NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 

Visaret e kulturës Çeke në mëshirën e ujërave

ARTIKUJ VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Rreziqet e anarkisë së komunikimit
KONFLIKTI I DY PUSHTETEVE NË KOSOVË

Shkruan: Xhafer SHATRI

Kjo verë ka qenë shumë e nxehtë në Kosovë. As reshjet disajavëshe të shiut nuk po mund ta ftohin prushin politik, i cili nxori për herë të parë në formën më të hapur konfliktin e mprehtë të disa institucioneve vendore me disa institucione ndërkombëtare.

1. Më 12 gusht në ora 16h, në ambientet e Hotelit të Madh u arrestua Rrustem Mustafa, gjegjësisht gjeneral Rremi. Një figurë e luftës e njohur në krejt Kosovën. Arrestimi u bë, si në film, para qindra njerëzve dhe me pjesëmarrjen e shumë forcave të policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it.

Zëdhënësi i policisë ndërkombëtare Derek çapell deklaroi se «Arsyet e arrestimit të tij kanë qenë hetimet e kryera deri më tash, sipas të cilave personi në fjalë dyshohet se ka keqtrajtuar, ka mbajtur në arrest ilegal dhe ka vrarë të paktën pesë persona…»

Të nesërmen, më 13 gusht, zyrtarët e UNMIK-ut bën të ditur se prokurori ndërkombëtar kishte ngritur një aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, partia e tretë për nga ndikimi në Kosovë. Ai akuzohej për rrezikimin e jetës së disa personave dhe, siç e nënvizoi zëdhënësja e UNMIK-ut, Suzan Manuel, akuza lidhej me një aktakuzë tashmë të ngritur kundër disa eprorëve të TMK-së, të Zonës së Dukagjinit të arrestuar në muajin qershor. Personazh kyç i së cilës është vëllau i Ramushit, gjenerali Daut Haradinaj, një emër tjetër emblematik i luftës së fundit në Kosovë. Ngarkimi penal ishte i rëndë: vrasje, lëndime të rënda trupore, arrestime të paligjshme dhe rrezikim i sigurisë së të tjerëve. U nënvizua se viktimat ishin shqiptarë.

Të njëjtën ditë në Prekaz KFOR-i kishte ndërmarrë një aksion të madh për kërkimin e armëve. Gjatë këtij aksioni ishin përdorur edhe buldozerët që kishin rrëmihur oborret. Buldozeri i KFOR-it një lëvrim veçanërisht të thellë e kishte bërë në oborret e Sami dhe Nuredin Lushtakut, që të dy gjeneralë të luftës së fundit. Ky i dyti edhe komandant i Gardës së Kosovës.

Por Prekazi i njohur për pushkë e sakrifica dëshmoi se nuk i mungon as mendja e hollë: një delegacion i katundit qëndresëtar ia bëri me dije KFOR-it se nëse nuk e heqin rrethimin e pakuptimtë të katundit (që zgjaste prej katër ditësh) brenda disa orësh ata do të shpërnguleshin prej aty.

Dhe KFOR-i u tërhoq, duke lënë prapa krahas hullive e grumbujve të dheut dhe një shije të keqe që kaloi larg përtej kufijve të Drenicës.

Shtrohet pyetje a janë këto ngjarje të rastit, a është fjala për veprime që nuk kanë asnjë lidhje njëri me tjetrin?

2. Dy-tri ditë para arrestimit të gjeneral Mustafës, në Mitrovicën veriore policia e UNMIK-ut «nuk arriti ta arrestonte» Milan Ivanoviqin, njeriun që dihet publikisht se udhëheq formacionin ushtarak Rojat e Urës, një strukturë që është organizuar, udhëhequr e financuar nga UDB-ja e Serbisë. Milan Ivanoviq ngarkohet se në një manifestim anti-UNMIK, mbajtur në prill të këtij viti, forcat e tij kanë plagosur me bomba e me armë të tjera të paktën dhjetë policë ndërkombëtar.

Ivanoviqi u strehua në Beograd, por autoritetet serbe nuk po pranojnë t’ia dorëzojnë atë organeve ndërkombëtare të drejtësisë.

3. Prej arrestimit të Daut Haradinajt, qershor 2002 e der më sot janë organizuar një mori protesatash e demonstratash në shumë qytete të Kosovës. Këto protesta me kohën u kthyn në një rit dhe kishin gjithnjë e më pak pjesëmarrës. Por, me acarimin e klimës politike në Kosovë, protesta e mbajtur më 15 gusht në Deçan u kthye në një konfrontim të hapur e brutal të vendorëve me forcat e policisë dhe ushtrisë ndërkombëtare. Pasojat ishin dëshpruese: 50 protestues dhe 11 policë e dy ushtarë ndërkombëtarë të lënduar, 23 shqiptarë të arrestuar!

4. Më sa shihet protestat lidhen drejtpërdrejtë edhe me mënyrën e komunikimit të arrestimeve nga administrata ndërkombëtare: shpeshherë në kumtesat apo deklarimet e zyrtarëve ndërkombëtarë thuhet se personat, në këtë rast personalitete që njeh krejt Kosova, u arrestuan, sepse kanë vrarë, kanë arrestuar dhe kanë torturuar bashkëkombasit e tyre. Ata që nuk marrin vesh në procedurën penale i përkujtoj se një person i ngarkuar për çfarëdo vepre, pra edhe penale, mund të shpallet fajtor vetëm pasi aktgjykimin e shkallës së parë ta ketë shqyrtuar dhe vërtetuar gjykata e shkallës së dytë, pra pasi që aktgjykimi të jetë bërë i plotfuqishëm.

Forma e tillë e komunikimit të zyrtarëve ndërkombëtarë apriori të pandehurit i kthen në fajtorë dhe krijon opinion shumë negativ për personat e arrestuar, sepse ata kanë një emër, kanë familje, kanë fëmijë, kanë miq, kanë të njohur dhe të gjithë këta nuk mund të marrin pjesë në gjykimin që nesër mund t’i shpallë të pafajshëm. Thënë më ndryshe kjo është një përbaltje me kaci që para opinionit të gjerë asnjëri prej të arrestuarve kurrë nuk do të mund të lahet në tërësi!

5.Si reagoi paria e Kosovës ndaj ngjarjeve që tronditën vendin? Pas përleshjes në Deçan i pari që reagoi ishte kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kumtesa e tij ishte krejt e shkurtë. Ajo dënonte protestuesit dhe arsyetonte sjelljen e forcave ndërkombëtare.

Qeveria i ndërpreu pushimet. Në mbledhjen e parë paspushimore qeveria u nda më dysh: 5 veta votua pro, të tjerët abstenuan. Kryeministri arrestimet i shpalli me motive politike dhe të arrestuarit si të burgosur politikë. Ishte një deklaratë tejet emocionale dhe sigurisht e nxitur nga ndonjë këshillues jo vetëm i paaftë, por edhe i papërgjegjshëm.

Të nesërmen u mbajt mbledhjja e Kuvendit të PDK-së, qëndrimet e të cilës i përmblodhi në një paraqitje televizive kryetari i saj Hashim Thaçi, i cili me qëndrimin e tij dukej jokoherent, në çështje themelore i paqartë dhe i pasigurt edhe pse shihej haptas se po lexon një tekst që kishte përpara. Për të qenë më i saktë ai i shkeli i pari qëndrimet e qeverisë…

Disa ditë më vonë, pasi kjo punë u pashat, në ekranin e RTK-së doli kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci. Paraqitja e tij nuk ishte as intervistë as intervenim i një homme d’état - burrë shteti.

Opinionit i mbetej të zgjedhë në mes qëndrimit të kryetarit të Kosovës, që arsyetonte arrestimet, qëndrimit të kryeministrit, që ishte preras kundër tyre, qëndrimeve të Thaçit dhe të Dacit që ishim hëm ashtu, hëm kështu!

Paria e Kosovës pra nuk kishte qëndrim unik. Për më keq, shihej se ajo është krejt e ndarë edhe përbrenda blloqeve: atij të «luftës» dhe atij «pacifist». Sepse kishte nuanca të theksuara në mes Rugovës dhe Dacit, sikundër që kishte edhe në mes asaj që thoshte Bajram Rexhepi dhe asaj që thoshte Hashim Thaçi.

Paria e Kosovës pra, nuk kishte qëndrim, sepse qëndrimi nuk ndërtohet për një ditë, sepse qëndrimi nuk ndërtohet sipas motit apo sipas modës, por është një vijë e pashkëputshme që një udhëheqje duhet ta ndërtojë dhe ta mbrojë me konsekuencë.

6. Administrata ndërkombëtare është një përbërje shumë heterogjene. Në të ka nëpunës, diplomat, polic ushtarakë etj, shumë kompetentë, shumë të përkushtuar për ta kryer sa më mirë detyrën evet, por ka dhe të tjerë, që nuk janë të paktë e që Kosovën e shohin si mundësi për të mbushur xhepat me të holla, për t’u zhdepur me mish të pjekur, por edhe me mish të gjallë. Të dy llojet janë kudo të pranishëm. Ata i ka seleksionuar me kohë kolona e pestë e Serbisë, e cila pa asnjë ngarkesë me psikologjinë ballkanike të komplotit, me bën të them se është fort dhe kudo e pranishme dhe qëllimi i saj është që të mos lërë gurë pa lëvizur në mënyrë që në Kosovë të mos ketë kurrëfarë bashkëpunimi në mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve.

Për këtë qëllim paria e Kosovës duhet ta ndërtojë qëndrimin e saj, të mësojë abecenë e komunikimit me administratën ndërkombëtare, por dhe me opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, t’u dalë në udhë gjërave para se të ndodhin.

Sepse në të kundërtën ndasitë do të thellohen shumë, brenda vendorëve së pari e pastaj edhe me ndërkombëtarët. Dhe këtu do të fitojë vetëm Serbia dhe aleatët e saj të hapur e të fshehur që statutin e ardhshëm të Kosovës do ta thurin me ndihmën e hunjve, që ndryshe quhen faje dhe papërgjegjshmëri e parisë dhe e institucioneve të Kosovës.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË