Konsensusi
politik si rrugëdalje nga kriza
Besniok
KONÇI
Mbi politikën
shqiptare, së fundi, janë lëshuar rrufe, të cilat
kanë bërë paralajmërime kërcënuese në
mënyrë krejtësisht të hapur. Pas vendimeve të
institucioneve financiare më të fuqishme, si Fondi Monetar
Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për të bllokuar
projektet dhe fondet përkatëse për Shqipërinë,
pas vendimit të Komisionit Europian për shtyrjen me kushte
të afatit për hapjen e negociatave mbi Marrëveshjen
e Stabilizim Asocijimit, radha i erdhi Ambasadorit Amerikan në
Tiranë Limprecht. Ai shfrytëzoi një takim me studentët
e Universitetit të Elbasanit "Aleksandër Xhuvani",
për tu dërguar një "telegram urgjent" politikanëve
tanë, të cilëve u kërkoi "të merren
vesh" dhe të bisedojnë për problemet në vend,
veçanërisht për "zbatimin e rekomandimeve të
ODIHR-it" për zgjedhjet, sa më shpejt, për sa
kohë që "miqtë e Shqipërisë nuk janë
mërzitur". Kjo përkthehet në gjuhën e zakonëshme
thjesht kështu: "Verini gishtin kokës se përndryshe
do tu braktisim fare". Më troç zorr se mund të
jetë.
Politikanët shqiptarë, të lodhur
nga "betejat", apo "të ngopur" me sherre
gjithfarësoj, duket të jenë në një gjendje
"armëpushimi" të përkohshëm, mbase
edhe reflektimi. Por nuk janë as kështu produktiv, sepse
vendi ndodhet në nevojë të veprimit së pari,
prej tyre.
Kriza politike disamujore nuk ishte këtë herë produkt
i ndeshjeve të zakonëshme Pozitë-Opozitë, por
pasojë e ndeshjes për pushtet politik të klaneve
brenda maxhorancës, pas një procesi elektoral shumë
të diskutueshëm. Rezultati i parë i saj ishte fitorja
e krahut të Nanos, pasuar nga qeveria e "Kurban Bajramit"..
Fatos Nano kryetar i Partisë Socialiste
|
Pas
afro një muaji "jetim", gjatë së cilës
personazhi më shembëllor për durimin dhe vetëdisiplinimi
e treguar, ishte populli shqiptar, vendi ka më në fund
një ekzekutiv. Ai ka marrë mbështetjen politike të
plotë nga një maxhorancë fraxhile, që di të
bëjë kompromise pragmatike përballë Opozitës,
vetëm për pushtet. Qeverisë Majko, realisht të
drejtuar nga shefi i Partisë, do t`i duhet të mbijetojë
jo nën kërcënimin politik të Opozitës,
siç do të duhej të ndodhte normalisht, por nën
presionet që vijnë nga prishgja e ekuilibreve ndërmjet
klaneve brenda maxhorancës dhe luhatjet e dëshirës
nanosite për karierë politike drejt presidencës.
Ndërsa sfidat janë sa të ashpra, aq edhe jetike,
madje vëdshtirësisht të përballueshme nga çdo
qeveri, sado e fortë qoftë..
Kriza energjetike dhe ajo e ujit të pijshëm
janë më të ndjeshmet dhe në mënyrën
më direkte. Ata nuk janë të papritura apo të
rastësishme. Askush nuk mund të lajë duart prej saj,
dhe, shumë më pak pushtetarët mund të justifikohen
pas pesë vjet qeverisjeje. Abuzimet e denancuara nga Opozita
dhe vetë kryesocialisti Nano me tenderat e energjisë,
përdorimi për fushata elektorale dhe mbyllje të defiçitit
të buxhetit i parave të ardhura nga investimet strategjike
dhe fondi rezervë, si dhe abuzimet në përdorimin
e energjisë ( të gjitha kanë për pasojëme
mungesën e investimeve në KESH) përbëjnë
pista të qarta ku mund të hetohet për të gjetur
shkakun thelbësor të kësaj krize. Ndërsa dalja
prej saj kërkon gjithashtu një ekspertizë të
pastër, larg premtimeve mashtruese me motive politike, të
cilat vetëm se thellojnë katastrofën.
Sali Berisha kryetar i Partisë Demokratike
|
Gjatë më shumë se një dekadë
tranzicioni të vështirë, akuzat reciproke për
korrupsion kanë pasur jo rrallë herë ngarkesë
politike, duke u bërë kësisoj, më shumë
një ?mburojë" ndaj një fenomeni të tillë.
Pas vitit 1997, akuzave të Opozitës ndaj politikanëve
në pushtet për korrupsion, implikime në trafiqe të
ndryshme dhe në kontrabandë ju shtuan edhe dosjet e ardhura
nga institucionet serioze politike dhe ekonomike ndërkombëtare,
të cilat hodhën dritë mbi një seri faktesh,
që zorr se mund të mohoheshin më tej. Megjithatë,
gjithçka kulmoi, kur edhe vetë lideri socialist Fatos
Nano, i cili me sa duket, pasi kishte "pastruar sirtarët
personalë" udhëhoqi me pasuesit e tij në parti
një fushatë me akuza direkte dhe konkrete kundër
antarëve të qeverisë Meta për implikime në
afera korrupsioni dhe trafiqesh, gjatë betejës brenda
llojit, në përpjekje për të rifituar pozitat
e humbura në Parti dhe qeveri. Heshtja qeveritare foli qartë
për frikën që vinte nga akuzat të mbështetura
në fakte.
Megjithatë, gjëja që të bën
më shumë përshtypje në këtë situatë,
është se drejtësia, veçanërisht institucioni
i akuzës - prokuroria, lëkunden ndërmjet heshtjes
dhe veprimeve apatike, haptasi në varësi nga fuqizimi
politik i klaneve brenda maxhorancës, ndonëse krimet janë
evidente. Kësisoj, lufta kundër fenomeneve të mësipërme
(nëse zhvillohet) do të mund të jetë e fokusuar,
në mënyrë selektive, mbi njerëzit brenda klaneve
anti-Nano dhe do të përdoret për qëllime politike.
Asgjë nuk mund të bëhet bazuar në ligj nga një
drejtësi fund e krye politike.
Abuzimi me pronën dhe pronarët e ligjshëm
përbën një nga gjynahet më të mëdha,
mbase më të madhin, të politikës shqiptare.
Shoqëria shqiptare ndjen mungesën e kontratës themelore
të individit me shtetin dhe shoqërinë, që shprehet
në marrëdhënjet mbi pronën dhe, për pasojë,
gjithçka ndërtohet jo mbi themele të forta, por
mbi mina dhe pasiguri. Askush nuk mund të investojë mbi
një truall ose objekt që nuk dihet se pronësi e kujt
është realisht, ndërsa konflikti social që sjell
abuzimi me pronën gërryen sistemin, duke kërcënuar
stabilitetin dhe prosperitetin e shoqërisë në mënyrë
të vazndueshme. Ëdhe këtu askush nuk mund t`i lajë
duart nga "krimi ndaj pronës". Në shtetin e
së drejtës e drejta mbi pronën është alfa
e lirive dhe të drejtave të njeriut. Pa respektimin e
saj, shteti demokratik nuk mund të jetë gjë tjetër,
përveç se propagandë komuniste bajate.
Përveç problemeve që lidhen me
profesionalizmin dhe depolitizimin, politika e jashtme dhe diplomacia
shqiptare kanë mbetur peng të krizës sëfundit
të brendëshme politike dhe ekonomike, madje janë
keqpërdorur në luftën për pushtet nga klanet
ndeshëse në kërkim të mbështetjes prej
faktorit ndërkombëtar. Tashmë diplomacisë shqiptare
i duhet veprimtari shumë intensive dhe profesionale për
të rehabilituar urat europiane që çojnë në
hapjen e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asocijimit,
si edhe, së bashku me institucionet tona financiare, të
normalizojë marrëdhënjet me FMN-në dhe Bankën
Botërore. Një proces i tillë do të jetë
i kondicionuar fillimisht nga zhvillimet e brendëshme në
Republikën e Shqipërisë.
Zgjedhjet e kontestuara janë bërë
tashmë gangrena e demokracisë shqiptare, ndërsa cënimi
i institucionit bazë të demokracisë, votës së
lirë, përbën, në fakt, bazën nga gjenerojnë
e gjithë kriza, me dimension politik, institucional, ekonomik,
etj. Në këtë këndvështrim, rekomandimet
Ë ODIHR-it për zgjedhjet nuk duhen konsideruar të
detyrueshme për tu zbatuar vetëm për arsye të
presionit ndërkombëtar, por, së pari për arsye
se ne na duhet një sistem demokratik me institucione solide,
ndërtimi i të cilit bazohet tek respektimi i vullnetit
politik të elektoratit, pra votës së lirë.
Kriza e fundit elektorale ka nxjerrë në
pah nevojën për reformim të infrastrukturës
ligjore dhe fizike të zgjedhjeve, por ajo ka evidentuar edhe
problemet zgjedhore që rrjedhin nga nene përkatëse
të Kushtetutës sonë. Kjo e fundit a ka çeduar
edhe në nene që lidhen me ekzekutivin. Aprovimit të
Ligjit themelor, të proklamuar me aq bujë nga brenda dhe
jashtë vendit, i ka munguar konsensusi, bile bashkëpunimi
minimal politik dhe ai po na "e shpërblen".
Mund të rreshtohen sfida të tjera ekonomike,
politike, institucionale dhe të natyrave të tjera, të
cilat qëndrojnë përballë politikës, por
faturat e të cilave i paguajnë vetë qytetarët
shqiptarë, që po demostrojnë durim deri në depersonalizim,
gjë që nuk mund të vazhdojë gjatë.
Pozita e tronditur nga konflikte të brendëshme,
e varur politikisht nga vullneti i një individi për të
bërë ose jo kompromis për zgjedhjen e Presidentit
pas disa muajsh, do ta ketë të vështirë t`ia
dalë në krye e vetme. Përballë saj politikisht
qëndron një Opozitë e cila po grumbullon forca, në
kërkim të alternativave konkrete dhe njerëzve për
zbatimin e tyre. Pasi ka hequr dorë, mbase përkohësisht,
nga strategjia e protestave, ajo po kalkulon me lojën e shifrave
dhe presionin e ardhur nga realiteti i vështirë shqiptar
dhe presioni ndërkombëtar, duke ofruar formulat e saj
për daljen nga situata.
Analiza e mësipërme mbi natyrën
e sfidave aktuale, mbi protagonizmin e politikës në lindjen,
ose zgjidhjen e tyre, evidentimi i përmasave dhe emergjencën
për zgjidhje, si edhe fragmentarizimi aktual i politikës
në Tiranë, të çojnë në konkluzionin
logjik se politikës shqiptare i nevojitet një konsensus
afatgjatë mbi disa çeshtje themelore, bazuar në
ekspertizë dhe interesa kombëtare, të cilat nuk duhen
bërë më objekt fushatash politike, apo demagogjish
elektorale.
Politikanët shqiptarë duhet të
bëjnë marrëveshje konsensuale për mosprekjen
për motive politike të institucioneve, duke filluar nga
respektimi i votës së lirë, ndërtimi i një
gjyqësori qe respekton vetëm ligjin, për një
ushtri, polici, shërbime sekrete profesionale kombëtare,
një administratë të aftë të pa ndikuar
nga politika, për zgjidhjen e çeshtjes së pronës,
për profilin ekonomik perspektiv, zhvillimin e reformave dhe
ndërtimin infrastrukturor të vendit, për politikën
e privatizimeve strategjike dhe destinacionin e burimeve financiare
të ardhura prej tyre, për objektivat bazë (formësimin)
të politikës së jashtme.
Duke u nisur nga emergjencat aktuale, politika
duhet të ulet në tavolinë urgjentisht, për të
filluar me hartimin e një strategjie të përbashkët
(konsensuale) të luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve,
të përgatisin një program të qartë për
nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë energjitike dhe ujore,
si dhe në hartimin konsensual të një plani veprues
për kryerjen e reformave kushtetuese dhe elektorale. Një
klimë si kjo, do të krijonte premisa edhe për konsensusin
e domosdoshëm presidencial.
Në të kundërt, kjo qeveri do të
bëhet kurban, ndërsa riciklimi i krizave do të jetë
shumë i afërt, bile me ballë më të lartë
dhe afshi politik ka të ngjarë të jetë më
përvëlues se të nxehtit e Qershorit. Ndërsa
vendi do të vijojë rrokullimën teposhtë.
|