NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
DOSSIER VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Gjykimi i Millosheviçit
MILLOSHEVIÇI NË ADVANTAZH PARA DËSHMITARËVE

Shkruan: Iliriana BAJO


13 shtator 2002 shënon përfundimin e pjesës së parë të gjykimit të Sllobodan Millosheviçit, e cila lidhej me akuzat për Kosovën.

Për afro 8 muaj në sallën e Gjykatës ndërkombëtare të Krimeve të Luftës për ish-Jugosllavinë, dëshmuan ish politikanë dhe politikanë të Kosovës, aktivistë të të drejtave të njeriut, ish luftëtarë të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, qytetarë të të gjitha niveleve, të cilët kishin qenë dëshmitarë të politikave dhe akteve kriminale të Sllobodan Millosheviçit dhe strukturave të tij.

Të gjithë dëshmitarët shqiptarë, derisa bënin betimin para Gjykatës, mbanin mbi supe një përgjegjësi të jashtzakonshme: përmes dëshmive të tyre të tregonin se krimet në Kosovë, qenë krime të organizuara nga strukturat shtetërore të Serbisë, të cilat nuk ndodhën rastësisht dhe qenë vetëm një pjesë e historisë kriminale të strukturave të shtetit serb në Kosovë.

Natyrisht kjo arrihej më së pari duke qenë të qartë e të saktë në dëshmitë e tyre lidhur me ngjarjet në të cilat ata kishin qenë dëshmitarë gjatë viteve 1998-'99, kohë të cilën përfshin gjykimi nga pikëpamja ligjore.

Por çdokush që ka ndjekur gjykimin ka ndjerë se dëshmitarëve shqiptarë u ka munguar një këshillim e mbështetje profesionale, çfarë ka ulur efikasitetin e një numri syresh. Detyrimi që mbanin mbi supe, risjellja në publik e një morrie të ndodhurash, që shpeshherë njeriu përpiqet t'i harrojë, e bënin të vështirë qartësinë e dëshmive të tyre. Nga ana tjetër qënia përballë Millosheviçit dhe e drejta e këtij të fundit që për 45 minuta të pyeste, apo më sakt të përpiqej të poshtëronte dëshmitarët, e rëndonin gjendjen e tyre emocionale dhe psikologjike, edhe ashtu aspak të lehtësuar.

Është e qartë për të gjithë se Millosheviçi në këtë gjyq ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejtë të struktuarve të shtetit të tashëm serb dhe kjo duket nga mundësia e tij për të sjellë fakte e dokumenta nga arkivat shtetërore. Ndërkaq shqiptarët edhe këtë rradhë vinin në gjykatë individualisht, pa mbështetjen e asnjë strukture kosovare. Përveç dëshmitarëve shqiptarë në Hagë u paraqitën dhe politikanë, ushtarakë perëndimorë dhe ish ushtarë apo anëtarë të strukturave shtetërore serbe.

Në Hagë u thirrën nga prokuroria për të dëshmuar dhe gazetarë që kishin qenë dëshmitarë ngjarjesh të caktuara. Gazetarët si dëshmitarë - kjo solli një diskutim të gjerë në mediat ndërkombëtare që vazhdon ende. Disa gazetarë amerikanë, nuk kanë pranuar të dëshmojnë, pasi sipas tyre vënë në rrezik jetën e reporterëve të luftës që janë në terren sot apo në të ardhmen.

Xheki Rolland, ish korrespondentja e BBC-së në Ballkan, ka pranuar të dëshmojë, duke nxitur debatin mbi atë nëse gazetarët duhet të dëshmojnë apo jo.

Në vijim janë përshkrimi i gjyqit nga vetë gazetarja Rolland dhe përballja e saj me Millosheviçin.


NË HAGË NUK KUJTOHEJ, PO SHKRUHEJ HISTORIA

Nuk ka pasur asnjëherë dyshim në mendjen time lidhur me dëshminë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviçit.

Isha thirrur në cilësinë e dëshmitares për ngjarjet në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Të gjitha ato që dija i përkisnin një fushe publike - i kisha transmetuar gjerësisht në programet televizive dhe radiofonike të BBC dhe nuk ishte ndonjë burim informacioni konfidencial, të cilin duhej ta mbroja. Zyra e prokurores më pyeti për dy vizita që i kisha bërë në majin e vitit 1999 në burgun e Dubravës në Istog.

Atje vdiqën dhjetra shqiptarë të Kosovës.

Autoritetet serbe thanë se ata u vranë gjatë sulmeve të NATO-s, por unë nuk isha e bindur se të gjithë viktimat kishin vdekur prej tyre.


Kërcënimi konkret

Vendimi për të dëshmuar besoj se është një çështje e bindjeve vetjake. Disa gazetarë, veçanërisht amerikanë, janë kundërshtarë të kësaj ideje duke u justifikuar me paanshmërinë dhe kërcënimin që kjo paraqet për reporterët e luftës në të ardhmen.

Unë besoj se në themel, gazetarët janë dëshmitarë të ngjarjeve për të cilat raportojnë. Dëshmia ime në Hagë ka qenë një vazhdim i raportimeve që kam bërë.

Besoj se aftësia jonë për të fotografuar dhe transmetuar informacione paraqet një kërcënim të menjëhershëm dhe më konkret se sa mundësia që ndonjëherë, kohë pasi kemi qenë në vijën e parë të fronit, do të dëshmojmë kundër tyre.

Ne të vërtetë është puna jonë e gazetarit që na vendos në rreziqe më të mëdha.

Dy kolegë amerikanë, në mënyrë të butë, u përpoqën të më bindnin të mos dëshmoja. Një natë përpara gjyqit morra një email të shkurtër nga një prej tyre ku më shkruante: "A je e sigurt që do ta bësh një hap të tillë?"

Kur takova dëshmitaren që e kishte rradhën pas meje - një grua e cila kishte humbur 8 anëtarë të familjes në një masakër për të cilën akuzohej policia serbe - e ndjeva se si argumentet e gazetarëve për të mos dëshmuar dukeshin të pafuqishme.

Sfida

Përballja ime me Sllobodan Millosheviçin në sallën e gjyqit qe takimi i parë me ish presidentin jugosllav.
Ai ka zgjedhur të mbrohet vetë, por duket qartë se ai ka një ekip kërkuesish që punojnë për të pas skene.
Kisha menduar rreth të gjitha linjave të mundshme, ku do të mund të përqëndroheshin pyetjet e tij dhe ndonse ai qe një kndërshtar i shkëlqyer kishte fare pak befasira për mua në sallën e gjyqit.

Unë duhej të mbroja veten dhe BBC-në kundër akuzave për mungesë objektiviteti. Më duhej edhe të shpjegoja se si arrita në përfundimin se jo të gjithë të burgosurit në burgun e Dubravës qenë vrarë nga bombat e NATO-s.

Ideja se do të pyetesha nga zoti Millosheviç qe më shumë një shkatërrim nervash dhe jo një ngjarje. Ora ime në përballje me të qe një ushtrim sfidues intelektual, e padyshim i dobishëm.


A duhet që gazetarët të jenë të përgatitur mbi krimet e luftës në të cilat ata mund të kenë qenë dëshmitarë?

Gazetarja e BBC-së Xheki Rolland tha Po. Si pasojë, ajo u përplas në mënyrë dramatike në sallën e gjyqit në Hagë me Sllobodan Millosheviçin, lidhur me vdekjen e të burgosurve në një burg në ish Jugosllavi tre vjet më parë.

Reporterët e luftës janë të ndarë lidhur me paraqitjen në gjykatë. Disa e shohin si detyrë. Të tjerët thonë se kjo mund të rrezikojë jetët e reporterëv të luftës në konfliktet e ardhsme.

Ndërkaq një vështrim nga brenda mbi gjyqin më të madh për krime lufte nga koha e pas luftës së Dytë Botërore e bën vet dëshmitarja, Xheki Rolland.

Xheki Rolland:

Është një ndjenjë e çuditshme të qenit në Hagë. Kam shkruar aq shumë lidhur me Gjykatën, por tashmë nuk jam këtu si gazetare, por si dëshmitare.

Nuk e kisha menduar kurrë se Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte do të më thërriste në cilësinë e dëshmitares. Për shumë vite kam mbuluar ngjarjet në Ballkan, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo jo, kanë qenë rezultat i veprimeve dhe politikës së Sllobodan Millosheviçit. Dhe tani, pas mbulimit të këtyre ngjarjeve për vite me rradhë duket se jam bërë pjesë e ngjarjeve.

Është maji i vitit 1999 dhe fushata ajrore e NATO-s kundër forcave serbe dhe atyre të Republikës Federale të Jugosllavisë është thuajse në muajin e saj të dytë. Fushata e bombardimeve kryesisht është e përqëndruar në caqet ushtarake, si strehimoret e ushtrisë dhe të ministrisë së brendshme. Por aeroplanët e luftës kanë sulmuar gjithashtu dhe rafineri nafte dhe komplekse industriale.

NATO-ja po i përdor bombardimet me saktësi të madhe, por megjithatë ka pasur gabime spektakulare. NATO-ja ka goditur një tren pasagjerësh në jug të Beogradit, ku kanë humbur jetën 7 vetë - një ndër gabimet më të rënda.

Të vrarët nga bomba u dogjën në vagonat e trenit.

Më vonë, goditja e ambasadës së Kinës në Beograd shkaktoi shumë zhurmë të re diplomatike.

Ka akuza të përditshme nga pala serbe se NATO-ja po vret civilë, e kundërakuza se serbët po përdorin popullsinë civile si pengje.

Kosova ka qenë një zonë ku shkuarja ka qenë e ndaluar për gazetarët gjatë luftës. Në atë kohë qeshë korrespondente e BBC-së në Beograd dhe hyrja në Kosovë u kthye në përparësi për mua. Fare pak fotografi dhe informacione mbi luftimet vinin nga brenda Kosovës gjatë kohës së bombardimeve. Një herë që munda të shkoja në Kosovë isha në duart e mbikqyrësve serbë, ndaj pashë vetëm ç’donin ata të shihja.

Një të premte, nga fundi i majit, ata më morrën të shihja një burg në një zonë të thellë, për të cilin më thanë se qe sulmuar nga NATO-ja. Ata mbanin të burgosur atje shumë shqiptarë të Kosovës. Brenda territorit të burgut pashë disa trupa, shumica e të cilëve shtriheshin nën batanije.

Kjo është ajo çfarë raportova në atë kohë.

Raporti i luftës

« Autoritetet thonë se 1 mijë të burgosur janë mbajtur në këtë burg. Të ardhurit ishin lënë jashtë qelive të tyre dhe mund t'i shihni pas shpinës sime të shtrirë në rrëzë të murit. Disa prej tyre mund të jenë vrarë nga sulmet e NATO-s, të tjerët mund t'i kenë ikur. »

ROLLAND
Më kthyen tek burgu një javë më pas. Kishte pasur sulme të reja gjatë ditëve të fundit dhe natyrisht më shumë dëme.

Raporti asaj kohe:

« Vizita jonë e fundit tek burgu sillte më shumë pyetje se sa përgjigjje. Ishte e qartë se burgu qe goditur ashpër nga NATO-ja që nga vizita jonë e parë, të premten. »

Duke ecur përreth burgut numëruam 44 trupa. Rreth gjysma e tyre mund të kenë qenë viktima që nga sulmi i parë i të premtes, të cilat vazhdojnë të shtrihen mbi bar, të mbuluara me batanije. Ndërkaq u çuam në një qeli ku gjendeshin 25 trupa, të cilët nuk dihet nga e kishin gjetur vdekjen derisa gjendeshin të gjithë në një qeli të padëmtuar.

ROLLAND:

Kur lashë burgun atë ditë, një pyetje më vërtitej në mendje. Të burgosurit shqiptarë të Kosovës e kishin gjetur vdekjen nga sulmet e NATO-s apo nga gardianët e tyre serbë?

Le të shkojmë në kohë tre muaj më pas. Sulmet kanë përfunduar, forcat serbe të sigurisë janë larguar nga Kosova dhe provinca është tani në duart e NATO-s. Një fushë me varre të gërmuar cekët ishte gjetur pranë burgut që kisha vizituar unë. Shqiptarët vendas flasin për masakër. Hetuesit për krimet e luftës kanë filluar të vijnë në vend.

Dhe Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi është vendi ku ka çuar ajo që kishte ndodhur. Sllobodan Millosheviçi po vetmbrohet kundër akuzave për krime lufte dhe gjenocid që janë ngritur ndaj tij, në gjyqin që ka filluar në shkurt. Por për mua kjo është dita e parë. Ka pasur shumë shtyrje gjatë këtyre 24 orëve. Madje nuk qe e sigurt nëse do të dëshmoja sot apo jo, por siç duket po. Duhet ta pranoj se po ndihem nervoze. Edhe nuk kam fjetur mirë.

Nuk kam rreshtur së binduri vetveten se kjo nuk është gjë tjetër veçse njëjtë si një raport tjetër i drejtpërdrejtë në televizion. Por dallimi nga një dalje e zakonshme në televizion është se në paraqitje të tilla dëgjuesi nuk shihet, ndërsa unë do ta shohë Millosheviçin.


GJYKATËSI RICHARD MEJ:

Dëshmitari të japë deklaratën.

ROLLAND:

Solmenisht deklaroj se do të them të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe asgjë tjetër veç së vërtetës.

Krueprokurori po paraqet deklaratën e dëshmisë sime rreth vizitës në burg pas sulmeve të NATO-s atje. Por pas veçse 15 minutave, për frustrimin tim nervaprishës, gjyqi u shty deri të nesërmen.

GJYKATËSI MEJ:

Në ora nëntë ju lutem.

ROLLAND:

Nuk e kisha takuar asnjëherë më parë zotin Millosheviç dhe megjithëse nuk e shihja isha në dijeni të pranisë së tij në sallën e gjyqit.

Pashë shenja të pranisë së tij vetëm në fund kur gjyqtari kishte bërë të ditur shtyrjen e seancës. Vendosa të hidhja një sy nëpër sallë që ta shihja dhe kur e gjeta me sy pashë që dhe ai po vështronte nga unë. Qe një kontakt sy në sy. Ishte një moment krejt i shkurtë, ku përmblodha se ai po vështronte në drejtimin tim me një vështrim të painteresuar përbuzës njëherësh. E ndjeva atë vështrim.

ZYRTARI I GJYQIT:

Gjykata Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë është tani në sesion.

GJYKATËSI MEJ:

E drejta juaj tashmë zoti Millosheviç që të pyesni dëshmitaren. Si gjithmonë keni 45 minuta në dispozicion.

ROLLAND:

Një nga veçantitë e këtij gjyqi qe se i akuzuari merr në pyetje dëshmitarin dhe një nga taktikat e tij është të diskretitojë dëshmitarin dhe provat e tij. Kur të të drejtohet z. Millosheviç, ndodh që mund të jetë tepër frikësues.

SLLOBODAN MILLOSHEVIÇ:

Ku e mbështesni dyshimin tuaj se ata mund të kenë vdekur nga tjetër shkak e jo nga bombat e NATO-s?

ROLLAND:

Besoj se disa prej tyre janë vrarë nga bombat e NATO-s. Por nga ato që pashë mendoj se një pjesë e tyre nuk ishin vrarë nga sulmet e NATO-s. Dyshimet e mia lidhen me paraqitjen e kufomave. Nëse një person vdes nga bomba do të prisja të shihja plagë, të cilat shoqërojnë vdekjet e shkaktuara në këtë mënyrë. Nëse, për shembull, ju vështroj juve tani zoti Millosheviç, mund të shoh se i keni të dy krahët, mund të dalloj tiparet në fytyrën tuaj dhe mund të vë re se trupi juaj është i pacënuar. Nëqoftëse ju do të ishit goditur nga bomba mendoj se duke parë trupin tuaj mund të thosha se cili qe shkaku i vdekjes suaj.

Më pas zoti Millosheviç më pyeti mua nëse isha në dijeni mbi rezultatet e hetuesve serbë lidhur me bombardimin e burgut.

Unë nuk i di detajet e hetimit sepse fatkeqësisht autoritetet tuaja zgjodhën të më dëbonin, menjëherë pas publikimit të raportit që pamë këtu. Do të kisha qenë e kënaqur të kisha mundur të vazhdoja të mbuloja hetimet lidhur me atë që ndodhi në burg.

Të jem e ndershme me ju ndjeva një valë lehtësimi kur dola nga salla e gjyqit. Ndihesha shumë mirë. Punë kish vajtur shkëlqyeshëm, fantastike. Isha nervoze kur shkova atje, por kur ai filloi të më pyeste dhe unë u gjenda dhe një herë në rrjedha, isha në pozicion. Dhe qesh vërtet.

Këto kanë qenë dy ditë të mbushura gjithë stres dhe ishin rreth 100 dëshmitarë të tjerë, disa viktima të krimeve, të cilëve iu duhej të kalonin edhe përmes një procesi të tillë.

Mendoj se ajo që bëjmë ne si gazetarë - sjellim fakte - dhe çdonjëri raport që transmetojmë përmes radios apo televizionit është një lloj dëshmie për dëgjuesit dhe shikuesit. Kjo është mënyra se si kam shpjeguar dhe kam menduar lidhur me atë se çfarë bëja unë në sallën e gjyqit.

Gjyqi i zotit Millosheviç duket se do të vazhdojë dhe për dy vjet të tjera. Por për mua kjo paraqitje në gjyq hoqi vijën e viteve të mia që i kam kaluar duke raportuar nga Ballkani. Gjatë asaj kohe jetova shumë ngjarje kyçe së bashku me popullin e rajonit ndaj dhe pjesmarrja ime në këtë gjyq ishte diçka të cilën unë e ndjeja se duhej ta bëja.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË