NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 

Visaret e kulturës Çeke në mëshirën e ujërave

ARTIKUJ VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Dilemat e shoqërive postkomuniste
KU ËSHTË TRETUR ARMATA E SPIUNËVE?

Hungaria po ballafaqohet me të kaluaren e saj të zezë. Në qershor shtypi i djathtë i vendit denoncoi kryeministrin Peter Medgyessy (partia socialiste, ish komunistët) të ketë qenë spiun i regjimit komunist. Kryeministri u detyrua të pohojë se që nga viti 1978 deri më 1982, si funksionar në Ministrinë e Financave, kishte punuar për shërbimin e kundërzbulimit. Pas këtij pohimi, kryministri propozoi formimin e dy komisioneve: njëri për te analizuar dosjen e tij, ndërsa tjetri për të hulumtuar të kaluaren e të gjithë anëtarëve të qeverive që prej rrëzimit të komunizmit e deri më sot. Sipas këtij komisioni, raporti i të cilit pritet të publikohet në ditët që vijnë, shumica e agjentëve ishte strehuar sidomos në qeveritë konservatore! Me t’u paralajmëruar publikimi i emrave, dy politikanë të djathtë, Sigmond Jarai, aktualisht guvernator i Bankës Kombëtare e ish-ministër i financave në kabinetin e Viktor Orbanit, dhe Imre Boros, ish-ministër pohuan se kanë qenë oficer të kundërzbulimit njëri deri më 1989 dhe tjetri deri më 1993, të ngarkuar për të mbikqyrë qarqet financiare ndërkombëtare.

Rrëfimi ka bërë jehonë të madhe dhe nxiti reagimin e presidentit të vendit Ferenc Madl, i cili aksionin e qeverisë, konkretisht veprimtaritë e komisionit hulumtues i quajti «antikushtetuese». Mirëpo reagimi i tij lidhet me dyshimet se edhe ai vetë mund të jetë në listën e ish-spiunëve.
Fakti se në partitë e djathta janë fshehur shumica e ish-agjentëve dëshmon se partia Komuniste nuk rekrutonte në radhët e saj informatorët e policisë. «Më 1989, gjatë ndërrimit të regjimit, shumica e agjentëve të vjetër iu bashkangjitën partive të djathta, sepse ishte mënyra më e mirë për t’u fshehur. Eshtë e mundshme që të paktën, një e treta e deputetëve të parlamentit shumëpartiak (1990-1994) kanë qenë ish-agjentë, nënvizon Andreas Galszecsy, i cili ishte ministër i ngarkuar me shërbimet sekrete në periudhën 1990-1992. Në këtë fakt duhet kërkuar shkakun pse ne Hungari nuk u përdor filtri për ish-bashkëpunëtorët e regjimit komunist, policisë politike të tij.

Në kundërshtim me praktikat në ish-Gjermaninë Lindore dhe Republikën çeke, Hungaria gjer më tash nuk ka «pastruar shtëpinë». Në Pragë agjentët e dikurshëm janë larguar nga funksionet publike për një periudhë prej 5 vjetësh, ndërkaq në Gjermani, çdonjëri ka mundur të lexojë në arkivat e Stasi-t (ish-shërbimi sekret gjermanolindor) emrat e spiunëve.

Krejt ndryshe ka ndodhur në Hungari, ku legjislacioni i «lustrimit» ka hyrë në fuqi vetëm më 1997, dhe i «i cili ka marrë në konsideratë vetëm informatorët e vegjël, duke kursyer agjentët e vërtetë», kritikon historiani Janosh Kenedi nga instituti i hulumtimeve «1956» Sipas tij rreth 600 persona, ministra, gjyqtarë, etj. janë identifikuar si ish-agjentë, por për asnjërin nuk ka pasur pasoja pos ndonjë dorëheqje ose largim diskret.

Edhe Ligji i aprovuar më 2001, i cili përfshinte gazetarët dhe funksionarët lokal, por nuk është aplikuar. «Ligji ka bërë nga policia politike një cung drush, vazhdon Janos Kenedi, por asnjëherë nuk është hulumtuar në departamente tjerë: zbulimi, kundërzbulimi, shërbimi sekret ushtarak, të cilat kanë ruajtur sekretet për pasuritë e tyre përrallore në banka, ndërtesa etj.. Xhirollogaritë në deviza që, para vitit 1989 shërbenin për pastrimin e parave dhe për importimin e teknologjisë së lart, i kanë mundësuar elitës që të futet në biznese shumë të leverdishme.»

Më 1997, u bë përpjekja e parë për të hedhur dritë mbi të kaluaren. Kur u hap Instituti i Arkivit kombëtar dhe ku hungarezët mundën të konsultonin dosjet e tyre. 3200 veta konsultuan biografinë e tyre policore. Por Instituti ka trashëguar vetëm një pjesë minore të arkivave. Sepse policia politike, e njohur edhe me emrin e koduar III/3 para se të shpërbëhet pati djegur pjesën dërrmuese të dosjeve. «Në fund të vitit 1989 rreth 100'000 dosje të spiunëve dhe 4000 dosje të kundërshtarëve politikë (antikomunistëve) u dogjën…», pohon drejtori i Institutit Georgi Marko. Ndërkaq pjesa tjetër e dosjeve ruhet nga shërbimet e tjera informative të kohës komuniste.

Arkivat gjer më tash nuk kanë informatizuar më shumë se 10% të fondeve të tyre, kështu dhe hulumtimi i dosjeve ekzistuese është vështirë i realizueshëm.
Në anën tjetër, në kundërshtim me praktikën gjermane, ku agjentëve të Stasit u ishte ndaluar shikimi i dosjeve të veta, në Hungari kushdo që të dojë pra dhe agjentët e dikurshëmn, mund t’i shqyrtojë dosjen e vet, natyrisht nëse ajo nuk është djegur me kohë.

Kjo e kaluar e errët mbi të cilën akoma nuk po hidhet dritë dëshmon se në Hungari «demokracia ka lindur në formë të kompromisit mes komunistëve, reformistëve dhe forcave të tjera politike», konstaton historiani Mihaly Fulop, «kompromisi konsistonte në atë që të ruhet vazhdimësia shtetërore, përfrshirë dhe shërbimet sekrete. Nga skena politike janë eliminuar vetëm disa persona, ndërsa të tjerët janë lënë në hije.»

Mirëpo edhe shoqëria hungareze është indiferente për sa i përket të kaluares së errët komuniste të vendit: 675 e hungarezëve megjithatë është për atë që kryeministri Medgyessy të mbetet në këtë funksion.
«Eshtë krejt normale që t’i kthehet shpina të posakaluares, kur përbvallesh me vështirësi të reja.», vazhdon historiani. «Më 1989 asnjë revolucionar nuk delte në rrugë për të sulmuar selinë e partisë komuniste. Përkundrazi, atëherë partia komuniste numëronte 880'000 anëtarë, ndërsa rinia komuniste një milion aderues. E tërë shoqëria ishte e lagur. Ndërkaq 12 vjet më vonë ju nuk gjeni asnjë komunist për be! Bëhemi sikur komunizmi nuk ka ekzistuar kurrë!»

E interesuar për të zgjidhur këtë çështje, qeveria ka propozuar një projektligj për hapjen e të gjitha dosjeve të shërbimit zbulimit, kundërzbulimit dhe shërbimit informativ ushtarak. «Duhet hapur të gjitha dosjet, sepse policia politike ka djegur hsumicën e dosjeve, por kjo polici nuk ka qenë siç po përpiqen të na bindin, një sektor krejt autonom. Shërbimet sekrete kanë qenë një organizim i unifikuar dhe të gjitha seksionet kanë qenë të detyruara të bashkëpunojnë», nënvizon disidenti i dikurshëm dhe kryetari i tashëm i Komitetit të Helsinkit, Ferenc Köszeg.

Ndërkaq Janosh Kenedi shpreson se «megjithatë nuk do të reduktohet çështja në publikimin e listës se X, Y ose Z kanë qenë informatorë, porse duhet të hapen të gjitha dosjet, në mënyrë që të mund të shihen dhe të dihen të gjitha. Sepse vetëm në këtë mënyrë çdo njëri mund të zbulojë se pse e ka mbikqyr policia, se spse nuk ia kanë dhënë banesën, pse e kanë larguar nga universiteti. Në të kundërtën ligji i propozuar do të jetë vetëm një parodi.»

Liberation


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË