NUMĖR 62
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
 
 
LDK PDK 0,5 me 0, Turni i dytë premton tensione
 
Lufta kundër terrorizmit dhe beteja për tregjet naftëmbajtëse
 

Pse polcia maqedonase vrau shtatë pakistanezë në afërsi të Shkupit?

 
"Rrethi i Kostandinit"
apo vallja e pakëputur e arbëreshëve
 
M.T. Formohet Këshilli Koordinues i subjekteve shqiptare në Maqedoni
 
Procesi gjyqësor i shekullit
 
Njeriu në përballje me dhunën
 
A do të mbahen zgjedhjet në tri komunat e Luginës së Preshevës
 
Afera Rakipi - Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
 
Konsensusi politik si rrugëdalje nga kriza
 
Zoti e bëftë mirë! 
 
Krejt shkurt për një funeral
EDITORIAL VITI IV - MARS 2002

8 Marsi ndër shqiptarët:
Si maskohet diskriminimi gjinor

Shqiptar OSEKU

Konkluza: Femra shqiptare, edhe në shek. XXI, po hyn si viktimë. Viktimë e diskriminimit të gjithanshëm: viktimë e mashkullit.

Sepse, e këtë duhet thënë haptazi, aty ku ka të shtypur doemos që ka shtypës. Aty ku ka të diskriminuar doemos që ka të privilegjuar. Në patriarkatin shqiptar, mashkulli shqiptar është shtypësi i privilegjuar; statusi i tij social është aq dominant, sa që viktima e tij, femra shqiptare, s'është në gjendje as ta vëjë për diskutim raportin e pabarabartë. Sikur e di secili, pabarazia më e madhe gjëllin në ambientin e heshtur e të kontrolluar të burgut; kur të plasin grindjet, atëherë dije që puna ka nisur të lëvizë.

Ndërsa festa e 8 marsit në Perëndim, ku femra e ka avancuar dukshëm pozitën e vet sociale, ka rënë gjithnjë e më shumë në prapavijë, ndër shqiptarët - e posaçërisht ndër meshkujt shqiptarë!- ajo ende kremtohet përnjëmend. Ndryshe s'ka se si: patriarkati, e posaçërisht patriarkati shqiptar ku femra është e diskriminuar në të gjitha fushat e jetës, doemos që do të ketë ceremoni rituale për ta dëshmuar disi të kundërtën, "respektin ndaj femrës"; fenomen ky bukur i përafërt me festat e nduarduarta nacionale që ekzistonin dikur në komunizmin sovjetik.

Historikisht, në Ballkan femra ka qenë e shtypur jo vetëm ndër shqiptarët, po te të gjithë popujt. Ndër shqiptarët, femra është perceptuar si "shakull për me bajtë", pra instrument për të kryer punë e bërë fëmijë. Ky parim është fiksuar me saktësi të dhembshme në kodin e Lekë Dukagjinit, por fryma e tij ka vlejtur përgjithësisht ndër të gjithë shqiptarët, pa marrur parasysh trevë a fe: qoftë vajzë apo grua, myslimane a kristiane, gegë a toskë, qytetare a fshatare, femra shqiptare s'është lejuar të ketë dorë në vendimet kyçe rreth jetës së saj.

Vajza shqiptare "s'ka tagër me zgjedhë fatin e vet"; gruaja shqiptare "ka me lypë prej burrit (?) të mbajtmen, të veshen e të mbathen". Tradita shqiptare thekson dy "detyra" të burrit ndaj gruas (sigurim të domosdosshmërive për jetë; ruajtje të nderit - kjo e fundit më tepër si kërcënim latent), e shtatë (!) detyra të gruas ndaj burrit, pos tjerash "me i ndejtë nën sundim" -bukvalisht!- e "mos me iu përzie në fejesë të bijve e bijave". Këto detyra e kanë definuar shqiptaren prej Tivarit e deri në Prevezë, shumë më sakt se sa emri, feja, veshja a flamuri kuqezi.

Në shoqërinë e konstruktuar nga meshkujt e për meshkujt, posaçërisht mëkator e diabolik quhej seksualiteti i femrës. Femra e kish vetëm pronësinë fizike mbi gjenitaliet e veta, por pronësia simbolike e sociale mbi seksualitetin e saj ushtrohet gjithnjë nga mashkulli: në vajzëri nga i jati, nga vëllau i madh, nga familjarët tjerë meshkuj, e pas martesës plus nga burri e familjarët e këtij. Gjenitaliet ishin fizikisht të femrës, por kontrolli i tyre qe detyrë meshkujsh.

Krahasuar me Romën antike, gruaja ndër shqiptarët kishte një status social paksa më të lartë se ajo e kafshës shtëpiake, por më të ultë se sa e skllavit. Romakët, të cilët i ndanin veglat në tri grupe: "Instrumentum mutum", almiset e rëndomta; "instrumentum semivocale", dtth kafshët shtëpiake; si dhe "instrumentum vocale", apo skllevërit, për dallim prej femrës shqiptare e lënin skllavin ta ushtrojë seksualitetin e vet sipas dëshirës.

Sa ka ndryshuar patriarkati shqiptar në shek. XXI?

S'e di. Kur e shoh histerinë e meshkujve për ta festuar 8 marsin, urimet e tyre zëlarta para kohe, e turpin e femrave shqiptare ("a, po njëmend, dita jonë, haha...") më duket sikur shoh një shfaqje të perfeksionuar teatrale. Një lojë që mashkullin duhet ta risigurojë për dominancën e vet, femrën ta bindë se s'është fare ashtu, e vështruesin e jashtëm se këta qenkan të barabartë.

Më duket paradoksale por e vërtetë, që shtypja e mashkullit shqiptar, në vend se të zvogëlohet, sikur është shtuar edhe ca me rënien e sistemeve totalitare. Tash, në emër të demokracisë, lulëzojnë lirisht edhe keqkuptimet më dogmatike religjioze, edhe primitivizmi më i keq tribal, por edhe akultura. "E sheh si janë çikat sot, të lyera e të ngjyera, me funda të shkurtër", më thoshte njëri një ditë.

Sipas tij, ky qenka shenjë i sigurtë se puna ecën para.

Si t'ia spjegosh një njeriu, një "Burri" me alamet shkollë, që grimi e fundi i shkurtër s'janë shenja pavarësimi, por përkundrazi, se janë shenja modernë të shtruarjes?

Të gjitha qeniet e gjalla para rrezikut reagojnë në dy mënyra. Sulmojnë, ose bëhen si të vdekura. Te njeriu, këto forma bazike ngatërrohen ca: prej viktimës shpesh kërkohet të marrë pjesë në show, ta luajë lolon, të dëshmojë me gojën e vet se s'është viktimë, para se t'i prehet fati. Si të spjegohet në pesë minuta, që femra moderne ka mundësi o ta sulmojë frontalisht dominancën mashkullore, me pasoja të vështira, o t'i nënshtrohet rregullave të saj e ta luajë bimbon, me shpresë se ndoshta do të nxjerrë diçka për veti? Si t'ia spjegoj një "Burri me alamet shkollë", që shumë prej femrave moderne grimin e fundin e shkurtër e përdorin për të njëjtin funksion si do ta ketë përdorur patjetër gjyshja ime mafesin e namazbezin - për të joshur vardisës seriozë?

Por për ta gjetur të vërtetën për femrën shqiptare, mjafton të gërvishësh krejt pak në sipërfaqe. Pa shikoni pak politikën tonë, ju lutem. Sa kryetarë partishë janë femra? Sa përqind femra janë ministre, sa përqind janë anëtare nëpër parti, sa përqind ulen në parlamentet tona? E prej tyre, sa përqind janë përnjëmend anëtare dhe, nëse doni, përnjëmend femra? (Me këtë s'them që paska politikanë transseksualë, ndonëse as ajo s'eliminohet dot, por që në mjediset patriarkale, mundësia e vetme e femrës për avancim është të sillet si mashkull, pra të shndërrohet në "mashkull social": i a.q. "procesi i mashkullzimit".)

Ose, po deshët, shikoni kulturën shqiptare. Sa herë përmenden Elena Kadaré a Natasha Lako, e a ka dëgjuar gjë kush për shkrimtaren absolutisht briljante Elvira Dones? Thoni shpejt emrat e tri piktoreve shqiptare, tri skulptoreve shqiptare, apo tri kompozitoreve?

Mos druani, askush s'do t'ju përqesh si injorant. S'është fjala për shkrimtarë, artistë, muzicientë, po për shkrimtarE, artistE, muzicientE; s'është fjala për kulturën shqiptare, po për një suplement të saj dekorativ, anësor e doemos më të parëndësishëm. Sepse kultura e mirëfilltë shqiptare, kjo s'diskutohet, është ajo që krijohet prej mashkullit, apo jo...

(Sikur edhe antikultura. Shumica e fyerjeve shqip cenojnë kontrollin simbolik të mashkullit mbi seksualitetin e femrës në familje, alternativa e barazojnë oponentin mashkull me krijesën më të ultë, pra me femrën, duke projektuar dhunë seksuale mbi të "si mbi femër". Në rastet kur shahet femra, asaj zakonisht i përplaset në fytyrë mungesa e kontrollit mashkullor mbi seksualitetin e vet.)

Etj, etj, kësisoj mund t'i (vend)numërojmë gati të gjitha fushat e shoqërisë shqiptare. Gjuha shqipe, kronikanja e dhembshur e (jo)qytetërimit shqiptar, është kryedëshmitare e Hagës. Athua ka ndonjë popull tjetër pos shqiptarëve ku fjala "burrneshë", pra "femër që sillet si burrë", është kompliment - heej, kompliment?!

S'e thotë kot hymni: "Kush është burrë..." - Vetëm kush është burrë!

Ju duket e ngatërruar? Le ta sqarojmë edhe pak. Le ta marrim një shembull sa për krahasim. P.sh. Kosovën nën okupimin serb.

Beogradi numëronte shqiptarët që venin në shkollë, ashtu si i numëron familja shqiptare sa femra kanë kryer studimet. Beogradi zgjedhte disa "shqiptarë të ndershëm" për ta mbushur kuotën me kosovarë, njësoj si i zgjedhë shoqëria jonë disa "gra të ndershme" për ta mbushur kuotën publike me to. Beogradi për një kohë të gjatë s'pati nevojë të përdorë dhunë ekscesive mbi shqiptarët, meqë mjaftonte kërcënimi i terrorit; njësoj si mjafton kërcënimi latent që ekziston ndaj femrave shqiptare në qoftë se "lazdrohen", "e ngritin bishtin", "dalin menç" etj. (pra nëse vendosin vet për fatin e vet). Beogradi kishte angazhuar shqiptarë për t'i mësuar shqiptarët tjerë se si duhet sjellur në shoqërinë jugosllave, njësoj sikur patriarkati shqiptar ngret në qiell femrat e mashkullzuara, "burrneshat", si shembuj se si duhet "edukuar" femrat që në vegjëli. Pesë strategjitë e Beogradit para sfidës së Kosovës: të bërit sikur problemi s'ekziston, përqeshja, reduktimi, izolimi, dhuna; këto pesë strategji janë, njëherit, edhe strategjitë e mashkullit, "Burrit" shqiptar, para sfidës që quhet femër.

Konkluza: Femra shqiptare, edhe në shek. XXI, po hyn si viktimë. Viktimë e diskriminimit të gjithanshëm: viktimë e mashkullit.

Sepse, e këtë duhet thënë haptazi, aty ku ka të shtypur doemos që ka shtypës. Aty ku ka të diskriminuar doemos që ka të privilegjuar. Në patriarkatin shqiptar, mashkulli shqiptar është shtypësi i privilegjuar; statusi i tij social është aq dominant, sa që viktima e tij, femra shqiptare, s'është në gjendje as ta vëjë për diskutim raportin e pabarabartë. Sikur e di secili, pabarazia më e madhe gjëllin në ambientin e heshtur e të kontrolluar të burgut; kur të plasin grindjet, atëherë dije që puna ka nisur të lëvizë.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:23
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË