NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 

Visaret e kulturës Çeke në mëshirën e ujërave

ARTIKUJ VITI IV - 15 SHTATOR 2002

34 vjet nga Panvera e Pragës
KOHA KUR NJERËZIT DIGJESHIN PËR LIRI

Shkruan: Xhafer SHATRI


Praga është njëri prej qyteteve më të bukura të kontinentit. Nuk i thonë rastësisht prandaj qyteti i 1.000 monumenteve; në to janë gdhëndur ngjarjet, emrat dhe figurat më të shquara të kombit çek.

Por këtu vazhdon të mungojë vetëm një monument, ai për studentin Jan Pallah, i cili personifikon Pranverën e Pragës, kur komunizmit iu dha një grusht i fortë moral.

Në vend të monumentit është një shesh në breg të Vltavës që mban emrin e tij, ndërsa në sheshin kryesor të Pragës, në Vacllavski namesti, aty ku Jan Pallahu dogji veten, është një rrethojë e vogël, ku bashkëkombasit e tij për çdo ditë vënë ndonjë lule o ndezin ndonjë qiri.

Ky nderim i prekshëm që i bëhet çunit student nuk vërehet te asnjë prej monumenteve gjigante që ekzistojnë gjithandej Pragës.

Madhështia e studentit që këtu e tridhjetë e katër vjet më parë i vuri vetes flakën, qëndron në atë se ai është i gjallë në mendjen e kombit çek.


Ringjallja e shpresës

Pas Luftës së Dytë Botërore, Çekosllovakia ishte një vend nën tutelën e Rusisë. Në fund të viteve gjashtëdhjetë rrathët e komunizimit dhe të përqafimit të hekurt rus, filluan të kërcasin.

Në kallnor të vitit 1968 u bënë ndryshime në udhëheqjen e komunistëve çekë dhe sllovakë: aparatçikun Novotni e zëvendësoi liberali Aleksandër Dubçek. Më 22 mars Novotni shkarkohet edhe nga funksioni i kryetarit të shtetit dhe në vend të tij me vota të fshehta dhe duke pasur disa kandidatë zgjedhet Ludvig Svoboda. Ishte hera e parë që komunistët lejonin një formë të tillë të zgjedhjes.

Një muaj më vonë Aleksandër Dubçek shpall programin e tij të reformave të thella ekonomike dhe politike: heqjen e tutelës së shtetit nga ndërmarrjet, federalizimin e vendit, rregullimin e raporteve në mes Çekisë dhe Sllovakisë, respektimin e të drejtave të minoriteteve etj. Qëllimi i deklaruar, të aplikohet ”një socializëm me fytyrë njerëzore”.

Lëvizja e demokratizimit thellohet më tej: largohen nga vendet udhëheqëse kuadrot dogmatikë e zëvendësohen me njerëz të rinj që kishin përqafuar reformat.

Në maj të vitit 1968 një delegacion çekosllovak shkon për vizitë zyrtare në Moskë. Aty rusët ia tërheqin seriozisht vërejtjen delegacionit "për ringjalljen e të djathtës në vend” dhe për ”rritjen e tendencave kundërrevolucionare". Mysafirët mbrohen me të dhënat e hulumtimeve, se 75% e çekëve dhe 77% e sllovakëve i mbështesin fuqishëm reformat.

Reformat vazhdojnë të thellohen: rishqyrtohen proceset gjyqësore të viteve pesëdhjetë dhe kërkohet llogari nga prijësit komunistë që kishin lejuar atë praktikë monstuoze.

Me 6 qershor 1968, ndodhë ajo që nuk ka guxuar të ndodhë kurrë në një shtet komunist: qeveria çekosllovake suprimon cenzurën, duke i dhënë kështu një shtysë të fuqishme zhvillimit të letërsisë, të arteve dhe dhe demokratizimit të jetës përgjithësisht.

Në fund të qershorit trupat e paktit të Varshavës me qëllim të presionit organizojnë në territorin e Çekosllovakisë manovra të mëdha ushtarake. Gjatë kësaj kohe shkrimtari Ludvig Vaculik publikon apelin e "Dy mijë fjalëve" në të cilin shprehet droja e kundërsulmit të konservatorëve dhe ftohen qytetarët ta mbrojnë Pranverën e Pragës.

Më 14 korrik takohen në Moskë shefat e gjashtë vendeve "vëllazërore" (Rusia, Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania), ku aprovohet letra e hapur e Brezhnjevit drejtuar udhëheqjes çekollovake, në të cilën thuhet se në Çekosllovaki "është vënë seriozisht në pyetje çështja e socializmit…" Nga pjesëmarrësit, vetëm kryetari rumun Nikollae Çaushesku shpreh kundërshti me këtë letër. Ai i prinë një regjimi që qëndron në skajin tjetër ekstrem, atë të shtypjes më të egër staliniste, e druan se rusët ”mesatarë” nesër-pasnesër mund t’ia mësyjnë edhe Rumanisë, kur t’i kenë pastruar llogaritë me liberalët çekë.

Më 4 gusht 1968 Aleksandër Dubçek deklaron në televizion se reformat nuk do të ndalen dhe se vullneti i popullit do të respektohet.

Më 18 gusht Brezhnjevi fton në Moskë pulenët e tij dhe ua tregon një letër të fshehtë që kishte marrë nga 5 udhëheqës konservatorë çekosllovakë, e të cilët kërkonin intervenimin rus. Atë ditë merret vendimi politik për pushtimin e Çekosllovakisë.


Pranvera e mbytur në gjak

Në natën mes 20 e 21 gusht 1968 trupat e 5 vendeve të Paktit të Varshavës, rreth gjysmë milioni ushtarë, e sulmojnë Çekosllovakinë. Po atë natë mblidhet udhëheqja e PK të vendit dhe dënon agresionin si një akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Popullsisë i bëhet thirrje që të ruajë gjakftohtësinë. Ndërkaq ushtria dhe policia nuk marrin urdhër për mbrojtjen e vendit.

Më 21 gusht 1968, në ora 4 të mëngjesit ushtarët rusë e okupojnë ndërtesën e udhëheqjes së partisë çekosllovake dhe i internojnë anëtarët Byrosë politike, anëtarët e qeverisë dhe funksionarët tjerë, të cilët më vonë i dërgojnë në Rusi.

Në orën 7.35 një barrikadë ngritet në sheshin Vacllavski dhe qindra çekë e sllovakë përpiqen të pengojnnë me trupat e tyre avancimin e tankeve ruse. Vetflijimi i tyre është i prekshëm, por i kotë. Në orën 9 të mëngjesit pushtohet edhe Shtëpia e Radios. Atë ditë në Pragë u vranë nga forcat pushtuese 50 burra, 7 gra, si dhe një vajzë 8 vjeçe.

Pasdite, qytetarët e Pragës vëshuan në sheshin Vacllavski duke mbajtur në ballë flamurin e përgjakur.

Të njëjtën ditë të gjitha organet dhe institucionet e vendit dënuan agresionin dhe aprovuan rezoluta përmes të cilave kërkuanë largimin nga vendi të trupave pushtuese. Ministria e Punëve të jashtme u drejtohet të pesë vendeve agresore me kërkesë që t'i japin fund okupimit. Te nesërmen ministri i jashtëm çekosllovak, Jiri Hajek, kërkon nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të dënojë okupimin.

Të njëjtën ditë mblidhet kongresi i XIV i jashtëzakonshëm i PK të Çekoslovakisë në të cilin A. Dubçek rizgjidhet lider i partisë dhe konfirmohet vendosmëria e udhëheqjes politike të vendit për të vazhduar me reformat.

Prej 23 deri më 26 gusht në Moskë mbahen negociatat e udhëheqësve çekosllovak me bandën e Brezhjevit. Në negociata marrin pjesë prijësit e internuar, mbi të cilët ishte ushtruar një presion i jashtëzakonshëm psiqik por dhe fizik. Në këto rrethana këta të fundit detyrohen të zhvlerësojnë vendimet e Kongresit të XIV të PK-së.

Në javët që erdhën filloi hakmarrja ndaj pjesëtarëve të Pranverës së Pragës: arrestimet, pushimet nga puna, shantazhi dhe persekutimet. 326 mijë anëtarë të PK u përjashtuan nga partia, 300 mijë qytetarë u larguan nga jeta publike dhe nga institucionet. Gjendja e krijuar nxiti ekzodin e rreth 70 mijë çekëve e sllovakëve jashtë vendit. Po të mos mbylleshin kufijtë ky numër do të ishte shumë më i madh.


Ai deshi ta zgjojë kombin nga gjumi

Duke shfrytëzuar klimën e luftës së ftohtë rusët aplikuan masa të ashpra të pushtimit të përcjella me një propagandë shurdhuese, në të cilën bënte pjesë dhe gazeta në çekisht por e shkruar nga propagandistë rusë "Zpravy" (Lajmet).

Në këto rrethana pushtimi filloi të organizohet një qëndresë e cila më vonë u personifikua me emrin e Jan Pallahut.

Studenti 21 vjeçar i letërsisë, më 16 kallnor 1969, në shenjë kundërshtimi ndaj okupimit rus, dogji veten në sheshin Vaclavsky, qendrën kryesore të kryeqytetit. Ai u dërgua në spital me kallje masive, e vdiq pas tri ditësh.

Jan Pallahu kishte lënë një letër të shkurtë, në të cilën thuhej:

”Duke qenë se popujt tanë (çekë e sllovakë) ndodhen buzë greminës së dëshprimit, ne kemi vendosur të protestojmë me qëllim të zgjimit të popullit dhe të vendit tonë.

Grupi ynë përbëhet nga vullnetarë të vendosur të digjen për çështjen tonë.

Unë pata nderin ta tërheq numrin një e të bëhem flakadaja e parë, si dhe të drejtën për ta shkruar këtë letër.

Kërkesat tona janë:

- Të pezullohet menjëherë cenzura;
- Të ndalohet shpërndarja e gazetës "Zpravy".

Në rast se kërkesat tona nuk realizohen brenda 5 ditësh, e nëse populli nuk mbështet këto kërkesa (do të thotë nëse këtë mbështetje nuk e shpreh përmes një greve të përgjithshme), flakada të tjera do të ndizen.

Flakadaja nr. 1

P.S. Kujtojeni gushtin. Mos harroni se vëmendja e opinionit ndërkombëtar është drejtuar mbi Çekosllovakinë. Të përfitojmë nga ky rast. D.S.”

Varrimi i Jan Pallahut u kthy në një manifestim të madh kundër okupimit. Ditën e varrimit të Jan Pallahut, në të njëjtin vend u dogj një student tjetër,18 vjeçari Jan Zajic. Ai kishte lënë këtë mesazh: "Ne nuk mund të jetojmë, nëse jeta jonë nuk jetohet në liri. Vendimi ynë në favor të lirisë është absolut." Dy muaj më vonë u dogj edhe i treti, 44 vjeçari Evzen Plock.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË