NUMĖR 61
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
INTERVISTA
KULTURË
MARKETING
KONTAKT
DOSJE
ARKIVI
 
 
Morali i një shtypi apo shtypi i një morali?

Një anekdotë franceze, që i kushtohet moralit në gazetari, u ka përballuar shekujve pa humbur as sot aktualitetin.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Lëvizje reformatore apo parathënie e një krize të re në Shqipëri?

Një konflikt mes kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano dhe kryeministrit të Shqipërisë, Ilir Meta, në pamje të parë me ngjyrime vetjake, duket se është kthyer në një lëvizje reformatore në mesin e politikës shqiptare.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Përse ikin diplomatët shqiptarë?

Largimi i njerëzve me nivel të lartë profesional dhe intelektual nga vendi i tyre drejt vendeve të zhvilluara apo, siç quhet ndryshe, "rrjedhja e trurit",

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Pasojat ekonomike tė vonimit tė konsolidimit të qeverise dhe të institucioneve të tjera në Kosovë

Me fillimin e bombardimeve tė Natos, nė mars 1999, u bė definitivisht e qartė se Serbia nuk do tė ketė mė ndonjė ndikim legjislativ mbi rrjedhat nė Kosovė,  

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Zgjedhjet kombëtare të 17 nëntorit 2001 i ka bojkotuar "partia e dytë" e Kosovës

Gjatë dy vjetëve të fundit -në vitet 2000 dhe 2001, shqiptarët e Kosovës i kanë mbajtur zgjedhjet lokale dhe ato qendrore.

PËR MË SHUMË >>>
 
 
Maqedonia midis paqes dhe luftës

Riaktualizohet ideja për ndarjen e vendit midis maqedonasve dhe shqiptarëve Subjektet maqedonase nga fillimi i përleshjeve të armatosura në pranveren e viti të kaluar duke dashur

PËR MË SHUMË >>>
ARTIKUJ VITI IV - JANAR 2002

Analizë

Lufta e të ardhmes


Shqiptar OSEKU

Pas 11 shtatorit është thënë shpesh herë, se sulmet terroriste në SHBA kanë patur efekte shumëdimenzionale në të gjitha segmentet e shoqërive demokratike. E kjo vlenë, më shumë se për çkado tjetër, për mendësitë e betonuara që mbretërojnë në fushën e mbrojtjes. Në muajt e vitet pas Nju Jorkut, akademitë ushtarake do të djersiten bukur fort për të gjetur një përgjegje adekuate për një stil krejt të ri të luftës, i cili kanoset t'i nxjerrë komplet nga loja ushtritë tradicionale.

Që prej Perandorisë Kin, 3000 vjet e tëhu para e.s, e nga Perandoria Romake në Evropë, e deri në ditën e mbramë para 11 shtatorit, lufta është konceptuar përgjithësisht si përleshje ballore burrash në uniformë, ku e mira e punës kërkon që civilët të skajohen, mundësisht sa më largë. Shembull ilustrues është beteja në Bull Run jashtë Uashingtonit gjatë Luftës qytetare amerikane, ku vrasja e 22.180 ushtarëve të të dy palëve u vështrua si spektakël nga societeti, i mbledhur enkas për çaj te kodrat përreth.

Natyrisht që ka patur përjashtime djegëse, si nomadët mongolë për perandorin Kin a dalmatët kryeneçë për Okavian Augustin. Më vonë në histori, perandori Napoleon u desh më 1813 ta braktisë Spanjën e pushtuar, meqë spanjollët, të cilët e kishin humbur guerrën (luftën), ia dolën ta fitojnë guerrilën (luftëzën, luftën e vogël) pa ushtri të rregullt.

Por mongolët nisën e bitisën si cuba, Oktavian Augusti i çfarosi dalmtatët gjer në një, e Napoleoni zor që do ta pështynte Spanjën pa debaklin në Rusi. Në kohëra më moderne, gjeneralët amerikanë pohojnë ende se do të kishin ngadhnjyer kundër guerrilëve vietnamezë po të mos ishin ndihmat masive që u ofruan këtyre ushtritë e rregullta të BRSS-së e të Kinës.

Aq i rrënjësuar është ky parafytyrim në përsiatjet ushtarake e politike rreth luftës, sa edhe shumë lëvizje guerrile kanë parapëlqyer a parapëlqejnë ende ta definojnë veten si ushtri të rregullt (UÇK, IRA, AKSH etj). Në po këtë frymë, kodi modern i luftës, i artikuluar në Konventën e Gjenevës, i ndanë rreptësisht ushtarët e rregullt prej civilëve, e Gjykata e Hagës e gjykon sot një ish-kryetar shteti, Sllobodan Millosheviçin, për krime të ushtarëve kundër civilëve.

Në rastin e Millosheviçit, gjykimi motivohet me dëshmi se ai ka masakruar civilë që s'kanë ofruar rezistencë. Por, si dëshmojnë historikisht telashet e ushtrive për ta mbajtur një territor të pushtuar, shpesh herë është përnjëmend vështirë të bëhet dallim mes civilëve e luftëtarëve.

Si të bëhet një dallim i arsyeshëm mes ushtarit e civilit në një luftë të parregullt, ku qeveria dhe ushtria e rregullt kanë kapitulluar zyrtarisht, e ku guerrili krye në vete ia bën bam e tretet ndër civilë?
E merreni tash me mend sikur kundërshtari, në vend të Kallashnikovit, të ketë në çantë një bombë atomike!

Tingëllon si fantastikë shkencore, por pikërisht ky opcion sot është aq real sa t'i lërë pa gjumë liderët botërorë. Opcione tjera janë terroristë që sulmojnë me armë biologjike e kimike, ose që e asgjësojnë infrastrukturën e shtetit, përfshirë atë të qeverisë e të ushtrisë, përmes internetit.

Në këtë kontekst, sulmet e 11 shtatorit hedhin dritë mbi një dallim thelbor mes të shkuarës e të ardhmes. Dikur, një luftë e izoluar guerrile s'kish shansa kundër ushtrisë klasike në impenjim afatgjatë. Sot, zhvillimi i shkencës e teknikës, si dhe homogjenizimi i shoqërive moderne përmes ideologjive, kanë krijuar një sfond krejt tjetër, me probleme të reja për mendjet ushtarake.

Në akademitë ushtarake të Perëndimit, ky ambient i ri luftarak është mbiquajtur "Lufta asimetrike". Pas Luftës së ftohtë, aleatët perëndimorë s'kanë pse t'i druajnë më seriozisht ndonjë kundërshtari frontal. Njësoj si xhentëlmenët e damat e motit në Bull Run, miliona telespektatorët gjithandej kanë patur rast t'i shohin në CNN ushtritë perëndimore duke ia ndukur puplat pa rrezik ushtrisë konvencionale serbe, të katërtës në Evropë, e më herët asaj irakiane, të shtatës në botë.

Andaj, si në teori, ashtu edhe në praktikë, problemi imediat i aleatëve perëndimorë sot është fakti se secili maniak di shkrim-lexim, e se teknologjia e datorëve është bërë e arritshme për të gjithë. Terroristi postmodernist është mobil, i ngjizur ideologjikisht, i pajisur me datorë të kyçur përmes satelitit, e i armatosur me armë të fundbotshme që zënë vend në një çantë atashé.

Në shoqëritë e hapura demokratike, këso kundërshtarësh janë më të vështirë të gjurmohen, të zbulohen e të kapen. Ata s'ta ofrojnë komforin që ta jep një ushtri e dukshme, e veshur në uniforma, që pret nëpër tankse të vritet prej lartësive. Ata s'të ofrojnë as paralajmërime politike, meqë konspiracioni i thellë është alfa e omega e veprimit të tyre. Dhe, ç'është më e keqja, në fshatin global që quhet Tokë sot, ata s'përtojnë ta bartin luftën në zemër të shoqërive demokratike. Atentatet terroriste në Amerikë janë një shembull i freskët; një tjetër shembull është atentati në metronë e Tokios në mars 1995 nga sekti Aum Shinri Koyo ("e vërteta sipërore").

Ushtrive tradicionale, thjesht, u ka pjellur dreqi me kohërat moderne. S'do mend se luftërat ishin më të preferueshme në kohërat e mira, kur luftëtarët ishin kastë në vete e civilët analfabetë trusnin tulet, të patrazuar nga pamfletet ideologjike të fanatikëve.

Por sado e pashpresë të na duket pozita e gjeneralëve të sodit, edhe ca më serioz është problemi i politikanëve, pra e atyre që në shoqëritë demokratike janë komandantë supremë të ushtrisë. Ungjilli i demokracisë, në të cilën bëjnë be i madh e i vogël, i presupozon disa nocione themelore, pa të cilat demokraci s'ka. Si p.sh. nocioni i shtetësisë, që u garanton të drejta të plota të gjithë shtetasve pa marrur parasysh përkatësinë etnike. Ose, ta zëmë, nocioni i lirive themelore, përfshirë lirinë e qarkullimit e të informacionit, dhe ai i shtetit ligjor, ku sekush është i pafajshëm deri sa të dëshmohet e kundërta në gjyq të paanshëm, me dëshmitarë, avokat e porotë, si dhe me mundësi të ankesës.

Këto rregulla e detyrojnë apriori një shoqëri demokratike të jetë jo vetëm e hapur, e drejtë e tolerante ndaj kundërshtarëve të vet potencialë, por edhe më e zhdërvjelltë se sa ata në relatat me opinionin pasi të ketë ndodhur belaja (meqë edhe maniakët e kanë shpesh herë një shpjegim të vetin), ashtu që të mos krijojë "dëshmorë të Çështjes" e alibi taze për maniakë të tipit Millosheviç e Osama bin Ladin.

Tingëllon zor sa të duash, e nganjëherë edhe është vështirë; p.sh. pas LDB, SHBA-të, djepi i demokracisë, pranuan botërisht se grumbullimi i amerikanëve me prejardhje japoneze nëpër kampe të përqëndrimit qe "teprim". Alternativë tjetër pos demokracisë, për një demokraci të mirëfilltë thjesht nuk ka.
Edhe në këtë drejtim, njësoj si në rrafshin ushtarak, sytë e botës janë të mbërthyer te SHBA-të, për të parë se si do të sillet superfuqia e vetme globale në ballafaqimin e parë me avenirin e luftës së të ardhmes. E shenjat e para, si ndodh përherë në pikëkthesat vendimtare, janë trazuese.

Prokurori i përgjithshëm amerikan ka urdhëruar "pa ndonjë shkak specifik, vetëm sa për të folur" ndalimin e mëse 7.000 personave, mes tyre edhe shtetas amerikanë, me prejardhje kryesisht nga Lindja e Mesme, të cilëve, sipas shoqatës më prestigjioze amerikane Amercan Civil Liberties Union (ACLU), u janë cenuar të drejtat bazë ligjore. Administrata amerikane ka bërë përçapje te mediat vendore rreth politikës së tyre redaksionale, dhomat e parlamentit amerikan kanë miratuar ligje të përkohëshme që i japin interpretim të gjërë terrorizmit e të drejta largëvajtëse presidentit në fushën e sigurisë, e presidenti ka ndëshkuar dekret që të pandehurit për terrorizëm të gjykohen në gjyqe ushtarake me mundësi të prerjes së dënimit kapital pa të drejtë ankese. Në një kohë kur dënimi kapital është hequr nga përdorimi në shumicën e shteteve të botës, e kur edhe gjyqësia civile amerikane ballafaqohet me një sërë skandalesh aktuale ku të dënuarit me vdekje janë shpallur të pafajshëm posteriori, vendime si këto s'do mend se nxisin shqetësim.

Lufta e të ardhmes shtron një varg pikëpyetjesh të reja, për të cilat përgjegje të gatshme s'ka. Por pasi të jenë studiuar mirë çështjet që kanë të bëjnë me rreziqet e sigurisë, si dhe resurset e metodat e luftimit të tyre, doemos që responsin eventual duhet peshuar kundrejt vlerave demokratike që mundet se duhet vënë në peshojë.

Në dritën e kërcënimeve që i kanosen demokracisë, ky rezonim mund të duket akademik. Por ai është zemra e problemit. Nëse një demokraci e etabluar me mëse 281 mil banorë tejreagon, çfarë shembulli i ofron kjo p.sh. një vendi si Kosova, ku nga 1.9 mil banorë ka mbi 11 mijë të vrarë e të zhdukur? Apo një vendi si Bosnja, si Ruanda, e si një varg vendesh tjera ku ka patur a do të ketë konflikt patjetër në të ardhmen?

Për përgjegjen ia vlen të mendosh mirë një, dy, e besa edhe tri herë. Sepse pyetja mund të duket akademike, por përgjegjja do të ndikojë absolutisht në jetën e përditshme tonën e të fëmijëve tanë ndër dekadat që po vijnë, pa marrë parasysh nëse jetojmë në SHBA, në Suedi ose, ta zëmë, në Kosovë.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:15
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË