Anatomia
e një atentati
Shembuj
që duhet kujtuar
Shqiptar
OSEKU
Sikur
populli shqiptar ta kish një histori të mirëfilltë
shkencore, e që mjerisht ende s'e ka, disa kapituj të
trashë do t'i kushtoheshin patjetër lëvizjes nëntokësore
të rezistencës matanë kufinjve të Shqipërisë
administrative. Do t'ishte fjala, pa dyshim, për një rrëfim
jashtëzakonisht interesant, për shqiptarë e për
të huaj. Ajo do të nxirrte në shesh përvojat
komplekse të një populli "të ndaluar" në
rrafshin e mosbindjes qytetare dhe rezistencës së armatosur
ndaj okupimit, përvoja këto që janë edhe sot
aktuale në shumë anë.
Cilat ishin motivet e atyre që u angazhuan në ilegale?
Ç'i shtynte ata që kryeneçësisht, pa asnjë
shans ushtarak e pa asnjë shembull të mbarë lokal
(madje përkundrazi), ta sfidojnë pareshtur një okupim
ushtarak, administrativ, socioekonomik e kulturor ndër më
të jetëgjatët e më brutalët në kontinentin
e Evropës? E ç'i shtynte të tjerë, nga ambient
i njëjtë e me prapavijë të ngjashme, të
zgjedhin tjetër rrugë, të bëhen neutralë
a administrues të zellshëm të okupimit?
Këto dhe shumë pyetje tjera interesante mbeten ende, mjerisht,
pa një përgjegje të përmbledhur. Megjithatë,
copëra fragmentare por domethënëse të përgjegjes
ofron jetëshkrimi i personave që janë bërë
të njohur, shumica post mortem, si ikona të rezistencës.
Jusuf
Gërvalla, albanolog, poet e publicist, vëllai i tij Bardhosh
Gërvalla, punonjës social me diplomë universitare
të anglishtes, dhe shoku i tyre i armëve Kadri Zeka, gazetar,
bëjnë pjesë në heronjtë e ilegales nga
fundi i Luftës së Ftohtë, që mbaruan tragjikisht
vetëm 10 vjet para ndërrimeve dramatike në kontinentin
Evropës. Ata lindën e vepruan në një epokë
të errët, duke i ndjekur pa kompromis idetë e veta
për çlirimin e një populli që shtypej në
rrethin e nëntë të ferrit evrolindor, mes çekanit
komunist e kudhrës nacionaliste. Fundi i tyre, të mbytur
gjak në terrin e një nate të ftohtë e të
varrosur në dhe të huaj, ish komponuar enkas për
t'ua kujtuar shqiptarëve në mënyrë diskrete
kumtin makabër të zotërve të tyre serbë,
atë kumt të stërlashtë të pushtuesve për
të pushtuarit që do të shfaqej sërish sheshazi
në Ballkan në hyrje të shek. XXI: "Mos ngritni
krye, se jua këpusim kështu të gjithëve!"
Sivjet, kur bie përvjetori i 20-të i vrasjes së tyre,
historiografia zyrtare shqiptare do të bënte mirë
ta rrëfejë deri në fund tregimin e prerë të
Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës
dhe të shokëve të tyre. E kur ta ketë rrëfyer
atë, t'i tregojë edhe rrëfimet e atyre që ishin
para tyre, e të atyre që vijuan pas tyre. Jo pse e ka
obligim para tyre. Po pse e ka obligim para vetit.
|