.

4 - Lokalizmi dhe krahinarizmi -Kjo është plaga më e madhe, më e përgjakur dhe më vdekjeprurëse e kombit shqiptar! Pra, ndarja lokaliste, bajraktariste, fisnore, klanore dhe krahinore e shqiptarëve ndër shekuj dhe mijëvjecarë. Këtë plagë e kemi trashëgim (mjerisht) që nga paraardhësit tanë antikë pellazgo-ilirët.

Kjo ndarje dhe përcarje, kjo plagë mijëravjercare, ende kullon gjak, ende s’është mbyllur, ende s’është shëruar! Fatkeqësisht, përkundrazi, ende po gangrenoset edhe në fillim të shekullit të ri të mileniumit të tretë të erës sonë! Dhe nga kush se? Nga vetë shqiptarët lokalistë, karrieristë, bajraktarë e fisnorë! Nga ata që vetes i thonë liderë, kryetarë partishë dhe kryetarë shtetesh të pashpallura e të leckosura! Dhe kjo ndodhë gjithmonë nën slloganin: "Më mirë i pari në fshat, se i dyti apo i treti në qytet"!

Lokalizmi krahinor dhe bajraktarizmi fisnor kanë bërë që të parcializohet cështja kombëtare shqiptare. Kanë bërë që ajo, nga një cështje kardinale e jetësore e shtruar për zgjidhje para kombit tonë dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë, të shndërrohet në një cështje autonomiste dhe e të drejtave të njeriut. Lokalizmi krahinor dhe bajraktarizmi fisnor i liderëve shqiptarë dhe partive të tyre politike, e kanë transformuar cështjen kombëtare shqiptare - Shqipërinë Etnike, nga një cështje madhore për dekolonizim, clirim dhe ribashkim kombëtar, në një neokolonizim dhe ricopëtim të Shqipërisë Etnike!

Po të pranojmë, kushtimisht (qoftë edhe për një moment), se ja: u krijua shteti i pavarur i Kosovës, u krijua edhe shteti i Iliridës, u krijua dhe shteti i Camërisë, bile u krijua edhe shteti i Malësisë së Madhe. C’do të ndodhë atëherë? Me siguri do të ndodhë ajo që ka ndodhur dhe ndodhë me shtetet sllave, të cilat janë në luftë dhe armiqësi të përhershme me njëri-tjetrin.

Shembëll i freskët është lufta e fundit serbo-kroate, kroato-boshnjake dhe serbo-boshnjake. Të gjithë këto popuj e shtete janë me etnogjenezë të përbashkët sllave, me gjak e gjuhë të përbashkët, por me religjione, me emra dhe me flamuj të ndryshëm dhe të ndarë nga kufinj shtetërorë. Edhe shqiptarët janë me tre religjione dhe po tu ndryshohet flamuri dhe emri kombëtar, dhe po të ndahen në shtete me kufinj ndërshqiptar, atëherë e përbashkët do tu mbetet vetëm gjuha, por edhe ajo do të largohet dita-ditës në disa dialekte zyrtare. Kështu, nga 7 milionë shqiptarët do të formoheshin kombe dhe shtete të reja, të cilat përvec gjuhës, të përbashkët do të kishin edhe grindjet e vazhdueshme ndërshtetrore dhe përpjekjet reciproke për dominim. Ne nuk jemi komb i madh si sllavët apo arabët, që të ndahemi e të krijojmë disa shtete "shqiptare".

Cfarë shanse për bashkim do të kishin shtetet dhe popujt që veten nuk do ta quanin më Shqipëri dhe shqiptarë, por do ta quanin Kosovë e kosovarë (vec kanë filluar me të madhe liderët e disa partive politike të Kosovës që veten dhe popullin ta quajnë jo shqiptarë, por kosovarë!), Iliridë e iliridas, Camëri e camë, Malësi e Madhe e malësorë? Dhe, pastaj, do të kishin flamujt e ndryshëm shtetërorë nga njëri-tjetri (LDK-ja vec e ka qepur flamurin e shtetit të ardhshëm të Kosovës, i cili dallon nga Flamuri Kombëtar Shqiptar!), do të kishin religjione të ndryshme zyrtare, nivele të ndryshme të zhvillimit demokratik dhe ekonomik, kulturor dhe arsimor!

Një bashkim shtetesh shqiptare do të ishte i pamundur. Ndryshe është kur të ndajnë me dhunë të huajtë dhe ndryshe është kur ndahesh vetë vullnetarisht. Prandaj, shqiptarët duhet ta luftojnë lokalizmin krahinor dhe bajraktarizmin fisnor. Duhet ta kundërshtojnë politikën parcialiste që zhvillojnë disa parti në Shqipëri, në Kosovë, në Iliridë dhe në Malësinë e Madhe. Sepse politika parcialiste është politikë ndarëse, përcarëse dhe thellësisht antikombëtare e antishqiptare.

Shqiptarët duhet të bashkohen dhe të luftojnë për clirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike. Të gjitha politikat dhe teoritë tjera cojnë në ripushtim, rikolonizim, ricopëtim dhe rindarje të trojeve etnike shqiptare.

II - CKA I BASHKON SHQIPTARËT?

1 - Gjaku dhe gjuha - Shqiptarët i ndajnë shumë gjëra, por mbi të gjitha ata i bashkon gjaku dhe gjuha e tyre. I bashkon etnogjeneza e tyre e përbashkët. I bashkon trungu i fortë antik pellazgo-ilir. I bashkojnë gjenet e njëjta dhe formimi i tyre psiqik e shpirtëror, që e ka burimin nga parahistoria njerëzore. I bashkon arti dhe kultura e njëjtë. I bashkon gjuha e unifikuar letrare dhe alfabeti i përbashkët latin. I bashkon emri Shqipëri dhe shqiptar. I bashkon kombi shqiptar.

2 - Besa dhe burrëria - Shqiptarët, përvec tjerash, i bashkon edhe Besa dhe Burrëria e tyre e fortë, unike dhe legjendare. Besa dhe burrëria e shquajnë kombin tonë nga kombet tjera. Ato janë karakteristikat dalluese të karakterit të shqiptarit, nga të cilat ndër shekuj e mijëvjecarë ka rrezatuar vetëm besnikëri, ciltërsi, ardhedashuri, qëndresë dhe liri. Besa dhe burrëria shqiptare ende jetojnë në zemrat dhe në shpirtin e shqiptarëve, duke i fisnikëruar dhe bashkuar ata vazhdimisht, përballë cdo armiku e furtune.

3 - Arti dhe kultura - Shqiptarët i bashkon edhe arti e kultura e tyre e lashtë dhe e re. Arti dhe kultura e tyre e zhvilluar, autentike dhe origjinale. Një art dhe kulturë e pastër, e qytetëruar e humaniste. E zhveshur nga cdo nacionalizëm, shovenizëm dhe racizëm. Një art dhe kulturë e fortë që cau mes për mes mijëvjecarëve të pushtimeve të huaja dhe errësirës dekadente të mesjetës. Një art dhe kulturë që synon ardhmërinë më humane e paqësore të njerëzimit.

4 - Atdheu - Shqipëria Etnike - Përvec gjakut e gjuhës, besës e burrërisë, artit e kulturës,…, shqiptarët mbi të gjitha i bashkon atdheu i tyre i shenjtë - Shqipëria Etnike. Shqiptari, që kur s’mbahet mend, ka pasur një nderim dhe dashuri hyjnore për tokën e tij, për atdheun e tij: Ilirinë - Arbërinë - Shqipërinë.

Iliro-shqiptari e ka dashur dhe e don perëndinë, jetën, kombin, lirinë, familjen, popujt tjerë, mirëqenien, gjuhën, artin, kulturën, arsimin,…, por, mbi të gjitha ai e ka dashur dhe e don tokën e tij - Atdheun, sepse pa tokë e atdhe, nuk ka as jetë, as komb, as liri,…

Kur ka qenë në rrezik jeta e Atdheut, iliro-shqiptari kurrë nuk e ka kursyer jetën e tij, e ka dhënë atë në altarin e lirisë - në fushëbetejë, me këngë në gojë e armë në dorë, që të jetojë Atdheu. Deviza e tij luftarake dhe jetësore qe dhe mbeti: Atdheu mbi të gjitha!

Prandaj, edhe dje, edhe sot, edhe nesër, brohoritja e shqiptarit ishte, është dhe do të jetë: Shqipëria Etnike mbi të gjitha!


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:26
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË