NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
EDITORIAL VITI IV - 15 SHTATOR 2002

ME KËSO DOKTORËSH, MJERË PACIENTI

Ashtu si dje, edhe sot vazhdojmë të dëgjojmë e të lexojmë në mediat tona kryelajme me këso përmbajtjesh:

Akademiku Nexhat Daci priti dr. Profesor filanin, doktor Bajram Rexhepi priti apo përcolli filan apo fistek doktorin tjetër, doktor Ibrahim Rugova priti apo përcolli filan profesorin apo fistek akademikun…

Njeriu i painformuar mund të mendojë se fjala është për kongres të sindikatës së mjekëve, a për një konferencë të intelektualëve, e jo për shtetarë.

Merrni me mend, ju lutem, se sa patetike do të tingëllonte në veshin e opinionit perëndimor litania glorifikuese: doktor Helmut Kohl, akademik Bill Klinton, profesor Zhak Shirak, dr.sc. Medlin Olbrajt, profesor doktor Henri Kisinxher… E pra, në mesin e tyre ka edhe intelektualë e ekspertë me përmasa botërore!

Pse i ka vërshuar kjo mani liderët shqiptarë?

Me rënien e komunizmit, në skenën e politikës shqiptare dolën personalitete te reja, të cilët, duke shfrytëzuar furtunat e fuqishme globale dhe rrethana të tjera, u imponuan ca më lehtë.

Duke qenë gati të gjithë pa përjashtim pjesë e establishmentit të mëparshëm, si kolaboratorë aktivë a si heshtakë hipokritë, e në mungesë të emrit të krijuar në luftë politike për çlirim kombëtar (në territoret e pushtuara) ose demokratizim të vendit (në Shqipëri), ata u kujtuan të vënë në spikamë - titujt e tyre shkencorë!

Doktor, profesor, akademik… u bën ilaç për të pjellur nam në politikë. Këta tituj përdoreshin dhe vazhdojnë të përdoren dhe sot gjithandej nga mediat tona shkrimore e elektronike duke krijuar te opinioni imazhin - fund e krye të rrejshëm! - se fatet e kombit dhe vendit qenkan në duar krejt të sigurta.

"Doktor më…!"

Por ky opinion, shpresojmë, nuk është aq i sëmurë sa mendojnë dr.pr.-të e politikës. Populli vërtetë është qorr, por ndofta jo në të dy sytë. Mjafton t'ia lëshosh qoftë edhe një gjysmë syri katrahurës që na e kanë krijuar doktorët, profesorët dhe akademikët tanë në zanatin e tyre të ri, për të kuptuar se kush ka nevojë përnjëmend për mjekim:

Dr. Sali Berisha me inkompetencën politike e autarkinë pushtetore të tij solli rrëmujën e vititi 1997, e u mundësoi turmave dhe varrmihësve të Shqipërisë t'ia vënë kazmën vendit. Të cilat turma e të cilët varrmihës u përshëndetën si «demokratë të vonuar» prej një tjetër doktori matanë kufirit, doktor Rexhep Qosjes së Vuthajve. E u shanë histerikisht prej një grumbulli doktorësh tjerë, që vuanin nga amnezia parciale: e kishin harruar se kryetar shteti në Tiranë - pra i pari në rendin e përgjegjësisë! - qe kolegu i tyre.

Kohët vijnë e shkojnë, doktorët ndërrojnë. Dr. Berisha e mundoi pacientin deri sa i mbeti në dorë, doktori i ri/vjetër i Shqipërisë, dr Rexhep Meidani, deri në skadim të afatit, pati zbuluar një variacion të ri profesional. Ai luante cungun. Doktori s’e luante qërpikun; atij s’i bënte syri tërr, ndërsa nekrofili Fatos Nano e mafiozët tjerë vazhdonin t’ia shkërdhejnë ethshëm pacientin e shtrirë për vdekje, Shqipërinë e shkretë.

E ndër kosovarët, dueti i doktorëve Rugova e Bukoshi, bashkë me stafin e doktorëve tjerë, për një dekadë rresht e luftuan me nuska (hajmali) sëmundjen serbe në Kosovë. Në vend të shtetit të mirëfilltë, ata u frynin pa përtesë vezëve të institucioneve fiktive, të cilat dalë-ngadalë përpak e mbytën pacientin. Falë këtyre doktorëve, Kosova u bë dhe vazhdon të jetë dhe sot pacient i hallakatur, që mbahet me gjilpëra e kërcënohet vazhdimisht nga konvelescenca serbe.

Falë këtyre doktorëve kuadro, në hospitalin që ne shqiptarët pafytyrësisht e quajmë politikë janë futur e po bëjnë karrierë një staf i ri shamanësh, që s’dinë tjetër veçse si të bëjnë nuska e si të fryjnë vezë.

Shëmbulli më taze i këtyre të "rinjve" vje nga Kosova. Ata mërrolnin vetullat e shtrembëronin buzët pse parlamentarët serbë e përmendin termin "Kosovo i Metohija", thuase qenkesh me rëndësi se si e quajnë Kosovën ata që punojnë natë e ditë që ajo të jetë Serbi. Ndërkohë që luajnë Idiotin (me I të madhe të shtypit) kur vje momenti të legalizohet një universitet paralel serb në Veri të Kosovës - që në fakt është forma më konkrete e legalizimit të copëtimit të Kosovës. Apo tjetra: një grup punëtorësh e jo doktorët apo akademikët që udhëehqin Parlamentin, zunë disa serbë duke bartur nga depoja e Kuvendit pjesë shumë të rëndësishme të arkivit.

(M’a bëftë Zoti hallall nëse u hëngra hakun, se ndoshta ata Idiotin s’e kishin lojë...)

E drejtuar prej këso farë doktorësh, autoambulanca shqiptare po nget me sirena e alarm të hapur në drejtim të kundërt prej krejt botës tjetër, madje llugave krejt jashtë autostradës. Ndërkohë që mediat tona, si pubertetlinj të frustruar, vazhdojnë t’i mbllaçitin me respekt pa prarë titujt shkencorë të doktorëve, duke dëshmuar në këtë mënyrë se edhe ato vetë vuajnë nga disa sëmundje jo fort të lehta.

«Politikan shqiptar» ?

Vet termi tingëllon kontradiktor, si paradoks logjik. «Politikani shqiptar» si zeje nuk ekziston, të paktën jo ende.

Por ekziston - si diagnozë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:26
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË