20
vjet nga vrasja e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri
Zekës
Xhafer
SHATRI
17
janari i vitit 1982, dita kur u vranë Vëllezërit
Gërvalla e Kadri Zeka është një datë e
trishtë në historinë e shqiptarëve. Edhe pse
kanë kaluar 20 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë
e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet,
por edhe për një numër njerëzish që kanë
qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me
ta. Fjala është për pjesëtarët e brezit
që i vuri kazmën Jugosllavisë së fuqishme, vetëm
me një synim: të çlirohet Kosova dhe territoret
e tjera shqiptare në këtë ish-shtet.
Nëse ju rastis të vizitoni ndonjërin prej këtij
brezi do të shihni se nëpër banesa akoma i mbajnë
portretet e martirëve që i vrau UDB-ja në Untergruppenbach.
Ato portrete prej kohësh kanë statusin e ikonave. Për
më tepër janë pjesë e rritjes, formimit dhe
burrërimit të fëmijëve të tyre.
Ky brez ende pyet dhe pyet: pse edhe pas njëzet vjetesh, ky
krim i shtetit serb, i kryer në mes të Evropës, ka
mbetur i pandriçuar, ndërkohë që në inatet
ndërshqiptare përplot emra janë lakuar si vrasës
të mundshëm apo të sigurt?
|
1.
Një Lëvizje e re përballë një shteti
të vjetër
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave të
vitit 1981, pati filluar në përmasa të pabesueshme,
radiologjia e diferencimit politik që nënkuptonte
terrorizimin psiqik, largimin nga shkolla e nga puna, arrestimin,
torturën dhe burgimin e gjatë.
Shërbimet jugosllave përmes arrestimeve i kishin dhënë
një grusht të rëndë Lëvizjes për
pavarësi, mijëra njerëz ndodheshin nëpër
burgje civile ose ushtarake; mbikëqyrej çdo gjo
gjë e çdo kush. Elita politike duke qenë e
papërgatitur për këto rrethana dhe e përçarë
nuk mundi t'a përballojë presionin serb që mëtonte
nënshtrimin definitiv të shqiptarëve. Në
anën tjetër intelegjencia duke qenë krejt e papërgatitur
dhe e pambrojtur u struk para rrezikut evident, kështu
që politikën e shqiptarëve filluan ta bëjnë
të rinjtë, që ende ishin me njërën
këmbë në fëmijëri. Dhe kjo nuk ishte
një politikë e madhe: aty këtu ndonjë trakt,
ndonjë parullë, ndonjë revoltë e shkruar
në letër, në mur ose në asfalt, po që
përçonte një measazh të fuqishëm:
kurrë nuk do të mund të na nënshtroni!
Në këto rrethana mërgata shqiptare përbënte
një eshalon të veçantë të Lëvizjes
për pavarësi. Përparësia e saj ishte se
ajo ishte larg veprimit të drejtpërdrejtë të
aparatit shtetëror, ishte prezente në vend, sepse
një pjesë e madhe e mërgimtarëve qarkullonin
rregullisht brenda e jashtë, kishte kontakte familjare
e personale
Roli i saj ishte ndier në mënyrë
të drejtpërdrejtë në prag, gjatë dhe
pas demonstratave të vitit '81 përmes shtypit që
përgatitej jashtë dhe shpërndahej brenda, përmes
krijimit të rrjetit të organizimit etj. |
I vetëdijshëm
për rëndësinë e mërgatës shqiptare
sektori i kryesisë së Jugosllavisë që koordinonte
aktivitetin e gjithë sistemit të shërbimeve informative
civile e ushtarake, e që atëherë udhëhiqej nga
slloveni Stane Dollanc, u përcaktua për një grusht
shkallmues që do t'i jipej mërgatës, në mënyrë
që ajo të shfaktorizohej njëherë e mirë.
Në
këtë vijë u organizua dhe u ekzekutua vrasja e Vëllezërve
Gërvalla dhe e Kadri Zekës. Atentati u krye në kohën
kur krejt aparati shtetëror i Jugosllavisë ishte përqëndruar
në Kosovë dhe në territoret e tjera shqiptare; atëherë
kur Kosovës po i dërrmoheshin njëra pas tjetrës
të gjitha të drejtat dhe institucionet vetanake që
ishin fituar me shumë përpjekje e flijime.
Atentati pati pasoja të rënda sepse u krye kur shumë
prijës të Lëvizjes për pavarësi, që
vepronin ilegalisht ose gjysmilegalisht ishin arrestuar dhe kundër
tyre ishin kryer ose përgatiteshin proceset politike. Veç
të tjerash, kjo vrasje shkaktoi tronditje të mëdha
edhe për faktin se u krye në një periudhë destabilizimi
e krize të thellë politike në gjithë hapësirat
shqiptare. Ngjarjet e Kosovës në Shqipëri patën
efekt të drejtpërdrejtë, sepse çuan deri te
konflikte të përgjakshme në vetë udhëheqjen
e shtetit për politikën që ishte ndjekur apo që
do të ndiqej aty e tutje. Këto trandje madje ndikuan në
fundin tragjik të kryeministrit të atëhershëm
Mehmet Shehu.
Duhet pasur gjithashtu parasysh se atentati në Gjermani ishte
edhe përballje e organeve të shtetit jugosllav me organet
e shtetit shqiptar, sepse në rrethanat që ishin krijuar
në Kosovë për politikën e Shqipërisë
viktimat e atentatit ishin gurë me peshë në luftën
politike e diplomatike që do të bëhej aty e tutje.
|
2.
Mozaiku politik i mërgatës shqiptare në fillimvitet
tetëdhjetë
Në
atë kohë në mërgim vepronin shumë
organizata. Që në krye duhet nënvizuar se mërgata
e vjetër ishte rraskapitur madje edhe dërrmuar në
përballjet e shërbimeve jugosllave me ato shqiptare
që ishin bërë brenda saj. Por objekt i kësaj
trajtese do të jenë ato grupime që mund të
kishin një ndikim në rrjedhën e ngjarjeve në
Kosovë. Atëherë në Evropën Perëndimore,
konkretisht në Gjermani e Zvicër vepronin:
1.
Besëlidhja Kombëtare Shqiptare, e drejtuar nga Emin
Fazlia. Më 10 tetor 1981 UDB kishte vrarë në
Bruksel, bashkëpunëtorin e tij të ngushtë
Vehbi Ibrahimi, nënkryetar i Besëlidhjes, ndërsa
në Fraknfurt kishte plagosur rëndë bashkëpunëtorin
tjetër, Rasim Zenelin. Ky ishte një grupim politik
me orientim të djathtë dhe bashkëpunonte me
mërgatën kroate.
2. Grupi komunist "Zëri i Kosovës", një
qerthull që drejtohej nga Riza Salihu.
3. Fronti i Kuq Popullor, udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi,
dhe nxirrte gazetën "Bashkimi" (janë botuar
3 numra). Kjo gazetë shpërndahej edhe në Kosovë.
|
4.
Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës që nxirrte gazetën
"Liria" (janë botuar 6 numra). Këtë organizatë
në mërgim e udhëheqte Kadri Zeka. OMLK prej vitesh
kishte aktivistët e saj në Zvicër.
5. Lëvizja Nacional çlirimtare e Kosovës dhe e
Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ),
të cilën në Evropën Perëndimore e ka udhëhequr
Jusuf Gërvalla. Fillimisht Jusufi ka ndihmuar substancialisht
nxjerrjen e gazetës "Bashkimi", pastaj ka nxjerrë
gazetën "Lajmëtari i Lirisë" (gjithsej
tre numra), së fundi filloi të nxirrte si organ të
LNÇKVSHJ-së gazetën "Zëri i Kosovës".
Pas
shpërthimit të demonstratave të vitit '81 u bënë
përpjekje për bashkimin e disa prej këtyre organizatave,
konkretisht mes atyre që kishin udhëheqje politike brenda,
pra OMLK-së dhe LNÇKVSHJ-së.
Përpjekjet për bashkim janë bërë në
Kosovë dhe në mërgim. Bisedimet për bashkimin
e organizatave janë vonuar e vështirësuar për
shkak të veprimit në ilegalitet dhe të rrethanave
që u krijuan pas arrestimeve të mëdha gjatë
gjithë vitit të demonstratave. Një takim i mbajtur
në Stamboll, në tetor të vitit 1981, e në të
cilin kishin marrë pjesë në një anë, Kadri
Zeka si përfaqësues i OMLK-së, dhe në anën
tjetër Sabri Novosella e Bardhosh Gërvalla, si përfaqësues
të LNÇVSHJ-së kishte dështuar jo vetëm
për shkak të dallimeve konceptuale. Bisedimet për
bashkim të këtyre organizatave nuk mund të përjashtoheshin
nga rrethanat shqiptare dhe rajonale, sepse organet e shtetit shqiptar
pas disa dështimeve në përballjet me shërbimet
jugosllave, përpiqeshin ta konsolidojnë apo thënë
më mirë ta kontrollojnë Lëvizjen e Kosovës
për pavarësi. Në treshin që u vra shteti shqiptar
shihte shtyllat e rëndësishme të mbajtjes gjallë
të qëndresës në Kosovë.
Megjithatë aktivistët e këtyre dy organizatave jashtë,
konkretisht Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë
bashkëpunuar ngushtë në nxjerrjen e gazetave, në
organizimin e demonstratave dhe manifestimeve të ndryshme.
Sipas burimeve të besueshme në prag të vrasjes janë
bërë përpjekje fort serioze për bashkim dhe
ai duhet të ketë qenë shumë afër.
|
3.
Uniteti i veprimit
Jusuf
Gërvalla dhe Kadri Zeka janë takuar për herë
të parë në mërgim, në fillim të
vitit 1981. Prej atëherë dhe gjer në vrasjen
e tyre ata kanë vepruar bashkë në shumë
drejtime: në përgatitjen dhe publikimin e shtypit
ilegal, konkretisht të gazetës "Liria",
në organizimin e manifestimeve dhe demonstratave në
mbështetje të kërkesave të Lëvizjes
Studentore në Kosovë.
Demonstratën e parë e kanë organizuar në
Bernë të Zvicrës më 1 prill 1981, një
javë më vonë një demonstratë tjetër
në Zürich, më 25 prill kanë organizuar
një demonstratë në Stutgart. Me këtë
rast janë hetuar agjentët jugosllavë duke fotografuar
demonstruesit. Disa aktivistë të udhëhequr
nga Bardhosh Gërvalla i kanë zënë ata
në flagrancë dhe u kanë marrë aparatin.
Në mesin e "fotografëve" kishte qenë
dhe një shqiptar (BH), nëpunës i konsullatës
jugosllave në Stutgart, përndryshe gjatë viteve
shtatëdhjetë inspektor i UDB-së, i ngarkuar
për mbikqyrjen e Qendrës së Studentëve.
Më 9 maj kanë organizuar një demonstratë
në Dusseldorf.
Më 13 qershor 1981, u organizua një demonstratë
në Bruksel.
Me këtë rast në formë të një
peticioni konkretizohen kërkesat politike:
1. Kosovës t'i njihet statusi i Republikës në
kuadër të federatës;
2. Popullit tonë t'i njihet e drejta për vetëvendosje;
|
3.
Të lirohen pa kusht të gjithë të burgosurit
politikë shqiptarë dhe të kthehen në Kosovë
të burgosurit e tjerë;
4. Të mos plaçkiten pasuritë e Kosovës nga
republikat jugosllave, por ato t'i shfrytëzojë Kosova
për zhvillimin dhe pasurimin e vet;
5. T'i njihet e drejta e festimit të festave kombëtare
dhe e përdorimit të lirë të flamurit kombëtar,
nga të gjithë shqiptarët në Jugosllavi;
6.Kushte më të mira pune e jetese për nxënësit
e studentët kosovarë, trajtim të barabartë me
studentët e universiteteve tjera të Jugosllavisë;
7. Sigurimin e punës për të papunët dhe inkuadrimin
e mërgimtarëve në vendlindje;
8. Lirinë e fjalës dhe shtypit;
9. Të pezullohet vendimi për shtetrrethim dhe ora policore;
10. Të tërhiqen të gjitha forcat policore e ushtarake
të sjellura nga jashtë;
11. Autorët e krimeve të shëmtuara të nxirren
para gjyqit të popullit, për të marrë dënimin
e merituar.
Krahas organizimit të demonstratave Vëllezërit Gërvalla
dhe Kadri Zeka kanë vepruar edhe në shtrirjen e rrjetit
të organizimit brenda dhe jashtë. Një rëndësi
të veçantë i kanë kushtuar shkatërrimit
të klubeve që kontrolloheshin nga përfaqësitë
jugosllave. Falë këtij aktiviteti prej vitit 1981 e tutje
klubet jugosllave nuk janë frekuentuar më nga mërgimtarët
shqiptarë. Veç klubeve janë prishur dhe diskredituar
një vistër manifestimesh që regjimi i organizonte
jashtë me qëllim të joshjes dhe manipulimit të
mërgimtarëve shqiptarë.
4.
Pse u krye atentati?
Veprimtaria
e gjithanshme e Vëllezërve Gërvalla dhe e Kadri Zekës
pengonte në mënyrë të drejtpërdrejtë
shërbimet jugosllave jashtë dhe brenda. Ata ishin një
trio e kompletuar, që një lëvizjeje atdhetare i duhet
shumë kohë për ta krijuar: Jusufi ishte një
penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu
ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator
efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin
ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten
dhe ishte komunikator i talentuar. Që të tre ishin të
rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri
për çdo flijim.
Mirëpo, përballë tyre ata kishin një shtet të
fortë e me shumë mundësi. Jugosllavia prej themelimit
të saj, pra që më 1918 e tutje, ka zhvilluar një
luftë të pamëshirshme kundër oponentëve
të këtij shteti, konkretisht kundër përfaqësuesve
të popujve që nuk kishin pranuar të futen nën
tutelën serbe. Prijësit më me peshë të
kroatëve, maqedonëve dhe shqiptarëve, që i janë
kundërvënë politikës serbe, janë ndjekur
në vazhdimësi dhe janë luftuar me të gjitha
mjetet nga eskadronet speciale serbe.
Prej atëherë e gjer më sot sektorët më
të përgatitura të shërbimeve informative serbe
kanë qenë ato që kanë luftuar kundër mërgatës
kroate, shqiptare etj. Format e luftës kanë qenë
të nduarduarshme: përcjellje e përgjime hap pas hapi,
intriga e përçarje, kërcënime dhe eleminime
fizike.
Kjo praktikë ka vazhduar edhe më me këmbëngulje
pas Luftës së Dytë Botërore. Disa dhjetëra
prijës kroatë janë vrarë në atentate spektakulare
nga më të ndryshmet dhe nga më të çuditshmet.
Struktura të tëra të shërbimeve informative
që janë kontrolluar nga serbët kanë funksionuar
jashtë. Këto struktura kanë pasur fonde marramendëse,
përmes të cilave kanë depërtuar jo vetëm
nëpër "organizatat armiqësore", por edhe
në struktura shtetërore të vendeve të ndryshme
dhe në organizata e institucione ndërkombëtare me
peshë.
Shërbimet serbe me dekada kanë vepruar të papenguara
nëpër shumë vende perëndimore, ku përmes
parave, femrave, shantazhit etj. kanë qenë fort të
pranishme edhe në qendra themelore të vendimmarrjes. Frytet
e këtij aktiviteti Beogradi do t'i korrë sidomos gjatë
viteve nëntëdhjetë, kur pa ndonjë pengesë
serioze do ta përgjakë keq Kroacinë, do ta masakrojë
Bosnje e Hercegovinën dhe përmes një apartheidi të
hapur e brutal do ta mbajë Kosovën në zgripc të
ekzistencës.
Ndikimi i nëndheshëm i Serbisë u rrënua vetëm
kur Beogradi, faqe tërë botës, u përpoq ta asgjësojë
krejt popullin e Kosovës.
Në këtë kuptim përballja e mërgatës
së re politike të Kosovës (që ishte pa asnjë
mbështetje politike, që nuk kishte arritur të ketë
as ndikimin më të vogël në mediat e fuqishme
perëndimore, që kishte një gjendje financiare katastrofike)
me strukturat e shërbimeve jugosllave ishte tmerrësisht
e pabarabartë. Lëvizja shqiptare kishte vetëm një
epërsi: idealizmin e pakufishëm, i cili mund të mbijetojë
vetëm në aspiratën e përjetshme për të
qenë dhe për të jetuar të lirë.
Me
një fjalë, shërbimet serbe kanë përcjellë
gjithë aktivitetin e mërgatës shqiptare nga brenda
dhe nga jashtë, sepse ky ka qenë një organizim që
posa kishte filluar të vërë rrënjë dhe
infiltrimi i provokatorëve nuk ka qenë i pamundshëm.
Kështu që përcjellja e Vëllezërve Gërvalla
dhe e Kadri Zekës nuk ka qenë ndonjë problem i madh
për UDB-në. Lëvizjet dhe aktivitetet e tyre kanë
qenë publike :
28 Nëntorin, ditën e Flamurit e kanë festuar në
rrethinën e Ludwigsbourg-ut. Aty Jusufi e Kadriu kanë
pasur një debat të drejtpërdrtejtë (pyetje-përgjigje)
me bashkatdhetarët.
Më 2 janar është martuar Kadri Zeka me Saime Isufin.
Në dasmë kanë marrë pjesë rreth 50 aktivistë
nga Zvicra dhe Gjermania. Ne dasmë kanë qenë edhe
vëllezërit Gërvalla.
Më 13 janar 1982 Kadri Zeka ka udhëtuar me tren për
Gjermani. Konkretisht në Dusseldorf, ku ka ndejtur gjer më
16 janar. Po atë ditë ka udhëtuar për në
rrethinën e Stutgartit, konkretisht në Bernhausen, ku
Vëllezërit Gërvalla kishin organizuar shfaqje të
filmave shqiptarë me një rreth bashkatdhetarësh.
Aty kanë ndejtur deri pas mesnatës. Në banesën
e Vëllezërve Gërvalla, në rrugën Habichthöhe,
nr. 40, në Untergruppenbach, qytezë afër Heilbronn-it
kanë arritur kah ora 3 e mëngjesit. Atë natë
nuk kanë fjetur fare. Gjatë ditës kanë planifikuar
aktivitetet e mëtejme. Në mbrëmje kanë dalë
nga ora 22:00 me veturën e Bardhit, një BMW 316 ngjyrë
e gjelbër me targë HN-CY 353.
5.
Neve na vrau UDB-ja jugosllave!
Lagjja
ku kanë banuar Vëllezërit Gërvalla ka qenë
një lagje e qetë e banuar kryesisht me mësues, mjekë,
inxhinierë. Në njërën hyrje të rrugës,
në anën e majtë ka pasur shumë garazha, gjithashtu
edhe përballë banesës dykatëshe të familjes
Gërvalla ka pasur të tilla.
Ndërkaq në fillim të kthesës atëherë
ka qenë në ndërtim e sipër një shtëpi
trekatëshe. Siç është konstatuar më vonë,
agjentët e shërbimeve sekrete jugosllave prej asaj ndërtese
kanë përcjellë jo me ndonjë drojë të
veçantë banesën e familjes Gërvalla, hyrjet,
daljet etj
Atë kohë ka pasur jo pak indikacione se po përgatitet
eliminimi i Vëllezërve Gërvalla dhe i Kadri Zekës.
Nata e 17 janarit 1982 ka qenë shumë ftohtë e me
shumë borë.
Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka kanë dalur
në atë kohë, siç i kanë thënë
shoqes së Jusufit, Syzana Gërvallës për ta bërë
një telefonatë nga një kabinë e një fshati
fqinj. Ndoshta për të evituar përgjimin.
Nga shtëpia kanë dalë rreth orës 22:00. Kanë
hyrë në garazhë, kanë hipur në veturë,
të cilën e ka ngarë Bardhoshi. Për të dalë
nga garazha në rrugë, vetura për shkak të borës
është dashur të ngitet së prapthi deri në
krye të hyrjes së rrugës, pra rreth 30 metra. Në
krye të kthesës vetura është lakuar majtas për
të pasur hapësirë për kthim dhe dalje në
rrugë. Ky manovrim është bërë mu përballë
shtëpisë në ndërtim, ku kanë qenë
të fshehur vrasësit.
Këta të fundit kanë parë daljen e veprimtarëve
shqiptarë nga banesa pastaj hyrjen në garazh dhe janë
bërë gati për të ekzekutuar atentatin. Kur vetura
ka ardhur së prapthi përballë shtëpisë
në ndërtim, vrasësit kanë qenë prapa saj.
Sipas dëshmitarëve kanë qenë dy vrasës,
njëri ka eliminuar Bardhosh Gërvallën duke e qëlluar
6 herë, ndërkaq tjetri ka vrarë Kadri Zekën
që ishte në ulësen e përparme, në anën
e djathtë. Pastaj e kanë plagosur për vdekje Jusuf
Gërvallën që ishte ulur në ulësen e prapme.
Dhe janë larguar pasi kishin zbrazur 12 plumba. Ndërkaq
vetura ka vazhduar të ecë përpara gjersa është
ndalur në derën e një garazhi përballë.
Ndërkohë një fqinj, gjerman, ka informuar familjen
Gërvalla për gjëmën. Syzana Gërvalla e
ka gjetur të shoqin gjallë, duke mbajtur plagët me
dorë. Ai e ka pyetur për Bardhin e Kadriun se a janë
gjallë dhe i tregon se ka parë një njeri të
gjatë që ka shtënë mbi ta, por nuk e ka njohur.
Pastaj i ka lënë porositë e fundit gruas së
tij.
Pas gjysmë ore vjen ndihma e shpejt nga Heilbronn-i.
Pas intervenimit kirurgjikal, në ora 3 të mëngjesit
të datës 18 janar 1982 edhe Jusuf Gërvalla jep shpirt.
Por para se të vdes Ai arriti t'i thotë policisë
gjermane: Neve na vrau UDB jugosllave!
Kjo fjalë e atdhetarit dhe poetit Juusuf Gërvalla, e shqiptuar
me frymën e fundit do të sfidojë gjithë makinerinë
jugosllave të dezinformimit.
6.
Praktikat e ekzekutimit
Vendimi
për ekzekutimin e kundërshtarëve politikë, normalisht
është marrë në nivelin më të lartë
të vendit. Fillimisht shërbimet informative kanë
mbledhur të gjitha të dhënat e mundshme për
viktimën e ardhshme: adresën (vendi ku banon, kati, fqinjtë,
zakonisht është përgjuar telefoni në atë
mënyrë që në bodrum ose në gypat ku janë
vënë telat e telefonit kanë instaluar mikrofonët),
sjelljen (ku dhe me kë rri, ku punon, me çka udhëton,
me kë praktikon hyrjedalje, etj., etj.). Të gjitha këto
të dhëna janë konkretizuar edhe me vizatime ekspertësh
e fotografi.
Pasi është analizuar dosja është caktuar ekipi
i atentatorëve dhe i mbështetësve përanash,
shlyerësit e gjurmëve të mundshme. Krahas kësaj
janë përgatitur edhe dezinformatat, të cilat i ka
përhapur rrjeti agjenturor para dhe pas atentatit. Në
këtë veprimtari përfshihen edhe letrat e telefonatat
anonime drejtuar organeve gjyqësore, mediave dhe personaliteteve
të ndryshme. Synimi është që jo vetëm të
fshehen gjurmët, por edhe të futet konfuzion sa më
i madh dhe krimi politik të paraqitet si qërim hesapesh
në mes rivalëve politikë apo si qërim hesapesh
në mes përfaqësuesve të nëntokës etj.
etj.
Kështu ndodhi edhe me rastin e atentatit kundër Vëllezërve
Gërvalla e Kadri Zekës. U ngrit një pluhur i tillë
dezinformatash sa që nuk errësoi vetëm mërgatën
por edhe krejt Kosovën. Ky pluhur vazhdon të ndotë
ambientin politik shqiptar edhe sot pas njëzet vitesh nga atentati.
Lakohen emra njerëzish, kryesisht shqiptarë. Në këtë
ka ndikuar edhe bashkëfajësia e organeve gjermane për
këtë rast, sepse ato menjëherë pas atentatit
madje edhe përmes shtypit nxorën dhe arrestuan si të
dyshmitë kryesor për atentatin një refugjatë
shqiptar nga Kosova, konkretisht Riza Salihun, duke publikuar në
media edhe fotografinë e tij, gjë që dëshmon
se sektori i UDB-së për dezinformim, kishte kryer punën
në mënyrë të përkryer.
Riza Salihu, një refugjat entuziast nga Mushtishti i Therandës,
krahas aktivitetit atdhetar ka qenë i angazhuar, si jo pak
të rinj të Kosovës, edhe nga ana e Ambasadës
shqiptare në Vjenë, ku ishte qendra e sigurimit të
shtetit për Evropën Perëndimore, për të
propaganduar politikën e shtetit shqiptar dhe për të
informuar për çdo gjë që sheh e që dëgjon,
jo vetëm në mjediset e mërgatës shqiptare në
Gjermani.
Në këtë veprimtari Rizah Salihu si duket ka qenë
edhe më tepër si i përpiktë e i përkushtuar.
Shkas për arrestimin e tij ka qenë fakti se ai gjoja i
ka hapur kutinë postare (Postfachun) Jusuf Gërvallës,
për ta kontrolluar dhe për të informuar Qendrën
e Sigurimit shqiptar në Vjenë. Jusufi gjoja e ka kuptuar
këtë dhe i ka informuar shokët e tij? Apo se policia
gjermane e ka ndalur me një rast dhe i ka gjetur një revole
Se Riza Salihu mund të ketë pasur konflikte me grupet
e tjera politike në mërgim kjo nuk është për
t'u çuditur, sepse nxitja e grindjeve dhe përçarjeve
në mërgatë ka qenë një metodë klasike
e sigurimit shqiptar për ta kontrolluar edhe mërgatën
e Kosovës, e cila ditë e më tepër fitonte në
peshë me rolin dhe mundësitë e saj. Rizah Salihun
organet hetuese gjermane e mbajtën në burg rreth 5 muaj.
Por Riza Salihu nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e vëllezërve
Gërvalla dhe Kadri Zekës, ai më tepër ka rënë
viktimë e veprimeve speciale të UDB-së gjatë
fshehjes së gjurmëve të krimit në Untergruppenbach.
Fillimisht policia e Baden Würtembergut formoi një komision
special ku duhet të kenë qenë të angazhuar rreth
40 persona. Që në ditët e para policia publikoi përshkrimin
e mundshëm të vrasësve duke premtuar edhe një
shpërblim prej 10 mijë DM për dëshmi të
besueshme. Në kërkesën e policisë për bashkëpunim
jipen edhe këto të dhëna:
Të dielen, më 17 janar 1982, rreth orës 22h15 i kanë
vrarë vëllezërit Gërvalla dhe shokun e tyre
Kadri Zekën. Gjatë daljes së tyre nga garazhi dy
persona kanë shtënë me armë mbi ta. Ka të
dhëna të besueshme se vrasësit janë sjellur
nëpër Untergrupenbach të paktën prej datës
10 janar 1982. Ata duken si më posht:
I dyshimti i parë: Rreth 30 vjeç, i gjatë 180-183
cm. I fuqishëm. Ka në kokë një kapelë të
kthyer në majë. Pallto të shkurt ngjyrë kafe
me jake të mbylltë, pantollona të kuq e të ngushtë,
çizme të gjata me një rreth leshi të bardhë
lart. I dyshimti i dytë: ka rreth 25 vjet, është
më i thatë dhe më i vogël se i pari. Ai ishte
i veshur me tesha ngjyrë të mbylltë. Në kokë
kishte një kapulaçë të leshtë me një
topth në majë.
Krahas këtij informacioni, policia kishte publikuar gjithashtu
edhe fotografinë e veturës me të cilin mund të
jenë arratisur vrasësit. Fjala është për
një Citroén CX2000 ngjyrë të çelur.
Për dëshmitarët e mundshëm ishte dhënë
edhe telefoni i policisë: 07131 104 2205.
Pas nëntë muaj hetimesh, kur dosja 08/15 kishte rreth
30 vëllime dokumentacion, por asnjë të arrestuar
me akuzë të argumentuar, autoritetet gjermane vetëm
mund të pohojnë se "kjo është një
vrasje politike e kryer nga vrasës profesionistë dhe se
dyshohet se një apo më shumë shërbime të
fshehta drejtpërdrejt apo tërthorazi kanë marrë
pjesë në tërheqjen e këmbëzave të
revoleve të kalibrit 7.65 mm" (Heilbronner stimme, datë
1 tetor 1982).
7.
Kush i vrau Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën?
Eshtë
e njohur se UDB-ja si armë për atentate ka përdorur
revolet "Bereta" të kalibrit 7.65mm.
Pas vdekjes së Titos kupola e shërbimeve informative,
ka qenë e përqëndruar në duart e Stane Dollancit,
anëtar i Kryesisë së RSFJ-së. Ministër
i Punëve të Brendshme ka qenë gjenerali partizan
Franjo Herleviq, me kombësi kroate.
Me ardhjen e Dollancit në Kryesi, shërbimet informative
ndryshojnë dukshëm metodat e veprimit. Njëra prej
ndryshimeve është ajo se UDB fillon të angazhojë
nëntokën jugosllave, shtyllat e mafisë, për
të eliminuar kundërshtarët politikë jashtë.
Sipas shumë burimeve del se atentatin në Untergruppenbach
e ka kryer Zheljko Razhnjatoviq, i njohur me nofkën Arkan.
Ky ishte bir i një oficeri të lartë të KOS-it
(Shërbimi ushtarak i kundërzbulimit) me kombësi malazez.
Ai që krejt i ri u mor aktivisht me delikuencë: rrahje,
vjedhje, plaçkitje, përdhunime. Duke qenë në
vuajtje të dënimit ai ikën nga burgu dhe del jashtë,
ku kryen vepra spektakulare krimi. Arrestohet, por arrin të
ikë nga burgjet më të njohura të Suedisë,
Belgjikës dhe Zvicrës. Nga kriminel me renome ndërkombëtare
Arkani, me insistimin personal të Stane Dollanc-it bëhet
oficer me ndikim të fortë i shërbimeve serbe.
Ka indikacione se në këtë krim ka qenë i implikuar
edhe krimineli tjetër, përndryshe bosi i mafisë së
Frankfurtit, Ljubo Zemunac.
Këta të dy, një vit më vonë, e kanë
ekzekutuar afër Munihut edhe personalitetin e njohur kroat
Stjepan Gjurekoviq, duke e masakruar edhe me sopatë.
Gjatë viteve nëntëdhjetë Arkani do të jetë
grushti i hekurt i regjimit serb kundër popullsisë civile
në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë. Ai ka udhëhequr
njësitë e ushtrisë që kishin në përbërje
kriminelët më të regjur e më katilë të
nëntokës serbe.
Edhe sot, pas njëzet vitesh, policia gjermane zhvillon hetime
lidhur me krimin në Untergruppenbach. Gjykata e këtij
vendi të madh evropian akoma nuk ka nxjerrë në bangë
të zezë organizatorët, vrasësit apo pjesëmarrësit
e çfarëdo niveli në këtë atentat.
Por nuk duhet harruar se shërbimet informative gjermane, duke
qenë ndër më seriozet e më profesionalet në
botë dhe më depërtueset në Evropën Juglindore
e dijnë saktësisht gjithë zinxhirin dhe gjithë
personat e implikuar në këtë vrasje të shumëfishtë,
e cila e qiti në të dy gjunjtë Lëvizjen e Kosovës
për Pavarësi.
Eshtë udhëheqja politike gjermane ajo që bart përgjegjësinë
pse nuk ka ngritur kurrë zërin për këtë
krim të shëmtuar. Eshtë vetëm një përjashtim:
menjëherë pas atentatit një deputet i partisë
Socialdemokrate, aso kohe në opozitë, pati shtruar një
pyetje në parlamentin federal se a qëndrojnë shërbimet
serbe prapa këtij atentati. Asgjë më shumë.
Për më keq as autoritetet lokale nuk denjuan familjen
Gërvalla, që kishte kërkuar strehim politik në
këtë vend, me një telegram ngushëllimi.
As mediat gjermane nuk i kushtuan rëndësinë që
pritej atentatit në Untergruppenbah. Bën përjashtim
vetëm revista prestigjioze Der spiegel, e cila menjëherë
pas vrasjes botoi një artikull, në të cilin pa asnjë
hezitim drejtoi gishtin drejt burimit të këtij krimi,
duke e ngarkuar me përgjegjësi UDB-në jugosllave.
Dhe dihet se në këtë organ diabolik kanë
punuar dhe jo pak shqiptarë dhe ka në mesin e tyre që
e dijnë saktësisht se si dhe kush i ka vrarë Vëllezërit
Gërvalla e Kadri Zekën, se si dhe kush e ka vrarë
Rexhep Malën e Nuhi Berishën, se si është qitur
në kurth Zija Shemsiu, se si dhe kush i ka eliminuar Afrim
Zhitinë dhe Fahri Fazliun
, që e dijnë se cilët
kanë qenë urithët e policisë politike nëpër
organizatat ilegale të Kosovës jashtë dhe brenda
etj., etj. Por deri më sot asnjëri prej tyre nuk e ka
çelur thesin. Dhe kjo flet shumë, flet për mungesë
ndërgjegjeje, madje edhe për bindje se kanë vepruar
drejt
Flet për shoqërinë kosovare, e cila ka
mbamendje kaq të cekët, flet për elitën politike
shqiptare dhe për moralin e saj të dyshimtë
Sepse ajo në bërrylimet për pushtet gati fiktiv harroi
20 vjetorin e vrasjes në Untergruppenbach dhe detyrimin e saj
që në njërin prej shesheve kryesore të kryeqytetit
t'u ngrisë një përmendore të përbashkët
atyre që ishin ndërgjegja e kombit, atyre që u flijuan
për këtë ditë të madhe
Dhe njëherit
të rezervojë dy pëllëmbë toke te varrezat
e dëshmorëve e t'i vendosë aty eshtrat e këtyre
Burrave që nderuan Kombin.
|