NUMĖR 62
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
 
 
LDK PDK 0,5 me 0, Turni i dytë premton tensione
 
Lufta kundër terrorizmit dhe beteja për tregjet naftëmbajtëse
 

Pse polcia maqedonase vrau shtatë pakistanezë në afërsi të Shkupit?

 
"Rrethi i Kostandinit"
apo vallja e pakëputur e arbëreshëve
 
M.T. Formohet Këshilli Koordinues i subjekteve shqiptare në Maqedoni
 
Procesi gjyqësor i shekullit
 
A do të mbahen zgjedhjet në tri komunat e Luginës së Preshevës
 
Afera Rakipi - Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
 
Konsensusi politik si rrugëdalje nga kriza
 
Zoti e bëftë mirë! 
 
8 Marsi ndër shqiptarët: Si maskohet diskriminimi gjinor
 
Krejt shkurt për një funeral
PORTRET VITI IV - MARS 2002

Intervistë e botuar në "PASQYRA", nr. 16, 20 mars 2000
Njeriu në përballje me dhunën


Halit Barani

Kur nisi të interpretonte apo të vinte pjesë të ndryshme në skenë në teatrin amator të Mitrovicës, nuk i kishte shkuar në mend se për vite do të ishte vetë dëshmitar i një drame të tërë, që shkeli kufijtë e tragjedisë.
Ndonëse mbi supe ka vetëm 49 vite ai të ofron fotografi, xhirime, inçizime, dëshmi gojore, që dhe për disa jetë do të ishin shumë.
Ndërsa bashkqytetarët e tij përpiqeshin të gjenin një rrugë për t'u larguar nga qyteti në kohën kur zhvillohej fushata ajrore e NATO-s ai ndiqte gjithmonë drejtimin e kundërt. Shkonte aty ku ishin forcat serbe, për të parë e kur ishin mundësitë dhe për të xhiruar e bërë fotografi atë që po ndodhte.
Ky është Halit Berani. Njeriu, që është vëzhguesi i krimit në këto 10 vitet e fundit në zonën e Mitrovicës dhe ato përreth.
Përfshirja e tij si aktivist i të drejtave të njeriut zuri fill thuajse rastësisht në mars të 1989, por dalja nga burgu e simbolit të rezistencës kosovare, Adem Demaçit, bëri që në prill të vitit 1991 të merrte pjesë në themelimin e nënkëshillit të KMLDNJ-së për Mitrovicë dhe të zgjidhej kryetar i saj, detyrë që e kryen dhe sot. Por kjo është vetëm ajo që mund të quhet pjesa zyrtare e detyrës.
"36 kufoma, pjesën më të madhe të të cilave nuk i njihja, i kam varrosur vetëm. Kemi qenë kufomat, unë dhe Zoti sipër.", thotë Berani, ndërsa toni i zërit nuk ndryshon. Duket se në këto vite e ka mësuar vetveten të përballojë situata nga më të rëndat.
"Më është dashur të hesht kur vetëm pak larg meje kanë pushkatuar e vrarë shqiptarë. Më është dashur të hesht, madje të mbaj shënimet e nevojshme e të filmojë me kamera."
Por detyra e tij nuk ka qenë vetëm vëzhguesi dhe dëshmitari, jo rrallë i është dashur të bëjë dhe punën e gazetarit, punëtorit humanitar a të anëtarit të familjes, pa qenë i tillë. Kështu më 27 mars 1999 në orën 10:30 të paraditës, pranë stacionit të autobusave në Mitrovicë policia ka vrarë Rahim Vocën, 53 vjeç, dhe një plak 73 vjeçar. Për ta parë rastin më mirë Haliti është futur në një shtëpi të panjohur. Aty gjen një grua që qan me fëmijë. I pyet se çfarë kanë dhe gruaja i pohon se sapo i kanë vrarë burrin. Dhe ajo e kishte parë gjithë skenën nga shtëpia ku ishte e fshehur. Haliti vendos t'i sjellë kufomën familjes, gjë që rrezikonte shumë.
"E tërhoqa zvarrë nga këmbët kufomën, pasi nuk mundesha ndryshe, dhe e çova në shtëpinë ku ishte shoqja. Më pas i kam hedhur ujë rrugës për të larë gjurmët e gjakut të lëna pas, në mënyrë që policia të mos ta dinte ku gjendej familja. Kufomën e plakut nuk e morra, se nuk mu duk e arsyeshme t'ja lija gruas së gjorë në shtëpi kufomën e panjohur." Kjo duket të jetë një ngjarje e përjetuar rëndë, pasi zëri i Halitit këtu shkëputet dhe rifillon me vështirësi.

Mitrovicë: 24 mars - 17 qershor '99

"Kjo është periudha kur dhuna u shtua në shkallën maksimale të saj", thotë Berani. Ai vetë ka lëvizuar në Mitrovicë dhe fshatrat përreth, në zonën e Drenicës e Vushtërrisë gjatë kësaj kohe.
"Nga 24 marsi deri më 17 qershor të vitit të kaluar në Mitrovicë janë dëbuar
80'000 vetë, janë pushkatuar 650 shqiptarë. Jo të gjithë kanë qenë nga Mitrovica. Ka pasur mes tyre të shpërngulur nga Vushtria, Istogu, Drenica, të vendosur në Mitrovicë. 285 vetë janë plagosur me armë zjarri, mbi 1000 janë burgosur, nga të cilët ende sot 300 vazhdojnë të jenë në burgjet serbe dhe 400 të tjerë figurojnë të zhdukur.", thotë Berani me qetësinë dhe saktësinë e aktivistit, që përpara se të sjellë një ngjarje përpiqet të jetë i pranishëm ose ta vërtetojë përmes disa burimeve.
"Në Mitrovicë deri para pak kohësh është folur për 17 varreza masive, 6 nga të cilat janë ekzaminuar nga përfaqësuesit e Gjykatës së Hagës. Pjesa më e madhe e kufomave të gjetura në këto varreza masive janë të paidentifikuara për shkak të dëmtimit të fytyrës, trupit etj.
Para pak kohësh, një ish bashkëpuntor shqiptar i UDB-së na tregoi dhe për katër varreza të tjera masive. Në mesin e tyre një me 25 trupa dhe një tjetër me 80 trupa në afërsi të palestrës së sporteve në Mitrovicë. Është përfolur për varreza masive dhe në afërsi të stacionit hekurudhor dhe në oborrin e xhamisë së Ibrit, e cila është e rrënuar me themele.
Ka qenë pas 19 prillit, data e saktë nuk më kujtohet, kam parë për tre ditë rresht forcat serbe në fshatin Koshtovë. Ditën e parë kanë gërrmuar, më pas kanë sjellë dhe mbuluar diçka. Ditën e tretë kanë hedhur kafshë të therrura mbi ato që kishin mbulur. Unë e kam parë gjithçka duke qenë i fshehur aty pari. Duke qenë se dhe në Drenicë varrezat masive ka ndodhur që i kanë mbuluar me kafshë të therrura, mendoj se kanë bërë të njëjtën gjë dhe në Koshtovë."
Kështu me pauza herë-herë disi të gjata, por me zërin e qetë e thuajse me të njëjtin ritëm Halit Berani rrëfen dhe përgjigjet në pyetjet që mund t'i bëhen. Në të vërtetë ai ka parë shumë, ka mbledhur edhe më shumë fakte, përderisa kur e pyet a mund të na tregoni diçka, buzëqesh e pyet, çfarë? Ai mund të flasë me ditë të tëra pa pushur për çfarë ka parë, pa përsëritur kurrë kallëzimin.
Por bartja në veturë e kufomave, ecja vetëm me to nëpër rrugë pa rrugë, ditën e natën, derisa t'i gjente një vend ku mund t'i varroste, ishin nga imazhet, që nuk do t'i hiqeshin nga mendja lehtë Beranit. Ato ishin bërë pjesë e normalitetit të tij dhe ai i përballonte thjesht me humanizmin e veprimtarit të përkushtuar.

Olivier Ivanoviqi - pjesmarrës i drejtpërdrejtë në krime

Është bërë i njohur fakti se në pjesën veriore të pushtuar të Mitrovicës veprojnë strukturat serbe dhe bashkë me to është bërë i njohur dhe emri i Olivier Ivanoviqit. Por ç'thotë Halit Berani për të?
"Më 14 prill 1999, në lagjjen "Ura e gjakut" në Mitrovicë, janë vrarë 8 shqiptarë. Olivier Ivanoviqi ka qenë së bashku me ekzekutorët. Kam qenë i fshehur afro 60 metra larg tyre dhe mund të shihja çdo gjë. Më pas i njëjti grup ka plaçkitur e vjedhur pronat e shqiptarëve. Për mua Ivanoviqi është kriminel lufte. Këto ia kemi paraqitur policisë së UNMIK-ut dhe xhanadarmërisë franceze. Kemi fakte dhe për serbë të tjerë, që tash ndodhen në pjesën e pushtuar të qytetit. Rasti i Momçillo Kokeriq, punëtor në tregun e gjelbër është një nga këta.", tregon Berani.
Por Berani thotë se në pjesën e pushtuar të Mitrovicës ka dhe struktura paraushtarake serbe. Me shpirtin e aktivistit që kërkon të ketë çdo fakt ai pohon: "Pak javë më parë në vendin e quajtur Te Poleti, serbët kanë mbajtur një tubim. Ivanoviqi ka thënë: fjalën e ka Marko (një mjek në profesion) dhe pas tij do të flasin paramilitarët, të cilët ndodhen në rradhët e para dhe që mbajnë motorolla".
Dhe Berani përpiqet ta sqarojë bashkëbiseduesin duke sjellë dhe regjistrimin e këtij tubimi.
Për pasojë vijon Berani në pjesën veriore nga 1836 familje shqiptare sot atje gjenden afro 300, madje dhe këto jo të gjitha familje të plota. Një pjesë prej tyre ka në atë anë vetëm nga një anëtar të familjes.
"Ka shqiptarë që për tetë muaj nuk kanë dalë as në ballkon. Janë thuajse të burgosur", vijon Haliti.

Çfarë po ndodh në Suhadoll, Vidimiriq, Gushavc…

Berani ngre zërin dhe për banorët sidomos të 6 fshatrave, Suhadoll, Gushavc, Vinarc i Poshtëm e i Epërm, Çabër, Vidimiriq. Banorët e këtyre zonave, të gjithë shqiptarë (me përjashtime të pakta në Suhadoll) janë në gjendje të mjerueshme. Pas fushatës së spastrimit, që u bë mbi këto fshatra në gusht të '93 gjendja e tyre vetëm është keqësuar. Pjesa më e madhe janë larguar, ndërsa të mbeturit vuajnë për bukën e gojës. Nga 2km që është largësia normale nga Mitrovica, bëjnë 10km për të ardhur në qytet për të blerë bukë dhe nevojat e tjera elementare. Për momentin askush nuk po flet e po interesohet për ta.

Të mbrosh të drejtat e njeriut - mision që vazhdon

Me një dhimbje të veçantë thotë se ka humbur mbi 50 orë xhirime në kaseta video normale, 20 orë xhirime në mini video kaseta digjitale, shumë fotografi, disketa me materiale si dhe i është djegur bashkë me shtëpinë dhe biblioteka vetjake. Por ai vazhdon punën e tij me të njëjtin ritëm.
"Një pjesë e qytetit vazhdon të jetë e pushtuar dhe për ne nuk ka ndryshuar thuajse kurgjë.", thotë Berani. Në Mitrovicë ka ende të vrarë e të keqtrajtuar. Haliti është një nga ata, madje nga vetë paqeruajtësit francezë. Ai thotë se detyra e tij nuk ka ndryshuar shumë, pasi vetë gjendja ne Mitrovicë nuk ka pësuar shumë ndryshime.
Me kamerë në dorë, inçizuesin përherë me vete Halit Berani vazhdon të mbledhë fakte, dokumente, vazhdon të jetë dëshmitar i shkeljes së të drejtave të njeriut. Për të nuk ka orar, nuk ka ditë, nuk ka orë. Ka vetëm detyrime, asosh që dalin kur merr përsipër një mision që është i shenjtë.


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:22
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË