NUMĖR 62
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
INTERVISTA
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
 
 
LDK PDK 0,5 me 0, Turni i dytë premton tensione
 
Lufta kundër terrorizmit dhe beteja për tregjet naftëmbajtëse
 

Pse polcia maqedonase vrau shtatë pakistanezë në afërsi të Shkupit?

 
M.T. Formohet Këshilli Koordinues i subjekteve shqiptare në Maqedoni
 
Procesi gjyqësor i shekullit
 
Njeriu në përballje me dhunën
 
A do të mbahen zgjedhjet në tri komunat e Luginës së Preshevës
 
Afera Rakipi - Sa kushton një prokuror i përgjithshëm?
 
Konsensusi politik si rrugëdalje nga kriza
 
Zoti e bëftë mirë! 
 
8 Marsi ndër shqiptarët: Si maskohet diskriminimi gjinor
 
Krejt shkurt për një funeral
KULTURË VITI IV - MARS 2002

"Rrethi i Kostandinit" apo vallja e pakëputur e arbëreshëve

Iliriana A. BAJO

BOX MË VETE
"Rrethi i Kostandinit" është romani i parë i Carmine Abate-s, autorit arbëresh, që është cilësuar si një nga shkrimtarët më të veçantë të brezit të tij.

Abate, i lindur në Karfizi, fshat arbëresh në Kalabri, në saj të talentit të tij ka sjellë mrekullisht në këtë libër jetën arbëreshe.

Libri ka fituar në vitin 2001 çmimin ndërkombëtar të letërsisë "Arge Alp".

Libri është përkthyer dhe botuar dhe në gjuhën frënge nga shtëpia botuese Seuil, botim i cili është mundësuar nga programi për kulturën i Bashkimit Evropian.

Pas De Radës e Serembes, Carmine Abate, me këtë prozë të mrekullueshme të një realizmi magjik, duket se forcon një litar të holluar në letërsinë arbëreshe.

Hora, një fshat me popullsi arbëreshe në jug të Italisë, prej pesë shekujsh bën një jetë të dyfishtë.

Flet dy gjuhë - arbërisht e italisht, në jetën e përditshme praktikon dy tradita - atë arbëreshe dhe italiane; këndon rapsoditë me lahutë ashtu si dhe dëgjon grupet e njohura të muzikës së lehtë italiane.

Mbi të gjitha në këtë fshat në jug të Italisë, italianët janë thjesht të huaj dhe shqiponja me dy koka e Skëndërbeu janë simbolet e tyre.

Kjo jetë e dyfishtë e arbëreshve të Horës, pesë shekuj pas vendosjes së tyre në tokën italiane, përbën subjektin e romanit të autorit arbëresh Carmine Abate, të titulluar "Rrethi i Kostandinit".

Një rrëfim gjithë dritë mbi mitet e së shkuarës dhe "modernitetit të vonuar"

Kostandini është djali i vetëm i familjes Avati. Ai jeton me gjyshin Lisandro, nënën Elena, dy motrat Orlandina e Lukrecia dhe qenin Bailardo në fshatin Horë. Françesko, babai i Kostandinit, kthehet në shtëpi kryesisht në muajt e verës, pasi punon si emigrant në Gjermani.

Gjyshi Lizandro me historitë e tij, që nuk janë gjë tjetër vetëm versione të rapsodive të vjetra shqiptare, me rrëfimet mbi Skëndërbeun me atë shqipe të vjetër që flasin arbëreshët e kësaj ane, rrit Kostandinin.

Në këtë mori rrëfimesh, shqiponja me dy koka dhe miti i Skëndërbeut, janë ato që ka më për zemër Kostandini.

Në shkollë ai mëson në italisht, si të gjithë moshatarët e tij italianë në mbarë vendin.

Legjenda dhe e sotmja përthyhen natyrshëm në Kostandinin fëmijë.

Ndërkohë është dhe i ati. Në sytë e të birit ai ka një hije heroi, por në të vërtetë ai është emigraniti klasik, që përpiqet të sigurojë një jetë më të mirë për familjen e vet. Bashkë me mirqënien, në kthimet e tij gjatë verës në shtëpi ai sjell dhe atë frymë moderniteti, me të cilën jo rrallë herë është e vështirë të bashkjetohet.
Në të njëtën kohë Françesko Avati është një burr' arbëresh me reagimet impulsive, zemërgjerësinë, kurajon dhe anën teatrale të sjelljes.

Gjysma tjetër e botës ajo femërore, vjen tek Kostandini së pari me fytyrën e nënës dhe motrave. Nëna, zonja Elena, është grua energjike, që sjell çdo herë në tryezë guzhinën pikante arbëreshe, që pret e përcjell mysafirë përherë me buzën në gaz. Që natyrisht flet pak.

Motrat endin cohat, sipas traditës së vjetër, shkojnë të dielave në kishë, ndihmojnë nënën dhe i gëzohen dhuratave të të atit.

Të dy motrat përjetojnë histori pasionante e të ngatërruara dashurie.
Kjo është bota e Kostandinit, që në roman përshkruhet me shumë ndjenjë, por dhe me ironi.

Carmelo Bevilacqua - litirij i mirë si buka

Në saj të këtij litirij (kështi thuhet italian në arbërisht) të sjellshëm e të ditur që erdhi në Hora të punonte si mësues, Kostandini, e bashkë me të dhe nxënësit e tjerë, mësuan më shumë mbi Arbërinë apo Shqipërinë e sotme, mbi Skëndërbeun, shqiponjën me dy kokë dhe historinë e Horës.

Ai mblodhi rapsoditë e vjetra arbëreshe, nxiste prodhimin e cohës sipas traditës shekullore, gërmonte në arkiva dhe sillte dokumenta për historinë e bashkësisë shqiptare në Kalabri.

Me këmbënguljen dhe përpjekjet e tij në Horë u vendos busti i Skëndërbeut. Ndërkohë ai projektonte dhe ndërtimin e një muzeu etnografik.

Si të mos mjaftonin vetëm këto, mësuesi u dashurua me Lukrecian, motrën e dytë të Kostandinit. Me një ceremoni sipas traditës së vjetër shqiptare, që mësuesi litirij e kishte përgatitur deri në detaje, dashuria e tyre, "siç e kërkonte nderi i vajzës" përfundoi me fejesë.

Një fejesë e zgjatur, pasi mësuesi vendosi të shkonte të punonte në Somali. Një projekt që për pak ai e pagoi me jetë.

Historia e mësuesit Carmelo Bevilacqua, litirij i mirë si buka, është e ngjashme me ato të një numri idealistësh të huaj, që dashurinë ndaj shqiptarëve dhe traditave të tyre e kanë paguar edhe shtrenjtë, për ironi të fatit në emër të kësaj tradite.


Jeta është si fjeta

Rrjedhshmëri, dritë dhe emocion janë cilësitë dalluese të gjuhës së librit të Carmino Abates.

Libri i shkruar në italisht në mënyrë të natyrshme përfshin një sërë shprehjesh e strukturash gjuhësore të shqipes së vjetër që flasin Arbëreshët e Italisë së Jugut.

"I mirë si buka", "Lojmë, lojmë vasha vallen", "jeta është si fjeta" vargje nga kënga e Kostandinit të vogëlith, etj., i japin librit veçanti dhe gjuhës së tij një larmishmëri që i përshtatet diellit të jugut.

Duke shtuar këtu dhe faktin se kapitujt, të cilët në pjesën më të madhe, janë emërtuar në shqip theksojnë atë dyzim botësh brenda këtij komuniteti.

Ndërsa e folura arbërisht e Paolinos, vogëlushit me baba të huaj dhe nënë arbëreshe, që rritet larg Horës, është ajo vazhdimësi që ky komunitet përcjell për shekuj në breza.

Përcjellje që bëhet me qumështin dhe kripën e bukës…


COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:21
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË