NUMĖR 62
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
 
 
Lufta kundër terrorizmit dhe beteja për tregjet naftëmbajtëse
 

Pse polcia maqedonase vrau shtatë pakistanezë në afërsi të Shkupit?

 
"Rrethi i Kostandinit"
apo vallja e pakëputur e arbëreshëve
 
M.T. Formohet Këshilli Koordinues i subjekteve shqiptare në Maqedoni
 
Procesi gjyqësor i shekullit
 
Njeriu në përballje me dhunën
 
A do të mbahen zgjedhjet në tri komunat e Luginës së Preshevës
 
Afera Rakipi - Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
 
Konsensusi politik si rrugëdalje nga kriza
 
Zoti e bëftë mirë! 
 
8 Marsi ndër shqiptarët: Si maskohet diskriminimi gjinor
 
Krejt shkurt për një funeral
ARTIKUJ VITI IV - MARS 2002

LDK-PDK 0,5 me 0, Turni i dytë premton tensione

Skërdi SIKA

S'ka dyshim që 4 marsi i sivjetëm, për Kosovën shënon datë historike. Për herë të parë në historinë e vet, në qoftë se i harrojmë eksperimentet dështake qeveritare të zz. Rugova e Thaçi, Kosova ka qeveri, parlament e president të zgjedhur me vota demokratike.

Ashtu si ndodh zakonisht në demokraci, status quoja e radhës rezultoi pas një shahu të gjatë e të mundimshëm politik, në të cilën të gjitha palët hoqën dorë nga diçka, kush më shumë e kush më pak. Më shumë u detyrua të heq dorë, pa asnjë dyshim, PDK-ja. Në qeverinë e re kosovare, ndikimi i udhëheqjes faktike të të a.q. "krahu i luftës" është kufizuar forcërisht. Poashtu, kryeministri i ri, z. Rexhepi, ndonëse i afiliuar me luftën çlirimtare e me UÇK-në, megjithatë është fort largë grupimit që e udhëhoqi atë luftë.

Tërheqje taktike është dashur, natyrisht, të bëjë edhe LDK-ja. Nëse i lëmë mënjanë shpjegimet imagjinative të krerëve të LDK-së pas ujdisë politike të partive, është fakt se LDK-ja i ka dëshiruar (e i dëshiron hala ethshëm) të gjitha postet udhëheqëse të sistemit politik. Fakti që kryeministri megjithatë doli nga radhët e PDK-së, LDK-së duhet t'i ketë dhembur sikur kur ta nxjerrin një dhëmb të shëndoshë.

Në lëmin e ngatërruar të politikës kosovare, megjithatë mund të thuhet se LDK-ja e ka nxjerrur një gjysmë poeni të vlershëm. Kjo jo për shkak të peshës së zyreve të fituara, meqë kryetari ceremonial i Kosovës de facto ka më pak pushtet se sa kryeministri, por për shkak të interpretimit që i është bërë procesit në opinionin publik kosovar.

Në demokracitë e mirëfillta, çfarë mund të thuhet deridiku se është bërë tash Kosova (e pakta më e mirëfilltë se demokracitë fqinje), imazhi është gjithçka: futja në dorë e postit të kryetarit të Kosovës, ëndërr e ethshme e z. Rugova, dhe eliminimi i z. Thaçi e i krerëve tjerë të "krahut të luftës" nga loja për post të kryeministrit, në opinion është interpretuar, thjesht, si fitore e kulluar e Rugovës. Kjo i jep zemër ithtarëve të LDK-së para zgjedhjeve të ardhshme lokale, e kërcënohet t'i dekurajojë oponentët e tij, të cilët -përsëri!- u bënë dëshmitarë se si përlanë bulldozeri me shall i quajtur Ibrahim Rugova.

Pas mbarimi të procesit, ka qenë habitëse t'i dëgjosh pandehmat e do analistëve, të cilët seancën parlamentare të 4 marsit e komentonin si "ceremoniale", "rituale", "formale" etj etj. Është interesant të vëresh se një koment të tillë s'e gjen dot njeriu në mediat e huaja. E vërteta është se po kaq "ceremoniale" e "formale" janë seancat e tilla në të gjitha demokracitë parlamentare; kur s'ka ndonjë zor fort të madh, vetëm aktorët dytësorë në parlament -a amatorët!- i thirrin votat pa e patur shumicën me vete. P.sh. ngulmimi i përsëritur i LDK-së që krye në vete ta instalojë z. Rugova në krye të Kosovës, në këtë kontekst flet më shumë për amatorizmin e LDK-së, se sa për ambiciet e tyre.

Në anën tjetër, ambiciet s'janë lojë. Pikërisht ambiciet e papajtueshme të LDK-së e të PDK-së, gjegjësisht të krerëve të këtyre dy partive rivale, premtojnë një vazhdim fort interesant të politikës kosovare.

Në teori, mund të ndodhin edhe mrekullira. Meqë si Rugova, ashtu edhe Thaçi, janë bërë (e pakta teoretikisht) fanatikë të demokracisë, të tregut të lirë e të afrimit me Perëndimin, ata mund t'ia shtërngojnë dorën njëri-tjetrit vëllazërisht e të punojnë bashkë tash e tutje. Dhe, meqë jemi në fushën e fantazisë së lirë, edhe znj. Trajkoviç, edhe ajo poashtu e konvertuar në ungjillin e demokracisë, mund të vendosë që, ta marrë djalli, t'ia japim një shans Kosovës! Fundja, në demokraci ku ekziston treg i lirë e kufinj simbolikë, e ku Serbia, Kosova e tërë regjioni janë të integruara me Perëndimin, çka luan rol se a mbahesh me Prishtinë a me Beograd?

Në teori, pra, gjithçka mund të ndodhë. Se njeriu s'duhet ta përjashtojë faktorin mrekulli, këtë e dëshmon më së miri prania e Natos në Kosovë.

Por, në ndërkohë, ata që janë më pesimistë -a realistë, s'dihet- kanë arsye të presin një shah të hollë politik edhe në vijim. Kjo ndihmohet edhe nga natyra demokratike e Status quosë aktuale; demokratike, meqë ofron njësoj shanse si për mbarësi, ashtu edhe për prapësi.

Qeveria Rexhepi do të quhet patjetër e suksesshme nëse e realizon imperativin e vet më kategorik, formimin e një infrastrukture ligjore për ekonominë, si dhe në qoftë se arrinë t'u shmanget skandaleve të korrupsionit. Politikisht, për qeverinë e parë kosovare mjafton që t'i neutralizojë politikisht ekstremistët serbë në parlament, eventualisht ta bëjë ndonjë hap simbolik në vendlindjen e kryeministrit z. Rexhepi, në Mitrovicë, për të notuar në breg. Më shumë se kaq është vështirë të presësh realisht nga një qeveri e zënë ngusht, e cila s'i ka ende në dorë çelësat e pushtetit.

Por, sado të moderuara të jenë shpresat në Qeverinë Rexhepi, prapë kemi arsye të druajmë për të, aq më tepër kur kihen parasysh sfidat ekstreme që e presin. Ajo s'e ka në dorë as politikën e jashtme, as atë të mbrojtjes, e as s'guxon ta diskutojë temën më madhore politike në vend, pavarësinë. Ajo mund të llogaritë qysh tash në kontroll të rreptë prej UNMIK-ut e në sabotim konsekuent prej Beogradit. Dhe edhe në rastin më të mirë, në qoftë se Qeveria Rexhepi e sajon relativisht shpejt një kuadër ligjor efikas për jetën ekonomike, ekonomia e Kosovës është aq e shkatërruar sa zor të ndërrojë diçka së shpejti. Fundja, ekonominë e lëvizin investimet e jo tundja e letrave në parlament; shqiptarët janë popull i varfër, e është vështirë t'i imagjinosh ata interesentë perëndimorë që do të ishin të gatshëm të invesojnë në Kosovë.

Edhe në planin e brendshëm politik, Qeveria Rexhepi ka rrezik të përballet me sfida të ndjeshme. Sa për fillim, nxjerrja në aut e liderëve të "krahut të luftës" mund të del shpatë me dy teha. Ata mund të mbledhin lavdata nëse qeveria ka sukses, meqë kabineti qeveritar, si dihet, quhet se i takon kryeministrit. Në të njëjtën kohë, nëse puna shkon mbrapsht, p.sh. në lëminë ekonomike e sociale (se në ato tjerat vendosin bosat e UNMIK-ut) e qeveria humbet në popullaritet, atëherë krerët e PDK-së e të AAK-së mund të ndjehen të lirë ta shajnë sa të duan një qeveri që "s'është e tyre"; para së gjithash, sigurisht, kryetarin z. Rugova dhe ministrat e LDK-së.

Poashtu, edhe LDK-ja e ka sigurisht një "Plan B" në xhep, në qoftë se Qeveria Rexhepi dështon. Së pari, LDK-ja duhet ta kundërveprojë propagandën e oponencës, që do të thirret natyrshëm në "sukseset e kryeministrit". Për LDK-në, e cila në të kaluarën ka dëshmuar sa e sa herë se është e aftë t'ia hedhë të gjitha ligjeve të natyrës, kjo s'përbën ndonjë sfidë të vështirë. Por edhe LDK-ja s'do mend se do të orvatet t'ia lë këmbët e ariut në dorë oponencës nëse qeveria dështon. Madje LDK-ja, e cila s'ka probleme të imazhit si oponenca, do të fitonte nëse qeverisë i vejnë punët keq; në raste të tilla, LDK-ja është mësuar ta lansojë suksesshëm atunë e vet klasike, "atin e kombit" z. Rugova.

Rrezik politik paraqet edhe mundësia e përplasjeve mes Qeverisë Rexhepi dhe bosave të vërtetë të Kosovës, UNMIK-ut. Kur kryetari e kryeministri i Kosovës, hala pa u zgjedhur bash mirë, nisin ta kritikojnë ujdinë Beograd - Shkup (dmth indirekt ta kritikojnë UNMIK-un), ata sikur harrojnë një imtësi të vogël. Këtë botë s'e sjell drejtësia, po forca. UNMIK-u jo vetëm që formalisht gëzon të drejta imperatoriale në Kosovë, deri në prishje të qeverisë po qe nevoja (llastiku 1244 mund të zgjatet sa të duash). Bosat e UNMIK-ut mund ta rrëzojnë Qeverinë Rexhepi relavivisht kollaj edhe pa dalur fare në shesh të mejdanit: në një skenë politike të polarizuar skajshmërisht, mjafton nja dy zëdhënës të UNMIK-ut të aludojnë diçka për "figura të caktuara politike" e langonjtë shqiptarë të politikës s'përtojnë ta bëjnë lëmsh Kosovën sërish.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:22
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË