NUMĖR 61
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
KULTURË
MARKETING
KONTAKT
DOSJE
ARKIVI
 
 
 
 
KULTURË VITI IV - JANAR 2002

Një libër ndryshe

Të jesh shqiptare: A është ky një problem?

Nga Iliriana BAJO

Paris, 22 korrik 1990.
Me cingërrimën e parë rrëmbej telefonin. Është ajo.

- Catherine, më fal. E di që jam vonuar pak për të telefonuar, por doja të verifikoja të gjitha rezultatet dhe të flisja me specialistët. Ka një problem… Kontrollet tregojnë se është një grupim anarkist celulash. Kam caktuar një takim për ty në Villejuif.
Heshtje..
- Është kancer?
- Është limfomë… Shërohet mjaft mirë me kimioterapi. Në Villejuif ekipi është shumë i mirë.
- Nuk dua të shkoj atje, tek kancerozët. Ti e di mirë, kjo sëmundje morri xhaxhain tim, vetëm dy muaj më parë, brenda një kohë kaq të shkurtër...
.....Paniku më përfshin të tërën. Kjo më bën të qaj, por befas fyti më dhemb tmerrësisht shumë. Nuk mund të qaj, nuk dua të qaj... Kam përshtypjen se po ta lëshoj veten për një sekondë, a qoftë dhe për tre të katërtat e sekondës... ndodh ajo... Do të vdes! Mendoj për Rrokun, vdekja e tim ungji solli përballjen tim të parë të drejtpërdrejtë me vdekjen.
Paris, 11 Maj 1990.
…Ka vdekur Rroku !
…Më vjen shumë keq dhe e marr me mend vuajtjen e tim eti. Rroku është i vetmi vëlla që ai ka në Francë. Pjesën tjetër të familjes nuk e kanë parë prej 40 vjetësh. Të tjerët jetojnë në Shqipëri, ne jemi shqiptarë; në të vërtetë prindërit e mi janë shqiptarë. Ne, të pesë fëmijët e tyre, jemi të lindur në Francë. Ndërsa tradita tek ne kërkon që të mos dëgjojmë muzikë, së paku për dyzetë ditë, për të nderuar në heshtje kujtimin e atij që ka shkuar, unë lëshoj shlirshëm Requiem të Fauré, muzikën më të butë e më ëngjëllore që njoh. Është për Rrokun.

Kështu nis libri i titulluar "E mbara për një portokalle nuk është të jetë kajsi" me autore franko-shqiptaren Catherine Prejlocaj.
Mund të mos jetosh në paqe me origjinën tënde, ndodh të jesh kundër saj, megjithatë nuk mund ta mohosh. Çdo përpjekje e tillë do të dështojë një ditë.
Për Catherine Prejlocajn origjina shqiptare kish qenë gjithmonë shkak konfliktesh me familjen, e kishte penguar në jetë. Me kohën Catherine kishte dashur ta injoronte: Ajo ishte thjesht franceze.
Në një moment të tillë, "mallkimi" i gjakut rikthehet në një tjetër formë; atë të kancerit në stomak. Njësoj si Rroku, i ungji. Vetëm se Catherine nuk i kish mbushur ende të 30-at.
Ky moment është kthesa në jetën e Catherine Prejlocajt. Këtu nis dhe libri i saj autobiografik. Një refleksion për jetën, marrëdhëniet me origjinën, familjen, egzilin, vdekjen.
MESTIT: Historia e një çifti emigrantësh
Pjetër Prejlocaj i arratisur pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga Vermoshi, në veri të Shqipërisë, vendoset në Mal të Zi së bashku me vëllanë Rrokun dhe disa anëtarë të tjerë të familjes. Aty Pjetri martohet me Lizën, nga një familje shqiptare vendase. Pas disa vitesh qëndrimi në Mal të Zi, Liza, Pjetri, dhe të afërmit e këtij të fundit, pas shqetësimeve nga UDB-ja, vendosin të largohen nga ish-Jugosllavia. Drejt SHBA-ve. Po më parë anëtarët e familjes Prejlocaj detyrohen të qëndrojnë një periudhë kohe në kampin ushatarak në Gerovo, Kroaci. Kamp që i ngjante kampeve të përqëndrimit, ku mund të vdisje dhe prej urie.
Fati luan sërisht me ta dhe në rrugëtimin drejt SHBA-ve Liza, Pjetri dhe Rroku vendosen në Francë.
Pjetri e Rroku kanë lënë nënën, vëllezër e motra në Shqipëri. Ndërsa ata vendosen në Francë, pjesa e familjes në Shqipëri vuan në një nga kampet famkeqe të internimit në Lushnjë, qytet në jugperëndim të vendit. Vëllai i vogël vdes nga kushtet e vështira.
Liza ka lënë në Mal të Zi familjen dhe një varr: Bebja e saj e parë nuk rrojti veç disa ditë. Liza nuk e pa kurrë atë varr. Zakoni nuk e lejonte.
Me këto brenga, të mbërthyera në heshtje brenda vetes, familja Prejlocaj tërheq ditët e veta në Francë.
Franca ishte vetëm një vendqëndrim i përkohshëm në mendjen e çiftit Prejlocaj. Ata punonin në Francë e frymonin si në Vermosh. Megjithatë, në atë vend të huaj lindën katër vajzat dhe djali i tyre i vetëm.
Ky vend i huaj ishte atdheu i të pesë fëmijëve të Prejlocajve, Shqipëria qe vetëm origjina e prindërve. Me ndjesinë e të përkohshmit në këtë vend prindërit nuk mund e nuk donin ta kuptonin këtë ndryshim. Për ta fëmijët e tyre qenë thjesht shqiptarë, që gjendeshin në Francë si pasojë e rrjedhave të jetës. Madje më tepër se kaq. Fëmijët duhet të rriteshin dhe të respektonin traditat e vendit nga vinin, pavarësisht sa mund të dukeshin të çuditshme a të papranueshme në vendin pritës. Kështu vajzat duhet të martoheshin në moshë të re dhe prindërit vendosnin se kush ishte i përshtatshëm. Nuk mund të vazhdonin çdo lloj shkolle, nuk mund të kishin shokë, nuk..., nuk..., nuk...
Një sërë kufizimesh që e kërkonte origjina e vendit
Të gjitha këto probleme përthyhen tek Catherine apo Katrin, siç thuhej emri i saj në gjuhën shqipe. Një dyzim kulturash e traditash brenda një shpirti të ndjeshëm e rebel nga njëra anë dhe prindërve që nuk mund të pajtoheshin me faktin se bija e tyre qe qytetare franceze, si gjithë të tjerat.
Nuk e lënë të studioj për gazetari, "profesion kurvash", sipas të atit.
Xhina, motra e saj e madhe, e cila vendosi të studioj orientalistikë dhe shqip në Paris, zgjedhje që u pranua nga prindërit, detyrohet të ndërpresë studimet dhe të martohet në një katund të Malit të Zi me një tregtar bostanësh që ia gjen familja. Xhina martohet pa e njohur bashkëshortin e ardhshëm. Dy të afërm të burrit të ardhshëm e marrin dhe e dërgojnë në Mal të Zi.
Kjo bën që një ditë Catherine të braktisë familjen dhe të jetojë jetën e vet. Natyrisht nuk është e lehtë. Nga raportet dashurore me një femër, në miq të mirë, lidhja me një burrë të martuar, punë të çdollojshme, derisa në fund vendoset në një kompani që merret me fushata reklamash për biznese të ndryshme. Profesion që ishte ndërmjet gazetares dhe artistes, çfarë i pëlqente franko-shqiptares.
Marrëdhëniet e saj me prindërit vazhdonin të ishin të ngatërruara, me përplasje të vazhdueshme. Catherine mendonte se nëna qe e pandjeshme dhe nuk dinte t'i donte fëmijët, babai kërkonte të respektohej vetëm kanuni, të tjerat nuk kishin rëndësi për të.
Prindërit ishin njerëz të ftohtë ndaj ndjenjave, të painteresuar për artin e të bukurën.mendonte e bija.
Kështu vazhduan raportet prindër - Catherine derisa vjen sëmundja e saj.
Në saj të takimit me Fatmën, që zotëronte aftësi të veçanta dhe bioenregji Catherine kupton se shërimi varet dhe prej saj, madje në një masë të madhe. Në ato momente, kur vdekja qe aq afër, vajza rebele kuptoi se kishte nevojë të vinte paqe me prindërit dhe të ndjente se ata e donin. "Nuk mund të vdes me mllef", shkruan ajo. Kështu nisi të interesohej për të kuptuar jetën e prindërve, të shkuarën e tyre.
Dhe aty zbuloi dramën e egzilit, që shkaktonte dhimbje si kanceri.
Ajo mësoi se ata "pandjeshmit" ndaj artit e të bukurës ia kishin vënë emrin Xhinës, se ishin admiruesit e aktores së madhe italiane Xhina Lolobrixhida.
Kishin sakrifikuar shumçka për të shëruar distrofinë e saj, kur ishte ende foshnjë.
Në gjithë ato vite ata ishin përpjekur ta ngrinin kohën, të injoronin rrethanat dhe të rrisnin fëmijë shqiptarë.
Njohja e dramës së prindërve e ndihmoi Catherine Prjelocajn t'i kuptonte dhe të vendoste paqe me ta, pavarësisht se mund të mos ndanin të njëjtat mendime për shumçka.
MT: Prejlocajt - një histori ndërmjet mijrave të emigrantëve shqiptarë
Libri është ditari vetjak i Catherine Prejlocajt; ndodhi dhe refleksione në vite. T'i ndryshosh emrat ajo dramë është e ngjashme me shumë të tjera të emigrantëve shqiptarë në botë. Egzili është mallkim, i rëndë si vdekja. Kjo e bën shumë të vështirë gjetjen e një drejtpeshimi në jetë mes vendlindjes dhe vendit pritës.
Libri i Catherine duhet lexuar nga prindërit shqiptarë jashtë, në mënyrë që të kuptojnë fëmijët e tyre të lindur e të rritur në një mjedis të ndryshëm nga i tyre.
Libri duhet të lexohet nga fëmijët shqiptarë të lindur e të rritur jashtë, për të ndier dramën e prindërve të tyre, për të mirkuptuar reagimet e tyre, të cilat herë-herë tingëllojnë të çuditshme për ta.
Libri duhet lexuar nga ata që jetojnë në vendlindje.
Koreografi i njohur franko-shqiptar Angjelin Prejlocaj është vëllai i Catherine.
Ndërsa lexoja librin "E mbara për një portokalle nuk është të jetë kajsi" më kujtohej pritja që i është bërë Angjelin Prejlocajt në Shqipëri në mesin e viteve '90. Kudo flitej e shkruhej me krenari për shqiptarin e famshëm në kryeqytin e artit, Paris. Angjelini vizitoi dhe Vermoshin.
Nga mediat të krijohej përshtypja se Vermoshi kishte qenë më i rëndësishëm në jetën dhe suksesin e tij se Parisi.
Dhe në veprën e Kadaresë për gjeniun "që ecte ndryshe", Angjelin Prejlocaj, asgjëkundi nuk e gjen dyzimin, pengesat, që të sjell të qenit me identitet të dyfishtë.
Krenohemi me shqiptarët që jetojnë jashtë kur arrijnë sukses. Harrojmë përballjen e tyre të vështirë me identitetin e origjinës, injorojmë të tjerët që bëjnë një jetë të rëndomtë, por me një dramë të madhe.
Catherine Prejlocaj në saj të dashurisë dhe mirkuptimit vendosi paqe në jetën e saj.
Në saj të kurajos dhe talentit ajo boton një libër që lexohet ëndshëm dhe na ndihmon për të kuptuar dramën e një njeriu, por dhe të asaj pjesë të popullsisë që përbën diasporën shqiptare.
Libri i Catherine Prejlocajt "E mbara për një portokalle nuk është të jetë kajsi" futet në fondin e letërsisë shqiptare të mërgimit, ndonëse e shkruar në gjuhën frënge.
Së bashku me Elvira Dones, Prejlocaj rradhitet në autorët më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqiptare të mërgimit.


Dy fjalë për autoren
Catherine Prejlocaj ka lindur dyzetë vite më parë në Francë në një familje shqiptare.
"E mbara për një portokalle nuk është të jetë kajsi" është libri i parë vetjak i autores, i cili është botuar në gjuhën frënge nga shtëpia botuese "Favre" .
Libri autobiografik tregon përvojën e autores të rritur në mesin e dy kulturave të ndryshme, asaj franceze dhe shqiptare.
Prejlocaj sot punon si terapaute dhe është bashkëautore e një libri të specializuar në këtë fushë.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:16
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË