NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 

Visaret e kulturës Çeke në mëshirën e ujërave

ARTIKUJ VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Mundja në krye të Serbisë hyn në fazë të re
POLICIA SEKRETE, HU NË GRINDJET POLITIKE

Shërbimet inteligjente serbe po manipulohen si armë në duelin mes oponentëve serbë që luftojnë për pushtet. Zhvillimi i papritur u ka ofruar një shans të shumëlypur kuadrove të vjetra për ta ndikuar balansin e ndjeshëm të pushtetit në Beograd.

Shkruan: Shqiptar OSEKU

Beteja politike mes kryetarit të federatës serbomalazeze Koshtunica e kreut të republikës së Serbisë Xhinxhiç ka hyrë në një etapë të re, më serioze e më të ndjeshme se kurrë më parë.

Shkallëzimi i konfliktit nisi më 11 korrik të këtij viti, kur kryetari federal Koshtunica kërkoi nga parlamenti që t'i hetojë pandehmat se ai e stafi i tij janë përgjuar prej oponentit të vet, kryetarit serb Xhinxhiç. Ai tha se besnikët e tij kanë zbuluar "aparaturë speciale", shprehje e zakonshme për aparatet përgjuese, në lokalet e tij e të ndihmësve të tij.

Besnikë të Koshtunicës kanë lëne të kuptohet në media se për këtë vepër e dyshojnë Xhinxhiçin dhe personelin e Byrosë për komunikim, një organi të ri të qeverisë serbe që u krijua në verën e shkuar, e që zyrtarisht është thënë se do ta zëvendësojë ish-Ministrinë e informacionit. Byroja e ka drejtor z. Vlladimir Popoviç, person me karrierë të gjatë profesioniste në shërbimet inteligjente serbe e mik të afërt të z. Xhinxhiç.

Aleatët e Xhinxhiçit u përgjegjën flakë për flakë, duke i kërkuar parlamentit që t'i hetojë njoftimet sipas të cilave Koshtunica ka urdhëruar zaptimin e resurseve të qeverisë republikane serbe.

Konflikti po shkallëzon ethshëm në prag të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, që janë menduar të mbahen diku në fund të vitit. Hulumtimet e opinionit rrëfejnë se sikur zgjedhjet të mbaheshin sot, Koshtunica do ta rrezikonte seriozisht epërsinë e Xhinxhiçit në Serbi.

Mediat serbe ka kohë që shkruajnë për polarizimin e shërbimeve inteligjente serbe. Sipas tyre, kryetari federal Koshtunica e kontrollon Shërbimin inteligjent ushtarak VOS. Në këtë shërbim bën pjesë edhe famozi Shërbim kundërinteligjent ushtarak, KOS, i njohur për brutalitetin e vet efektiv.

Pala e kundërt, ajo që asociohet me kryetarin serb Xhinxhiç, pandehet se e ka në dorë Ministrinë e punëve të brendshme MUP si dhe Resorin e sigurisë shtetërore, RDB.

Taktika e rekrutimit të shërbimeve inteligjente në luftën për pushtet ka dalur e suksesshme, për të dyja palët. Shtypi beogradas kohëve të fundit ka vluar nga zbulimet e sekreteve diskredituese herë për njërin, e herë për tjetrin politikan serb.

Ndonëse parlamenti ka marrur vendim që shërbimet inteligjente të depolitizohen e të vihen nën kontroll parlamentar, të gjithë shenjat tregojnë se oponentët serbë po vazhdojnë të ushtrojnë trysni për t'i manipuluar ato edhe më tej për qëllime të vetat.

Si rëndom në situata të tilla, shumëçka vërtitet rreth fondeve ekonomike. Si kundërshpërblim për "shërbime miqësore", eprorëve të caktuar po u jepen premtime për trajtim të privilegjuar gjatë vitit të ardhshëm fiskal për këtë apo atë shërbim inteligjent.

Shërbimi inteligjent ushtarak, që ishte benjamin i mareshalit Tito gjatë viteve 1960-1980, gjatë sundimit të Millosheviçit 1984-1998 u shtjerr sistematikisht prej njerëzve e resurseve. Dëshmitarë të numërt kanë thënë se Millosheviçi paranoik s'u besonte sigurimsave ushtarakë, që shumica ishin eprorë të karrierës.

Në vend të tyre, Millosheviçi i majmi me fonde e me njerëz - besnikë të partisë së tij - rivalët e tyre nga radhët e Resorit të sigurimit shtetëror RDB.

Ky raport është lëkundur paksa pas ndërrimit të regjimit. Ministria e punëve të brendshme dhe Resori i sigurimit shtetëror kanë nam më të keq në opinion, për shkak të përndjekjeve që u bënin dikur opozitarëve serbë. Si rrjedhojë, ato kanë pësuar më tepër shkurtime fondesh se sa shërbimi inteligjent ushtarak, që është rehabilituar paksa nga Koshtunica.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, oponentët e z. Xhinxhiç kanë pohuar se ky ka zënë të shërbehet me Byronë për komunikim, një organi të ri të qeverisë serbe, si qendër për mbledhje e analizë të inteligjencës së paligjshme. Burime të ndryshme kanë lënë të kuptohet se aty ndodhen pos tjerash edhe transkriptime të bisedave tejet të ndjeshme telefonike të Koshtunicës me figura të ndryshme brenda e jashtë vendit, etj.

Situata e krijuar u ka lënë hapësirë kuadrove të vjetra ushtarake e të inteligjencës, të inkriminuara në kohën e Millosheviçit, që të kenë ndikim të shtuar në politikën serbe. Ato mund të notojnë tani mes dy oponentëve të përbetuar, duke u ofruar shërbimet e veta herë njërit, e herë tjetrit. Njëherit, ata kanë arsye të shpresojnë se do të shtojnë ndikimin e vet mbi politikat zyrtare në Beograd.

Shembull tipik është ish-shefi i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjen. Nebojsha Pavkoviç, më herët ish-komandant i Armatës së Tretë me objektiv Kosovën.

Polarizimi i plotë i komunitetit informativ serb doli në shesh më 24 qeshor sivjet, kur Koshtunica e shkarkoi gjen. Pavkoviç nga detyra e vet. Vendimi ishte i befasishëm ndërsa motivi i panjohur, meqë Koshtunica kish premtuar publikisht se s'do ta dorëzonte gjen. Pavkoviç në Hagë.

Disa orë më vonë, gjen. Pavkoviç mbajti një konferencë për shtyp, ku tha se këshilltarët për siguri të kryetarit Koshtunica, Lilja Nedelkoviç and Gradimir Naliç, kishin kërkuar prej tij më 7 qershor të vitit të shkuar që ta zaptojë me ushtri lokalin e Byrosë për komunikime të qeverisë serbe.

Sipas tij, ku qënkesh shkaku i shkarkimit të tij nga posti. Që më 7 qershor, Koshtunica e paskësh humbur besimin te Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, meqë ky paskësh refuzuar ta zaptojë me ushtarë një lokal zyrtar qeveritar, në qendër të kryeqytetit.

Ky pohim i tij së pari u mohua nga zyra e Koshtunicës, prej ku doli mesazhi se gjen. Pavkoviç po ahmerrej pas shkarkimit fyes që i kish bërë Koshtunica një javë më herët.

Por ish-komandanti gjeti mbështetje te gjen. Milan Xhakoviç, shef i Departamentit të sigurisë pranë Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave. Ky konfirmoi në fillim të korrikut se ishte prezent kur Pavkoviçit iu dha urdhëri për marshim kundër lokaleve të Byrosë për komunikim në Beograd. Më 12 korrik, edhe një epror i tretë i lartë, Aleksandër Vasileviç, ka botuar një intervistë ku konfirmon se edhe ai ka qenë prezent me rastin e asaj bisede.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:25
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË