NUMĖR 66
SOT ËSHTË
 
BALLINA
ARTIKUJ
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
DEBAT
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
ARTIKUJ VITI IV - 15 SHTATOR 2002

Vërshimet në Evropën Qendrore
VISARET E KULTURËS ÇEKE NË MËSHIRËN E UJËRAVE

Shkruan: Ulpiana MULA, gazetare te “Evropa e Lirë”

Vinohradi, një nga lagjet më luksoze të Pragës, zgjohet madhështor dhe shpërfillës ndaj trallisë së fundit që kaploi vendin. Për një turist të cilit i rastis të kalojë së pari në parkun e madh të kodrinës ku për shekuj me rradhë harliseshin vreshtat e mbretit, imazhet e transmetuara nga dhjetra mijëra televizionet e botës duken pothuaj lajthitje e derize="3">Vi edhe tradhti ndaj trupave të zhveshur të pragistëve që rreziten nën diellin, çuditërisht të bollshëm të kësaj fundvere.

Temperaturat janë rritur dukshëm në kryqytet dhe përgjithësisht në krejt territorin e Republikës Çeke. Nëse nuk viziton pjesën e vjetër të Pragës, asgjë nuk t’i kujton më ditët e furtunshme që i shndërruan zhvillimet në kryeqytetin e Çekisë në kryetituj të mediave botërore. Dhe të mendosh se jo më larg se javën e kaluar lumi kryesor Voltava doli nga shtrati në shumicën e gjatësisë së shtrirjes, duke përmbytur qytezat Çeske Krumllovi dhe Bugjejovice.

Më 14 gusht, sasia e ujit në lum arriti 4 mijë e 500 metra kub në sekondë, kurse përmbytja e shkaktuar konsiderohet si më katastrofalja për qytetin prej vitit 1890. 220 mijë njerëz u evakuuan, një e treta e tyre presin të kthehen, disa qindra mijëra të tjerë janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë në çdo formë që munden. Episodet e solidaritetit të manifestuar, thonë vëzhguesit, nuk janë parë që prej kohës së pushtimit rus, në vitin 1968.

Kryeministri Vladimir Shpidlla, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Pragë dhe në zonën Bohemisë kurse së fundi ai kumtoi se në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë është vendosur të zgjatet për një periudhë të pacaktuar gjendja e jashtëzakonshme në zonat më të prekura nga vërshimet. Ende, 25 stacione metroje janë mbyllur kurse qarkullimi me automjet apo tramvaj u përngjan në rastin më të mirë mundimeve të purgatorit dhe në rastin më të keq atyre të ferrit. Pjesët e qytetit me afro dy milionë banorë lidhen mes veti vetëm përmes dy urave kryesore.

Bashkimi Europian ka premtuar të ndihmojë vendet kandidate dhe në rastin e Çekisë, zyrtarë dhe analistë supozojnë se shuma do të jetë diku rreth 60 milion euro. Para këto të nevojshme por që zor se do të mbushin arkën e buxhetit, po të kihen parasysh dëmet jashtëzakonisht të mëdha ekonomike që shkaktuan përmbytjet. Sipas kryeministrit Shpidlla ato arrijnë në 2 deri 3 miliardë euro.

Ujrat kanë dëmtuar pjesën e vjetër të qytetit, përfshirë lagjen historike hebreje, zonë kjo nën mbrojtjen e UNESKOs. E trishtuar të imagjinohet Praga përveçse elegante!

Në 1983-shin kur shkruante ‘Lehtësia e papërballueshme e qenies’, Milan Kundera, shkrimtari çek me famë ndërkombëtare, thoshte se pas Luftës së Dytë Botërore çekët ndjenin komplekse inferioriteti kur krahasonin ndërtimet e paprekura të shekullit të 14 në qendër të qytetit me gërmadhat e Varshavës, Dresdenit, Këlnit, Budapsetit apo Berlinit. E në këtë kuptim, Praga sot nuk ka asnjë arye për t’u ndjerë inferiore. Shkatërrimet me siguri ja kanë kaluar atyre në kryeqytetet fqinje. Komuniteti hebre vlerëson se dëmet në monumentet e trashëgimisisë kulturore i kalojnë të 120 milionë koronat (monedha vendase) të barazvlefshme me afro 4 milion euro. Pjesa historike lundron në ujë dhe përngjan më shumë me Venecian sesa me vetveten. Thuajse një ndër 10 shtëpi apo banesa, sipas specialistëve, rezikon të shembet në muajt e ardhshëm.

Pezull në ajër qëndron droja për përhapjen e epidemive. Dhe ende më problematike tani është mundësia e rrjedhjes së lëndëve toksike nga kompleksi kimik Spolana, 15 kilometra në veri të Pragës. Autoritetet druajnë se sasia e lëndëve të tilla si mërkuri dhe dioksina mund të kontaminojnë rajone të tëra të Evropës Qendrore. Por ministrat e ambientit të Gjermanisë dhe Çekisë të cilët vizituan të martën kompleksin, thanë se nuk paraqitet asnjë rrezik imediat për përhapjen e këtyre lëndëve toksike dhe se niveli i pesticideve nuk ka ndryshuar si rrjedhojë e përmbytjeve.




E në gjithë këtë rrëmet më vjen ndërmend se togfjalëshi ‘e mori lumi’ nuk është metaforë apo thjesht një shprehje popullore. Në Pragë, më qëlloi të ndërgjegjësohem për kuptimin e tij të vërtetë.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:24
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË