NUMĖR 69
SOT ËSHTË
 
BALLINA
EDITORIAL
ARTIKUJ
DEBAT
DOSSIER
MARKETING
KONTAKT
ARKIVI
CHAT
 
 
 
 
 
 
 
 
DOSSIER VITI V - 1 JANAR 2003

DIVERSITETI ETNIK NUK DUHET TA RREZIKOJË KOSOVËN


Shkruan: Xhafer SHATRI


10'786 kilometra katrorë të Kosovës përbëjnë një hapësirë tejet të vogël për të përballuar pa tronditje të mëdha trysnitë centrifugale dhe centripetale të marrëdhënieve ndëretnike në vend.
Kanë kaluar 3 vjet nga lufta dhe ende askush, as vendorët e as ndërkombëtarët, nuk ka një ide të qartë se si duhet të gjendet çelësi që rregullon këto marrëdhënie.
Shqiptarët janë ende nën ndikimin e fortë të pasojave të tmershme të luftës. Serbët, apo thënë më mirë shteti serb, nuk mund të pajtohen me faktin se nuk mund ta sundojnë më Kosovën.
Bashkësitë e tjera etnike përpëliten në mes rrymimit të kësaj frrojke.
Më ka ndodhur shpesh në hyrje të lokaliteteve të ndryshme në një mori vendesh perëndimore, të shoh ëmblemën dhe flamurin e fshatit.
Në raste të tilla, automatikisht, mendimet shkonin tek fati i rëndë i vendit tonë, i cili nuk kishte të drejtë të ketë flamurin e tij, të shprehë pa drojë identitetin e tij... Të gjithëve na kujtohen sa e sa drama konkrete familjare e njerëzore që lidhen me përpjekjet për të mbrojtur flamur kombëtar shqiptarët në ish-Jugosllavi. Ndërkohë që në vende normale, një katund prej 30 shtëpish ka flamurin e tij, ka stemën, ka historinë e shkruar, ka veçoritë e tij që i vë në pah pa asnjë frikë. Dhe kjo nuk e pengon askënd.
Por më e veçanta në të gjitha këto tabela anë e kënd Evropës, më duket një pllakë, ku shkruan: La commune libre d'Ouchi (Komuna e lirë e Oushi-t), një lagje e Lozanës, qytetit të dytë frankofon në Zvicër.
Thjeshtë, kjo është një formë origjinale për të shprehur një identitet që nuk rrezikon askënd, apo për të përshfaqur një diversitet.

Harta etnike e Kosovës

Për shkaqe të njohura në Kosovë ende nuk ka shënime të sakta për numrin e popullsisë. Ndaj jo vetëm për shkak të kësaj mungese, por dhe për shkak të një paanësie të domosdoshme do t'u referohem statistikave të vetë shtetit serb. Natyrisht, këto statistika duhen marrë me shumë rezervë, sepse nëse një shtet është përpjekur, para syve të krejt botës, ta zhbëjë një popull, mund të marrim me mend se sa i pamëshirshëm ka qenë ai me shifrat.
Sipas regjistrimit të organizuar nga qeveria serbe në vitin 1991, e në të cilin për shkaqe që dihen, shqiptarët e Kosovës nuk kanë marrë pjesë, del se Kosova kishte 1'956'196 banorë. Prej tyre:
1'596'072 shqiptarë ose 81.59%
194'190 serbë, ose 9.92%
66'189 boshnjakë ose 3.38%
45'745 romë, ose 2.33%
20'365 malazez ose 1.04
8'062 kroatë, ose 0.41
3'457 jugosllavë ose 0.17
22'116 "Të tjerë" turq ose 1.13

Ndërkaq në mesin e komunave, ku mungon komuna e Malishevës, e formuar më vonë, përbërja e popullsisë ishte si në tabelën më poshtë. Në këtë tabelë për t'u thjeshtësuar në rubrikën "të tjerë" janë futur edhe ata që janë deklaruar si jugosllavë, si hungarez dhe "të tjerë" që sipas të gjitha gjasëve janë deklaruar si turq, por që logjika statistikore serbe i ka kthyer me një të fshirë të lapsit në të "të tjerë".

Komunat Gjithsejt Shqiptarë % Serbë % Malazez % Boshnjakë % Romë % Kroatë % Të tjerë %
1 Albanik-Leposaviq 16'395 951 5.80 14'299 87.22 89 0.54 770 4.70 194 1.18 9 0.1 83 0.51
2 Artan - Novo Bërdë 4'611 1'845 40.01 2'666 57.82 14 0.30 11 0.24 47 1.02 1 0.0 27 0.59
3 Besianë 92'946 91'005 97.91 1'118 1.20 320 0.34 89 0.10 387 0.42 1 0.0 26 0.03
4 Burim - Istog 57'261 43'910 76.68 5'968 10.42 1'302 2.27 4'070 7.11 1'346 2.35 10 0.0 651 1.14
5 Dardanë - Kamenicë 52'152 38'096 73.05 12'762 24.47 58 0.11 83 0.16 986 1.89 9 0.0 158 0.30
6 Deçan 49'000 47'669 97.28 188 0.38 603 1.23 248 0.51 174 0.36 0.0 117 0.24
7 Drenas - Gllogoc 55'148 55'077 99.87 38 0.07 3 0.01 19 0.03 6 0.01 0.0 5 0.01
8 Ferizaj 113'668 100'144 88.10 8'314 7.31 313 0.28 1'810 1.59 2'068 1.82 167 0.1 847 0.75
9 Fushë Kosovë 35'570 20'142 56.63 8'445 23.74 1'303 3.66 1'678 4.72 3'473 9.76 39 0.1 756 2.13
10 Gjakovë 151'597 106'868 70.49 1'751 1.16 1'460 0.96 331 0.22 2'750 1.81 23 0.0 1'909 1.26
11 Gjilan 103'675 79'357 76.54 19'370 18.68 155 0.15 167 0.16 3'477 3.35 24 0.0 1'125 1.09
12 Kaçanik 38'010 37'368 98.31 223 0.59 20 0.05 75 0.20 307 0.81 5 0.0 12 0.03
13 Kastriot - Obiliç 31'627 20'971 66.31 5'490 17.36 421 1.33 347 1.10 3'956 12.51 12 0.0 424 1.34
14 Klinë 65'033 55'882 85.93 5'336 8.21 624 0.96 281 0.43 1'278 1.97 4 0.0 1'628 2.50
15 Lypjan 69'451 53'730 77.36 9'713 13.99 272 0.39 892 1.28 1'673 2.41 2'914 4.2 277 0.40
16 Mitrovicë 104'885 82'837 78.98 9'482 9.04 1'216 1.16 5'205 4.96 4'851 4.63 89 0.1 1'203 1.15
17 Pejë 127'796 96'441 75.46 7'815 6.12 6'960 5.45 9'875 7.73 4'442 3.48 51 0.0 2'212 1.73
18 Prishtinë 199'654 154'990 77.63 26'893 13.47 3'912 1.96 3'427 1.72 6'706 3.36 236 0.1 3'490 1.75
19 Prizren 200'584 157'518 78.53 10'911 5.44 460 0.23 19'260 9.60 4'161 2.07 67 0.0 8'207 4.09
20 Rahovec 85'698 80'583 94.03 4'052 4.73 180 0.21 212 0.25 330 0.39 4 0.0 337 0.39
21 Skënderaj 55'471 54'437 98.14 713 1.29 99 0.18 49 0.09 133 0.24 1 0.0 39 0.07
22 Sharr - Gora 17'574 941 5.35 60 0.34 10 0.06 16'112 91.68 0.00 28 0.2 423 2.41
23 Shterpcë 12'712 4'300 33.83 8'138 64.02 17 0.13 16 0.13 74 0.58 4 0.0 163 1.28
24 Shtime 23'506 21'716 92.38 971 4.13 17 0.07 410 1.74 266 1.13 4 0.0 123 0.52
25 Therandë - Suharekë 72'229 68'849 95.32 3'077 4.26 25 0.03 37 0.05 166 0.23 0.0 75 0.10
26 Viti 57'290 45'078 78.68 7'002 12.22 178 0.31 94 0.16 373 0.65 4'331 7.6 234 0.41
27 Vushtërri 80'644 71'354 88.48 5'522 6.85 269 0.33 516 0.64 2'108 2.61 7 0.0 868 1.08
28 Zubin Potok 8'479 2'079 24.52 6'282 74.09 44 0.52 20 0.24 0.00 4 0.0 50 0.59
29 Zveçan 10'030 1'934 19.28 7'591 75.68 291 2.90 85 0.85 14 0.14 18 0.2 97 0.97

Gjithsejt 1'982'666 1'594'138 80.40% 186'599 9.41% 20'344 1.03% 66'104 3.33% 45'732 2.31% 8'044 0.41% 25'469 1.28%

Kjo përbërje pas çlirimit ka pësuar ndryshime dhe sigurisht sot bashkësitë etnike, sidomos ato serbe, malazeze, rome dhe boshnjake për shkak të rrethanave të njohura duhet të jenë edhe më të vogla.
Krahas kësaj pas çlirimit kemi një diversitet të identifikimit etnik siç është rasti me boshnjakët, ashkalinjtë, egjiptasit etj. që nënkupton se e drejta e ligjshme e vetëdeklarimit të lirë ka filluar të zbatohet në Kosovë. E që do të thotë se liria e Kosovës nuk është liri vetëm për shqiptarët, sepse edhe bashkësitë e tjera kanë filluar ta kuptojnë Kosovën si shtëpinë e tyre. Por që, natyrshëm, në kuadër të kësaj shtëpie duan ta kenë një kënd të tyrin që mëtojnë ta rregullojnë ose ta emërojnë sipas shijes së vet.
Por këtu nuk është vetëm çështja e të drejtave të njeriut, e të drejtave themelore të tij, ka dhe çështje të tjera të mprehta politike, në radhë të parë raporti shumicë (shqiptarë) - pakica, që po bëhet gjithnjë e më tepër sintagmë për të përcaktuar të ardhmen e Kosovës, statusin e saj.
Duket se faktorët vendimtarë për të ardhmen e Kosovës kanë qasje të ndryshme.

Qasja e shqiptarëve

Përkundër trysnive të mëdha nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, paria e Kosovës deri më sot ende nuk ka dalë me një qëndrim të përpunuar mbi raportet ndëretnike në Kosovë. E qëndrim i përpunuar do të thotë një strategji e përbashkët e faktorit politik dhe shoqërisë civile. Natyrisht deklaratat e dhëna andej këtej nuk kanë asgjë të përbashkët me strategjinë. Kjo e fundit vetëm sa theksohet nga fjalët në erë.
Marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë, paria jonë ia 'ka lënë kohës', duke futur kokën në rërë si struci.
Dhe sot realisht në Kosovë me këtë çështje merret seriozisht vetëm Adem Demaçi, i cili ka edhe guxim edhe mandat moral. Por nuk ka pushtet. E vetmja ndihmë që i japin Demaçit institucionet dhe partitë politike të Kosovës në këtë detyrë të rëndësishme qytetare është propaganda e organizuar denigruese që bëjnë kundër tij ekipet e specializuara partiake në të gjitha rastet e mundshme: në kafene, në media, në ndeja, në oda, në dasma e në vende ngushëllimi. Kudo.
Ndërka çështja e marrëdhënieve ndëretnike, kjo çështje parësore për Kosovën sot, mbytet me kërkesën vend e pavend për 'pavarësi', përkundër faktit tash të ditur edhe nga zogjtë se pavarësi të Kosovës nuk do të ketë kurrë pa krijuar hapësirë e mundësi që pakicat t'i gëzojnë të drejtat që u takojnë. E ato, ndër të tjera, janë: e drejta për të jetuar, për të lëvizur dhe për t'u shprehur shlirshëm; e drejta për t'u shkolluar, e drejta për të shfaqur dhe për të mbrojtur identitetin dhe interesat që lidhen me këtë identitet…
Është e dukshme se në këtë rrafsh në Kosovë ka ndryshime pozitive. Kemi sot një klimë tolerance që po vendoset ngadalë, por sigurt. Më e rëndësishmja është se harbimi shovinist dhe eksceset me shpërfaqje të urrejtjes ndëretnike nuk po hasin në mbështetje te pjesa dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës.
Askush në Kosovë me të drejtë nuk ka kundërshtuar faktin se edhe pse serbët përbëjnë nën 9% të popullsisë në vend, në parlament kanë 18.8% të deputetëve. Sepse ishte dhe është e nevojshme që pakicave t'u jipen mekanizma konkrete për të mbrojtur të drejtat e tyre.
Në Kosovë ekziston një opinion i favorshëm për të ndërtuar një bashkëjetesë të qëndrueshme: asnjë parti politike, asnjë grupim nuk ka në programin e saj diskriminimin e atyre që nuk janë shqiptarë, në media, marrë përgjithësisht, nuk ka gjuhë të urrejtjes ndaj bashkësive të tjera.
Dinjitarët më të lartë religjioz shqiptarë në të gjitha rastet thërrasin besimtarët e tyre me shumë vendosmëri për paqe e tolerancë.
Kjo duhet vënë në pah në të gjitha rastet.
Por, ndonse e kufizuar, nuk ka munguar të shfaqet as ana tjetër e medaljes, siç ishte rasti kobzi në Pejë, kur qindra të rinjë shqiptarë u vërsulën kundër pleqve e plakave serbe, që kishin shkuar në administratë për të realizuar një të drejtë elementare qytetare: marrjen e pensioneve.
Skena të tilla që lidhen jo vetëm me ato që kanë ndodhur në Kosovë, por edhe me krizën aktuale sociale, duhen identifikuar dhe mënjanuar me kohë. Para akteve të tilla nuk mjafton vetëm të arsyetohemi se ne shqiptarët nuk kemi pushtet, nuk kemi mekanizma…

Si e shohin serbët e Kosovës Kosovën

Pjesa më e madhe e popullsisë autoktone serbe në Kosovë (kjo nënkupton ata që njihen dhe vetëthirren si starosedeoci, banues të vjetër) e kuptojnë Kosovën si vendin e tyre. Janë të vetëdijshëm për ato që kanë ndodhur, janë të vetëdijshëm se shteti serb, të gjitha levat e tij, pa përjashtuar këtu Kishën serbe, kanë abuzuar me ta në mënyrën më kriminale. Por zëri i këtyre njerëzve është i pafuqishëm. Ata janë të kërcënuar nga politikanë të pamoralshëm dhe nga strukturat e shtetit serb, të pranishme në të gjitha mjediset në Kosovë.
Eshtë për të ardhur keq se as shqiptarët e madje as bashkësia ndërkombëtare nuk kanë ditur të punojnë me këtë pjesë të popullsisë serbe në Kosovë që ajo të shërbejë si urë për ndërtimin e një bashkëjetese të qëndrueshme në vend.
Një shtresë tjetër e gatshme për të pranuar realitetin që është krijuar në Kosovë është pjesa e të zhgënjyerve nga harbimet nacionaliste të Serbisë. Këta njerëz që kishin krijuar një emër dhe një perspektivë në Kosovë, pavarësisht se kur dhe nga kanë ardhur në Kosovë, sot i kanë humbur të gjitha: shtëpitë, banesat, punën, emrin, perspektivën… dhe e kanë mësuar me shpinën e tyre se në Serbi nuk i do askush. Këta serbë janë të gatshëm të jetojnë në Kosovë.
Një pjesë tjetër, kryesisht kolonistët që nuk janë liruar nga psikologjia koloniale, përbëhet nga njerëz të dehur me fanatizëm politik. Këta ekstremistë janë një bërthamë e fuqishme për të mbledhur edhe sot vota, vetëvrasëse për kosovarët serbë, në favor të Sheshelit dhe Millosheviqit.
Eshte vendi të përmendet këtu se procesi kundër Millosheviqit i organizuar dobët dhe pa një vizion të qartë për spektrin e efekteve negative te një pjesë e mirë e serbëve, ka kontribuar që votuesit serbë në Kosovë të mbështesin një politikë që është dëshmuar katastrofike për ta.
Por detashmenti më i rrezikshëm përbëhet nga pjesëtarët e strukturave politike, policore dhe ushtarake që kanë marrë pjesë në zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë. Këta e dijnë se në rast të kthimit në Kosovë do të përgjigjen para gjyqësisë për veprat penale që kanë kryer, prandaj shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për ta acaruar gjendjen në Kosovë.
Politikanët serbë nga Kosova, në masën më të madhe ndodhen në mes të këtyre shtresëzimeve, të paaftë dhe të pasigurt për të marrë rol udhëheqës në mbrojtje të interesave jetike të serbëve të Kosovës.
Kisha Ortodokse serbe, peshkopia e saj në Kosovë, si institucion jo vetëm shpirtëror por edhe politik me shumë rëndësi ka pësuar jo pak tronditje nga ngjarjet e viteve të fundit. Por ajo, ashtu si dhe politikanët kryesorë serbokosovar është nën një trysni të fortë të Serbisë dhe të ardhmen e serbëve të Kosovës e lidh gjithsesi me interesat e shtetit serb. Ndërkohë që në realitetin e sotëm, këto interesa janë kundërshtuese.
Me një fjalë politika e serbëve të Kosovës nuk është autoktone. Ajo varet nga moti në Beograd. Dhe sot në Evropë nuk ka asgjë më të paqëndueshme e më të paqartë se sa klima politike në Serbi.
Manipulimi i paskrupullt që Beogradi bëri me zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë është shembulli më i mirë për këtë.
Se si manipulon Beogradi me serbët e Kosovës tash së fundit po del në shesh edhe me rastin e dorëheqjes së Rada Trajkoviçit.

Serbia dhe qasjet për Kosovën

Serbia vazhdon të jetë shteti më i paqëndrueshëm në rajon. Krimi i organizuar ka përfshirë të gjitha strukturat e shtetit. Liderët kryesor po vazhdojnë edhe pas dy vjet të rrëzimit të regjimit të Millosheviqit të bëjnë një luftë të pakompromis për pushtet, fundi i të cilës është larg të dihet.
Përpjekjet për formimin e shtetit të përbashkët Serbi-Mali i Zi, tani po përthehen në folen e dreqit, në detajet juridike dhe ekonomike që s'u shihet fundi askund…
Në këto kushte Kosova dhe lufta për pushtet në Beograd vazhdojnë të jenë dy gjëra të pandashme dhe të pashmangshme. Prandaj sot është shumë vështirë të dihet saktësisht se cili politikan i Serbisë kur deklarohet për Kosovën realisht çka synon ai në konstelacionin e forcave në Beograd.
Disa gjëra megjithatë dihen:
- Grupimi rreth Koshtunicës, i cili fitoi shumicën e votave edhe në zgjedhjet e fundit të dështuara presidenciale, është për atë që Kosova të ndahet në mes serbëve dhe shqiptarëve. Sipas tyre Mitrovica mbetet argumenti themelor i identifikimit të interesave të shtetit serb në Kosovë. Në konferencën ndërkombëtare 'Siguria në Evropën Juglindore në prag të shekullit XXI', mbajtur në maj të vitit 2001 në Beograd, N. Qoviq, i ngarkuari i Serbisë për Kosovën, ka dalë hapur me propozimin për ndarjen e Kosovës. Sipas tij Kosova do të duhej të ndahej në dy etnitete. Atë serb, ku do të përfshiheshin vendet me monumentet kulturore dhe historike të serbëve, e të cilin do ta mbronin ushtria dhe policia serbe dhe etniteti shqiptar, ku do të vendoseshin të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe i cili do të vihej nën mbrojtjen ndërkombëtare.
Duke parë vendosmërinë e faktorit ndërkombëtar kundër këtij opsioni, grupimi i Koshtunicës tash po këmbëngul në stërzgjatjen pa fund të zgjidhjes së çështjes së Kosovës me shpresë se shqiptarët do të dëshmohen të paaftë të qeverisin, se nuk do të dijnë t'i zgjidhin problemet e brendshme, ndaj do të komprometohen përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe kështu do të hapet mundësia ose për ndarjen e Kosovës ose një vrimë për t'u kthyer shteti serb në Kosovë.
Me këtë pikëpamje janë edhe Akademia, Kisha dhe Shtatmadhoria.
- Grupimi rreth kryeministrit serb, Z. Gjingjiç, ende nuk ka dalë qartë me pikëpamjen se si e mendon zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duket se ai ishte prapa kërkesave për decentralizim të Kosovës që u intensifikuan në prag të zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë. Dhe kjo më tepër duhet të jetë si një intermeco për të. Sepse ky grupim llogaritet të jetë realist dhe pa komplekse për sa i përket kësaj çështjeje.
Fitohet përshtypja se në skenën politike serbe ditë e më tepër po shtohet numri i politikanëve që Kosovën e shohin si barrë tepër të rëndë për supet e molisura të Serbisë, por që nuk kanë guxim ta thonë, për shkak të indoktrinimit dominues në vend.
- Shoqëria civile serbe, sidomos ajo pjesë që ka rrezatuar vlera civilizuese në Serbi, kërkojnë respektimin e të drejave të pakicave dhe shprehen hapur në favor të pavarësisë së Kosovës. Këtu dominon vetëdija se shteti serb ka humbur çdo të drejtë të qeverimit me Kosovën.
Në këtë rrafsh me peshë të veçantë duket mendimi i Dushan Janjiq-it, kryetar i Forumit për marrëdhënie etnike, i cili është sot padyshim ndër ekspertët më të njohur e më kompetent për këso çështjesh në rajon.
Sipas tij, statusi final i Kosovës do të mund të zgjidhet në 10-15 vitet e ardhshme. "Në atë moment kur institucionet e Kosovës të aftësohen të kontrollojnë të gjitha proceset, ekonominë, sigurinë sociale, sigurimin pensional, punësimin në territorin e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët, atëherë statusi vjen vetëvetiu. Atëherë ata do të jenë të pavarur.
Nëse shqiptarët nuk do të aftësohen asnjëherë për ta bërë këtë, do të jenë nën protektorat të përhershëm, ose do të bëhet një kthesë në histori dhe atje do të kthehet drejtuesi serb…", ka deklaruara Janjiq për B92, pak kohë më parë.
Një analizë të veçantë meriton qasja e Janjiqit në nje tryezë për këtë çështje, tash në këtë funddhjetori: ngutja për përcaktimin e statusit të Kosovës në dy vitet që vijnë do të thotë ndarje e saj…

Bashkësia ndërkombëtare dhe qasja ndaj Kosovës

11 shtatori 2001, shënon një datë që ka goditur rëndë jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por dhe interesat e shqiptarëve të Kosovës.
Politika amerikane ka pësuar ndryshime të mëdha. Washingtoni tash ka përparësi të tjera që do të reflektohen edhe me tërheqjen substanciale të trupave nga rajoni i Evropës Juglindore. Kjo nënkupton lënien e Kosovës në duart e BE-së, e cila duket se mëton ta ruajë ende Serbinë e fortë. Dhe në kuadër të saj Malin e Zi dhe Kosovën. Trysnia që është bërë mbi Malin e Zi gjatë vitit të fundit për të pranuar diktatin evropian është një shembull konkret.
Në këtë politikë prinë Franca, Greqia dhe Italia.
Nëse deri më 11 shtator askush nuk ngutej gjithaq për përcaktimin e statusit të Kosovës, tash, e sidomos kohët e fundit, gjithnjë e më tepër po flitet se kjo çështje duhet të përmbyllet brenda tri vjetëve të ardhshme.
Ndërkohë të panjohurat e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Kosovën tash po dalin ditë e më tepër në pah. Shqiptarët vetëm pas tri vitesh mësuan se forcat ruse që ishin të vendosur në pikat më strategjike të vendit (në aeroport dhe në Drenicë!) nuk komandoheshin nga KFOR-i!
Në anën tjetër, sipas akademikut serb, Dushan Batakoviq, me hyrjen e KFOR-it në Kosovë, serbëve u është shpjeguar plani i kantonizimit, me të cilin parashihej që zonat e kontrolluara prej serbëve të kenë lidhje speciale me shtetin serb, gjë që është 'përshëndetur zëshëm nga serbët e Kosovës'. Kështu 'Kosova është kantonizuar spontanisht (!) për një kohë të shkurtë dhe në përputhje me një projekt-hartë prapa të cilës, që pa u zgjeruar lufta, kanë qëndruar Kisha serbe dhe Lëvizja serbe e Rrezistencës… Kantonizimi më i madh e më substancial është bërë në Veriun e Kosovës ku përfshihen enklavat serbe të Mitrovicës, Leposaviqit dhe Zubin Potokut… Duke falenderuar trupat franceze në këtë zonë të KFOR-it nuk është lejuar të bëhet bashkimi i Mitrovicës, citon Batakoviqin gazeta Danas në nëntor të këtij viti.
Ky implikim i drejtpërdrejtë i bashkësisë ndërkombëtare në copëtimin e Kosovës në fakt i ka dhënë grushtin më dërrmues idesë për Kosovën multietnike. Sepse para luftës, Mitrovica, sipas statistikave zyrtare serbe kishte popullsi dominuese shqiptare. Nga 104'885, 82'837, ose 78.98% ishin shqiptarë, 9'713, ose 9.04% ishin serbë, 1'216 ose, 1.16% ishin malazez, 5'205 ose 4.96% boshnjakë, 4'851 ose 4.63% ishin romë… Pra nën flamurin e KFOR-it është lejuar që 10% e popullsisë ta terrorizojë dhe te mbajnë peng 90% të popullsisë së një komune.
Me pëlqimin e bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të mbahet ende e pushtuar nga strukturat shtetërore serbe, pjesa veriore e Mitrovicës edhe pse dihet se shumica e popullsisë ishin shqiptarë, pra 11 mijë, ndërsa serbë kishte rreth 7000 veta.
Ky shembull nuk tregon vetëm përligjjen e copëtimit të Kosovës, por bën dëme të shumëfishta, sepse mban gjendjen e tendosur në vazhdimësi, acaron deri në konflikte të përgjakshme marrëdhëniet ndëretnike, hedh hije të zezë mbi përparimet e dukshme që janë bërë në Kosovë. Dëmton ekonomikisht Kosovën, sepse njëra prej minierave më të mëdha të kontinentit, aq e nevojshme për ekonominë e vendit, është jashtë prodhimit.
Me këtë akt, dhe jo vetëm me këtë, bashkësia ndërkombëtare është treguar praktikisht pengesa kryesore e politikës së proklamuar për Kosovën multietnike.
Nisur nga këto fakte, planit të Steinerit duhet besuar vetëm për aq sa shihet se përmes tij po bashkohet qyteti dhe Kosovës po i hiqet nga kurrizi një krizë me pasoja të shumëfishta.

Çelësi për ndërtimin e Kosovës multietnike…?

Termi 'multietnike' të kujton ato termat komuniste për bashkim-vëllazërimin, dhe kjo pasi konceptit qytetar për shtetin, koncept dominues në Evropë, bashkësia ndërkombëtare i jep jo vetëm tension, por dhe emër politik.
Pavarësisht nga emërtimet është e qartë se Kosova nuk mund të jetë një vend i lirë e as i pavarur nëse në të nuk respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare, politike.
I takon shumicës absolute, që në këtë rast jemi ne, shqiptarët, të rishikojnë gjendjen dhe marrëdhëniet me bashkëqytetarët joshqiptarë. Kështu vihen themelet e shtetit qytetar, në të cilin askush askujt nuk i jep të drejta, por ia respekton ato.
Dhënia e të drejtave sidomos në Ballkan ka një histori të dhimbshme, madje dhe të përgjakshme. A mund të harrohet shprehje e përtypur aq shumë nga autoritetet e Serbisë e Maqedonisë veçanërisht gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit se "Ne shqiptarëve u kemi dhënë të drejtat, që asnjë vend evropian nuk i ka aplikuar për pakicat"…
Ai që jep të drejta, ai edhe mund t'i marrë ato. Dhe mu kjo ka qenë në thelb të luftërave që kanë përgjakur gjithë ish-Jugosllavinë në dhjetëvjetëshin e fundit. Në këtë kuptim shqiptarët si shumicë në Kosovë, nuk duhet të lejojnë kurrë që bashkëqytetarëve të tyre "t'u japin të drejta", por t'ua njohin dhe t'ua respektojnë ato.
Historia e marëdhënieve serbo-shqiptare përbën thelbin e asaj që quhet sindrom ballkanik: lufta për territore pa zgjidhur mjete, përpjekje për të mbijetuar, urrejtje patologjike ndëretnike, bashkëjetesë në ankth e pasiguri të përhershme. Por kjo duhet të marrë fund.
Luftëra, shumë luftëra, ka pasur, ta zëmë, edhe në mes francezëve e gjermanëve, por sot ata janë popuj që janë në themel të ndërtimit të një kontinent-shteti të ardhshëm.
Arsyet e kësaj duhen gjetur te identifikimi dhe harmonizimi i interesave, te negociimi i kompromiseve, që në jetën e njerëzve dhe të shteteve janë të pashmangshme.

Në këtë kuadër, ata që sot janë udhëheqja e Kosovës do duhej të dilnin me propozime konkrete për zgjidhjen e problemit të pakicave në Kosovë, të serbëve në radhë të parë.
Dhe këtyre propozimeve t'u bëhet jehonë duke i shtruar për sygjerim para komisionit përkatës të Këshilit të Evropës, BE.-së dhe parasegjithash SHBA-ve.
Kosova është ajo që duhet të ketë vazhdimisht oferta dhe projekt-zgjidhje.
Por këto oferta që u paraqiten kosovarëve serbë dhe fuqive të mëdha, duhet të kenë një kushtëzim të pakapërcyeshëm: respektimi i tërësisë territoriale të Kosovës dhe zhbërja njëherë e përgjithnjë e strukturave të shtetit serb që funksionojnë ende sot në Kosovë.
Dhe prapa këtyre qëndrimeve të ketë një unison e bashkëveprim të plotë të të gjithë faktorit shqiptar në Kosovë dhe jashtë.
Duhet te nënvizohet se me serbët e Kosovës duhet biseduar me tolerancë e mirëkuptim maksimal për të gjitha problemet; ndërkaq me Beogradin bisedohet vetëm për çështje që lidhen me ndarjen e pashmangshme siç është sukcesioni apo dëmet e luftës. Në këto bisedime ndërmjetësimi amerikan është i domosdoshëm.

Përfundim

Sipas 8 opsioneve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës që i ka paraqitur publikisht Instituti Amerikan për Paqe, opsioni i gjashtë dhe i shtatë duken më të arsyeshmit, por dhe më të favorshmit për Kosovën:

Pavarësia e kushtëzuar; Kosova e pavarur brenda kufinjve aktual e kushtëzuar me një rend dhe qeverim demokratik, respektim të të drejtave të pakicave, sjellje të përgjegjshme në rajon…;

Pavarësia nga një datë e caktuar; Pas zgjerimit të kompetencave të organeve vetëqeverisëse, bashkësia ndërkombëtare do ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe do t'u garantonte serbëve një autonomi të gjerë lokale...

Mesazhi është i qartë: prej shqiptarëve kërkohet të tregohen të aftë për të vetëqeverisur dhe për të zgjidhur problemet e brendshme ndëretnike, me një fjalë t'i integrojnë të gjithë qytetarët.
Kjo nënkupton integrimin e bashkësive etnike pakicë në të gjitha organet dhe institucionet e vendit; universitetin për serbët e Kosovës, Fakultetin e Kulturës boshnjake, financimin e shkollimit të pjesëtarëve të pakicave të tjera për të pasur ato kuadro dhe mekanizma për të mbrojtur të drejtat dhe për të kultivuar identitetin e tyre.
Kosova ka rastin historik t'i japë një mësim të mirë gjithë rajonit se si diversitetet e një vendi mund të kthehen nga sherre të pafund në përparësi për të ecur më shpejt dhe më mirë drejt mirëqenies së qëndrueshme dhe integrimeve.

Kjo qasje nuk do ta dobësojë, përkundrazi do ta forcojë Kosovën.


 

COPYRIGHT ©2001 WWW.PASQYRA.COM PASQYRA - INFO WEBMASTER NDRYSHUAR MË:. 22.10.2004 0:42
ASNJË ARTIKULL NUK MUND TË BOTOHET PA LEJEN ME SHKRIM TË REDAKSISË