NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
INTERVISTA VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Intervistë jashta për revistën PASQYRA
”KOSOVA SHPEJT DO TË BËHET SËRISH SHQIPËRI”

PASQYRA: Zoti Vjosa, ç’është Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar?

ALBAN VJOSA: Fronti për Bashkimin Kombëtar Shqiptar (FBKSH) është një bashkim demokratik forcash politike, organizatash joqeveritare, personalitetesh intelektuale e atdhetare si dhe i masave të gjera popullore në të gjitha hapsirat shqiptare, që ka si qëllim final Bashkimin e trojeve shqiptare dhe të gjithë popullit që jeton në to në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar në Ballkan. Për të ardhur gjerë tek ky organizim i fuqishëm gjithpërfshirës, Lëvizja jonë ka bërë një rrugë të gjatë. Ju jeni në dijeni të punës dhe përpjekjeve të bëra në vitin 1991 për organizimin e një Kuvendi të Bashkimit dhe Pajtimit Kombëtar. Pastaj keni ndjekur përmes shtypit tryezat politike "Tetova 1" dhe "Tetova 2" ku një mori forcash politike përpunuan iden për të patur një Platformë të vetme për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare. Këto përpjekje çuan në mbajtjen në Tiranë në fillim të vitit 1993 të Mbledhjes Parakuvendore, ku mbi 70 forca politike dhe personalitete intelektuale, miratuan tezat e Platformës Kombëtare Shqiptare. Mbi bazën e këtyre tezave, Kuvendi i Intelektualëve Shqiptar që zhvilloi punimet e tij në Stamboll në nëntor 1995, miratoi Projekt Platformën Për Zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ky Kuvend vlerësoi që këtë Projekt duhet t'a kthente në Platformë Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me ndihmën e pakursyer të ish-Presidentit të Shqipërisë, kjo ide u realizua dhe në vitin 1998, Akademia e Shkencave të Shqipërisë na dha në dorë Platformën Për Zgjidhjen e Cështjes Kombëtare Shqiptare.

Lëvizja jonë ka patur zhvillimet e veta pozitive dhe negative. Ne kemi patur, ashtu siç edhe kemi strukturat adekuate që mundësojnë realizimin e Platformës. Në momente të caktuara, bije fjala kur kanë dalë në skenë UCK-të, ne ju kemi hapur udhë, i kemi mbështetur, ndihmuar dhe fuqizuar, të vetdijshëm se ato kishin në Platformën e tyre bashkimin kombëtar shqiptar. Mirëpo pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe shndërrimit të UÇK-së së Ali Ahmetit në parti politike, lëvizja jonë u gjallërua. Në Kuvendin e Parë të FBKSH që mbajtëm në Tiranë, më 13 dhe 14 korrik 2002, ku miratuam edhe Platformën bashkohore,vendosëm që të mos e lëshojmë më nga dora iniciativën për të realizuar qëllimin tonë final, bashkimin e shqiptarëve dhe trojeve të tyre në një shtet të vetëm në Ballkan.

PASQYRA: Kjo gjenezë po më duket bukur elitiste. Ju thoni se luftoni për popullin shqiptar, ndërsa po rezulton se populli s'u numëroka gjëkund si faktor. Si e komentoni ju këtë diskrepancë?

ALBAN VJOSA: E keni gabim. Përkundrazi, ne jemi produkti më autentik e më i pakorruptuar i lëvizjeve në popull. Ajo çka ne kërkojmë të realizojmë, të parët tanë jo vetëm e kanë kërkuar, por edhe kanë derdhur lumenjë gjaku për të. Masat e gjera të popullit janë të interesuara për ribashkimin e trojeve etnike. Nëse diku, për shkak të politikës dritëshkurtër të disa liderve shqiptarë: "mjafton të jem në pushtet, të gëzojmë privilegjet, pavarësisht se i kujt është shteti"(!), është arritur të vihet në gjumë ideali i ribashkimit, Lëvizja jonë ka për detyrë të bindë popullin se jeta nën kolonizim mund të durohet, por duhet të luftohet; mirëpo ajo assesi s’bën të pranohet si fakt i kryer.

Nuk ka rrugë tjetër veç ribashkimit, nuk ka rrugë tjetër për të vendosur paqen dhe stabilitetin në Ballkan veç opsionit të "Shqipërisë së Ribashkuar", "Bullgarisë së Bashkuar", "Serbisë së Bashkuar" dhe ndoshta pse jo, edhe të "Greqisë së Bashkuar". Ne shqiptarëve, më shumë se sa fatkeqësia, asgjë tjetër nuk na bashkon. FBKSH dhe strukturat e saj adeguate kanë një plan strategjik të menduar mirë. Do të hidhen hapat e duhura që do e detyrojnë faktorin ndërkombëtar t'i thërresë zërit të arsyes.

Ne e dimë që faktorin ndërkombëtar e bëjnë "të ndjeshëm" vetëm dollari dhe euro, domethënë ekonomia. Kryqëzimi i koridoreve evropiane dhe interesat amerikane e kanë vendkalimin në Preshevë-Bujanovc-Medvegjë, në Maqedoni...Ky Rajon do të mbetet vatër zjarri dhe destabilizimi. Nga burim fitimi, ai do të kthehet në një barrë të rëndë mbi supet e euro-amerikanëve. Kush nuk do ta kuptojë këtë gjë, herët ose vonë do të bindet që gabon rëndë. FBKSH hap pas hapi do përgatisë kryengritjen e përgjithshme popullore të armatosur. Të mbjellësh jetën në një vend ku vdekja rri çdo ditë në shtëpi, ka patjetër diçka fisnike dhe pajtuese.

PASQYRA: Në shkresat që keni botuar te ballina juaj zyrtare www.shqiperiaebashkuar.com vlerësoni IRJM-në, nëse mund t’ju parafrazoj, si ”hallkën më të dobët të vargut antishqiptar”. Si keni arritur te ky përfundim, kur IRJM-së i janë bërë kumbarë në Ohër tërë Perëndimi?

ALBAN VJOSA: Theksova më sipër një ndër arsyet e shumta pse FBKSH dhe strukturat e saj e konsiderojnë IRJM dhe Preshevë-Bujanovc-Medvegjën si "hallkën më të dobët" nga do të nisi zgjidhja tërësore e çështjes shqiptare. Shqiptarët nuk mund të durojnë më tej të konsiderohen qytetarë të dorës së dytë në një shtet tipik kolonizator, që të gjitha i ka të vjedhura, identitetin, flamurin, emrin, gjuhën, trojet.

Jemi popullsia e parë si numur ne shqiptarët në IRJM, pavarësisht se pushteti sllavo-maqedonë që është mësuar me të vjedhur, përvetësonë edhe numrin reale të shqiptarëve si dhe nacionaliteteve të tjera në IRJM. Përse duhet të qëndrojmë ende nën kolonizim. Aq më tepër në fillimshekullin e ri të XXI kur "kolonizimi" është mbyllur në muzeumet si relikë e së kaluarës edhe për vendet afrikane?

Nuk na i mohon askush të drejtën e ribashkimit në një shtet të vetëm kombëtar. Populli shqiptar në IRJM e ka përqafuar masivisht këtë ide. Tjetër punë çfarë u predikojnë udhëheqsit politikë të radhës. Atje situata është shpërthyese. FBKSH dhe strukturat e saj po tregohen tepër të kujdesshëm që "kashta e nxehur" të mos marrë zjarr. Ne do ta kontrollojmë më mirë në të ardhmen situatën, dhe të jeni të bindur që "zjarri" IRJM do t’i vihet shumë shpejt.

PASQYRA: Në komunikatat tuaja ju shpreheni për ”aleatët e NATO-s”, ndërsa p.sh. amerikanët kanë angazhuar fluturake vëzhguese për t’ju gjurmuar shtigjet, ushtarë për t’ju zbuluar strofkat e armëve, dhe diplomatë e gazetarë për t’ju damkosur si keqbërës…

ALBAN VJOSA: Brenda "NATO-s" ka forca që Kosovën e duan përsëri nën Serbi. Brenda "NATO-s" ka forca që kolonizimin serbo-sllav ta zëvendësojnë me një kolonizim të ri, më "demokratik", por gjithsesi me shumë ngjyra e raca!

Kosova nuk bëhet më Serbi. Kosova ka qenë dikur e është edhe sot Shqipëri, e në emër të Zotit shumë shpejt do bëhet prapë Shqipëri. Kosova Lindore kanë qënë historikisht pjesë e Kosovës historike, e të saj do bëhen sërish këto bashki shqiptare. IRJM-ja "lindi" e vdekur. Më kot u munduan ta mbajnë me antibiotikë të fortë "ndërkombëtarët". Shqiptarët nuk bashkjetuan dot me sllavo-maqedonët para luftës etnike. Po tani, pas saj, kur panë dhe ende shikojnë egërsinë fashistoide të një pushteti që vret dhe djeg pa mëshirë shqiptarët, pasuritë dhe simbolet e tyre? Provat e "ndërkombëtarëve" se sa e mundur është të rrinë në një "vath" ujku dhe qingjat, duke shpikur bastarditete me emrin "Marrveshja e Ohrit", u kaloi koha. Faktori ndërkombëtar me rastin e IRJM po luan lojën e atij që "fiton" kur humbet. Paqja duhet bashkë me lirinë. Këtë NATO po e kuptonë çdo ditë e më mirë. Më në fund, ne, shqiptarët nuk kemi ç'të humbasim. Nga puna, lufta dhe sakrificat që do bëjmë mund të humbasim vetëm mungesën e lirisë, mund të humbasim skllavërinë tonë. Ne këto kushte, kemi bindjen se do e fitojmë "luftën" edhe me NATO-n, sepse ashtu siç ne jemi të detyruar ta respektojmë besimin e saj, edhe NATO duhet të respektojë mosbesimin tonë.

PASQYRA: Sa realist është qëllimi i FBKSH në rrjedhat aktuale të politikës së faktorëve ndërkombëtare për Ballkanin?

ALBAN VJOSA: Faktori ndërkombëtar është i ndërgjegjshëm se me gjithë përpjekjet që ka bërë, nuk e ka zgjidhur dot krizën në ish jugosllavi. Ky faktor këtë krizë e ka trajtuar thjesht për të parandaluar zgjerimin e konfliktit të armatosur. "Zjarri" ka mbetur brënda. Poeti ynë i madh kombëtar thoshte: "Zoti në qiell, na mbi tokë, me gjithkand vëllazën e shokë, por gjithkush në truallin e vet...". Shkaku që Ballkani ka mbetur ende "fuçi baroti" është se kombet e tij nuk janë në "truallin vet". Nuk mund të bashkohet Evropa me shqiptarë të ndarë në pesë shtete. A ka absurd më të madh historik se sa ky që po përjetojnë ende shqiptarët, që një vëlla, që të vizitojë vëllezërit dhe motrat prej të njëjtës nëne dhe babe, i duhet të marrë 5 viza hyrëse në pesë shtete të ndryshme për të kaluar kufirin shqiptaro-shqiptar?!

E vetmja zgjidhje që i përshtatet edhe faktorit ndërkombëtar, është mundësimi i krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Pastaj, epoka kur hartën politike të kontinenteve e caktonin Fuqitë e Mëdha, ka marrë fund që në vitin 1946. Situata ndërkombëtare ka ndryshuar thelbësisht. Kufijtë nuk janë sikur ishin dje të palëkundur. Kufijtë ndërkombëtar të ish-Jugosllavisë u bënë kufij shtetesh të reja, ra Muri i Berlinit, i cili ndante kombin gjerman, se nga ish-Bashkimi Sovjetik u krijuan 15 shtete, se u ndanë Cekia e Sllovakia, se Bosnja e Hercegovina, me subjektivitete të njohura ndërkombëtare, u nda etnikisht dhe territorialisht. Kufijtë që ndajnë sot shqiptarët, janë kufij kolonialë. Organizmat ndërkombëtare kanë përcaktuar si parimin më të lartë, për zgjidhjen e të drejtave nacionale, të drejtën e vetvendosjes. Në emër të këtij parimi, FBKSH do të mundësojë realizimin e qëllimit realist të bashkimit shqiptar.

PASQYRA: Me ç'mjete do t’i qaseni qëllimit Tuaj?

ALBAN VJOSA: Ne jemi të përcaktuar për mjete politiko-diplomatike.Kemi me vete të drejtën historike, kemi gjuhën vetfolëse të tokës, kemi përvojën negative më se një qind vjeçare, që kështu, me shqiptarë të ndarë në 5 shtete, Ballkani ka mbetur "fuçi baroti". Ka rrezik që në një të ardhme jo të largët,Evropa, në vend që të bashkohet, të bjerë edhe vet në zjarrin e këtij "baroti". Por kemi edhe argumente të tjera:Integrimet paraqesin çels të artë për paqe dhe stabilitet.Integrimi i shqiptarëve me shtetin e tyre kombëtar të bashkuar do të mundësojë qarkullimin e lirë të mallrave, të shërbimeve, të kapitalit si dhe lidhjen me vendet e tjera të Ballkanit, me qëllim të mênjanimit të burimeve të konflikteve.Integrimet politike për ne, janë mjeti i rëndësishëm që mënjanon burimet e konflikteve dhe burimet e luftrave.

Një Shqipëri e Bashkuar bëhet aleate tepër e rëndësishëm e SHBA dhe faktorit progresist ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, si armiku kryesor i qytetërimit dhe njerëzimit.

Një Shqipëri e Bashkuar është lehtësi për SHBA dhe Evropën edhe ekonomikisht. Sot hapsirat shqiptare mbahen me lëmosha, krizat nuk kanë të sosur. Nesër, me shtetin kombëtar, me klimën e mbrekullueshme mesdhetare me 310 ditë diell në vit, me pasuritë nën e mbi toksore, me turizmin, sepse vetëm vijë bregdetare që lagen nga dy dete kemi mbi 400 km që janë të virgjëra, jo vetëm që do të mbajmë vetveten, por do krijojmë kushte që të kthehen dhe të punojnë e jetojnë edhe afro 8 milionë shqiptarë që ndodhen kudo në botë të diasporuar si emigrantë ekonomik herët a më vonë.

Le t'i hedhim një sy hartës rajonale: Në trojet tona në Preshevë, Bujanovc, Medvegj, Kumanov etj. do të bëhet funksionimi i korridoreve strategjike të transportit dhe të linjave të tjera të komunikimit Veri-Jug si dhe të naftësjellësave dhe gazësjellsave. Një shtet kombëtar shqiptar, si zgjidhje e vetme e çështjes shqiptare,do të garantonte funksionimin normal të këtyre koridoreve dhe rëndësinë strategjike të këtij territori shqiptar për SHBA dhe Evropën.

Ne, shqiptarët, nën sundimin kolonial të serbo-sllavo-maqedonëve nuk qëndrojmë më.

Nga ana tjetër, ne nuk do të durojmë as Greqinë, anëtaren e NATO-s dhe BE-së, që të diskriminojë ende mbi 200.000 çamët e përzënë me dhunë nga trojet e tyre. Ne kërkojmë të drejtên e riatdhesimit të çamëve në tokat e tyre në Camëri, i kërkojmë qeverisë greke t'u kërkojë atyre falje publike për gjenocidin që ka ushtruar, t'u paguaj dëmshpërblim, sikurse veproi bota me çifutët. Çamëve duhet njohur aq të drejta dhe liri, sa u njeh shteti shqiptar në Shqipëri minoritarëve grekër.

Në se mjetet politiko-diplomatike nuk bëjnë efekt FBKSH do t'i thotë "Po" çdo gjëje që të jep forcë, që grumbullon forcë, që justifikon ndjenjën e forcës. Ne do t'i forcojmë edhe më tej strukturat tona adekuate për të ndryshuar gjëndjen tonë, me fuqitë tona. Përcaktimet politike për FBKSH do mbesin, por veprimet domosdo do të ndryshojnë.

PASQYRA: Kur përmëndni "strukturat adekuate" keni parasysh edhe Armatën Kombëtare Shqiptare (AKSH)?

ALBAN VJOSA: "Duhet të posedosh diçka për të qënë dikush"- thoshte Niçe. AKSH është një nga strukturat tona. FBKSH është struktura e saj politike. AKSH po riorganizohet, po rikonstruktohet, po paiset me kuadro udhëheqëse që kanë mbaruar ose janë specializuar në shkollat ushtarake të Perëndimit dhe po merr çdo ditë e më shumë tiparet e një ushtrie të rregullt, bashkohore, që vepron me disiplinë dhe ligje të forta.

Ne nuk do të pranojmë të jemi nën sundim kolonial e ushtarak, sikurse jemi. Nëse logjika, zëri i arsyes, e vërteta, nuk do të zënë vend, lëvizjen guerile apo kryengritjen e armatosur të popullsisë shqiptare në të gjitha trevat tona, nuk mund ta nënshtroj dot askush. Populli shqiptar në trojet e okupuara momentalisht është tepër i revoltuar, sepse nuk e imagjinon dot më që pas gjithë këtyre sakrificave, luftrave e ndryshimeve botëore, ata të rrinë ende të ndarë kolonialisht në pesë shtete. Ndaj ata janë të gatshêm t'i bashkangjiten AKSH.

Komiteti i Përgjithshëm i FBKSH, në përbërje të të cilit ka me dhjetra e dhjetra politikanë dhe diplomatë karriere, akademikë, profesorë dhe intelektualë me nam në hapsirat shqiptare. Momentalisht, ne po punojmë për t'a shtënë nën kontroll situatën. FBKSH konsideron me shumë rëndësi rendin e lëvizjeve, por dhe zgjedhjen e momentit të volitshëm për veprime racionale.

PASQYRA: Nuk druani se AKSH mund të konsiderohet organizatë terroriste?

ALBAN VJOSA: AKSH është ndërtuar dhe funksionon nën principet dhe rregullat e ushtrive Perëndimore, nën principet e NATO-s. Ajo do të jetë bashkëpunëtore e organizmave të specializuara në luftë kundër terrorizmit. Ajo ka për mision të ndal, të paralizojë dhe eleminoj çdo llojë terrorizmi shtetror serbo-sllavo-maqedon kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare, e cila do të hedh tutje zgjedhën e huaj. AKSH me vepra do të tregoj se çfar formacioni serjoz është, kur do të ndërhyjë, për çfarë do të ndërhyjë dhe kundër kujt do të ndërhyjë. Ajo nuk do t'i shkeli kurrë parimet, rregullat dhe ligjet ndërkombëtare.

PASQYRA: Ta zëmë që ju quajtën “terroristë”, ç’do të bënit ju atëherë?

ALBAN VJOSA: FBKSH dhe strukturat e tij janë përcaktuar qartë dhe prerë si aleatë të forcave progresiste ndërkombëtare kundër terrorizmit. Veprimet tona të deritanishme janë të pjekura dhe të kontrolluara. AKSH i konsiderojë njerëz forcat e armatosura kufitare sllavo-maqedone, dhe në vend që t'i vriste, pasi i zuri në befasi, i detyroI të largohen në panik, duke u thënë që të hidhnin posht uniformën dhe armët e turpit.

Edhe në të ardhmen AKSH do të ndërmarrë aksione të fuqishme, do t'i çarmatosë sllavo-maqedonët, do u xheveshi uniformat, dhe pastaj pa i prekur le të shkojnë e t'u thonë eprorëve të tyre që janë të tepërt në truallin shqiptarë. Forcat tona do veprojnë vetëm në kushtet e vetmbrojtjes. Ato do të marrin në mbrojtje jetën e të gjithë shqiptarëve nën kolonizim dhe nuk do lejojnë përdorimin e dhunës dhe gjenocidit ndaj tyre.

FBKSH do të punojë e luftojë për liri, pavarësi dhe ribashkim kombëtar. Nëse mospranimi i shtypjes, shfrytëzimit, mungesës së lirive dhe të drejtave kombëtare, mos pranimi i dhunës dhe gjenocidit serbo-sllavo-maqedonë, mos pranimi i burgosjeve dhe keqtrajtimeve quhet "terrorizëm", atëherë po ju them troç, se ne do të mbetemi "terroristë të përjetshëm".

PASQYRA: Këto ditë shtetarët maqedonas kanë folur për ekzistencën e një fare Ushtrie të Iliridës. Ekziston në realitet ky "formacion ushtarak" dhe a ka lidhje AKSH me të?

ALBAN VJOSA: Këtë të ashtuquajtur "Ushtri të Iliridës" e "pagëzoi" kryeministri maqedonas! Bile ai "emroi" edhe "komandantin" e saj, Nevzat Halili! FBKSH, si organizatë gjithpërfshirëse,nuk e ka në metodën e punës së saj kundërvënijen "shqiptari, kundër shqiptarit". Me gjithë atë, për hirë të realitetit, nuk besojmë se vërtetë Nevzat Halili, ish-lideri i parë politik i shqiptarëve në Maqedoni, të prishi shtetin e FYREM-it që e krijoi vet. Kjo është një "lojë" sllavo-maqedonase që bëhet nën moton "nuk mund t'i shërbehet më mirë një çështjeje veç duke e persekutuar, duke lëshuar gjithë qentë kundër saj...". Në një shtet që është në thelb fals, vërtetësia është një ritëm jo i natyrshëm, ajo mund të ketë kuptim vetëm si mjet drejt një falsiteti të veçantë. Kjo "sajes" e Gjeorgjevskit u krijua për "të zvogëluar" ndikimin real që ka në popull AKSH.

PASQYRA: Vrasjen e dy policëve në IRJM e ka marrë përsipër krahu juaj ushtarak, ndërsa sllavët kanë lëshuar fletëarrest kundër ish liderve të UCK. Si i komentoni Ju akuzat se "AKSH u dha shkas sllavëve para zgjedhjeve që të sulmojnë kreun kombëtar"?

ALBAN VJOSA: AKSH, sikurse kemi theksuar, është një strukturë ushtarake bashkëkohore, e organizuar dhe e disiplinuar, që di çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë. Parimi bazë i veprimtarisë së saj është të vepruarit në kushtet e vetmbrojtjes. Ishin strukturat e armatosura të policisë së IRJM ato që provokuan, që vranë pa asnjë shkak një çun shqiptar 38 vjeçar nga Dibra. Ishin "luanët" dhe "tigrat" e Boshkovskit që vringëllinin armët në Gostivar. E ku, se? Kur dihet nga të gjithë që Gostivari edhe gjatë luftës etnike të një viti më parë qëndroi i qetë. "Luanët" e Boshkovskit provokuan rëndë dhe po pregatisnin një masakër kundër Gostivarit të pastër shqiptar. Ata nuk kanë asnjë punë të futen dhe të provokojnë zonat e pastra etnike shqiptare. Morën përgjigjen e duhur për provokimin që bënë.

Ndërsa lidhur me akuzat se "AKSH u dha shkas sllavëve para zgjedhjeve që të sulmojnë kreun kombëtar Ali Ahmeti" më duket se është e ekzagjeruar dhe logjikisht pa bazë. E kuptoj që, siç thoshte Epiteti, ato që mallëngjejnë njerëzit s’janë veprat por opinionet. Megjithatë, lëshimi i një "fletëarresti" të tillë është një fars që në thelb i forcon pozitat e ish-liderit të UCK. Nga ana tjetër, pavarësisht se AKSH ishte e detyruar që të vepronte, siç veproi në Gostivar, në fund të fundit ajo i bëri mirë Ali Ahmetit. Shqiptarët (ata të pakët që do të dalin në zgjedhjet parlamentare) edhe nëse nuk kishin ndërmënd të votonin për BDI e Ali Ahmetit, tashmë do të votojnë, sepse ne e kemi traditë që njeriun tonë, nëse atë e përflet o kërkon t'a dënojë i huaji, ta mbrojmë edhe nëse s’jemi me të.

PASQYRA: Si i interpretoni ju fletarrestimet kundër liderëve të UÇK-së në Kosovë?

ALBAN VJOSA : Arrestimet e ish-luftëtarëve të UCK-së ishin të motivuara politikisht. Ju theksova, një pjesë e "ndërkombëtarëve" nuk rrojnë dot pa Serbinë. Ky vend, megjithëse bëri 4 luftra të përgjakshme të tipit fashist në Ballkan kundër popullsive të etnive të ndryshme, duke u shkaktuar atyre fatkeqësi historikisht të pashlyera, një pjesë e faktorit ndërkombëtar jo vetëm nuk e dënuan rëndë, përkundrazi kanë tendencën të ridënojë viktimat e këtij shteti të kriminalizuar.

Nëse "ndërkombëtarët" i "bjenë derës, të dëgjojë dritarja", vlerësojë se nuk kanë gjetur objektin, kohën dhe arsyen e përshtatshme. Një "mësim" i tillë nuk do të kishte asnjë vlerë.Përkundrazi, do të ishte një arsye më shumë që të mos i lëshonim kurrë armët nga duartë.

PASQYRA: Arrestimi i tyre de facto është mbrojtur e advokatuar prej LDK-së, që mori shumicën e votave në zgjedhjet e fundit. Ç’përfundim nxjerrni ju nga ky fakt?

ALBAN VJOSA: - Unë do të thosha janë nxitur prej LDK dhe disa prej organeve të shtypit që qëndrojnë pranë saj. Ka shumë arsyje që ndodh kështu. Kryesorja për mendimin tim është gabimi që kanë bërë forcat atdhetare çlirimtare. UCK-ja nuk arriti të nginte në luftën çlirimtare gjithë popullin e Kosovës. Luftës kundër serbo-sllavëve nuk ju bashkua më shumë se 20 përqind e popullsisë. Pas luftës domosdo "pacifistët", "vllazërues-bashkuseët", për të përligjur pasivitetin e vet, për të justifikuar faktin që nuk ju përgjigjën zërit të atdheut duke marrë në duar armët, siç i morën bashkombësit e tyre, tregojnë përralla me "largpamësinë e Rugovës" se gjoja "pavarësia" e Kosovës do vinte me "konferencat e shtypit" të tij çdo të premte! Në këto rrethana, e keqja kombëtare, serviret dhe shpërblehet si "e mirë kombëtare" dhe e mira e vërtetë luftohet dhe nuk votohet se konsiderohet "e keqe".

FBKSH do gjejë rrugët dhe mjetet që pacifistët, frikamanët, sahanlëpirsit e "bashkim-vëllazërimit", tregtarët e flamujëve dhe "trimat e odave" të mbeten në pakicë.

PASQYRA: Ju vetit i keni vënë qëllim ta mbroni edhe jugun e Shqipërisë prej ”invazionit grek”. Ndërkohë grekët e kanë shtënë në dorë Kishën Autoqefale Shqiptare e financat e vendit, e kanë ngulitur një regjiment të vetin në qendër të Tiranës, janë në pozitë të zgjedhin mes ofertave të politikanëve shqiptarë, e mund t’i zbojnë kur e si të duan dhjetëramijëra mërgimtarëve shqiptarë. Si dashkët ju ta luftoni trysninë greke, kur vet shteti shqiptar ka dështuar në atë lëmi?

ALBAN VJOSA: Shoqëria aktuale shqiptare ka në trupin e vet plagë të rënda. Ne jemi të vetdijshëm se nuk do ta kemi të lehtë. Por FBKSH ka kuptuar kryesoren: plagët agravojnë dhe bëhen të pashërueshme në një Shqipëri të ndarë e të coptuar në pesë shtete. Hapsirat shqiptare aktuale janë të sunduar nga një klasë politike e pistë. Me sa duket, faktorët vendimarrës e kishin përgatitur me kohë këtë klasë politike, e cila erdhi bashkë me pluralizmin dhe "demokracinë". Ata janë të vendosur t'i mbajnë kështu siç janë hapsirat shqiptare, në "tranzicion" të përjetshëm. Vetëm kështu ata mund të veprojnë lirshëm si grabitës të popullit dhe pasurive kombëtare, si "kozmopolitë" për të fituar besimin e "ndërkombëtarëve" për të bërë detyrën e kolaboracionistëve në qeveri.

Platforma, ideali, puna dhe lufta e FBKSH dhe e strukturave të tij, grumbullimi rreth tyre i të gjithë shqiptarëve që vuajnë realisht prej këtyre plagëve të hapura në trupin e atdheut, përdorimi i metodave specifike efikase për koregjim, janë mjete shërimi. FBKSH nuk është organizatë ilegale. Ajo është një organizim politik gjithpërfshirës tepër i gjerë me shtrirje në të gjitha hapsirat shqiptare.

Mjafton të themi që nga Kuvendi i 13 korrikut 2002 e deri më sot janë anëtarësuar mbi 3000 anëtarë, e ky numër rritet me shpejtësi të pazakontë. FBKSH dhe strukturat e saj do të bëhen forcë serjoze që do ta mposht të keqen, për të ngritur të mirën.

"Ilegaliteti" jonë është tepër i përkohshëm. Me FBKSH do bëhet i gjithë populli shqiptarë, sepse ai është i vetdijshëm që i provojë të gjitha "alternativat" e afruara. Prangat e mungesës së lirisë, të kolonializmit, nuk ja hoqi kush nga duartë. Në këto kushte ata kanë përqafuar dhe do të mbështesin alternativën e vetme të shpëtimit, ribashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetem kombëtar në Ballkan, alternativë e cila do të na shpëtojë nga kolonizatorët dhe nga kolaboracionistët që u shërbejnë të parëve.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË