NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
ARTIKUJ VITI V - 1 JANAR 2003

A DO TË EKZISTOJË MAQEDONIA?

Shkruan: Naser SELMANI

Do të ketë Maqedoni apo jo?. Kjo është çështja që me ngulm shtrohet pas formimit të qeverisë së re, që doli nga zgjedhjet e shtatorit. Ajo ka detyrë ta ristrukturojë shtetin në baza të reja. E përgjegjshme për momentin historik duhet të tregojë edhe opozita maqedone e drejtuar prej ish kryeministrit Lobço Georgievski. Situata është serioze dhe s'ka vend për taktizime. Maqedonia o do bëhet shtet, o së shpejti do të ballafaqohet me luftë civile, që do të çonte drejt shbërjes së saj.

Nga ky skenarë i zi Maqedoninë e shpëton vetëm një gjë. Jetësimi i përpikt dhe me kohë i Marrëveshjes së Ohërit. Marrëveshja kornizë është quajtur edhe si marrëveshje e paqes. Por në fakt ajo është edhe marrëveshje për Maqedoninë. Partia shqiptare në pushtet BDI e Ali Ahmeti kështu duhet ta trajtojë këtë marrëveshje. Marrëveshja e Ohrit është dokument ndërkombëtar, që para së gjithash, maqedonasve sllavë u jep vetëm edhe një shans, për të pasur shtet të përbashkët me shqiptarët. Nëse jo atëherë me fajin e tyre, s'do kenë shtet. Nëse nuk jetësohet marrëveshja e Ohrit, shqiptarët s'do të kenë asnjë motiv që të investojnë ne ruajtjen e Maqedonisë, së paku ashtu siç është e definuar tani. Shqiptarët e Maqedonisë kanë alternativa, kufizohen me dy shtete shqiptare, njëri i njohur ndërkombëtarisht dhe tjetri në formim e sipër. Me shpërbërjen e Maqedonisë, humbës të vërtetë do të jenë maqedonasit. Me këtë varroset ideja për shtet maqedon, sepse nëse maqedonasit refuzojnë të jetojnë në një shtet të përbashkët me shqiptarët, atëherë pjesa shqiptare e Maqedonisë do të ndahet, ndërsa pjesa e mbetur kushtimisht maqedone, nuk mund të ekzistojë si shtet i pavaruar. Jo vetëm për shkak të mungesës së resurseve, por edhe për shkak të qëndrimit armiqësorë të fqinjëve, grekëve, buullgarëve dhe serbëve. Grekët nuk e njohin kombin maqedonas, bullgarët gjuhën, ndërsa serbët nuk e njohin as shtetin as kishën maqedone.

Maqedonia pa shqiptarët nuk mund të funksionojë, por edhe pa maqedonasit nuk mund të ndërtohet si shtet. Nëse maqedonasit për inat të shqiptarëve rrënojnë shtetin e tyre, atëherë shqiptarët vetëm mund t'ju ndihmojnë në këtë drejtim.

Shenjat e para nuk janë inkurajuese, jo me fajin e shqiptarëve. Partia e re e Ali Ahmetit ua ka shtri dorën e pajtimit maqedonasve, por ata ende bëjnë politikë inati. VMRO-DPMNE opozitare Ahmetin ende e quan terrorist, ndërsa Branko Cërvenkovski tregohet i rezervuar në bashkëpunim me BDI edhe pse u pajtua që si parti fitimtare te elektorati shqiptar, ta përfshijë në qeverinë e koalicionit.

Para luftës fitohej përshtypja se maqedonasit grindeshin për pushtet, mirëpo sjellja e tyre aq e papërgjegjshme ndaj Marrëveshjes së Ohrit, flet se ata, edhe pas dymbëdhjetë viteve të ekzistimit të Maqedonisë si shtet i pavarur, kanë koncepte kretësisht të ndryshme për ardhmërinë e Maqedonisë. Këto dy koncepte historikisht kanë qenë përjashtuese. Koncepti i socialdemokratëve të Cërvenkovskit, me trashëgimi komuniste dhe të afërt me politikën serbe, me fjalë angazhohen për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit, mirëpo në anën tjetër duke përdarur aparatin shtetëror përpiqen të përçajnë shqiptarët për të mos u zbatuar me përpikmëri dispozitat e marrëveshjes. Veçanërisht bëjnë rrezistencë për kyçjen e shqiptarëve nëpër strukturat e sigurisë siç janë mbrojtja dhe policia.

Ish kryeministri maqedon Lubço Georgievski, që udhëheq një parti ekstreme me proviniencë probullgare dhe nacionaliste angazhohet për ndarjen e Maqedonisë. Georgievski si drejtues i partisë më të madhe opozitare maqedonase publikisht ka hequr dorë nga Marrëveshja e Ohrit duke promovuar kurs më të ashpër kundër shqiptarëve. Duke pasur parasysh faktin se Maqedonia etnikisht është e përzier ndarje nuk mund të ketë pa një luftë të përgjakshme civile në të cilën do të kishte edhe pastrime etnike.

Nëse dy partitë më të mëdha maqedonase nuk kanë pajtueshmëri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, kjo do të thotë se nuk kanë as strategji të përbashkët për ruajtjen e shtetit. E kaluara i ka bashkuar vetëm kundër shqiptarëve. Gjatë luftës u dëshmua se maqedonasit edhe të bashkuar me forcë nuk mund të ngulfatin kërkesat e shqiptarëve për barazi. Nëse maqedonasit nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e Ohrit, nënshkrues të së cilës janë, atëherë kjo marrëveshje nuk do të zbatohet çfardo që të ndërmarrin shqiptarët.

Mirëpo partia e Ali Ahmetit duhet të jetë syçelë dhe të reagojë me kohë. Më shpejt duhet ta vejë në sprovë partnerin qeverisës, kryeministrin Branko Cërvenkovski, që me punë të dëshmojë gatshmërinë për ta jetësuar Marrëveshjen e Ohrit, qoftë duke u ndesh me simpatizantët e VMRO-DPMNE-së, që kanë paralajmëruar mbajtjen e protestave masive kundër qeverisë dhe Marrëveshjes së Ohrit. Kompromise me dokumenttn e Ohrit nuk mund të ketë. Shqipëtarët do të reagojnë shumë ashpër nëse zhagitet zbatimi i marrëveshjes. Ali Ahmeti nuk ka shumë kohë e as hapësirë për të taktizuar. Deri në pranverën e hershme të vitit të ardhëm duhet të japë prova konkrete se marrëveshja po zbatohet dhe pozita e shqiptarëve po ndryshon. Përndryshe shpejt do të kompromitohet në sytë e opinionit shqiptar dhe do të humbë mbështjen. Pasojat do të jenë të rënda.

Nëse maqedonasit nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen, Ali Ahmeti këtë gjë duhet ta bëjë publike në opinion dhe të ftojë ndërkombëtarët, si garantues të marrëveshjes, që të ndikojnë te pala maqedonase, që t'u përmbahen përemtimeve. Për të mos qenë bashkëpjesëmarrës në mosimplementimin e marrëveshjes kornizë, Ahmeti në koordinim me ndërkombëtarët, që janë nga fundi i nervave me taktizime e pafundta të partive maqedonase, duhet ta zgjedhë momentin që të braktisë qeverinë e Cërvenkovskit. Ndryshe s'ka si bëhet.

Qeveria aktuale ka humbur shumë kohë për arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë dhe ndarjen e ministrive. Për shkak të zhagitjes së bisedimeve më shume se një muaj nuk funksionuan institucionet. Në këtë bisedime BDI mori katër ministri dhe një zëvednëskryeministër që do të merret me çështjen e decentralizimit dhe përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në sistem.

Resoret që i mori BDI-ja janë strategjikë për shqiptarët. Shtrohet çështja a mundej edhe më tepër. Sigurisht se po, mund të kërkonin me më këmbëngulësi resorin e mbrojtjes ose të punëve të jashtme. Arsyetimi ishte se BDI i jep përparësi zbatimit të marrëveshjes së Ohrit se sa kolltuqeve. Kjo në njëfarë mase ka logjikë. Maqedonasit mund të jepnin ministrin e mbrojtjes, por nëse nuk ndërron mendësia politike maqedonase, ministri shqiptarë atje do të ndeshej me obstrukcione, sepse administara ushtarake është thuaja qind për qind maqedonase. Politika e BDI-së ishte projekte e jo kolltuqe. Të futen njëherë shqiptarët në sistem, pastaj mund të kërkohet edhe mbrojtja ose diplomacia.

Resori i arsimit u mor sepse duhet të zgjidhet çështja e Universitetit të Tetovës, ndërsa Shëndetësia, për të rritur përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucionet shëndetësore. Ministria e drejtësisë është pikërisht ajo që duhet të përgatisë një varg ligjesh që dalin nga marrëveshja e Ohrit, ndërsa ministria e transportit dhe lidhjeve kontrollon urbanizmin dhe projektet me peshë të infrastrukturës.

BDI në përgjithësi ka bërë një politikë të mirë kadrovike. Në poste udhëheqëse janë emëruar ish drejtues të UÇK-së, që kundërshtohej prej maqedonasve. Me këtë dëshmoi se nuk do lejojë përzierje në caktimin e kuadrove që do ta përfaqësojnë. Në emërimin e ministrave Ahmeti duhej të bënte kompromis që njerëzit të ishin kompetent dhe profesionalist por edhe partiak dhe të pakorruptuar. Zgjidhje më të mira kadrovike janë bërë në emërimin e drejtorëve të ndërmarrjeve të mëdha publike. Drejtorët e Aeroporteve dhe Drejtorisë për fluturimet civile jane emëruar dy të rinj që kanë mbaruar në universitetet amerikane dhe britanike.

Pozitive është që qeveria e re thotë se qëllimi i saj parësorë është zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, si garant për forcimimin e paqes dhe stabilitetit në vend. Por kjo nuk mjafton. Është koha që fjalët të bëhen vepra edhe pse dihet që obligimet e dala nga marrëveshja nuk mund të zbatohet brenda një viti. Optimal është afati katërvjeçar, aq sa zgjat edhe mandati i kësaj qeverie.

Për këtë qëllim qeveria ka miratuar një plan aksional, ku janë operacionalizuar punët që duhet të bëhen. Në rend të parë është decentralizimi i pushtetit, përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucionet e shtetit dhe zbatimi zyrtar i gjuhës shqipe. Janë caktuar edhe afate, mbetët të shohim se sa do të respektohen.

Ali Ahmeti, për të dalë faqebardh nga kjo punë, duhet të luftojë në dy fronte. Në institucioe me ngulm të shtyjë zbatimin e marrëveshjes së Ohrit me njerëz kompetent dhe të aftë dhe të punojë në reformimin e partisë. BDI-ja duhet të profilizohet si subjekt politik duke u munduar që t'i bëjë të mendojnë politikisht njerëzit që gjatë luftës kishin rrokur armët. Ahmeti ka pozitë të mirë se është në pushtet për të pastruar partinë nga njerëz, që bredna saj janë gjetur për qëllime të prapëta. Tani ata duhet të dinë se kush është kush dhe çfarë bëjnë. Qofshin ata interesxhinj, apo njerëz të tjerë që kanë hyrë aty për të bërë detyrën që ua kanë dhënë të tjerët.

BDI duhet të vërë kontrollë në rajonet shqiptare, jo për t'ua bërë qejfin maqedonasve, por se kjo është në interes të shqiptarëve. Do të merret si dobësi e saj nëse shpejt nuk neutralizohen bandat që plaçkisin qytetarët në Maqedoninë perendimore. Ka raste te vrasjeve dhe kidnapimeve. Në Kumonovë pati helmime të nxënësve dhe shpërtheu një bombë. Nuk mjafton që BDI t'i dënojë këto raste, por ka obligim që të ndiçojë ato. Ti kap keqëbërësit për të mos lejuar që dikush të fut huti midis shqiptarëve.

E pakuptimtë është që ndërrimi i emrit të një shkolle fillore në Shemshovë të Tetovës, të shndërrohet në çështje kryesore me të cilën merret qeveria. Shqiptarët duhet të bëjnë punë shumë më të mëdha se sa të kapen për ndërrimin e emrit të një shkolle, sa do i asryeshëm të jetë ky hap.

Për t'u habitur është qëndrimi i opozitës shqiptare, PDSH-së së Arben Xahferit dhe PPD-së së Abdurahman Halitit. Për interesa të ngushta partiake, ata bëjnë politikë të stilit, për inatë të resë me vdektë djali. Jo se nuk duhet ta kritikojnë BDI-në dhe jo se nuk ka hapësirë për kritikë, por kjo duhet të bëhet me korrektësi e jo me inate, me shamje e me urrejtje.

Shtrohet pyetja sa është kredibiliteti politik i atyre që humben zgjedhjet e nuk ofruan dorëheqje që tash të kritikojnë partinë shqiptare në pushtet? Krerët e PDSH-së dhe PPD-së do të duhej të dalin para antarësisë dhe të japin llogari duke ofruar dorëheqje nga postet, qoftë kjo edhe sa për sy e faqe. Por as Arben Xhaferi e as Abdurrahman Haliti, nuk dëshmuan se janë të përgjegjshëm, sepse jo vetëm nuk ofruan dorëheqje, por duke bërë zhurmë kundër BDI-së dëshirojnë të tërheqin vëmendjen në kahje tjetër.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:43
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË